Kori i fëmijëve ‘Siparantum’ shënon javën e muzikës, Kelmendi: Brenda këtij viti lansohet një CD me vepra që promovojnë kulturën

Era Berisha

Me rastin e javës së muzikës të titulluar ‘Atmospheres’, Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë organizuar koncertin me korin e fëmijëve ‘Siparantum’ nga Peja, të cilët sollën një koncert me një repertor të larmishëm duke dëshmuar talentin e tyre vokal jo vetëm në interpretim por edhe nëpërmjet elementeve atraktive në skenën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus. 

‘Fête de la Musique’, ngjarje kjo që festohet në tërë botën qysh nga viti 1981 nga muzikantë amatorë dhe profesionistë të të gjitha niveleve, kurse në Kosovë organizohet që nga fillimi i viteve 2000 dhe tani është shndërruar në një ngjarje mjaft të pritur dhe të çmuar nga publiku kosovar i cili sot mbushi sallën për të dëgjuar nga afër fëmijët e korit ‘Siparantum’ ku secili nga ta solli një veçanti unike që frymonte në të njëjtën vijë melodike vokale. 

Një numër mesatar i fëmijëve nga gjenerata të ndryshme ishin vendosur në një skenë e cila ishte rrethuar komplet me një sfond në ngjyrë të zezë dhe dritat e kuqe të cilat vinin në pah edhe ngjyrën e veshjeve të këtij kori, ku dominonte ajo e kaltër. Fëmijët rrethonin në njërën anë edhe pianon e vendosur në mes e që tërë kohës lëshonte tinguj që vinin nga duart e dirigjentit dhe kompozitorit Memli Kelmendi.  

Repertori i larmishëm i tyre përfshiu vepra të cilat u kënduan jo vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze por edhe në atë franceze duke interpretuar kështu gjithsej njëmbëdhjetë këngë, me ç’rast secila nga to erdhi me një fuqi dhe talent që mbase edhe një ditë do të pushtoj skenat më të mëdha botërore. 

Ndërsa, literatura muzikore ishte një gërshetim tejet i bukur duke filluar nga veprat shqiptare si: ”Topi”, ”Kënga e Bylbylit”, ”Nënës” dhe ”Ty flamur të duam shumë”, për të vazhduar me këngët e njohura botërore si: ”Bella Dona”, ”Joshua fit the battle of jericho”, ”Round the mountains” dhe ”Have you seen the ghost of John”.  

Ndërkohë pjesë e këtij koncerti ishin edhe këngët si: ”Samba de Brasil”, ”En ten tenera” dhe ”Derniere Danse”, të cilat papritmas befasuan publikun duke i futur të pranishmit në një frymë krejtësisht ndryshe ku vokali i tyre merrte nota të larta e të ulëta ku zëri i tyre kaploi atmosferën me një hijeshi tingujsh dhe melodi të cilat rrjedhnin jashtëzakonisht bukur. E kjo dëshmohej edhe në fytyrat e prindërve që tërë kohës po i shikonin fëmijët me një krenari që reflektohej në sytë e tyre. 

Po ashtu, përveç zërit që po jehonte tërë kohën, instrumentet diversive ishin shoqëruesit e ngushtë të tyre ku me inkuadrimin e pianos, kitarës dhe fyellit, koncerti u gjallërua ende më shumë duke i dhënë audiencës ngjyra të larmishme melodie dhe tinguj të gërshetuara në një emocion të vetëm që po dhurohej lehtësisht nga fëmijët që posedonin një talent e dhunti që aspak nuk duhet anashkaluar.

Kështu krejt në fund, nuk munguan as elementet e vogla por tërësisht të pa planifikuara nga ana e fëmijëve që dukeshin se ishin në botën e tyre dhe lumturia e gëzimi që shndriste në fytyrat e tyre ishte njëlloj si ajo e prindërve të cilët iu bashkëngjitën koncertit me shuplaka të domosdoshme për një vepër specifike. Ndërsa, duartrokitjet e shumta nuk munguan për asnjë çast nga ana e publikut dhe dashuria e tyre që dallohej në buzëqeshje dhe brohoritjet ishte e pranishme tërë kohës deri në fundin e këtij koncerti.  

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizmit të këtij koncerti për KultPlus, foli dirigjenti dhe kompozitori, Memli Kelmendi.

“Ne kemi marrë ftesë nga Ambasada e Francës në Kosovë, konkretisht nga Valon Ibraj, të cilën e falënderoj shumë. Ndonëse në rrethane pandemie, nuk jemi shkëputur nga provat me fëmijët duke arritur që ta realizojmë këtë program, me të cilët kemi zgjedhur një repertor ndryshe nga herët e tjera”, thotë Kelmendi. 

Sipas tij, programi afron publikun afër skenës dhe fëmijët po ashtu kanë nevojë për një atmosferë të tillë por mendoj që sonte ishte një shpalosje e punës tonë disamujore për të rikthyer një atmosferë e cila na ka munguar gjatë. 

“Jam shumë i lumtur sepse ky është viti i tretë që punojmë me korin e fëmijëve dhe e konsideroj që ky është kori më i mirë në aspektin vokal që ekziston momentalisht. Prandaj, po e bëj publike dhe premierë për herë të parë ku tani ka filluar incizimi i një audio-CD, një CD me vepra që promovojnë kulturën dhe ndikojnë në zhvillimin e gjeneratave të reja dhe mendohet të lansohet brenda këtij viti”, thotë Kelmendi. 

Për Kelmendin, fëmijët e korit përpos që relaksohen, ata japin një kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin dhe zhvillimin e muzikës tonë e cila do të ndikoj drejtpërdrejt në të ardhmen. 

“Është hera e parë që vij me një koncert të tillë me korin e fëmijëve dhe jam shumë i kënaqur me organizimin, ndonëse nuk ishte fare i lehtë duke pasur parasysh numrin e madh të fëmijëve. Andaj, konsideroj që ne dhe publiku kemi pasur nevojë për një atmosferë të tillë ku fëmijët e bënë një punë të mirë dhe i janë përshtatur kërkesave të mia në aspektin e udhëheqësit”, përfundon Kelmendi për KultPlus. / KultPlus.com 

Kori i fëmijëve ‘Vita’ prezanton Kosovën në ‘World Peace Choral Festival’

Kori i fëmijëve ‘Vita’ do të prezantohet së bashku me 200 kore nga 41 vende të botës në ‘World Peace Choral Festival’, shkruan KultPlus.

‘Nënë, emër i dashur për mua’ është kënga e parë që do të prezantohet nesër në këtë festival.

Kori i fëmijëve ‘Vita’ në këtë festival i cili po mbahet online po merr pjesë me ftesën direkte nga organizatorët e festivalit./ KultPlus.com

Me një repertor të larmishëm, koncerti recital i korit “Okarina” ngjalli mbrëmë emocione krenarie

Era Berisha

Një repertor i larmishëm që portretizon mesazhe dhe thirrje mjaft të veçanta e që mbrëmë erdhën jo vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze por edhe në atë italiane të kënduara nga kori i fëmijëve ‘Okarina’’ në koncertin pranveror që u mbajt në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Një numër i madh i gjeneratave të ndryshme ishin të vendosur në një skenë e cila mbrapa kishte një pemë që jo vetëm i bashkohej mesazhit të këtij koncerti por edhe frymonte njëkohësisht me zërin e fëmijëve që interpretuan gjithsej njëzetë këngë ku secila nga to erdhi fuqishëm dhe në një veçanti unike.

Ndërsa, literatura muzikore ishte një bukuri duke filluar nga këngët shqipe si: ‘E bukur vjen pranvera’, ‘Për ty’, ‘Ku është dashuria’, ‘Drini’, ‘Mos ma prekni pemën’, ‘Tetë Planete’, ‘Shtëpia jonë’, ‘Agimet Shqiptare’, ‘Ku je njeri’, ‘Muaji i Majit’, ‘Eja në pranverë’, ‘Ecjen ti vazhdo’, ‘Lirikë Pranveror’, ‘O vendi im’ dhe ‘Baresha’. Pastaj u kënduan edhe këngët e njohura botërore si: ‘Imagine’, ‘The sound of music’, ‘This is me’, ’Beautiful that way’.

Ndërkohë pjesë e këtij koncerti ishte edhe kënga ‘Bella Ciao’, që jo vetëm befasoi publikun por edhe e futi në një frymë tjetër ku talenti i këtyre të rinjve është shkrirë tërësisht në një laramani të bukur tingujsh dhe melodive që mbushën sallën tërësisht dhe ngrohën zemrat e prindërve që tërë kohën po i shikonin ata me krenari.

Po ashtu, përveç zërit që po jehonte tërë kohën, instrumentet diversive ishin shoqëruesit e ngushtë të tyre ku me interpretimin në piano nga Vesa Berisha, në violinë, në kitarë klasike dhe akustike si dhe në vokal nga grupi ‘Tingujt’ dhe me një koreografi nga balerina Lea Hamza, ky koncert u gjallërua edhe më shumë duke i dhënë audiencës një ngjyrë, zë, emocion dhe një vetëdijesim që talenti i fëmijëve është një dhuratë e këndshme e cila duhet të çmohet.

Kështu krejt në fund, nuk munguan as elementet e vogla por tërësisht të pa planifikuara nga ana e fëmijëve që dukeshin se ishin në botën e tyre dhe po e ndiqnin atë me një lumturi dhe gëzim që po shndriste fytyrat. Me ç’rast edhe inkuadrimi i dy vajzave të presidentes Vjosa Osmani që nga ana e publikut, kaluan në skenë për një këngë rasti por edhe djali i vetë udhëheqëses së këtij kori, Elikona Hysaj-Shalës që doli në skenë për një përqafim të ngrohtë me nënë e tij. Pra, dashuria ishte elementi kyç që po qarkullonte në atmosferën e këtij koncerti.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizimit të këtij koncerti për KultPlus, foli udhëheqësja e korit ‘Okarina’, Elikona Hysaj-Shala.

“Ngase ne punojmë gjithë kohës brenda një klase, ideja ishte që të shfaqim një koncert me një repertor të këngëve të vjetra shqipe, këngë arbëreshe dhe të ndryshme të cilat do t’i shfaqnim para një publiku me fëmijë dhe prindërve të tyre. Ky koncert fillimisht ka qenë i planifikuar për stinën e dimrit por rrjedha e programit ka ndryshuar për shkak të pandemisë”, tregon Shala.

Sipas saj, emri i koncertit vjen si rrjedhojë që ngjyrat pranverore të futen brenda këngëve duke i dhënë jetë, shpirt por edhe një qëllim që fëmijët të kenë një lidhje mes vete, të socializohen por edhe të kenë kujdes që të mos ngacmojnë prandaj edhe janë sjellë dy këngë që flasin për bullizmin që sa vjen e rritet akoma më shumë.

“Ne mundohemi që çdo herë përmes këngëve t’i japim zë pikërisht problemeve duke pasur dhembshuri për njëri-tjetrin, të kemi dashuri të pa kursyer dhe në ditët e vështira t’i japim dritë atyre që kanë nevojë”, thotë Shala.

Për Shalën, provat kanë shkuar mirë edhe pse fëmijët kanë qenë të lodhur sepse afër pragut të koncertit është punuar intesivisht por edhe kërkesat e saj ishin të jashtëzakonshme ndaj tyre që të dal një performancë sa më e mirë sepse fëmijët duhet ta njohin se sa me vlerë është performanca live dhe njëkohësisht ta njohin edhe vështirësinë e saj për të qenë më të pjekur skenikisht.

“Unë e kam quajtur koncertin si maratonë sepse ka qenë maratonë moshash duke filluar nga 4 vjeç deri në 18 vjeç, gjë që më ka mrekulluar shumë dhe nuk do të mund të veçoja cila ka qenë performanca e tyre më e bukur sot sepse secila ka pasur bukuritë e veta duke arritur një impakt te publiku me një mjeshtëri që fëmijët sollën kësaj here”, përfundon Shala.

Ky koncert recital është organizuar nga Kori i Fëmijëve “Okarina“ me temën “Koncerti Pranveror”. / KultPlus.com