“Gratë po vriten veç se janë gra”, nesër mbahet protestë në sheshin ‘Zahir Pajaziti’

Nesër mbahet protesta “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare” organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, përcjell KultPlus.

Protesta fillon nga ora 16:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Më poshtë gjeni postimin e tyre të plotë:

Edhe një burrë sot vrau një grua. Edhe një grua që ra viktimë e patriarkatit që i bënë burrat vrasës e grave ua merr jetën. Sot, për të dytën herë brenda javës, u njoftuam edhe nga një vrasje tjetër makabre e një gruaje shtatëzënë nga ish-bashkëshorti i saj në QKUK, në sytë e shtetit. Pesë ditë, dy vrasje.

Gratë po vriten një nga një në Kosovë, në shtëpitë e tyre, në spitale e rrugë nga burrat bashkëshortë, familjarë e të njohur. Me sopata e plumba e në mënyrën më makabre burrat po ua marrin jetën grave. Ata po vrasin gratë në sytë tanë e në dijenin e shtetit e me ndërmjetësimin e tij. Gratë vriten, e para kësaj dhunohen vazhdimisht, në heshtje e pa mbrojtje. Ato jetojnë nën frikë të vazhdueshme, deri sa në fund iu merret edhe fryma e fundit.

Gratë po vriten veç se janë gra. Ato po vriten nga burrat sepse ky sistem i ka mësuar ata që gratë janë pronë e tyre, gjithmonë të nënshtruara me dhunë ndaj pushtetit të burrave.

Rasti i sotëm i femicidit dhe ai i para pesë ditëve, janë alarmet e fundit që shteti dhe shoqëria ta trajtojë si urgjencë kombëtare vrasjen e grave nga burrat. Janë sinjale që na ftojnë në organizim e revoltë. Ne thërrasim përfundimisht në organizim gjithëpopullor për t’i kundërshtuar luftës që na u është shpallur nga ky sistem i cili është duke synuar t’i shfarosë gratë.

Ne nuk mund të lejojmë që gratë të vriten a të jetojnë më frikë e dhunë deri në fund të jetës. Organizohemi e luftojmë kundër patriarkatit, shtetit e burrave dhunues e vrasës. Organizohemi për të thënë përfundimisht që vrasja nuk është çështje private. Ajo është çështje politike, rezultat dhune e shtypjeje strukturore ndaj grave. Organizohemi që asnjë grua të mos jetojë nën dhunë e frikë se një ditë do i vije rradha asaj.

Nesër, ora 16:00, sheshi “Zahir Pajaziti”, Prishtinë.

Mjaftë ma! / KultPlus.com

“Publikja ju takon studentëve”, protestuesit gjuajnë me ngjyrë lokalet te Parkingu i ri në Prishtinë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar sot aktivitet në kampusin e Universitetit të Prishtinës, përballë Fakultetit Filologjik, aty ku është u ndërtua parkingu nëntokësor.

Një numër simbolik studentësh iu bashkuan këtij aktiviteti, për kundërshtuar “ozurpimin e hapësirës publike të UP-së nga bizneset private”.

Me moton “Publikja ju takon studentëve” ata kanë shkruar me sprej në pllakat e betonuara të ish-parkut përpara Filologjikut, si dhe kanë hedhur ngjyrë në xhamat e bizneseve të sapohapura në këtë pjesë.

“Sot u bëmë bashkë studente/ë dhe aktiviste/e për të denoncuar dhe kundërshtuar uzurpimin e hapësirës publike të UP-së nga bizneset private dhe për t’iu treguar atyre që janë të padëshirueshëm këtu”, thuhet në njoftim.

“Aty ku sot janë bizneset private dhe një parking, dikur ishte një park publik. Tash këtu ka beton e uzurpim. Këto biznese që po i shohim mbrapa nesh janë këtu përkundër vullnetit tonë e në dëmin tonë. Tri vite më parë, Komuna e Prishtinës kishte filluar gërryerjen e hapësirës, për të nisur kështu një proces të privatizimit, frytet e së cilës po i shohim sot”.

“Uzurpimi i parkut të UP-së përveç që shënon një ndërhyrje të egër në hapësirën publike, tregon edhe një ndërhyrje tjetër për ta varfëruar edhe më tej xhepin e studentëve. Ne veç se jemi në dijeni që studentët janë ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, me pak mbështetje shtetërore, me kushte të dobëta financiare e trajtim të padinjitetshëm. E privatizimi i mëtejmë i çdo shërbimi, duke përfshirë këtu edhe ushqimin, veç sa do ta varfërojë edhe më tej studenten e studentin. Ne duam që ushqimi dhe shërbimet tjera brenda kampusit të na sigurohen si shërbime publik në kuadër të UP-së e jo të përdoremi si mjet për rritje të të hyrave të bizneseve”.

“Për ne, është e papranueshme dhe do duhej të ishte edhe e jashtëligjshme që të vazhdohet kjo që është duke i ndodhë UP-së. Privatizimi i hapësirave publike të UP-së duhet të ndalet. Edhe ato pak hapësira gjelbërta publike të cilat kanë qenë në shfrytëzim të studentëve të UP-së tash janë duke u plaçkitur nga sektori privat. E kjo duhet të ndalet. Nuk mund të lejojmë që çdo gjë që i takon publikes të vihet në shërbim të përfitimeve të bizneseve. Nuk mund të lejojmë që kampusi ynë t’i jepet bizneseve private”.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkon që:

1. Parku publik të iu kthehet qytetarëve dhe të ndalohet “kjo vjedhje e çdo cepi që i takon publikes -Komuna e Prishtinës ta ndërprejë këtë eksperiment që po bëhet në kurrizin tonë”.

2. UP-ja, profesoriati dhe përfaqësuesit e studentëve të marrin qëndrim dhe ta kundërshtojnë “këtë të keqe është duke na i përbi hapësirat publike”;

3. Shërbime publike, të përballueshme për studentët/et brenda UP-së.

“Ne po e theksojmë që këto biznese janë të padëshiruara për ne si studentë. Ky kampus na takon neve dhe jo bizneseve private”, thuhet tutje në njoftim. /KultPlus.com

Vazhdon protesta për rastin e 11 vjeçares, kërkohet shkarkimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, po vazhdon dhe kjo do të ndodhë derisa shteti nuk përgjigjet, përcjell KultPlus.

Përdhunimi i vajzës 11 vjeçare nga 5 djem e burra dhe dështimi institucional nuk mund të tejkalohet me dy shkarkime, dorëheqje e lojë fasjësimesh mes institucionesh. Dhuna ndaj vajzave dhe grave është në nivele pandemike, andaj dhe luftimi i saj duhet të jetë urgjencë kombëtare.

Njoftime të reja tregojnë që 11 vjeçarja ka qenë edhe më herët viktimë e përdhunimit dhe trafikimit. Për më shumë ajo ka qenë nën mbikëqyrjen e shtetit kur u përdhunua në gusht. Ajo u la nga shteti pa mbrojtje i cili u bë bashkëfajtor në përdhunimin e saj. E kjo jo si incident i izoluar por si sjellje e vazhdueshme e shtetit në raport me vajzat dhe gratë që përjetojnë dhunë me bazë gjinore në Kosovë. Shteti vazhdon ta ushqejë fenomenin e dhunës ndaj grave duke mos ndëshkuar mostrajtimin e duhur të rasteve të dhunës ndaj grave.

Neglizhenca e shtetit është duke ua rrezikuar dhe më tej vajzat dhe gratë në Kosovë, sidomos atyre të mitura. 85% të viktimave të dhunës seksuale në periudhën 2019-2021 kanë qenë të mitura sipas Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës. Tutje, raporte kanë treguar se gjykatat vendore kanë dhënë dënime nën minimumin e lejuar me ligj në më shumë se gjysmën e rasteve të dhunës seksuale.

Ndaj kësaj braktisje shtetërore dhe pasigurie, ne zgjidhje të vetme e kemi protestën. Të hënën ne mblidhemi dhe i përgjigjemi me revoltë mos adresimin e duhur të kërkesave tona të së mërkurës. Në përgjigje të adresimit të kërkesave tona nga Qeveria dhe detajeve të reja që e përfshijnë edhe Prokurorinë, protestën tonë do ta nisim tek Qeveria e do ta përfundojmë tek Këshilli Prokurorial. Pas Qeverisë, ne do të ulemi dhe do ta bllokojmë hyrjen e Këshillit Prokurorial deri sa të marrim përgjigje për kërkesat tona.

Kërkesat për Qeverinë të hënën janë:

1. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray)

2. Shkarkimin e zyrtarëve policorë përgjegjës për rastin e përdhunimit të së miturës;

3. Krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në Polici;

4. Siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale, përfshirë këtu këshillimin psikologjik të vazhdueshëm të të miturës 11 vjeçare të ofruar nga shteti;

5. Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla përfshirë këtu edhe qendrat e korrektuese. Edukimi mbi seksualitetin dhe integritetin fizik është qenësor në të kuptuarit e drejt të konceptit të dhënjes së pëlqimit si parakusht i krijimit të çdo marrëdhënieje seksuale.

6. Minstri i Financave, Transfereve dhe Punës, Hekuran Murati të krijojë komision hetues për përdhunimin e të miturës i cili zhvillon punimet publikisht dhe publikon konkluzionet dhe rekomandimet e tij;

7. Këshillit Prokurorial të Kosovës t’i propozojë presidentes shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë Kujtim Munishi.

Protesta e së mërkurës kundër përdhunimit të 11 vjeçares nga 5 djem e burra, na çoi tek informata të reja që e dyfishojnë fajin e shtetit në këtë krim. Të premten u arrestuan edhe 6 burra tjerë të cilët në qershor e kishin trafikuar, e kishin dhunuar dhe e kishin shfrytëzuar për shërbime seksuale të miturën. Përkundër kësaj, ne jemi pa llogaridhënie prej Prokurorisë së Shtetit që kanë dështuar ta mbrojë viktimën dhe ta parandalojë përdhunimin e saj në gusht.
Në anën tjetër, Qeveria sot na njoftoi që ka nisur punën për kërkesat tona. Ndonëse e mirëpresim këtë, ne do t’i qëndrojmë mbrapa të gjitha kërkesave tona deri sa të gjitha të realizohen.
Në këto kushte, protesta e nesërme nuk mund të ndalet tek Qeveria. Ajo do të vazhdojë drejt KPK-së, ku do të kërkojmë shkarkimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.
Sa më shumë prej nesh, aq më të forta/ë jemi!
“, thuhet në njoftimin e tyre./ KultPlus.com

Feministet me mbishkrime në muret e Vushtrrisë: Çajin qite vetë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se sonte aktivistet nga qyteti i Vushtrrisë së bashku me Kolektivin për Mendim dhe Veprim Feminist, mbushën muret e qytetit me mbishkrime feministe të cilat shpërfaqin dhunën sistemike ndaj vajzave dhe grave, përcjellë KultPlus.

Sipas tyre, duke pasur paraysh shumësinë e formave të shtypjes së grave në kushtet e patriarkalitetit, aktivistet dhanë mesazhe revolte dhe solidariteti në luftën kundër çdo shtypjeje. / KultPlus.com

‘Prof i ed. fizike s’dmth me ma prekë trupin’, grafitet e aktivisteve në muret e Lipjanit

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist sonte ka zhvilluar një aksion simbolik me grafite në muret e qytetit të Lipjanit, me mbishkrime në shenjë kundërshtimi ndaj dhunës ekonomike, fizike dhe psikologjike që ushtrohet mbi gratë dhe vajzat, shkruan KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook Kolektivi për Mendim Veprim Feminist ka shkruar se mesazhet në mure bëjnë të ditur atë që veç se e përjetojnë gratë në shtëpi, shkolla, rrugë, kafe e institucione tjera publike.

“Mesazhet e lëna, bëjnë të ditur atë që veç se e përjetojnë gratë në shtëpi, shkolla, rrugë, kafe e institucione tjera publike dhe kumtojnë që gratë janë të revoltuara dhe të vendosura që ta luftojnë sistemin dhe shtypjen e tyre të vazhdueshme”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.

Disa nga mesazhet e shkruara në mure janë: ‘Prof i ed. fizike s’dmth me ma prekë trupin’, ‘Gruaja s’o rob i burrit!’, ‘Ngacmimet seksuale kanë emra (Ju njohim…)’, ‘Viva Fresh, Interex, ETC…: Milionera n’kurriz t’punëtorëve’, ‘Këtu ka ngacmues seksual’, ‘Virgjëria është shpikje e burrave’, ‘Gruaja s’i nënshtrohet burrit!’ dhe ‘Përdhunuesit n’burg, jo n’institucione’.

Kujtojmë se aksione të tilla javë më parë janë ndërmarrë edhe në komunën e Deçanit dhe Mitorvicës.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:

Sonte, aktivistet feministe nga Lipjani dhe Kolektivi mbushën muret dhe rrugët e qytetit me mbishkrime në shenjë kundërshtimi ndaj dhunës ekonomike, fizike dhe psikologjike që ushtrohet mbi gratë dhe vajzat.

Mesazhet e lëna, bëjnë të ditur atë që veç se e përjetojnë gratë në shtëpi, shkolla, rrugë, kafe e institucione tjera publike dhe kumtojnë që gratë janë të revoltuara dhe të vendosura që ta luftojnë sistemin dhe shtypjen e tyre të vazhdueshme./ KultPlus.com

Sonte, aktivistet feministe nga Lipjani dhe Kolektivi mbushën muret dhe rrugët e qytetit me mbishkrime në shenjë…

Posted by Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist on Saturday, May 8, 2021