Koreja Veriore dënon me vdekje burrin që kontrabandoi e shiti kopje të serisë “Squid Game”

Koreja Veriore ka dënuar me vdekje një burrë që kontrabandoi dhe shiti kopje të serisë së famshme, “Squid Game”, pasi autoritetet kapën shtatë nxënës të shkollës së mesme duke e shikuar serinë e popullarizuar, i thanë burimet në këtë shtet Radios Azia e Lirë.

Përktheu: Nasuf Abdyli

Thuhet se kontrabanduesi kishte sjellë një kopje të serisë në Korenë Veriore nga Kina dhe kishte shitur USB me këtë seri. Burimet thanë se dënimi do të zbatohet përmes skuadrës së pushkatimit, shkruan Radio Azia e Lirë.

Një nxënës që bleu një USB me këtë seri është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa gjatë të tjerë, të cilët e shikuan serinë, janë dënuar me pesë vite punë të rëndë. Mësuesit dhe administratorët e shkollës janë shkarkuar nga puna dhe përballen me dëbim për të punuar vetë ose në miniera, thanë burimet.

Radio Evropa e Lirë raportoi javën e kaluar se kopjet e serisë me skena të dhunshme kishin arritur në shtetin e izoluar pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve që të mos lejohet depërtimi i medieve të huaja. Kopjet besohet se filluan të shpërndaheshin përmes USB-ve dhe kartelave SD.

E tëra kjo filloi javën e kaluar, kur një nxënës i shkollës së mesme në mënyrë të fshehtë bleu një USB me dramën e Koresë Jugore, Squid Game, dhe e shikoi atë me një nga shokët më të mirë në klasë”, i tha një burim i organeve për sundimin e ligjit në provincën e Hamgyong-ut Verior Shërbimit Korean të Radios Azia e Lirë të hënën.

Sipas burimit, arrestimi i pesë nxënësve e shënon herën e parë që qeveria koreane po e zbaton ligjin e miratuar së fundi për “Eliminimin e Mendimit dhe Kulturës Reaksionare” në një rast ku përfshihen të miturit.

Në bazë të ligjit të ri, shikimi, mbajtja ose shpërndarja e medieve nga shtetet kapitaliste, veçanërisht Koreja Jugore dhe Shtetet e Bashkuara, mund të dënohet maksimalisht me vdekje. / KultPlus.com

Krijuesi i ‘Squid Game’ zbulon nëse do të ketë sezon të dytë

Ju kujtohet seriali që ‘pushtoi’ globin? Sigurisht që po! “Squid Game”, seriali korean ishte më i shikuari ndonjëherë në ‘Netflix, por kjo nuk e bëri aspak të pasur krijuesin/ regjisorin e këtij seriali, Hwang Dong-Hyuk!

Hëang, 50-vjeç, i cili shkroi skenarin dhe ishte regjisor i nëntë episodeve të ‘Squid Game’ u pyet në një intervistë nëse ai tashmë është po aq i pasur sa konkurrenti fitues i lojës, por ajo që do ju habit është përgjigja që ai dha!

Ai qeshi dhe tha: “Unë nuk jam aq i pasur, por unë kam mjaftueshëm para për të shtruar ushqim mbi tryezë. Nuk është se Netflix po më paguan një bonus. Netflix më pagoi sipas kontratës origjinale”.

Dokumentet e zbuluara treguan se prodhimi i shfaqjes kushtoi 15.5 milionë funte (21.28 milionë dollarë), që rezulton në 1.75 milionë funte (2.4 milionë dollarë) për episod.

Netflix tani vlerëson se mbi 142 milionë abonentë e kanë parë shfaqjen, duke përfshirë 4.4 milionë abonentë të rinj, dhe vetë shfaqja besohet se vlen rreth 650 milionë funte (892.2 milionë dollarë) për Netflix-in në tërësi.

Hëang zbuloi gjithashtu se skenari dhe regjia e çdo episodi ishte një sprovë kaq stresuese saqë ai humbi gjashtë dhëmbë gjatë prodhimit.

“Ishte e lodhshme fizikisht, mendërisht dhe emocionalisht. Vazhdova të kisha ide të reja dhe të rishikoja episodet ndërsa po filmonim, kështu që sasia e punës u shumëfishua”, tha Hëang.

Ai gjithashtu zbuloi se seriali origjinal ishte frymëzuar nga vështirësitë financiare të familjes së tij, pas kolapsit ekonomik global të vitit 2009.

Hëang tregoi se ishte duke punuar në një film, por nuk arriti të merrte financim. “Kështu që nuk mund të punoja për rreth një vit. Na u desh të merrnim kredi – nëna ime, unë dhe gjyshja ime”.

“Squid Game” u publikua më 17 shtator, me regjisorin Hëang që zbuloi se qëllimi ishte të ishte shfaqja numër 1 në Netflix…për vetëm brenda një dite.

Hëang foli edhe për thashethemet për një sezon i dytë, por ai nuk është ende i sigurt nëse do të ndodhë, pasi ka projekte të tjera për të cilat dëshiron të punojë.

“Sigurisht që flitet. Kjo është e pashmangshme sepse ka qenë një sukses i tillë. Unë jam duke e vënë atë në konsideratë. Kam një projekt të nivelit shumë të lartë në mendjen time, por nuk do ta punoj menjëherë. Ka një film që dua ta bëj shumë. Unë jam duke menduar se çfarë të bëj më parë.”, tha ai./KultPlus.com