Kisha e Shën Mërisë në ishullin e Maligradit, guri i çmuar i Prespës

Pas restaurimit të çatisë së kishës së Shën Mërisë në ishullin e Maligradit në Prespë, vijon puna për ruajtjen e vlerave të këtij monumenti.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë e mbështetur nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Transboundary Biosphere Prespa” në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe European Heritage Volunteers po punojnë për ruajtjen e këtij guri të çmuar të Prespës.

Kjo kishë është një atraksion turistik i rëndësishëm jo vetëm për parkun Kombëtar të Prespës, por për mbarë rajonin dhe Shqipërinë.

Kisha e Shën Mërisë ndodhet në liqenin e Prespës në ishullin e Maligradit. Kisha e Shën Mërisë e shekullit XIV është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte si tjegulla, kolona e kapitele që i përkasin sipas arkeologëve një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qënë në pjesën e sipërme të liqenit.

Sipër këtij ishulli ndodhen edhe rrënojat e vilës verore të car Simeonit të shekullit XI. Kisha e Shën Mërisë është një themelim i vjetër dhe ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske./atsh/ KultPlus.com

Kisha e Shën Mërisë në Dropull, xhevahir i trashëgimisë kulturore

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kishën e Shën Mërisë të Peshkëpisë së Sipërme në Dropull, një xhevahir i trashëgimisë sonë kulturore, shpëtuar nga rrënimi degradues dhe sot e rilindur plotësisht dhe e kthyer në një arsye më shumë për ta vizituar këtë zonë mahnitëse të Gjirokastrës.

I shoqëruar nga ish-ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Rama vizitoi nga afër mjediset e kësaj kishe dhe u njoh me procesin e restaurimit.

Kumbaro tha se “kjo është një nga kishat më të vjetra në rajon, në mos më e vjetra dhe ishte pothuajse gjysmë e rrënuar”.

“Përdorej më shumë si strehë nga njerëz të ndryshëm që edhe në periudhën e tranzicionit kalonin kufirin në mënyrë ilegale. Rruga nuk ka qenë dhe ishte një zonë shumë e vështirë për tu asistuar”, tha Kumbaro.

Ajo theksoi se kisha ishte e tëra e krisur dhe kemi bërë projektin me shumë detaje, me një kontribut shumë të madh të profesor Aleksandër Meksit dhe Piro Thomos, që kanë lënë gjurmët e tyre në këtë restaurim.

“Kisha ishte komplet e krisur dhe u restaurua e gjitha edhe ikonat murale. Nëse në kishat e tjera bizantine ose pas bizantine i kemi me ikonastas me elementë druri dhe me piktura murale këtu janë gurët si elementë të parë të përdorur. Kemi po ashtu restaurim të jashtëm të gjithë oborrit. Për zonën dhe për gjithë Dropullin kjo është një nga kishat më të rëndësishme”, tha Kumbaro. /atsh / KultPlus.com