Qendra e Studimit të Arteve diskuton mbi monografinë “Kinemaja para gjyqit”

Qendra e Studimit të Arteve, pjesë e Akademisë së Shkencave, prezantoi monografinë “Kinemaja para gjyqit: nga kinokronikat e gjyqeve të popullit, te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”, me autore dr. Jonida Gashin.

Drejtori i QSA-së, akad. asoc. Stefan Çapaliku falënderoi autoren për qasjen origjinale mbi kinokronikat e kinematografinë shqiptare.

Autorja dr. Jonida Gashi nëpërmjet një dialogu me moderatoren e kësaj veprimtarie, dr. Anxhela Çikopanon, rrëfeu për punën e saj kërkimore disavjeçare për marrëdhëniet mes kinemasë, drejtësisë dhe avangardës në Shqipërisë socialiste.

Autorja rrëfeu se, interesi rreth kësaj teme iu zgjua kur ndeshi pamjet filmike të proceseve gjyqësore kundër armiqve të popullit, të cilat ishin zhvilluar në sallat e kinemave shqiptare, nën regjimin komunist. Ajo tha se kinoditarët dhe dokumentarët e bazuar në punimet e gjyqeve të popullit ishin shumë të paktë në numër dhe shumë shpejt zbuloi se ndikimi i tyre në kinemanë e realizmit socialist shqiptar kishte qenë më i madh nga sa mund të merrej me mend. Më tej, dr. Gashi vuri në dukje se ky libër është rezultat i kërkimeve të një pune disavjeçare që u përfundua në Qendrën e Studimit të Arteve.

Veprimtaria u mbyll me pyetje për autoren dhe diskutime për çështjet e trajtuara në monografinë “Kinemaja para gjyqit: nga kinokronikat e gjyqeve të popullit, te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”./ KultPlus.com

Studimi ‘Kinemaja para gjyqit’, botohet libri i Jonida Gashit

Pleksja e sferave të drejtësisë me atë të kinematografisë, jo vetëm si ndërthurje por edhe si ndërhyrje e imponim, është shqyrtuar në një studim të Jonida Gashit.

Kjo e fundit ka prezantuar në Galerinë Zeta, studimin “Kinemaja para gjyqit, nga kinokronikat e gjyqeve të popullit te filmat e vigjilencës revolucionare të masave”.

Sipas saj, ideja ka nisur nga gjyqet e popullit që ishin procese politike kundër kundërshtarëve politikë ose atyre që shpalleshin si të tillë nga sistemi shtypës komunist.

“Kur i kam parë këto kronika të realizuara në fundin e viteve 40’ dhe në gjysmën e parë të viteve 1950, m’u dukën avangardiste. Në thelb avangardiste sepse kemi të bëjmë me një lloj konvergimi ose mbivendosje të këtyre dy sferave që synon drejt shkrirjes së artit me politikën, arti në këtë rast kinematografia e politikja, drejtësia”, tha Gashi.

Studimi ndahet në tre kapituj për tri periudha, ndërsa Jonida ndalet te dallimi mes fillimit dhe fundit.

“Në 10-vjeçarin e parë u hodhën praktikisht themelet e asaj që quhej ligjshmëria socialiste dhe artit të realizmit socialist, ndërsa gjatë periudhës së revolucionit kulturor, pati përpjekje për të radikalizuara sferën e drejtësisë përfshirja e njerëzve të zakonshëm ose masave punonjësve në dhënien e drejtësisë, në zbulimin e hetimin e gjykimin e krimeve dhe pak më vonë edhe për sferën e artit”, shtoi Jonida Gashi.

Botimi përqendrohet në dy momente kyçe: Dhjetëvjeçari i parë i vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe më pas periudha e revolucionit ideologjik dhe kulturor./euronews/ KultPlus.com