“Xhepi“ e “mendja“ në krizë

Kohëve të fundit, Kosova, është përballur me një rritje të kostos së jetesës. Profesionistë të shëndetit mendor, thonë se inflacioni përveç ndikimit financiar mund të ngarkojë edhe aspektin psikologjik. Kjo varet edhe nga gjendja financiare e individit.

Psikologu Bind Skeja, tregon se rritja e çmimeve shkakton pasiguri në individ, pasi që rrezikohet mundësia për të siguruar kushte bazike për jetesë. Sidoqoftë, thotë që këto stresor zbuten me politika të mira sociale që ndihmojnë qytetarët.

Në këto raste thotë se nuk është përgjegjësia te individi që të ballafaqohet me emocionet e veta në situata me impakt në nivel shoqëror.

 “Ndjenjat që na shoqërojnë në situata të tilla janë krejtësisht normale duke pas parasysh ndikimin në jetën tonë, duke përfshirë ndjenjën e revoltimit ndaj institucioneve. Prandaj, përgjegjësia mbetët në institucione që të funksionalizojnë shërbime të shëndetit mendor dhe të implementojnë praktika të mira sociale, në mënyrë që të ulet ndikimi i situatave të tilla në shëndetin mendor të qytetarëve”, tha psikologu Skeja.

Sipas tij, është e vështirë t’i themi dikujt që tash ju ka dyfishuar barra financiare të mos stresohet, apo të mos ketë ankth.

“Përkundrazi, është plotësisht normale, duke pas parasysh presionin. E rëndësishme është që të kthehen apo të shfrytëzohen këto ndjenja, në mënyrë që të luftojnë këtë pabarazi. Organizimi i qytetarëve karshi braktisjes prej institucioneve është vetëm një prej mënyrave që këto ndjenja të jenë produktive, rrjedhimisht edhe të lehtësohen nëpërmjet shprehjes së tyre”, shtoi ai.

Më tej, tregon se shëndeti mendor nënkupton mirëqenien tonë emocionale, psikologjike e  sociale dhe thotë se kjo ndikon në aftësitë tona për të përballuar situata stresuese, për racionalizim, e të tjera.

Ai shprehet se problemet e shëndetit mendor janë të llojllojshme, prandaj edhe simptomat shfaqen në mënyra të ndryshme. Disa prej tyre mund të jenë: disponimi i ultë i vazhdueshëm, pamundësia për të larguar ndjenjën e ankthit.

Edhe sociologu Jeton Brajshori, ndanë të njëjtin mendim, thotë se ngritja e çmimeve ndikon në pasigurinë individuale në veçanti dhe shoqërore në përgjithësi.

Si shkak i kësaj, ndryshon gjendja sociale dhe thekson fillimin e pandemisë, ku ishte krijuar panik e mendohej vetëm për mbijetesë.

“Meqenëse, jemi shteti më i varfër në Evropë dhe një shkallë e lartë e familjeve në asistencë sociale. Kjo gjendje e bën edhe më rëndë jetesën, sepse  kosto e lartë e jetesës nuk gjeneron vende të reja pune dhe kështu shkalla e varfërisë shkon duke u rritur dhe dëshira për t’u larguar nga vendi drejt shteteve perëndimore është e madhe për një jetë të sigurt e shtyrë nga faktorët shtytës dhe tërheqës”, potencoi ai.

Brajshori shprehet se jemi popull i cili ka kaluar edhe në situata më të rënda, ngaqë kemi dal nga lufta. Ky është edhe një fakt shtesë që në situata të tilla të reagohet me panik. Kjo tha se ka shkaktuar probleme tjera siç është dhuna në familje.

Një situatë e tillë, ai shton se sjell edhe pasoja të tjera.

“Jo stabiliteti financiar është ndër faktorët kyç edhe të divorceve. Rritja e kostos ndikon edhe në planifikimin familjar, shumë çifte të reja tanimë hezitojnë të kenë fëmijë, jo pse nuk duan por i kanë llogaritur kostot që vijnë më pas. Pa planifikim familjar bie edhe nataliteti, më rënien e natalitetit bie fuqia punëtore, pra, ka efekt zinxhiror që prekë të gjitha sferat shoqërore”, shtoi ai.

Sipas tij, shoqëria duhet ta kuptojë se gjithmonë do të ketë probleme dhe kriza.

“Duhet të tregohemi të matur dhe mos të biem pre e shumë dezinformatave të “fake news” dhe biznismenëve të papërgjegjshëm të cilët jetojnë për situata të tilla duke përfituar në kurriz të të tjerëve”, tha ai.

Njohësi i sociologjisë, thotë se shteti duhet të bëjë më shumë, të stimulojë ekonomitë e vogla dhe të mesme të cilat gjenerojnë vende pune dhe në këtë mënyrë të zbusin papunësinë.

Gjithashtu, ai mendon, se ne si shoqëri, duhet të mësojmë nga përvojat e kaluara dhe mos t’i përsërisim gabimet e njëjta.

Neuropsikiatri dhe Drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor, Sami Rexhepi, shprehet se pas pandemisë ajo që e ka përkeqësuar gjendjen edhe më tepër dhe vazhdon ta dëmtojë shëndetin mendor të popullatës është lufta në Ukrainë.

Kjo thotë se i rikujton apo i rikthen ato momente kur kanë ndodhur shkatërrimet në Kosovë, është ritraumatizim.

Pastaj, përmend shtrenjtimet të cilat po ndikojnë në ekzistencën ekonomike të familjes kosovare.

“Frika e krijuar, e akumuluar në popullatë po ndikon shumë negativisht posaçërisht te rinia kosovare të cilët si të vetmen zgjidhje e shohin braktisjen e Kosovës. Një pjesë e madhe e tyre po  janë të bindur se nuk vlerësohet në masën e duhur puna e tyre“, shtoi neuropsikiatri.

Pasiguria e shfaqur në këto raste, krijon një ankth të madh i cili është vështirë i përballueshëm.

Nga kjo, shprehet se personi bëhet jo funksional, dalin plot çrregullime të tjera dhe atëherë ka nevojë për një mbështetje dhe ndihmë profesionale.

Tutje ai tregon se si të ruhet shëndeti mendor.

“E kemi një fat shumë të madh që forcat kohezive të familjes kosovare janë ende të ruajtura, ato forca që i mbajnë bashkë anëtarët e familjes mes veti, edhe ndjenja se i përket një familje është diçka që të mbush energji dhe të ndihmon për me qenë i rezistueshëm ndaj traumave me të cilat po ballafaqohemi çdo ditë”, theksoi Rexhepi.

Ai shton se kur individi fillon të ndjehet se ka mbetur i vetmuar, kjo ndjesi i shkakton një dhimbje shumë të madhe psikologjike e cila nuk tejkalohet me aspirin.  

Pastaj, thotë se ndjenja që jemi bashkë e jo vetëm është mënyra më e mirë fillimisht që ta mbrojmë veten prej ndikimit të këtyre faktorëve stratogjen të cilët janë prezent në Kosovë.

Në Qendrën e Shëndetit Mendor, Rexhepi thotë se pas pandemisë, numri i klientëve ambulantor është rritur dukshëm të cilët kishin nevojë për trajtim medikamentoz apo për seanca terapeutike që i ofrojnë dy psikologët klinikë të cilët i ka qendra.

Behare Bojaxhiu, psikologe në këtë qendër, thotë se klientët të cilët kërkojnë ndihmë kanë probleme të tilla si dhimbje të kokës, të lukthit, të rrahura të shpejta të zemrës, çrregullime të ushqyerit e të tjera.

Gjatë bisedës ajo shprehet se e kupton që qytetarët po ballafaqohen me vështirësi ekonomike.

Si rezultat i kësaj, thotë se janë shkaktuar shumë brenga për të ardhmen dhe jetën ekonomike në përgjithësi.

“Kur preket mirëqenia ekonomike direkt ndikon ankthi te individët, atëherë vjen një tension i shtuar, një presion edhe nga fëmijët, me rritjen e tyre rriten edhe kërkesat. Ekuilibri psiko- fizik e humb ekuilibrin vie deri te somatizimi, te shqetësimet, të vjellat, kokëdhimbjet. Pra, shfaqen në forma organike që nuk kanë realisht të bëjnë me pjesën organike, por krejt me pjesën psikike të individit”, tha ajo.

Ajo tregon që, klientët janë shprehur se me të hollat, që më herët e kanë mbyllur ditën tashmë është e pamundur. Ata tani konsiderojnë që kanë vetëm një rrugëdalje.

“Rastet e fundit që kam pasur, si alternativë të mundshme kanë gjetur ikjen nga Kosova. Ata kishin filluar me kërkimin në botën perëndimore për një vend të punës apo diçka që ju mundëson një sistem më të mirë të jetës“, deklaroi ajo.

Kur hasim në vështirësi ekonomike, psikologia thekson se, është mirë të diskutohet me anëtarët e familjes, të marrin pjesë edhe fëmijët që ta mësojnë aftësinë e përballimit, qëndrueshmërisë dhe përmbajtjes.

Qytetari Enis Mjaku, thotë se ngritja e çmimeve ka ndikuar në xhepin e secilit prej nesh, mirëpo shprehet se nuk mund t’i shmangemi pasojave të tregjeve botërore, ashtu sikurse edhe përfitimeve të tyre.

Ai thekson pakon ndihmëse që iu ofrua qytetarëve së fundmi.

“Secila qeveri e shteteve të tyre përkatëse në kohë të këtilla krizash i mbështet qytetarët e saj me pako të ndryshme. Derisa, në vitet e kaluar mbështeteshin vetëm kompanitë milionëshe, këtë vit qeveria solli një pako modeste për qytetarët e saj, jo se ajo do t’i zgjidh problemet tona afatgjate të trashëguara me vite, mirëpo në mënyrë që sado pak qytetari ta ndiejë dorën e shtetit në kohë krize”, tha Mjaku.

Sipas tij, është bërë një përpjekje e mirë që qytetarëve sado pak t’iu lehtësohet kjo kohë krize.

“Është hera e parë që edhe studentët, e ardhmja e atdheut, përfitojnë nga shteti, sado pak që të jetë si shumë, është hera e parë që edhe bujqit përfitojnë subvencionim prej 36 centësh për litër naftë dhe 150 për hektar të mbjellure me grurë, e të tjera. Kurrë nuk mund të themi që është mjaftueshëm, mirëpo duke pasur parasysh vitet e kaluara dhe duke pasur parasysh edhe buxhetin jo të mjaftueshëm”, deklaroi ai.

Ai thotë se këtë çështje janë munduar ta kalojnë bashkërisht, duke i ndihmuar njëri-tjetrit. Ky fakt thotë se është i njohur, ngaqë shqiptarët, në kohë të tilla veprojnë gjithnjë kështu dhe i tejkalojnë më lehtë.

Mediat të cilat raportojnë për këto raste fajësohen shpesh që ngjallin panik e reagime në publik.

Gazetari i ekonomisë, Zekirja Shabani, thotë se është hera e dytë që brenda një periudhe të shkurtër krijohet panik tek qytetarët për mungesë të produkteve të caktuara të konsumit. Shton se në rastin e parë për shkak të pandemisë u krijua opinioni për krizë eventuale dhe tani me rritjen e çmimeve u nxit ideja për rezerva.

Ai shprehet se, në të dyja rastet doemos mediat ishin pjesë e krijimit të opinionit, duke paraqitur situatën e krijuar në treg.

Sipas tij, qasjen e lehtë në media e shfrytëzuan tregtarët manipulues, të cilët ndikuan te qytetarët për të krijuar ndjenjën e mungesës së produkteve.

“Kjo nuk do të thotë se mediat nuk raportuan profesionalisht ose ishin nxitëse të frikës dhe panikut, apo me qëllim ndikuan në krijimin e kësaj situate. Por, puna e gazetarëve u shfrytëzua jashtëzakonisht shumë nga grupet e interesit për të përfituar nga situata. Kjo është e kuptueshme derisa në rrjetet sociale, faqe të pa verifikuara dhe të krijuara për qëllime të caktuara keqpërdorin informacionin, edhe të mediave, në këtë rast për të krijuar panik”, tha gazetari.

Nga Sahide Brati / KultPlus.com