Presidentja Osmani për vdekjen e Berishës: Njëri ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës

Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Kolë Berisha sot ka vdekur si pasojë e një sëmundje të rëndë, përcjell KultPlus.

Kolë Berisha ishte Kryetar i Kuvendit të Kosovës nga marsi 2006 deri në 2007, gjithashtu ishte edhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ishte presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e cila përmes një statusi në rrjetin social Facebook theksoi se lajmin për vdekjen e Berishës e ka pranuar me një pikëllim të thellë, duke iu referuar këtij të fundit si njëri dnër veprimtarët më të shquar të lëvizjs për pavarësinë e Kosovës.

Më poshtë gjeni statusin e plotë të presidentes Osmani:

Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të Kolë Berishës, njërit ndër veprimtarët më të shquar të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, bashkëpunëtorit e bashkëmendimtarit të presidentit historik, dr. Rugovës, njeriun e urtë e njeriun e paqes, i cili tërë jetën ia kushtoi lirisë së vendit të tij.

Sot, ai u nda nga ne, duke na lënë të pikëlluar, por edhe krenarë për veprën e tij shumëdimensionale. Mësues i hershëm dhe idealist i madh, autor tekstesh letrare e veprimtar i pashoq politik, pajtues gjaqesh e urë lidhëse mes njerëzish, kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës e politikan i urtë, bacë Kola dha shembullin e njeriut i cili beson në idealin e lirisë dhe ia kushton tërë jetën asaj. Ndarja nga jeta e tij do të lë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të! / KultPlus.com