Baleti Kombëtar i Kosovës me premierë të baletit në Itali

Baleti Kombëtar i Kosovës, ka filluar provat për premierën e radhës, të tretën për vitin 2023, e cila këtë herë vjen si bashkëpunim me koreografin arberesho-italian Antonio Pio Fini, shkruan KultPlus.

Premiera “Shtegtimi” do të shfaqet në  tri qytetet kalabreze San Benedetto, Villapiana dhe Altomonte. Kjo shfaqje do të jepet në muajin korrik në kuadër të festivalit Ndërkombëtar “Fini Dance Festivale”/KultPlus.com

Festivali Folklorik Kombëtar rikthehet në Gjirokastër më 24 qershor

Në Sallën Blu të Teatrit të Operas e Baletit, ministrja e Kulturës, Elva Margariti shpalli datat e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Eventi i një rëndësie madhore për artin e kulturën shqiptare do të mbahet nga data 24 qershor deri më 1 korrik. Festivali Folklorik Kombëtar kthehet në Gjirokastër pas 8 vitesh dhe do të ketë më shumë se 1200 pjesëmarrës.

“Tashmë jemi rikthyer në aktivitetet artistike kulturore pas pandemisë, me më shumë etje, për të sjellë një nivel të ri jo vetëm performance, por edhe një mendësi të re në përqafimin sidomos të brezave të rinj me festivalin e Gjirokastrës”, deklaroi gjatë konferencës për media, ministrja e Kulturës, Margariti.

Që kur nga Ministria e Kulturës u njoftua rikthimi i Festivalit Folklorik, në qarqe të ndryshme të vendit nisi puna përgatitore e grupeve artistike pjesëmarrëse. Shumë shpejt në qytetin e gurtë do të kemi mundësinë të shohim paradën e motiveve, ritmeve, ngjyrave, këngëve, valleve, riteve të cilat do të shpalosen në skenën emblematike të Kalasë së Gjirokastrës./atsh/KultPlus.com

Përurohet mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë

Mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar, i cili iu nënshtrua restaurimit, u përurua sot në një ceremoni të veçantë në sheshin “Skënderbej”.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e pranishme në ceremoninë e përurimit tha se, “është emocionuese që ia dolëm kësaj dite, që përtej vështirësive të orëve të para pas tërmetit, u kthye për të gjithë ne në një motivim pune, shprese, për të arritur këtu ku jemi, për të rimëkëmbur atë çfarë është e bukura jonë shqiptare, por mbi të gjitha për t’i ridhuruar Tiranës një kartëvizitë të vërtetë, siç është mozaiku i Muzeut Historik Kombëtar”.

Margariti u shpreh se, nuk do t’ia kishte dalë dot e vetme, pasi theksoi ajo, “është patjetër falë edhe mbështetjes së skuadrës së madhe të Ministrisë së Kulturës, që në asnjë moment nuk hezitoi që të hartonte me qindra projekte objektesh të dëmtuara”.

Ajo dha një falënderim të veçantë edhe për ambasadorin Soreca, i cili theksoi Margariti, “besoi që në fillim dhe na shtriu dorën e bashkëpunimit dhe gjithë ambasadorët e pranishëm këtu që kanë qenë prezentë, jo vetëm në rastet e vështira, por sa herë që kemi pasur për të celebruar atë çfarë na lidh bashkë, që është e bukura”.

“Faleminderit edhe ambasadores Hohmann që e mori stafetën në një moment të vështirë, kur dukej se kantieret e restaurimit ishin futur në problematikat e mëdha, por së bashku ia dolëm të arrijmë në këtë ditë”, u shpreh Margariti.

Ministrja Margariti theksoi se restaurimi i mozaikut ka qenë punë e gjatë dhe e vështirë.

“Të restaurosh një mozaik, të vendosësh ca teserina mund të dukej si një rrugë e lehtë, por nuk ka qenë e tillë. Më vjen mirë që kemi bashkëpunuar me të njëjtën fabrikë, e cila në vitet ’80 ka realizuar këto teserina dhe ndodhet në Venecia. Me habinë e madhe të tyre panë se si kishim ruajtur në magazinat tona këtë numër të lartë të teserinave dhe sot i riprodhoi me të njëjtën cilësi si atëherë, për të bërë këtë kartëvizitë që është shumë simbolike”, tha Margariti.

Margariti bëri të ditur se, shumë shpejt do të nisë projekti i madh për restaurimin e plotë të Muzeut Historik Kombëtar.

Ndërsa ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann në fjalën e saj falënderoi të gjithë ata që kanë punuar për restaurimin e mozaikut.

“Jnë vërtet artistë, të cilët me të gjitha aftësitë e tyre, me artin e tyre kanë bërë një punë të mrekullueshme. Kanë mësuar edhe studentët, duke i përçuar këto aftësi tek të rinjtë. Falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe të gjithë ekipin e UNOPS, nuk mund t’ia kishim dalë pa ju”, tha Hohmann.

Ambasadorja Hohmann u shpreh se, “ju dëgjuat që bëhet fjalë për 123 tonalitete ngjyrash që janë përdorur për të gjithë pjesëzat që bëjnë mozaikun. Mendoni sa aftësi janë përdorur këtu dhe të gjitha këto do vazhdojnë të përdoren edhe në të ardhmen”.

“Janë të gjitha këto aftësi, të cilat përbëjnë çdo pjesë të këtij mozaiku, jo vetëm këtij që kemi këtu, por edhe të jetës sonë. Janë këto aftësi, të cilat do të përdoren edhe në të ardhmen, për t’i bërë ballë çdo vështirësie që do të vijë edhe në sferën ekonomike. Kemi gjithë këtë larmi aftësish dhe pikërisht kjo është edhe motoja e BE-së, të bashkuar në diversitet, në këtë larmi, që ne ofrojmë dhe këtë dëshirojmë që të bëjë Shqipëria kur të bëhet shtet anëtar i BE-së”, tha Hohmann.

Projekti madhor i restaurimit të mozaikut të Muzeut Historik Kombëtar u mundësua falë programit “EU4Culture”.

Mozaiku i fasadës së Muzeut Historik Kombëtar, sipas shënimeve, është një mozaik gjigant me dimensione 10 me 40 metra, i cili zotëron sheshin “Skënderbej”. Vepra e shtrirë në 400 metra katrorë u finalizua më 1981.

Në të janë 13 figura të paraqitura në disa grupime. Majtas është grupi i luftëtarëve dhe shigjetarëve ilirë dhe shqiptarëve të luftës antiosmane. Pastaj, përfaqësohet Rilindja Kombëtare me dy figura dhe partizani fitimtar. Dy figurat simbol, punëtori dhe fshatarja, janë në qendër të sipërfaqes, kurse djathtas pesë figura simbolizojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare./atsh/KultPlus.com

Prezantohet drejtori i ri i Cirkut Kombëtar në Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi takimin e parë me drejtorin e ri të Cirkut Kombëtar, Klajd Ymeri, si dhe me ekipin entuziast të këtij institucioni.

Ministrja e Kulturës ndau në rrjetet sociale se në takim u diskutua mbi problematikat dhe vizionin për të ardhmen e Cirkut.

“Shumë shpejt do të nisë puna për realizimin e projektit të shtëpisë së re, që mendojmë të jetë shumë pranë Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, si dy institucione që japin e marrin me njëri-tjetrin”, është shprehur Margariti.

Ministrja ka falënderuar drejtorin e QKKF, Agim Bajko që e mbështeti Cirkun në ditë të vështira, duke i kaluar stafetën drejtorit të ri.

“Së bashku do ta kalojmë këtë periudhë tranzicioni, drejt ringritjes së artit të bukur dhe të dashur të cirkut”, përmbyll mesazhin ministrja e Kulturës/atsh/KultPlus.com

Biologë holandezë vizitojnë parkun kombëtar Divjakë-Karavasta

Parku Kombëtar i Divjakë-Karavasta është kthyer në një atraksion turistik për vëzhgimin e florës dhe faunës së veçantë të zonës.

Ky park gjithmonë e më shumë po ngjall kureshtje edhe për shumë biologë e të pasionuar të natyrës. Këto ditë në Divjakë-Karavasta kanë mbërritur biologë holandezë, të cilët kanë parë nga afër florën e pasur të këtij parku.

“Koha asnjëherë nuk mjafton për t’u treguar shumë bukuri që vërtet atyre u nguliten në shpirt. Vëzhgimi i orkideve dhe i shumë bimëve që mbushin dyshemenë e pyllit na bënë që të devijonin edhe disa lëvizje nga axhenda e planifikuar. Mbyllja si gjithmonë tek koleksioni që për ta ishte një suprizë”, theksoi në një postim në rrjetet sociale administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, Altin Hila.

Sipas tij, ka kohë që biologët e huaj vijnë dhe studiojnë parkun Divjakë-Karavasta.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.

Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe./atsh/KultPlus.com

Edi Rama, uron 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë me flamurin Kombëtar dhe atë të Kosovës (FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, me një fotografi të Flamurit Kombëtar dhe Flamurit të Kosovës, uron gjithë shqiptarët për 105 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, shkruan KultPlus.

“Të gjithë shqiptarëve kudo janë, nga Vlora u uroj GËZUAR 105 VJETORIN E PAVARËSISË SË SHQIPËRISË”, ka shkruar Edi Rama, në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com