Komuna e Prizrenit planifikon krijimin e një destinacioni të ri turistik në Nashec

Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit është duke bërë planifikimin operacional të krijimit të një destinacioni të ri turistik, me karakter të një vendi për piknik, në lokacionin e quajtur “Suzi” në Nashec, shkruan KultPlus.

“Në kuadër të këtij projekti, parashihet të vendosen ulëse me mbulojë, konstruktimi i disa urave harkore mbi një nga degët e ujit të Lumbardhit (që derdhet në Drinin e Bardhë) të cilat do të mundësojnë kalimin e vizitorëve nga njëra anë në anën tjetër, si dhe krijimi i një fushe multidiciplinare sportive të lojërave në natyrë, që do t’i përgjigjet të gjitha grupmoshave”, thuhet në njoftimin e bërë nga ana e komunës.

Ky projekt do të begatojë edhe më shumë zhvillimin e turizmit si dhe sportin e peshkimit dhe të kajakut, që tashmë janë duke operuar në atë zonë./ KultPlus.com

Në vazhdën e investimeve, Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik është duke bërë planifikimin operacional të…

Gepostet von Komuna e Prizrenit am Dienstag, 8. September 2020

Organizatat jo‐qeveritare: DKRS në Prizren po vazhdon ndarjen e subvencioneve në mënyrë jo transparente

Komuna e Prizrenit ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve nga thirrja e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në kategorinë e kulturës dhe rinisë, si dhe në kategorinë e sportit. Në vendimet përfundimtare të DKRS-së për subvencionimin e OJQ-ve dhe individëve, figurojnë titujt e projekteve dhe përfituesit.

EC Ma Ndryshe sikurse edhe RrOK-u kanë kërkuar nga DKRS-ja dhe DTZHE-ja që gjatë publikimit të listave përfundimtare të përfituesve krahas titullit të projektit dhe emrit të përfituesit të përfshijë edhe informatat si në vijim:  

-Kriteret e vlerësimit, në bazë të cilave janë përzgjedhur përfituesit;

-Listën e anëtarëve të komisioneve;

-Përshkimin e shkurtër të projektit dhe rezultatet e pritura;

-Shuma financiare e aplikuar me projekt nga organizata/shoqata;

-Shuma financiare e përkrahur nga DKRS;

 EC konsideron se me publikimin e këtyre informatave dhe dokumenteve, drejtoritë komunale do të tregonin transparencë dhe llogaridhënie, duke dhënë shembull për praktika të mira të qeverisjes, thuhet në komunikatë, përcjellë KultPlus.

 Kërkesa e njëjtë është adresuar edhe në MKRS, me qëllim që kjo ministri të bëhet model i transparencës dhe llogaridhënies si dhe praktikave të mira të qeverisje edhe për nivelin lokal përkatësisht për Drejtoritë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

 Mirëpo DKRS-ja në Komunën e Prizrenit nuk e ka përfillur këtë kërkesë dhe ka vazhduar që listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve ta publikojë vetëm me titujt e projekteve dhe përfituesit.

 EC përkujton se praktika e njëjtë e kufizimit të transparencës rreth mënyrës së përzgjedhjes dhe rezultateve finale të subvencioneve nga DKRS-ja ka ndodhur edhe në vitin 2019, duke i kthyer prapa arritjet e përbashkëta me RrOK-un në këtë proces gjatë vitit 2018. 

Prandaj EC edhe njëherë i bën thirrje Komunës së Prizrenit që t’i rishqyrtojë këto veprime dhe të angazhohet për zbatimin e praktikave më të mira të qeverisjes, pasi që mospërfillja e këtyre kërkesave krijon hapësirë për dyshime për keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e parasë publike. Përveç kësaj transparenca radikale ka qenë njëra prej zotimeve të kësaj qeverie komunale, që tani duhet të gjej zbatim edhe në praktikë./ KultPlus.com

Komuna e Prizrenit rrënon ndërtesat e vjetra pa pëlqimin e institucioneve të Trashëgimisë Kulturore

Komuna e Prizrenit të hënën ka njoftuar se ka filluar me rrënimin e ndërtesave të vjetra dhe të amortizuara që janë në rrënim e sipër dhe që paraqesin rrezik për kalimtarët.

Bazuar në njoftimin e Komunës, pas vlerësimit të komisionit të formuar nga Drejtoria e Emergjencave, janë identifikuar objektet për rrënim që janë të rrezikshëm për qytetarët. Në përzgjedhjen e tyre, sipas njoftimit të Komunës, ka ndikuar edhe fakti që objektet në fjalë nuk kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe nuk gjenden në Qendrën Historike të Prizrenit.

Mirëpo autoritetet e trashëgimisë kulturore përkatësisht zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren kanë pohuar se nuk kanë qenë pjesë e procesit të vlerësimit të vlerave të këtyre ndërtesave. Sipas legjislacionit MKRS-ja përkatësisht QRTK-ja përbën autoritetin e vetëm kompetent për vlerësimin e aseteve të trashëgimisë, me ç’rast nuk duhet harruar se edhe përditësimi i listës së përkohshme të monumenteve të mbrojtura është një proces dinamik dhe i vazhdueshëm. Prandaj konstatimi i organeve komunale për mungesën e vlerave të këtyre ndërtesave është i pa bazuar dhe joligjor, për faktin se në vendimmarrje nuk është përfshirë QRTK-ja.

EC Ma Ndryshe konsideron se Komuna mund të ketë argumente që për hir të sigurisë së qytetarëve veprimi ka qenë i nevojshëm, por megjithatë përkujton se vlerat e ndërtesave mund të konstatohen vetëm nga autoritetet e trashëgimisë kulturore. Prandaj rekomandon që në ndërtesat në fjalë fillimisht të merren masa parandaluese, që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve dhe e kalimtarëve të rastit. Duke e konsideruar se rrënimi i aseteve të trashëgimisë kulturore paraqet një proces të pakthyeshëm të vlerave, EC Ma Ndryshe kërkon urgjentisht që Komuna të konsultohet me autoritetet e trashëgimisë kulturore para se të vazhdojë me çfarëdo procesi të rrënimit./ KultPlus.com

DokuFest dhe Komuna e Prizrenit me Memorandum të Bashkëpunimit

Të mërkurën, më 7 shkurt, DokuFest në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit të Komunës së Prizrenit nënshkruajnë “Memorandum të Bashkëpunimit”, në hapësirat e kinemasë së qytetit “DokuKino”.

Përmes këtij memorandumi synohet funksionalizimi i bashkëpunimit afatgjatë në mes të dy institucioneve për krijimin e një platforme që nxit dhe mbështet përdorimin e mjeteve audiovizuale në planifikimin dhe zhvillimin e procesit edukativ-mësimor, në shkollat e mesme të larta të komunës, me qëllim të përmbushjes së kërkesave dhe rezultateve të Kornizës Kurrikulare të Arsimit Parauniversitar të Kosovës./ KultPlus.com