Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ngjarje madhore në kulturën shqiptare

Më 20 nëntor 1972, u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në punimet e këtij Kongresi, që u zhvillua deri më 25 nëntor, morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi.

Në radhët e pjesëmarrësve, të cilët përfaqësonin shkencën, arsimin dhe kulturën shqiptare, ishin dhe arbëreshë nga Italia. Mes delegatëve më të spikatur, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave veçon Aleks Budën, Androkli Kostallarin, Bedri Dedjen, Dhimitër Shuteriqin, Eqrem Çabejn, Idriz Ajetin dhe Josif Ferrarin. Si përfaqësues nga Kosova ishte edhe akademik Rexhep Qosja, i cili e konsideroi kongresin si ngjarjen më të madhe në historinë e kulturës shqiptare.

Synimi i Kongresit ishte përcaktimi i parimeve dhe i drejtimeve kryesore për hartimin e rregullave të drejtshkrimit, për pasjen e një gjuhe letrare të njësuar. Në këtë kuptim, ky Kongres ishtë kurorëzimi i përpjekjeve të rilindësve dhe i Komisisë Letrare Shqipe. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) sjell fragmente nga rezoluta e Kongresit dhe medaljen përkatëse të kongresit./ atsh / KultPlus.com

​50 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Sot bëhen 50 vite kur hapi punimet Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Në Kongresin e Drejtshkrimit të 20 nëntorit 1972 në Tiranë të pranishëm ishin albanologë nga mbarë trevat shqiptare.

Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, si dhe nga arbëreshët e Italisë.

Qëllimi i Kongresit ishte të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar. Gjuha letrare u krijua që shqiptarët të kuptoheshin më lehtë me njeri-tjetrin dhe të vihej një standard i përhershëm drejtshkrimor.

Në unifikimin e standardeve të gjuhësh shqipe, rol të rëndësishëm ka luajtur delegacioni nga Prishtina.

Kongresi u pasua pas një takimi me rëndësi që ishte mbajtur në Prishtinë, ku ishte vendosur për shumë standarde gjuhësore.KultPlus.com