Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në orën 16:00 për të bërë shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.
Orën e këtij takimi e ka konfirmuar zëdhënës i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Ju njoftoj se sot (e shtunë, 15 mars 2025, ora 16:00) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mbajë mbledhjen e radhës dhe në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 9 shkurt 2025”, ka thënë Elezi për Express./ KultPlus.com
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot pritet t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, ka thënë se KQZ pritet ta mbajë një mbledhje të shtunën, ku në rend dite është shpallja e rezultateve përfundimtare.
Shpallja e rezultateve përfundimtare u vonua për shkak të telasheve të numërimit të votave, si dhe për shkak të rinumërimit të dhjetëra kutive të votimit dhe ankesave.
Shpallja e rezultateve përfundimtare dhe certifikimi i tyre do t’i hapë rrugën formimit të institucioneve të reja të Kosovës.
Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese ta propozojë mandatarin për formimin e Qeverisë.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para në këto zgjedhje me 40.90 %, PDK e dyta me 22.04 %, LDK e treta me 17.64 %, ndërsa koalicioni AAK-Nisma me 7.46 %./ KultPlus.com
Rreth 70% e pakove të supozuara me fletëvotime që mërgimtarët i dërguan në kutitë postare që KQZ i kishte hapur në 22 shtete të ndryshme, përfshirë dhe kutinë postare në Kosovë, janë vlerësuar dhe verifikuar deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për Gazeta Express se sipas të dhënave nga rreth 70 mijë pako që ishin dërguar nga mërgata vetëm në votimin përmes postës, deri më 20 shkurt ky institucion ka vlerësuar 48,018, derisa kanë mbetur edhe 20,938 të tjera.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 20 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 48,018 pako, prej të cilave janë aprovuar 45,004 ndërkaq janë refuzuar 3,014. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj.”, tha Elezi.
Më tej, Elezi ka shpjeguar se “sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara”.
Nga votimi jashtë Kosovës, këto nuk do të jenë votat e vetme që do të numërohen dhe përfshihen në rezultatet përfundimtare. Pjesë e këtyre rezultateve do të bëhen edhe votat nga votimi në përfaqësi diplomatike. Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, nga 20 mijë e 324 votues që ishin të regjistruar paraprakisht për të votuar në këto përfaqësi, në këtë proces zgjedhor kanë votuar 75.54% apo 15,352 votues.
Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, pjesa më e madhe e tyre, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe vetëm 20,324 ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
Gjithashtu, KQZ nuk ka numëruar ende votat nga votimi në vendvotime me kusht (56), votat e personave me nevoja të veçanta.
Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota./ KultPlus.com
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se deri në këto momente kanë votuar 40.08 për qind e votuesve me të drejtë vote.
Sipas Elezit, procesi i votimit për kuvendin e Kosovës është përmbyllur me kohë dhe sipas informacioneve nuk ka pasur ndonjë problem që do ta cenonte integritetin.
“Duke u mbështetur në të dhëna preliminare, në zgjedhjet për kuvendin kanë votuar 40.04% apo 789 mijë njerëz, ku janë numëruar rreth 90.68% e vendvotimeve”.
“Menjëherë pas orës 19:00 ka filluar numërimi andaj KQZ-ja fton anëtarët e këshillave të vendvotimeve që ta kryejnë rolin e tyre dhe ta numërojnë saktë cdo votë”, tha Elezi.
Faqja e Komisionit Qendror Zgjedhor, përkatësisht version në gjuhën angleze është plotësisht jashtë funksionit, meqë aty reklamohet shitje e viagras 50 miligramshe.
Nuk dihet nëse faqja është hakuar apo cila është arsyeja e shfaqjes së reklamave të tilla në faqen zyrtare të KQZ-së./ KultPlus.com