“O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës”

Deshmia e At Gjergj Fishtës në Kongresin e Manastirit

Njëri nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, At Gjergj Fishta, pati ndikim të fuqishëm në unifikimin e alfabetit të shqipes, të cilin e përdorim tash e 110 vjet.

Sot është Dita e Alfabetit të Shqipes. At Fishta duke e rikujtuar atë ditë, shkruante:

“Ishim nga të gjitha skajet e Shqipnisë dhe të kolonive shqiptare ndër dhena të hueja. U treguam me të vertet shqiptar sepse kurnjani nuk donte me i lëshue asnji fije penit nga mendimi i vet atij tjetrit. Kongresi duhej të shpërndahej pa marrë kurrnji vendim.

– U terbova nga inati, U çova në kambë e u fola: – O burra shqyptarë po a me të vërtetë do t’i lamë marre vedit para të gjithë botës?

– Po a mendoni ndopak se çka do t’u thomi shqyptarëve kur të na pvesin se çka keni ba ju dijetarët atje në Manastir?

– Çka do t’u thomi na njerzve të pashkollë që nuk dijnë as me shkrue as me këndue?… Na jemi që mendojmë me ba Shqypninë e si do ta bajmë atë kur na nuk duem me u marrë vesht ndërmjet vedit se si duhet me u shkrue germa A e ajo I?

– Burra po u flas me zemër në dorë se asht marre e turp e faqe e zezë me i lanë marre vedit para popullit shqyptar e para tanë botës, që pret dishka prej nesh e na të kthejmë pa kurrgja në dorë ndër shpija tona.

– Po ulnju burra, ulnju sheshit e pse të kalojmë edhe nji ditë ma shumë në kët vend, mos ta lamë duerbosh popullin që na pret!…

– Aferim! P.Gjergj!… Aferim të kjoftë, . bërtiti më të madhë një hoxhë me mjekërr. Ai u çue në kambë e e erdh drejt te un, e më puthi në ballë e më tha: – Kështu flet shqiptari që e di që asht shqiptar!…

Ulnju burra, – u tha, – ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komisjon e në krye të vemë Pader Gjergj Fishten e vetëm komisjoni do të caktojë se shka duhet të bajmë sot-për të mirën e popullit shqiptar neser…

Fjala e tij u ndigjue me duartrokitje e më caktuen Kryetar të Komisionit të Kongresit të Manastirit, i cili do të delte bosh sikur mos të isjte tregue toleranca e eme që të pranojshm dy alfabete njiherit, atë të Stambollit që kërkonte Mit’hat Frashëri dhe kët që u vendos.

Kjo sjellje e eme në Kongres të Manastirit më ka kushtue mjaft shterjt në jëtë sepse Abat Doçi, të cilin un e përfaqsova në atë Kongres m’u idhnue e kur u ktheva më tha :Pater Gjergj, un të kam dijtë si nieri që nuk ban kompromis në jetë! …

Por Shqypnija nuk mund të bahej ndrysh…”

Nga, Gjergj Fishta

U hap sot ekspozita “Kongresi i Manastirit – Rruga drejt bashkimit kombëtar”

Në kuadër të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, sot më datën 14 nëntor 2018, pra 10:00, Muzeu Historik Kombëtar çel për publikun ekspozitën me titull:“Kongresi i Manastirit – Rruga drejt bashkimit kombëtar”.

Ekspozita paraqet rrugëtimin e përpjekjeve të rilindasve për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në shek. XIX dhe veçanërisht në fund të gjysmës së parë të tij.

Ekspozita është e pasuruar me fotografi të delegatëve pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, bashkë me biografitë e shkurtuara të tyre. Gjithashtu, objektet e Luigj Gurakuqit, Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, prezantohen nëpër vitrinat përkatëse. Ndërsa librat e autorëve Parashqevi Qiriazi, Hilë Mosi e Mihal Grameno, së bashku me gazetat origjinale të kohës, janë tepër interesante për publikun./ KultPlus.com

Sprova identitare e Kongresit të Manastirit

Shkruan Dorian Koçi

Gjuha shqipe është ndoshta gjuha e vetme europiane që ka provuar persekutimet, ndalimet dhe dënimet deri në mosushtrimin e saj bash në kohën kur zhvillimi i kulturës së shkruar ishte shndërruar në një kulturë mbizotëruese në Europë. Këto persekutime dhe ndalime sollën si rrjedhim edhe përhapjen më me vonesë të nacionalizmit etnik, pasi ashtu si është provuar prej kohësh, shpërhapja e shtypit të shkruar ka luajtur rol të pazëvendësueshëm ndër kombet e Europës Juglindore.

Mirëpo së bashku me këtë zhvillim negativ, ndalimi i saj nga ana e regjimit të Sulltanit otoman Abdyl Hamitit, në fund të shekullit XIX, apo dhe mallkimet dhe shkishërimet si ato të mitropolitëve grekë në Shqipërinë e Jugut që para se të ishin barinj të tufës së Zotit ishin nacionalistë të përbetuar të Megali Idesë, në fakt përforcuan më tepër dëshirën për ta lëvruar ndër shqiptarë dhe për ta parë atë si një nga mjetet e tyre më të suksesshëm për të arritur kohezionin e duhur shpirtëror. Si e tillë, gjuha shqipe ka ardhur përmes zhvillimit të idesë sonë kombëtare dhe evolucionit etnik si një sprovë e fortë e mbijetesës dhe afirmimit tonë si kombësi më vete në Ballkan, por edhe si një njësi vetëpërcaktuese e identitetit tonë.

Janë të rralla momentet në historinë e popujve ballkanikë kur procesi i caktimit të një alfabeti të përcaktojë brenda së njëjtës kohë identitetin kombëtar, orientimin politik të popullatës dhe të shërbejë si provë madhore për pavarësinë. Kongresi i Manastirit 14-22 nëntor 1908, kongresi ku u përcaktua se ç’alfabet do të kishte gjuha shqipe, është pa dyshim një nga ngjarjet që kanë shënjuar historinë dhe kulturën e afërt të shqiptarëve. Në Maqedoninë shumetnike të fillimit të shekullit XX dhe në qytetin shumëkulturor të Manastirit, shqiptarët hodhën themelet e shkrimit të identitetit të tyre të veçantë linguistik, duke u dhënë jetë përpjekjeve disashekullore për të pasur një alfabet, një popullatë, një komb. Kësisoj historia dhe kultura e afërt e shqiptarëve nuk mund të kuptohen pa rëndësinë e një trekëndëshi gjeografik e kulturor Prizren-Manastir-Vlorë, si vende ku u themeluan dhe morën jetë idetë kombëtare të shqiptarëve. Në Prizren morën jetë për herë të parë dëshirat për autonomi të shqiptarëve, në Manastir u arrit bashkimi kulturor i tyre dhe në Vlorë u shpall pavarësia.

Përzgjedhja e alfabetit latin për të shkruar gjuhën shqipe, më tepër se një veprim politik përqasës drejt Europës siç është komentuar shumë herë, ishte vazhdimësi e një orientimi dhe vetëpërcaktimit të shqiptarëve si një popull europian. Shkrimi dhe lëvrimi i një gjuhe askund tjetër nuk ka marrë një rëndësi të veçantë sesa te shqiptarët që, ndodhur mes Lindjes dhe Perëndimit, pa asnjë institucion të rëndësishëm kombëtar që do të mund t’u mbronte identitetin, te gjuha dhe kultura e tyre kishin gjetur një nga forcat lëvizëse për të themeluar kombin e tyre. Vështirë të gjesh një numër kaq të madh poetësh dhe mendimtarësh në kulturat e tjera ballkanike që t’i kenë kënduar apo thurur himne gjuhës së tyre kombëtare sa në letërsinë shqiptare të shekullit XIX-XX. “Gjuhë perëndie” e quan Naim Frashëri, ai që nuk flet shqip sipas Fishtës, “duket i ulët…Krejt i turpëruar? Si ai që…. nuk di se kush është babai i tij”. Rëndësinë e gjuhës dhe lëvrimit të saj e jep Kristoforidhi kur shprehet se “nëse gjuha shqipe nuk do të shkruhet, atëherë brenda një kohe të shkurtër nuk do të ketë më Shqipëri në faqe të dheut dhe as do lexohet më emri shqiptar në hartën e botës”.

Këto vargje dhe sentenca të elitës së kohës tregojnë qartë se shqiptarët kishin zgjedhur identitetin kulturor si kështjellën e identitetit të tyre bashkues dhe besoj se kjo zgjedhje e fillimit të shekullit XX në Manastir vazhdon të jetë aktuale dhe sot për të përfaqësuar më mirë shqiptarët në rajon. Kultura dhe gjuha janë dy komponentët më të rëndësishëm të etnosit shqiptar përballë të cilave ndarjet artificiale janë të vogla dhe të papërfillshme. Por, në të njëjtën kohë, shqiptarët janë po aq të ndërgjegjshëm se paqja dhe stabiliteti në rajon kërkon të ketë të zbatuar mes tyre edhe kulturën e pranimit të Tjetrit, si një formë kulture që kultivon një bashkëjetesë të gjatë mes popujve në Ballkan, ndaj, së bashku me fqinjët, duhet të kontribuojnë më tepër në këtë drejtim. Gjuha shqipe, prej kohësh, e ka fituar qytetarinë e saj në Kosovë, por ende duhet të riafirmohet në Mal të Zi, Preshevë dhe në Maqedoni ku, duke qenë një gjuhë zyrtare sipas Marrëveshjes së Ohrit, duhej të kishte status të barabartë me gjuhën maqedonase. Një fat akoma më i keq e ka ndjekur dialektin arvanitas në Greqi, ku sa për mentalitete të prapambetura nacionaliste greke po aq dhe për shpërfillje nga institucionet qendrore në Tiranë, po shuhet ngadalë duke humbur një thesar i paçmuar i trashëgimisë sonë etnike.

Një përkujdesje më e madhe për gjuhën tonë, si institucioni shpirtëror prej nga ka nisur kohezioni i kombit, do t’i jepte dimension tjetër kulturës sonë në Ballkan dhe shqiptarëve në rajon. Koha kur Marrëveshja e Ohrit, marrëveshje kyç për ekzistencën e Maqedonisë do të zbatohet plotësisht edhe në rrafshin gjuhësor, por edhe largimi i frikës dhe anktheve të shteteve fqinjë nga statusi i gjuhës shqipe në shtetet e tyre, do të jetë koha që mund të themi pa frikë se Ballkani do ta lërë pas të shkuarën dhe do të përfitojë dimensionin europian të tij./ KultPlus.com

Kongresi i Manastirit- njëra nga lëvizjet më emancipuese të kulturës shqiptare

Shkruan Ndue Ukaj

Me 22 nëntor 1908, përfundoi punimet Kongresi i Manastirit, i cili, e miratoi alfabetin latin të gjuhës shqipe, të propozuar nga Shoqëria “Bashkimi”.

Ky Kongres, shënon njërën nga lëvizjet më emancipuese të kulturës shqiptare. Sepse, vendimet e tij, ishin tejet të dobishme, dhe i dhanë shtytje të fuqishme zhvillimit të shkrimit dhe arsimit shqip, por edhe lëvizjeve kombëtare.
Po ashtu, kjo veprimtari titanike, ndikoi në procesin e Pavarësinë Kombëtare, të shpallur katër vite pas, më 1912.

Kongresi i Manastirit (1908), me kryetar të komisionit poetin kombëtar, Gjergj Fishtën, mbetet njëra nga ngjarjet më madhore të kulturës shqiptare. Në këtë Kongres, morën pjesë delegatë nga të gjitha trojet shqiptare, dhe në përbërje kishte figura të rëndësishme atdhetare të kohës, siç ishin: Ndre Mjeda, Mithat Frashëri, Luigj Gurakuqi, dhe shume të tjerë.

Ky Kongres i dha vulë identitetit europian te shqiptareve, dhe njëkohësisht, i shpartalloi tendencat joeuropiane, të cilat çonin krye herë pas here ndër ne.
Ky kongres, si i tillë, në planin kulturor, kombin shqiptar e lidhi përjetësisht me Europën.
Nëse tipar thelbësor i një aksh identiteti është gjuha, atëherë shkrimi, alfabeti, është esenca e këtij identiteti.

Shkrimi është dëshmi e emancipimit dhe qytetërimit.

Shkrimi shqip, i mbijetoi një katrahure të vërtetë, sidomos gjatë shekujve të errët të sundimit osman, kur u ndalua. Kjo u bë e mundur, në saje të dashnisë që treguan për të: Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi, dhe shumë e shumë titanë të tjerë.
Sot, përjetësisht, duhet të jemi krenar me heronjtë e kulturës, guximtarë e përparimtarë, të cilët na lanë këtë pasuri kaq të vlefshme, shënjues të identitetit tonë.
Brezat tanë dhe ata që do të vijnë, e kanë për detyrë ta ruajnë dhe ta trashëgojnë këtë pasuri.

Fjalët e Fishtës në këtë Kongres, janë kumbues dhe të vlefshme për secilën kohë- janë këshilla që na bëjnë më të ndërgjegjshëm dhe më të përgjegjshëm- edhe përpara sfidave që kemi sot, si komb, gjuhë dhe kulturë.

“Cila zemër prej shqiptari do të qëndrojë e pabindur përpara kësaj dite të shenjtë, që nuk e kemi shojtur prej 500 vjet! Jo kurrë! Do të jetë turp i madh që të kthehemi si erdhme përveç që do të qeshemi nga bota e huej, por do të shtimë popullin në dëshprim.”

Vendimet e këtij Kongresi, duhet të shërbejnë si udhërrëfim për shqiptarët e përhershëm. Dhe sidomos për të sotmit: për ata që janë ligështuar, për ata që i ka kapluar amnezia historike, dhe për ata që i ka rrëmbyer dalldia kozmopolite./ KultPlus.com