288 vjet nga hapja e ‘Shën Ardianit’, kolegji më i rëndësishëm i mësimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare

Një nga vatrat më të rëndësishme të mësimit dhe ruajtjes së kulturës shqiptare në Itali ka qenë padyshim edhe Kolegji arbëresh i Shën Adrianit.

Ky institucion i rëndësishëm hapi dyert 288 vjet më parë, me 19 janar të vitit 1732 dhe shërbeu si qendër e rëndësishme arsimore dhe kulturore e arbëreshëve të Italisë.

Kolegji fillimisht u quajt Kolegji arbëresh Korsini. Me themelimin e Katedrës së Gjuhës Shqipe nga Jeronim de Rada (1849), dha ndihmesë me vlerë për shkollën shqipe e mendimin pedagogjik shqiptar. Pothuajse të gjithë shkrimtarët e dijetarët arbëreshë të ngulimeve të Kalabrisë e të Bazilikatës, gjatë shek. XVIII-XIX, kanë ndjekur këtë institut arsimor.

Në këtë kolegj studiuan dhe u formuan personalitete të ndryshme kishtare e kulturore shqiptare, si: Jeronim De Rada, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Kolë Kamsi e të tjerë. Trashëgimia kulturore arbëreshe është ura shpirtërore midis Arbërisë dhe Shqipërisë së sotme. Kolegji arbëresh i Shën Adrianit pati një rëndësi të madhe për konsolidimin e kësaj trashëgimie kulturore e atdhetare. / KultPlus.com

5 tetor 1732, kur në Kalabri u themelua kolegji arbëresh i Shën Benedetto Ulanos

Më 5 tetor të vititi 1732 u themelua Kolegji arbëresh i Shën Benedetto Ulanos, në Kozencë të Kalabrisë.

Hapja e kësaj shkolle të rëndësishme ku u formësuan shumë intelektualë arbëreshë, u bë nën kujdesin dhe ndihmën e drejtpërdrejtë të Papës Klementi XII. Më vonë Kolegji i Shën Benediktit Ulanos u transferua në Shën Mitër Korone dhe u quajt Kolegji i Shën Adrianit. Fillimisht u hap në një manastir të vjetër bazilian, nën drejtimin e Shën Nilit të Rosanos.

Kishte për qëllim të përgatiste klerin shqiptar të ritit lindor bizantin, që do të shërbente në Kishat arbëreshe e mundësisht edhe në Shqipëri, por jo më pak edhe laikët. Priftërinjtë dhe rregulltarët e përgatitur në këtë kolegj, do të kapërcenin Adriatikun, për të themeluar manastiret dhe shkollat e tyre në bregun tjetër, në Himarë e rrethina, siç kujton, në këndvështrimin e vet, Petro Marko në librin e tij postum “Intervistë me vetveten”.

Ndërkaq më 1734 në Palermo të Sicilisë, Atë Guzetta do të hapte një tjetër kolegj me të njëjtin qëllim, që gjithashtu i dhuroi figura të ndritura kulturës shqiptare. Në prag të Rilindjes Kombëtare kolegji do të bëhej vatra më e nxehtë e ndjenjave të flakta të atdhedashurisë e të dëshirës për t’u çliruar nga pushtuesi. Këtu De Rada më 1899 do të rifillonte të jepte mësimin e gjuhës shqipe, këtu do të edukoheshin disa nga personalitetet e plejadës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të asaj Italiane, si De Radës, Anton Santorit, Mikel Markianoit, Luigj Gurakuqit, Kolë Kamsit, Kostaq Cipos. / KultPlus.com