Një performues i guximshëm që sfidon vetën dhe audiencën, La Fazani: “Oj Kosovë”, kangë që e kish kallë Eurovizionin

Jeta Zymberi

Në botën e festivaleve, konsideruar si një vend më i rreptë, tradicional dhe i rezervuar, artistët janë gjithnjë të gatshëm të thyejnë tabutë dhe të shprehin artin e tyre në mënyra të reja dhe provokuese.

Këto ditë, drita ishte kthyer kah muzika dhe fokusi depërtoi në Festivalin e Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Tri netë magjike, që ishin më shumë se thjeshtë një festival. Ato ishin një shfaqje e fuqishme e artit dhe kulturës shqiptare, shkruan KultPlus.

Në një sallë në Pallatin e Rinisë, ku jetonin vetëm gjurmët e zjarrit, u rimodelua një skenë e madhe për të mbetur një vend historik ku zjarri i zemrave të artistëve do të vazhdojë të flakërojë përgjithmonë.

E një zemër artisti që do të mbetet në histori si fituesi i edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Kosovë, ishte ajo e Arbër Salihut, i njohur me emrin artistik si, La Fazani.

Ai është një zanatçi i muzikës që rrethohet me misterin e saj. Një eksplorues i të panjohurës, gjithmonë në kërkim të tingujve të rinj, duke krijuar harta të reja për zemrat tona. Nëpërmjet notave dhe tingujve të tij, ai dokumenton pasionet e thella dhe ndodhitë me të cilat ne jetojmë si individë dhe si shoqëri.

La Fazani, një artist që shquhet për guximin e tij të rrallë, edhe në këtë paraqitje dëshmoi se është një performues që nuk njeh kufij, gjithmonë gati të sfidojë veten dhe audiencën me muzikën e tij të mrekullueshme. Për të, çdo shfaqje është një aventurë e re, një udhëtim në një botë të panjohur të emocioneve dhe tingujve të veçantë.

Me këngën e tij fituese “Oj Kosovë,” ai ka kapur një kontrast brutal të realitetit të shoqërisë sonë. Ai përdor ironinë në mënyrë të guximshme për të nxjerrë në pah kontradiktat në të cilat jetojmë. Por është refreni i këngës që na kujton se nën sipërfaqen e shurdhër të realitetit, ka një burim të pafund dashurie dhe pasioni që shpërthen zemrat tona.

Kjo intervistë me La Fazanin, sot kur pretendojmë që emocionet e skenës kanë pushuar paksa, na sjell në fokus gjithçka rreth këtij festivali, botës artistike të këtij artisti dhe këngës fituese që për shumë kënd ishte një nismë interesante për festivalin dhe një rrugë e hapur për artistë kaq eksplorues si ai.

Por, para se të kalojmë tek përgjigjet interesante të La Fazanit, dua të theksoj një detaj thelbësor që bëhet i qartë gjatë bisedës sonë. Ai ka dhënë përgjigjet e tij në dialektin gegë dhe ka kërkuar që të mos i ndryshojmë. Kjo kërkesë e tij na flet mbi thelbin e identitetit të tij artistik.

Le të eksplorojmë më shumë këtë artistë nëpërmjet bisedës sonë kreative.

KultPlus: Kënga “Oj Kosovë” është fituesja historike e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës. Cila ishte ndjesia në momentin e parë që dëgjuat emrin tuaj, dhe a ishte diçka e pritshme për ju?

La Fazani: Edhe pse gjatë rrjedhës së Festivalit gjithmonë e mbajsha të hapun mundësinë që muj me u shpallë fitues, kur praktikisht fillun’ me u nda çmimet për çfarëdo arsyje nuk e kisha ndjenjën se kom me fitu. Kur na thirrën në skenë mu edhe Angus Dei, ia nisa me vërejtë se mundet me ndodhë diçka magjike. Ndjenja osht’ e papërshkrushme, po besoj osht ngjajshëm si me e dhonë gollë në finale të ndonjë kampionati botëror.

KultPlus: Teksti i këngës “Oj Kosovë” është i ngarkuar me ironi. Çfarë të provokoi që të shkruaje një tekst me një temë të tillë?

La Fazani: Gjithmonë më ka interesu me përdorë kontraste ekstreme në pjesë të ndryshme të kangëve. Në rastin e “Oj Kosovë”, e eksplorova një kontrast brutal ku në strofa tentova me paraqitë ni interpretim skeptik por plot lojë të realitetit tonë, gjithmonë në vetë të parë ku provoj me deshifru mungesën e iniciativës konkrete për me kontribu në mirëqeniën e kësaj shoqërije. Kur po vjen refreni përplot fjalë dashnije e miradije, po e bjen një kontrast që po të shtin me një krizë identiteti e s’po e din as vet se prej kahit po vjen aj burim dashurije, por gjithësesi po osht’ aty dhe përplot pasion. S’po di… krejt ka ardhë natyrshëm, prej ni tentimi me eksploru ni kontrast brutal ndjenjash, por gjithashtu prej ekzistencës së disa sentimenteve që ashiqare i ndjej për kontekstin në të cilin jetoj.

KultPlus: A është teksti i këngës “Oj Kosovë” një reflektim i opinionit të përgjithshëm për situatën në vendin tonë?

La Fazani: Nuk e di. Në përgjethësi më duket se jemi të ngurrtë me e analizu sjelljën e vetvetës edhe nuk ndihemi rahat kur e bojmë atë sen. Por po më dokët se kemi fillu me u pjekë mjaftushëm që me mujte me ia pranu vetës atë fakt. Prandaj, po edhe jo… nuk e di.

KultPlus: “Se cilindo vend sonte me fitu. E di qe n’Eurosong une s’kom me knu”, është një pjesë e tekstit të këngës, po nëse do të ishte e kundërta dhe ju do të na përfaqësonit këtë vit në Eurovision, mendon që do të ishte kënga e duhur?

La Fazani: Besoj se në aspektin stilistik, energjik dhe interpretues do të ishte një kangë që e kish kallë Eurovizionin. Por, tematika osht’ paksa e lokalizume në një shoqëri të caktume, e nuk e di sa kish mujtë publiku jashtë shtetit tonë me u ndërlidhë me tekstin e kangës. Isha dashtë ndoshta me e ndryshu pak konceptin, me bo ma universal që ndërlidhet edhe me çashtje jashtë shtetit tonë që me mujtë me e kaplu publikun Europian. Por prap, krejt ndjenjat janë universale…

KultPlus: A mendoni se krijimi i këtij festivali do të sjellë më shumë vëmendje ndërkombëtare ndaj muzikës kosovare dhe mund të ketë ndikim në shanset e Kosovës për përshpejtimin e hapave drejt pranimit në Rrjetin e Transmetuesve Evropian (EBU)?

La Fazani: PO!!!

KultPlus: Sot, kur po besoj veç janë qetësuar pak emocionet, nga perspektiva e një artisti pjesëmarrës, si e vlerëson organizimin e Festivalit të Këngës në RTK?

La Fazani: Mendoj se krejt jemi befasu për të mirë se çfarë super spektakli ka dalë me qenë ky edicion i Festivalit të Këngës. Osht’ ngritje marramendëse e standardit prej krejt manifestimeve paraprake që janë organizu në Kosovë. Mos të harrojmë, osht’ hera e parë që po bohët prej shtetit tonë. Për senet që s’kan shku mirë, kërkush ma mirë se vetë organizatorët nuk e dijnë, kështu që kom besim se krejt ato aspekte veç kanë me u përmirësu në vitet e ardhshme.

KultPlus: Konsideron që prurjet muzikor ishin në nivelin e duhur për një festival të tillë, e ndjeve konkurrencën?

La Fazani: Mendoj se shumë artistë që kanë bagazh të madh artistik nuk e kan pasë guximin me i besu pjesëmarrjës me sy mshelë këtij festivali, kryesisht për shkak se nuk e kanë pasë idenë se qysh ka me qenë standardi i saj. Në përgjethësi osht vrejtë se pjesëmarrësit kanë qenë ma të rinjë e jo me aq përvojë artistike. Tu e marrë parasyshë këtë, kanë performu në mënyrë të shkëlqyeshme e e kanë dëshmu vetën në nivelin ma të lartë. Falë suksesit të këtij edicionit, besoj se në vitet që po vijnë kemi me pa edhe emra ma të mëdhenj tu marrë pjesë.

KultPlus: Nga kjo garë ju dolët me dy çmime, jo me më pak peshë është edhe Çmimi i Kryeqytetit që ju nda nga kryetari Përparim Rama. Çfarë simbolizojnë këto çmime për ju?

La Fazani: Me thanë të drejtën, për këtë çmim jom gëzu poaq shumë sa për çmimin kryesor. Pothuajse krejt veprimtaria jem’ artistike buron prej dhe osht’ kriju në Prishtinë. Jom prishtinali krenar që e kom çu jetën tu provu me kontribu në këtë qytet, e nuk kish ndjenjë ma të mirë se me u vlerësu prej qytetin tond. E falënderoj prej zemrës Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Përparim Rama për këtë vlerësim, do ta gëzoj përjetë.

KultPlus: Si do të përshkruanit rrugën tuaj artistike deri në këtë sukses në Festivalin e Këngës? Çfarë sfidash keni përjetuar në këtë rrugë?

La Fazani: Rrugë me gunga si rruga Muharrem Fejza në vitet 2010 – 2022. Por edhe ajo rrugë tash po dokët që osht rrafshu, edhe pse dorën në zemër osht’ pak e ngushtë për gjithë atë qarkullim të kerreve. Sfida plot e përplot, por reagimi ndaj sfidave po osht’ çka po ta definon storjën e jetës.

KultPlus: Në rrugën tuaj muzikore, cili është artisti që ju ka inspiruar e vazhdon ta bëjë?

La Fazani: Ka tepër shumë. Kështu që po përmendi shumë: the Beatles, the Doors, Bob Dylan, Bob Marley, Miles Davis, Frank Zappa, David Bowie, Björk, Radiohead, Aphex Twin, Bon Iver, Frank Ocean, Kendrick Lamar, Beyonce, Kanye West, Rihanna, Doja Cat, Muharrem Qena, Gjurmët, Genc Salihu. Dhe normalisht, ETJ.

KultPlus: Si do ta përshkruanit veten si artist? Cilat janë vlerat dhe karakteristikat që ju shprehni në muzikën tuaj?

La Fazani: Muzikant eksplorues që gjithmonë synon gjetje të reja. Dokumentues pasionant i ndjenjave dhe ndodhive individuale e shoqërore. Performues i guximshëm që gjithmonë tenton ta sfidojë vetën dhe audiencën.

KultPlus: Krejt për fund, cilat janë planet tuaja të ardhshme në karrierën muzikore dhe cili është synimi juaj në muzikë?

La Fazani: Ma në fund po i vjen rradha lansimit të albumit që e kam nisë qe gati 5 vjet. Hala nuk po e kam ide se cili ka me qenë singli/videoklipi i ardhshëm. Synimi jem’ osht që me kriju një sistem ku muj me prodhu muzikë në mënyrë konsistente, e i cili ma siguron një jetesë të rahatshme – jo najsen luksoze, por qaq sa me ma mundësu krijimin pa u tutë se a duhna me e bo edhe naj punë tjetër. / KultPlus.com

Koleksioni bardh e zi i disenjatores Jetmira Bejtullahu, një frymëzim nga ikonat e modës

Jeta Zymberi

Në një kohë ku moda duket sikur është në një garë të pandërprerë për të eksperimentuar me ngjyra të ndryshme dhe stile të kundërta, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka arritur të marr vëmendje duke na sjellë një thesar të vërtetë të elegancës, ku janë të lidhura në harmoni të plotë klasikja dhe modernja, shkruan KultPlus.

Klasikja është një vlerë e përhershme që pavarësisht ndryshimeve nuk e humbet aktualitetin dhe po të hysh këto ditë në profilin e disenjatores Bejtullahu, ti mund të takosh Charlotte, Naomi, Jennifer, Dianan, Elizabeth, Mollyn, Sophian, Marilyn apo Pamelan.

Janë fustanet e Jetmirës që bartin emrat e këtyre ikonave të artit e modës duke na shpalosur disa kreacione të cilat janë një interpretim i estetikës së pastër dhe të thjeshtë por që eleganca e tyre arrin të marr vëmendjen e secilit nga ne përkundër faktit që përbërja e tyre është me vetëm dy ngjyra, bardh e zi.

Jetmira Bejtullahu ka treguar për KultPlus se synimi kryesor ishte që të krijoj një koleksion që është i sofistikuar dhe i përshtatshëm për ngjarjet e rëndësishme.

“Ky koleksion është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të përcjell një mesazh. Klasikja dhe modernja mund të jetojnë në harmoni të plotë kur bëhet zgjedhja e duhur. Përdorimi i ngjyrave bardh e zi është zgjedhje që simbolizon elegancën”, thotë Jetmira e cila tutje tregon se emrat e fustaneve janë inspiruar nga ikonat e modës duke dashur të nderojë vlerat e tyre.

“Për përzgjedhjen e emrave për fustane jam ndikuar thellësisht nga ikonat e modës dhe artit. Emrat e fustaneve reflektojnë stilin, linjat dhe elemente të dizajnit që lidhen me kontributin e tyre në botën e modës. Ky proces ndihmon të ndërtohet një identitet unik për secilin fustan dhe të komunikojë me përdoruesit (klientët) potencialë”, thotë Bejtullahu.

Klasikja ka një vend të rëndësishëm në koleksionin e Jetmirës, duke ofruar një alternativë të përhershme në botën e modës, duke reflektuar ngjyrat bardh e zi në mënyrë të përsosur.

Kur krijon modele të tilla, padyshim se në mendje gjithmonë ke një person të cilit dëshiron të ja shohësh të veshur atë kreacion dhe kjo padyshim është një ndjenjë e këndshme për të cilën flet edhe Jetmira.

“Është një ndjenjë e bukur kur shoh dikë që ka zgjedhur të veshë një nga krijimet tona. Është një nder për ne të kontribuojmë në shkëlqimin e tyre.”

Për gratë që duan të duken elegante me një fustan nga koleksioni i saj, Jetmira jep disa këshilla të thjeshta.

“Zgjidhni një model që i përshtatet formës së trupit tuaj dhe kombinojeni me aksesorë të thjeshtë për të arritur një pamje të sofistikuar.”

Për të ardhmen, Jetmira Bejtullahu ka plane që të sjell koleksione të tjera të ngjashme dhe të eksperimentojë me stile të reja të modës, duke ruajtur gjithmonë elemente të klasikes dhe elegancës në krijimet e saj.

Përmes këtij koleksioni i cili tashmë është i gatshëm për ju, disenjatorja Jetmira Bejtullahu ka nderuar ikonat e artit duke na rikujtuar se eleganca klasike është gjithmonë në stil. / KultPlus.com

Mbi dy dekada krahë pianos, Ardita Statovci: Jam krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës sonë në nivel ndërkombëtar

Jeta Zymberi

Historia e saj është një udhëtim emocionues që fillon nga fëmijëria. E lindur në një familje ku pianoja ishte e lidhur me emocionet më të thella dhe momentet më të veçanta të jetës së tyre, Ardita Statovci nuk kishte si t’i ikte magjisë së këtij instrumenti.

Në familjen e Arditës, por edhe sot për vetë Arditën, pianoja, e njohur për vargëzimet e saj të bukura dhe tingullin e saj mahnitës, është më shumë se një instrument – ajo është një mjet që ka shërbyer si një udhërrëfyes i emocioneve të saj, një rrugë e çuditshme për të shprehur gëzimin, dhimbjen, pasionin, dhe ndjenjat e shumta që e kanë përcjellë në rrugëtimin e saj artistik, shkruan KultPlus.

Karriera e saj është një udhë e gjatë që ka përfshirë koncerte të mrekullueshme në skena mjaft prestigjioze ndërkombëtare. Krejt këto me një qëllim të qartë, që të jap kontributin e saj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar.

E lindur në Prishtinë më 2 mars 1982 si vajza më e re e dy profesorëve të Universitetit të Prishtinës, ajo filloi mësimet për piano në klasën e Hadije Gjinalit dhe më pas tek Lejla Pula në Prishtinë. Që në moshën 15 vjeçare ajo u pranua në Universitetin me renome “Mozarteum” në Salzburg të Austrisë ku në vitin 2007 përfundoi studimet e magjistraturës në klasën koncertale të Christoph Lieske, duke marrë vlerësimin maksimal nga juria internacionale.

Në vitin 2009 ajo studio me pianistin legjendar Menahem Pressler në Indiana University në Bloomington/SHBA. Përderisa studimet postgraduale ajo i bëri me Boris Petrushansky dhe Franco Scala në Akademinë Pianistike në Imola të Italisë.

Statovci ka performuar si soliste me orkestra të mëdha nëpër shtete të ndryshme të botës.

Rrugëtimi i saj nuk ka mbetur pa u vlerësuar edhe me çmime të ndryshme duke përfshirë këtu çmimin “Bösendorfer” nga Universiteti Mozarteum, e garës zgjedhore Yehudi Menuhin Live Music Now në Salzburg si dhe çmimeve “Talent i Kosovës”.

Paraqitjet e saj janë të vazhdueshme dhe tashmë janë bërë më shumë se dy dekada që kur Ardita me pasion dhe vendosmëri ka punuar për të arritur këtë nivel të jashtëzakonshëm të aftësive pianistike, dhe është bërë një figurë e rëndësishme në skenën muzikore.

Kur dëgjon tingujt e pianos së Ardita Statovcit, është e pashmangshme dëshira për të zbuluar më shumë rreth këtij pasioni frymëzues të cilin e nxjerr magjishëm nga ky instrument paqësor.

Në një intervistë për KultPlus, ajo ka treguar për ndjesinë e thellë që përjeton para çdo koncerti dhe përgatitjen e frytshme e momentet e mrekullueshme kur shfaqet para publikut. Në këtë udhëtim artistik, Statovci na ka ofruar pamje nga bota e saj muzikore, ku interpretimi i një note është një udhëtim emocional që e bën publikun të ndihet i lidhur me muzikën në mënyra të jashtëzakonshme.

Një fakt i veçantë është edhe kontributi i Statovcit në ngritjen e emrit të Kosovës në skenën ndërkombëtare të muzikës klasike. Ajo ka shpalosur për lexuesit e KultPlus edhe krenarinë e saj kombëtare duke interpretuar vepra të kompozitorëve kosovarë dhe duke i prezantuar ato në skena të mëdha ndërkombëtare.

Mbi të gjitha, Statovci përvojën e saj mundohet ta ndajë me artistët e rinjë, duke i ofruar njohuri e duke i frymëzuar për të ndjekur ëndrrat e tyre. Së fundmi, një koncert bashkë me talentet e rinj, fitues të çmimeve të ChopinPianoFEST, Ardita e mbajti në Berlin, në sallën e bukur të Universitetit të Arteve Joseph-Joachim-Konzertsaal, ku ishin të pranishëm shumë personalitete të jetës publike, diplomatë, përfaqësues të institucioneve, artdashës dhe studentë e pjesëtarë të diasporës tonë në Berlin.

KultPlus: Si e filluat karrierën tuaj muzikore dhe çfarë ju frymëzoi për të bërë muzikë profesionale?

Ardita Statovci: Piano luaj që nga fëmijëria e hershme. E kishim pianon në shtëpi, nëna dhe motrat e mia kishin vijuar shkollën e muzikës, ndërsa babi luante në mënyrë autodidakte. Loja në piano ishte fascinuese, frymëzuese dhe më rrëmbente tërë vëmendjen. Ishte mënyra më e bukur për të shprehur të gjitha emocionet, e këto ishin nga më të ndryshmet.

KultPlus: Mund të na tregoni për eksperiencën tuaj në koncertin e fundit në Berlin dhe reagimin e publikut aty? U prezantuat në këtë koncert bashkë me talente të rinj, si ishte ky bashkëpunim për ju?

Ardita Statovci: Koncerti në Berlin u realizua për të paraqitur gjeneratat e reja e të suksesshme të pianistëve të Kosovës. E veçanta e kësaj ishte Çmimi special “Chopin Piano Fest” i cili tash e 5 vite i është ndarë një pianisteje/pianisti të ri nga Kosova. Në bashkëpunim me një nga festivalet më të mira e më të respektuara të Kosovës, Chopin Piano Festin dhe drejtoreshën artistike prof. Lejla Pula dhe drejtoreshën menaxheriale prof. Besa Luzha, kemi formuar këtë çmim për t’i hapur dyert në botën e muzikës një pianisteje/pianisti të ri për të koncertuar në vendet gjermanofone dhe për të mbajtur masterklasë në një nga Universitet në këto vende. Çmimi është sponsorizuar dhe është mundësuar nga Herbert Groeger, një njohës dhe përkrahës i madh i të rinjve gjithandej nëpër botë nga fusha e muzikës klasike. Për të kurorëzuar punën 5-vjeçare, erdhi ideja që të mbajmë një koncert në Berlin dhe isha e nderuar dhe e lumtur që kësaj radhe pata rastin të ndaj skenën së bashku me të rinjtë tanë. Është ndjenjë e mirë që koncerti shkoi për mrekulli, ishte bukur dhe audiencë ishte shumë e këndshme. I jemi mirënjohëse institucioneve tona, Ambasadës së Kosovës në Gjermani, MKRS dhe MPJD që mundësuan realizimin e koncertit.

KultPlus: Keni pasur rastin të performoni në disa skena ndërkombëtare, na fol pak mbi këtë përvojë?

Ardita Statovci: Performimi në skena të ndryshme ndërlidhet jo vetëm me lojën para publikut por edhe me një sërë udhëtimesh dhe lëvizjesh nga vendi në vend. Takimet me njerëz nga kultura e prejardhje nga më të ndryshmet janë inspiruese. Ndjehem fatlume që kam koncertuar në pjesën më të madhe të shteteve europiane, në vende aziatike si Kina, India, Japonia dhe në SHBA. Ndër skenat e veçanta ku kam luajtur do përmend Elbphilharmonie në Hamburg, KKL në Luzern, Musikverein në Vjenë, Mozarteum në Salzburg, Pallati Mbretëror në Stockholm, Shtëpia e koncertit në Ankara, Sallat e koncertit në Shanghai, Nanchang, Mumbai dhe ka edhe shumë të tjera ku rikthehem me dëshirë.

KultPlus: Cilat janë inspirimet dhe influencat tuaja kryesore në muzikë?

Ardita Statovci: Mendoj që nga fëmijëria kam pasur fatin për të mësuar nga figura e personalitete të jashtëzakonshme vendore e ndërkombëtare. Ndonëse pjesën më të madhe të shkollimit muzikor e kam bërë në Austri, Itali dhe SHBA, ku kisha fatin të mësoja me pianistë e pedagog legjendar Menahem Pressler, Christoph Lieske, Boris Petrushansky, unë me endje i kujtoj mësimet e para të pianos në Prishtinë me profesoreshat e mia Lejla Pula dhe Hadije Gjinali.

KultPlus: Si e përshkruani stilin tuaj muzikor dhe repertorin tuaj të preferuar?

Ardita Statovci: Repertori im pianistik përfshin vepra nga baroku e deri te kompozitorët e kohës së sotme. Ka shumë vepra që adhuroj, jo domosdoshmërisht vetëm pianistike, por edhe nga literatura simfonike, vokale, korale etj. Më pëlqen Bach, Schubert, Brahms, Gershwin… e shumë e shumë të tjera.

KultPlus: Cilat janë momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj muzikore deri më tani?

Ardita Statovci: Secila paraqitje e ka një veçanti dhe një rëndësi në rrugën artistike e cila nganjëherë vjen në pah tek më vonë. Për një artist është e rëndësishme që ta tejkalojë veten në secilin koncert dhe secilën herë të jetë më mirë se ajo e kaluara. Paraqitja në salla të mëdha e të njohura ngërthen një rëndësi dhe përgjegjësi të madhe. Më kanë lënë mbresa paraqitja në Elbphilharmonie – një institucion gjigand kulturor i ndërtuar së fundmi, në Konzerthaus në Dortmund si soliste me orkestër derisa luaja koncertin për piano, trompetë e orkestër nga Shostakovich, koncertet në Kinë e shumë të tjera.

KultPlus: Si përgatiteni për një koncert të madh dhe si e menaxhoni emocionin para performancës?

Ardita Statovci: Mundohem të fokusohem jo vetëm në piano, por edhe në punën e analizës së partiturës dhe leximit të saj me vëmendje. Është e natyrshme që përgjegjësia e lartë, si paraqitjet në skenë të mëdha e të njohura, bëjnë që emocionet të jenë gjithashtu të forta – është ky një lloj gëzimi dhe një synim për të cilin njeriu punon – ai momenti unik i paraqitjes në skenë.

KultPlus: Cilat janë planet dhe projektet e ardhshme për ju në botën e muzikës?

Ardita Statovci: Do të kem koncerte në vende të ndryshme, do paraqitem me recitale solistike, si dhe me piano me katër duar së bashku me kolegen time zvicerane Ariane Haering me të cilën kemi duon pianistike Ariadita Duo. Krahas koncertimit do vazhdoj të jap kontributin tim edhe në fushën e mësimdhënies në piano në Washington Conservatory of Music në SHBA.

KultPlus: Si ndiheni për kontributin tuaj në promovimin e muzikës kosovare në nivel ndërkombëtar?

Ardita Statovci: Janë bërë tani më shumë se 25 vite që luaj muzikën e kompozitorëve tanë në nivel ndërkombëtar, nisur që nga viti 1997 kur shkova të studioja në Universitetin Mozarteum në Salzburg të Austrisë. Sot ka shumë e shumë kolegë që kanë studiuar jashtë dhe kanë krijuar karriera të respektuara. Ndërsa në atë kohë kur unë nisa studimet në Austri ka pasur fare pak ose gati se hiç muzikantë nga vendi jonë. Nuk është gjë e lehtë, meqë gjithçka duhet bërë në baza individuale, duke u nisur edhe nga ajo që të bindësh drejtorët artistik ose organizatorët e festivaleve që të luash muzikë nga kompozitor që ata mund të mos i njohin. Por unë me dëshirën më të madhe vazhdoj ta bëj këtë kudo që kam mundësi dhe jam shumë krenare për promovimin që ia kam bërë muzikës dhe vendit tonë në nivel ndërkombëtar tani për dy dekada e gjysmë.

KultPlus: Si do të përshkruani marrëdhënien tuaj me publikun dhe përkrahjen që keni marrë nga komuniteti i muzikës në Kosovë?

Ardita Statovci: E them gjithmonë që publiku në Kosovë është shumë i dashur, janë njerëzit që më kanë njohur dhe më kanë përcjellur që nga fëmijëria, andaj secila herë është një ndjenjë shumë e veçantë të koncertosh para këtyre njerëzve kaq të dashur.

KultPlus: Çfarë këshillash keni për të rinjtë që ndjekin ëndrrën e tyre në muzikë?

Ardita Statovci: Profesioni i pianistit kërkon shumë pasion, punë, përqendrim dhe një karakter të fortë. / KultPlus.com

Udhëheqës të institucioneve dhe artistë vizituan fëmijët e shtrirë në Repartin e Hemato-Onkologjisë

Me iniciativë të Nezaqete Rukovcit, drejtoreshë e organizatës “Action for Health”, udhëheqës të institucioneve dhe përfaqësues të komunitetit artistik kanë realizuar një vizitë në Repartin e Hemato- Onkologjisë, ku edhe i kanë takuar fëmijët për së afërmi, shkruan KultPlus.

Fëmijët e shtrirë në këtë repart në orët e pasdites kanë pas rast të shohin për së afërmi vallëzim baleti, interpretim të këngëve dhe interpretim në violinë, interpretime këto që u bënë nga komuniteti artistik që ishtin pjesë e delegacionit.

Nezaqete Rukovci nga organizata “Action for Health” ka thënë për KultPlus se vizita të tilla janë shumë të rëndësishme, dhe iniciativa të tilla duhet të merren në çdo muaj të vitit e jo vetëm në muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit te fëmijët.

Pjesë e delegacionit në këtë vizitë ishte Kushtrim Sheremeti, drejtor i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, Elikona Hysaj, drejtoreshë e Korit “Okarina”, aktorja Safete Rugova, këngëtaret: Adelina Thaçi e Elida Kryeziu, violinisti Visar Kuçi, balerinat Vlora Prizreni e Marigona Hoxha, pianisti Andi Duraku dhe skulptori Arton Behrami.

Delegacionin e priti  pediatrja Arbnoree Batalli Këpuska, e cila falënderoi delegacionin në fjalë dhe i ka vlerësuar interpretimet e grupit artistik, të cilët, sipas saj kanë një rëndësi të madhe për fëmijët e shtrirë në këtë repart.

Iniciativa të tilla pritet të realizohen edhe brenda muajit dhjetor, ku është paraparë një performancë e fëmijëve të Korit “Okarina”./ KultPlus.com

Ardianë Pajaziti: Sopranoja Elbenita Kajtazi, ylli i edicionit të gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”

KultPlus, gazeta e parë online për art dhe kulturë ka filluar punën intensive për të sjell edicionin e gjashtë të mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”, një ngjarje kjo që i sjell Prishtinës emocione të thella, shkruan KultPlus.

Pas pesë edicioneve të suksesshme, edhe kjo mbrëmje artistike do të vjen në formë të kompletuar, emocionuese dhe frymëzuese, sikurse që kanë sjell emocione të pashlyera edhe edicionet e mëhershme.

Edicioni i gjashtë i “Ta Zbardhi Ftyrën”, do të mirëpres një emër të madh të artit shqiptar, sopranon e njohur Elbenita Kajtazi. Kjo artiste e shquar, ka shfaqur talentin e saj të rrallë në teatro prestigjioze dhe ka arritur të frymëzojë audiencën në shumë vende të botës me zërin e saj të bukur dhe interpretimet e mrekullueshme.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” do të jetë mbrëmje e emocioneve të forta, bashkëbisedimit të thellë, dhe një performance të paharrueshme nga Elbenita Kajtazi ku kësaj radhe, zëri i saj, si asnjëherë më parë, në asnjë skenë tjetër, do të jehojë edhe përmes këngës shqipe. Në këtë ngjarje, publiku do të ketë rastin të ndjehet pjesë e një spektaklit të jashtëzakonshëm, ku arti, kultura dhe emocionet do të bashkohen në një harmoni të mrekullueshme.

Drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, njëherit organizatorja e kësaj ngjarje të madhe, është shprehur shumë e lumtur që ndër vite ka pasur mundësinë të sjell emra të mëdhenj të artit shqiptar si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears dhe Gëzim Myshketa, dhe se kjo traditë po vazhdon të rritet dhe të zhvillohet nga viti në vit.

“Me sopranon Elbenita Kajtazi  si mysafiren e këtij edicioni, ne jemi të sigurt se do të shohim një tjetër mbrëmje të padëgjuar plot emocione dhe frymëzim”, shprehet Pajaziti, e cila ka treguar se koordinimi me figura të tilla po është shumë sfidues, pasi që agjendat e këtyre artistëve po janë të prenotuara për një periudhë të gjatë.

“Jemi të lumtur që edhe përkundër agjendave të ngjeshura nëpër botë, artistët nuk po na thonë asnjëherë jo. Përgjigjet pozitive nga artistë të kalibrit të tillë janë motiv për ne që të vazhdojmë me prurje të tilla”, ka thënë Pajaziti.  

“Ta Zbardhi Ftyrën” do të vijë përgjatë muajit nëntor, ku për datën dhe detajet e tjera, KultPlus do të ju njoftojë me kohë. Kjo mbrëmje artistike ndahet në dy pjesë, bashkëbisedim dhe performancë, dhe pikërisht kjo ndërlidhje bën diferencën nga ngjarjet e tjera kulturore.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinsë dhe Sportit. / KultPlus.com

Bija Jasiqi hapë ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë”

Artistja Bija Jasiqi që është e njohur për artin abstrakt do të prezantohet me ekspozitën personale “Ecejaket e mia në pikturë” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë do të prezantohet me 16 vepra.

Bija Jasiqi përgjatë krijimtarisë së saj ka marr pjesë në shumë ekspozita, kurse me ekspozitën “Ecejaket e mia në pikturë” do të prezantohet me shumë ngjyra, duke pas në fokus edhe mbështetjen e gruas.

Kjo është ekspozita e dytë personale e Bija Jasiqit.

Bashkëbisedim, ngjyra e verë ju presin në hapjen e ekspozitës së Bija Jasiqit. Ekspozita do të hapet më 20 shtator në ora 19:00 dhe do të rri e hapur për dy javë në KultPlus Caffe Gallery./ KultPlus.com

KultPlus shënon një dekadë më 2 shtator, sjell ekspozitën kult me figurat ikonike të RTP-së

Gazeta e parë për art dhe kulturë, KultPlus do të shënojë përvjetorin e dhjetë të themelimit, ceremoni e cila do të shënohet me një ekspozitë kult me figurat ikonike të Radio Televizionit të Prishtinës, i cili vazhdon të mbetet pishtar i medieve në Kosovë.

Ekspozita, e titulluar “Shuni se lajmet”, është një rrëfenjë nostalgjie për kohën e lajmeve të RTP-së, një periudhë që i ka shoqëruar shumë prej nesh për vite të tëra. Me kujtimet që kthehen mbrapa në kohë, ekspozita do të sjellë përpara syve tuaj fytyrat e folësve ikonikë si: Drita Gërmizaj, Vera Hima, Faik Hima, Mustafë Muçaj, Antigona Qena, Besa Çeku dhe Fadile Kryeziu. Këto figura të shquara kanë pasur ndikim të thellë në të folurën dhe informimin e komunitetit tonë.

Kuruar me kujdes nga Ardianë Pajaziti, drejtore e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, ekspozita “Shuni se lajmet” pothuajse është si një kuti e kujtimeve që na çon mbrapa në rrugëtimin e dhjetë vjetëve të KultPlus. Ky është një rrugëtim që ka pasur sfida dhe suksese, një rrugëtim i përkushtuar për të promovuar artin dhe kulturën brenda dhe jashtë Kosovës.

“Ky 10 vjetor është tejet i veçantë për ne andaj edhe kemi organizuar një event po aq të veçantë. Përmes ekspozitës “Shuni se lajmet” jemi duke sjellë përpara syve të publikut një kapitull të rrugëtimit të mediave kosovare. Ky kapitull ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si komuniteti ynë është informuar dhe ka ndjekur ngjarjet aktuale. Dhjetë vjet e kaluara janë një periudhë e madhe për KultPlus-in, me sfida dhe suksese të shumta në rrugëtimin për të promovuar artin dhe kulturën. Kjo ekspozitë shënon një fitore të re dhe një arritje të veçantë për mua dhe ekipin tim të përkushtuar”, shprehet Pajaziti.

Në këtë mbrëmje të veçantë, nuk do të mungojë as degustimi i rakisë së brendit të njohur “The Vidasus Distillery Nivokaz”, një emër i njohur që synon të përfaqësojë trashëgiminë dhe shijet autentike të kësaj toke. Me sloganin e thjeshtë “Piju shqip”, ne sjellim përpara jush një përshëndetje me shije të vërtetë dhe një përjetim autentik.

KultPlus vazhdon me të njëjtën pasion dhe përkushtim për të promovuar artin dhe kulturën, jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë kufijve të saj. Ndaj, ju miqtë e KultPlus dhe KultPlus Caffe Gallery, jeni të ftuar të na bashkoheni në këtë mbrëmje të veçantë, ku do të rikthejmë kujtime, festojmë arritjet dhe bashkëndajmë emocionet.

Le të jemi së bashku më datë 2 shtator, nga ora 19:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, për të shënuar një dekadë të dedikuar artit, kulturës dhe gazetarisë në shërbim të komunitetit tonë.

Ky event mbështetet nga Komuna e Prishtinës, Stone Castle, Frutomania, The Vidasus Distillery dhe Uji i Alpeve. / KultPlus.com

Mes nesh s’ka hapësirë

Blinera Hajdari

Mes nesh s’ka hapësirë.
Hapësira për ne nuk ekziston. Ndryshe përcaktohet distanca jonë.
Mes nesh ka dete të thella ku gjen pasqyra të thyera copë-copë, por prapë ato pasqyra vazhdojnë të na reflektojnë.
Pasqyrojnë imazhet tona qysh nga dita që kemi lindur.
Nëse do të thuash që s’jemi njohur në atë botë, unë këtë e di.
Ndoshta ditëlindja ime nuk është dita kur kam lindur, por kur jam njohur me ty!
Mes nesh s’ka hapësirë, por ka dete të qeta e të kthjellët, sikur janë në mes të korrikut.
Dete që të japin qetësinë e prekjes sate dhe kthjelltësinë e syve tu, nga të cilët nuk largohem dot.
Ka edhe valë, të ulta e të larta. Që trazojnë njeriun e të humbin ekuilibrin, njëjtë siç trazon shpirtin mendimi për ty.
Hapësirë jo se jo! Po mes nesh ka re me plot forma dhe fortuna, aq të forta sa shpesh duhet të fshihemi. Kësaj radhe nuk bartin peshën e shiut apo të erës, për të cilat toka ka nevojë. Por bartin peshën e lotëve të mi dhe vorbullën e ndjenjave tua, që bukur i mban të fshehura. Për të cilat të dytë kemi nevojë, e pranojmë apo jo.
Mes nesh, nuk jemi kurrë vetëm unë dhe ti.
Jemi unë dhe ti, me plot kujtime, ëndërra e zhgënjime, të vendosura aty në mes.
Unë dhe ti, me thërrmija zjarri e copa akulli.
E pavarësisht nëse jam një hap larg teje, apo aq larg sa s’të shoh fare në horizont, në çdo grimcë ajri që na ndan do të ketë copëza dashurie, ndjenja frike, dhe emocione që shpirti as nuk tenton t’i kontrollojë. 
Pas krejt kësaj, si mund të ketë mes nesh hapësirë?! / KultPlus.com

Brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist, Ernest Koliqi një besimtar i devotshëm dhe i palëkundur i kulturës

Pjesën qëndrore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dje e kaploi një frymë tjetër. Kjo pasi aty u diskutua për një nga figurat konceptuale të letërsisë shqipe, atë të Ernest Koliqit.

Ishte 120 vjetori i shkrimtarit që kishte bërë bashkë gazetën online për art dhe kulture, KultPlus dhe BKK-në që të sjellin këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në nderim të një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë moderne shqipe.

Për të folur për këtë figurë të veçantë të letrave shqipe, KultPlus kishte përzgjedhur që me kumtesat e tyre të paraqiteshin personalitete të shquara dhe njohës të jetës e veprës së Koliqit, si Agim Vinca, Albana Mehmetaj dhe Ndue Ukaj.

Me “Kroni i ngrim”, një nga poezitë më të mira të Koliqit, nën interpretimin e studentës së Fakultetit të Filologjisë, Lorenta Ibraj nisi kjo orë letrare e cila kishte mbledhur rreth vetës dashamir të librit dhe lexues të veprës së Koliqit.

Tutje fjalën e mori drejtorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti e cila Orën Letrare për Ernest Koliqin e vlerësoi lart.

“Një dedikim për Ernest Koliqin është i rëndësishëm sot dhe gjithnjë, duke pas parasysh rolin e figurës së Koliqit në letërsi, në arsim dhe në publicistikë”, ka thënë Pajaziti, e cila ka shtuar se me qëllim të shtrirjes se figurës së Koliqit nëpër gjenerata, me qëllim ka bërë shtrirjen e përfshirjes së gjeneratave në këtë orë letrare, duke nisë që nga profesori Agim Vinca e deri te studentët.

Më pas, me kumtesën e saj ”E reja dhe trashëgimia”, studiuesja Albana Mehmetaj nisi të flas për Ernest Koliqin, një ndër autorët më të njohur të letërsisë moderne shqipe dhe një nga themeluesit e kësaj letërsie.

”Koliqi si njohës i letërsive moderne evropiane, njohës dhe zbulues i kulturës tradicionale shqiptare krijoi një model të ri letrar, si në formë ashtu edhe në ide, duke i kombinuar këto dy premisa në një diskurs personal përmes semantikës simboliste dhe narracionit simbolik e metonimik”, u shpreh Mehmetaj në hyrje të kësaj ore letrare, duke vazhduar tutje të shtresoj idetë e Koliqit rreth asaj se si duhet të burojë një vepër letrare.

”Koliqi mendon se një vepër letrare duhet të burojë nga trashëgimia etnike, pasi që ngjarjet e vogla, të përditshme, janë brumë për tema të mëdha letrare. E nga këtu buron motivimi i tij për veprën letrare duke e mveshur me një sensibilitet të ri e modern.

Sipas Mehmetaj, Koliqi donte të ndërtonte Shqipërinë e re, brezin e ri e kohën e re përmes trashëgimisë të rrënjëve të vjetra, e jo duke e shuar dhe zhdukur atë, por duke e jetësuar.

Tutje Mehmetaj foli në detaje rreth prozës dhe poezisë se Koliqit, duke shtjelluar secilën nga pak e duke treguar rreth simboleve, temave e ideve që autori ka përdoruar në veprat e tij. Një analizë më të thukët, Mehmetaj e bëri edhe për romanin e vetëm të Koliqit, ”Shija e bukës së mbrume”.

”Shija e bukës së mbrume” është vepër e ideve në të cilën përshkrimi dhe rrëfimi shkrihen gjithherë për të dhënë sa më qartas idenë autoriale”, tha ndër të tjera studiuesja Albana Mehmetaj.

Pas kësaj kumtese mjaftë të rëndësishme për veprën e Koliqit, ishte radha e studentit Albin Shala për të sjell para publikut të pranishëm një tjetër poezi mjaft emocionuese të autorit.

Ndërsa profesori universitar Agim Vinca ishte përgatitur të flas për një aspekt të veçantë të krijimtarisë se gjerë të Koliqit. Ai trajtoi veprën “Antologji për lirikën shqipe” botuar më 1963 në Romë. Vina tregoi se në këtë antologji e cila ishte shkruar në kohën kur Koliqi nuk kishte kontakte me Shqipërinë shkaku i regjimit komunist, përfshihen 32 poetë shqiptarë, duke filluar nga poeti arbëresh i shek. XVIII Jul Variboba e gjer te Fahredin Gunga (i lindur në vitin 1936), që është poeti i fundit i përfshirë në këtë libër.

”Antologjia e Koliqit është konceptuar, siç del edhe nga titulli i saj, si antologji e lirikës e jo e poezisë shqipe në përgjithësi .Kjo arsyeton mungesën e Gavril Darës të Riut dhe Pashko Vasës. Ndryshe nga disa krijues të tjerë të brezit të tij, Koliqi tregohet mjaft tolerant sa i përket përkatësisë krahinore, fetare e madje edhe ideologjike të shkrimtarëve”, u shpreh Vinca i cili tutje u ndal edhe tek një pikë tjetër mjaft e rëndësishme, atë të trajtimit të letërsisë shqipe të Kosovës nga ana e Koliqit.

“Ndryshe nga ç’veprohej asokohe në Tiranën zyrtare, ku nuk botohej asgjë nga letërsia që krijohej jashtë kufijve politikë të Shqipërisë e as që flitej fare për atë letërsi (i njëjti qëndrim, por në kahje të kundërt, mbahej edhe në Prishtinë ndaj letërsisë që krijohej në Shqipëri), Koliqi jo vetëm që s’e mohon letërsinë shqipe të Kosovës, por, përkundrazi, e trajton atë me dashamirësi. Koncepti i Koliqit ndaj letërsisë (poezisë) shqipe është koncept etnik e jo koncept politik”, tha Vinca.

Për Vincën, Koliqi është një nga stilistët tanë më të mirë dhe një nga prozatorët tanë më me vlerë. Ai është i bindur se tri veprat e tij kryesore në prozë: Hija e maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936) do të mbeten në fondin e përhershëm të letërsisë shqipe.

”Brilant si prozator, solid si poet, inteligjent si eseist, Koliqi shfaqet interesant edhe si antologjist. Edhe në këtë fushë ai dha kontributin e vet të çmueshëm, duke luajtur shumë herë jo vetëm rolin e përzgjedhësit, por edhe të përkthyesit dhe të studiuesit”, tha Vinca.

Fjala e Vincës pasoi me një tjetër poezi nga student Albin Shala, I cili tutje I dha hapësirë studiuesit Ndue Ukaj, i cili na paraqiti Koliqin si poet, ministër, drejtues, profesor e përkthyes. Sipas Ukaj, Koliqi ishte besimtar i artit dhe fuqinë e tij e konsideronte të epërme.

”Koliqi në veprën letrare e studimore e lidh bukur traditën me të tashmen dhe bëhet shprehje e së resë, duke themeluar tregimin modern shqiptar e duke krijuar institucione të vlefta kulturore. Në të vërtetë, Koliqit përfaqëson një model unik kulturor në krijimtari, por edhe në fushën studimeve”, u shpreh Ukaj.

Ai vazhdoi tutje duke treguar lidhjen e Koliqit me vendin e tij, Shkodrën, gjë që vërehet shumë në veprën e tij.

”Veprimtaria intelektuale dhe artistike e Koliqit është shprehje e personalitetit dhe e formimit të tij, e familjes dhe e  mjedisit etik e estetik ku u formua dhe u shkollua”, tha Ukaj i cili tutje foli edhe për veprën artistike dhe studimore të Koliqit e cila tregon se ai ishte një besimtar i devotshëm dhe i palëkundur i kulturës.

“I vetëdijshëm se kultura ishte arma ma fisnike e më e fuqishme për t’ia ndalë hovin së keqes. Dhe ai besonte te kjo armë, prandaj e përdorte forcën e saj t’iu dhënë kahe pozitive zhvillimeve shpirtërore, për të pasuruar me punë fisnike jetën e varfër shpirtërore e intelektuale të kohës, gjë të cilën e shprehte në shkrimet artistike, por edhe në studimet e analiza: “…sidomos kultura”- shkruante ai “asht arma ma e përshtatun për t’ia thye hovin shkulmit të parimeve shkombëtarizuese që mërzisin e molisin popullin e Shqipnis së mjerë.”

Krejt për fund, Ukaj u shpreh se Koliqi ishte i bindur se një shoqëri vlen aq sa është e kulturuar, përparon aq sa i kushton vëmendje e rëndësi kulturës dhe pranohet në vlerat e përbotshme aq sa ka forcë t’i jep vlera ushqyese kulturës dhe civilizimit botëror, prandaj përpjekja e tij për t’i dhënë kombit vlera shumëdimensionale nuk pushoi kurrë.

Kjo orë letrare u përmbyll me një tjetër poezi të Koliqit duke i ofruar publikut kështu edhe një herë frymën e Koliqit në mesin tonë e cila vazhdon ndër breza e breza.

Ora letrare për Ernest Koliqin erdhi në kuadër të Javës së Bibliotekës e organizuar nga gazeta online KultPlus dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës ”Pjetër Bogdani”. / Kultlus.com

Ardianë Pajaziti, drejtoresha e KultPlus ligjëroi para nxënësve të New York School of Science

New York School of Science in Kosova ka ftuar themeluesen e medias së njohur online për art dhe kulturë www.kultplus.com, Ardianë Pajazitin që të mbajë një takim me nxënësit e klasës së gjashtë të kësaj shkolle, ku përgjatë prezantimit të saj me nxënësit, ajo ka diskutuar mbi kulturën e informimit, mediet online, ruatjes së tyre nga lajmet toksike, lajmet e rreme dhe shumë tema të tjera që zgjuan shumë interesim tek nxënësit, thuhet në njoftimin e kësaj shkolle.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e New York School of Science mbi këtë prezantim të Ardianë Pajazitit.

Nxënësit e klasës VI, kishin rastin të takohen me themeluesen e medias së njohur online për kulturë KultPlus, zonjën Ardianë Pajaziti, e cila fillimisht i pyeti nxënësit për kureshtjen dhe raportin e tyre që kanë me rrjetet sociale, me kulturë, veçmas me teatrin dhe kinemanë, se sa herë dhe për çfarë arsye i vizitojnë ato.

Ajo trajtoi edhe besueshmërinë ndaj mediave, ku nxënësit shtruan pyetje për dallimin e lajmit të rremë prej lajmit të vërtetë dhe efektet e lajmit të rremë në veçanti apo mënyrës se si duhet të trajtohet ai.

Këshilla e të ftuarës sonë ishte që gjithmonë para një lajmi sado senzacional të jetë, të kërkohen burime zyrtare të informacionit që vijnë nga institucione kredibile, ku në rast se gjenden shkelje, ka një institucion si Këshilli i Pavarur i Mediave – KPM që është përgjegjës të reagojë.

Faleminderit zonja Ardiana për të gjitha informatat dhe kuriozitetin që e zgjuat tek nxënësit tanë!

Përndryshe, New York School of Science në kuadër të planprogramit sjell vazhdimisht figura të njohura nga lëmi të ndryshme, me qëllim që nxënësit e kësaj shkolle të marrin përvoja të shumta nga profile të ndryshme që tashmë kanë treguar sukses në Kosovë dhe më gjerë./ KultPlus.com

Magjia e poezisë u shpalos me ndjeshmëri të lartë në Orën Letrare të organizuar nga Pen Qendra

Në një ambient të qetë dhe të ndritshëm, siç është ai i KultPlus Caffe Gallery, disa nga poetët më të mirë të vendit u mblodhën sot për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Poezisë. Të pranishmit qysh në nisje u ngjallën nga një atmosferë e veçantë, nën dritën e ndriçimeve të buta që krijonin një efekt magjepsës, shkruan KultPlus.

Në këtë Orë Letrare të organizuar nga Pen Qendra e Kosovës, morën pjesë poetë të dalluar si: Ibrahim Kadriu, Ibrahim Berisha, Dije Demiri, Lulzim Tafa, Binak Kelmendi, Naim Beqiraj, Blerina Rogova Gaxha, dhe nikoqiri i kësaj Ore Letrare, Sali Bashota, por hijeshinë kësaj ngjarje ja shtuan edhe studentët e vitit të dytë të Letërsisë Shqipe të Universitetit të Prishtinës.

Duke i falënderuar të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ngjarje me rëndësi kulturore, hapjen e bëri Jeta Zymberi, redaktorja e mediumit KultPlus, e cila njëkohësisht bëri edhe paraqitjen e asaj që do të prezantohej gjatë kësaj Ore Letrare.

‘Dita Botërore e Poezisë është një ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe letërsinë botërore. Në këtë ditë, shkrimtarë, poetë, lexues dhe dashamirës të poezisë mblidhen për të festuar fuqinë dhe pasurinë e poezisë, ashtu siç jemi mbledhur edhe ne sot”, ka thënë Zymberi e cila pasi prezantoi shkrimtarët, poezitë e të cilëve do të lexoheshin në këtë orë poetike, fjalën ja dha profesorit Universitar në departamentin e Letërsisë, Sali Bashotës, i cili tha se poezia është një nga thesaret më të çmuara të letërsisë shqipe.

‘Kjo ditë është ditë e promovimit të poezisë, ditë që njëherë në vit, secili nga poetët, krijuesit por edhe lexuesit mendojnë për rolin që ka poezia në jetën e njeriut. Gjuha, ligjërimi, figura, stili i poezisë është i veçantë nga të gjitha llojet dhe zhanret e letërsisë, prandaj edhe mësohet përmendësh, përjetohet më mirë, dhe ka fuqinë e vet e është pasuri shpirtërore e secilit njeri, poetëve që e shkruajnë, por para së gjithash edhe lexuesve që e përjetojnë”, ka thënë Bashota duke potencuar se letërsia shqipe ka poetë të njohur të cilët e prezantojnë poezinë shqipe edhe në arenën ndërkombëtare me vlerat e tyre, prandaj një kohë të gjatë ka ekzistuar mendimi se poezia shqipe e Kosovës është një nga thesaret më të çmuara në krejt letërsinë shqipe.

Pas fjalës së Bashotës, ishte koha që emocionet që vetëm poezia në veçanti di t’i sjell, të rrëmbenin të pranishmit.

Poetët nisën me leximin e poezive të tyre, ku dikush për dashurinë, dikush për nostalgjinë e kohëve të shkuara, me zërin e tyre të butë dhe të gjallë, frymëzuan të pranishmit me vargje të ndjeshme dhe të përsosura. Ata ishin në gjendje të sjellin në jetë imazhe të reja dhe të shumëllojshme, duke shkaktuar emocione të ndryshme në audiencë.

Në kombinim të hatashëm me poetet, hynë edhe studentët të cilët përkujtuan poetë të njohur të poezisë bashkëkohore shqipe përmes poezive të tyre.

Të lumtur dhe njëkohësisht të nderuar që po gjendeshin në mesin e këtyre poetëve të dalluar, leximin e nisi studentja Lorenta Ibraj e cila solli interpretimin e poezisë së Esad Mekulit, për të vazhduar tutje me poezitë e poetëve si: Martin Camaj, Vorea Ujko, Fatos Arapi, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Edi Shukriu, Frederik Rreshpja e Basri Çapriqit që erdhën plot ndjeshmëri të interpretuara edhe nga studentët si Albin Shala dhe Rina Abdullahu.

Me zërin e tyre të përkryer ata arritën të shprehnin ndjenjat e poetëve me një mënyrë të veçantë që të gjithë të pranishmit ndjeheshin të prekur nga vargjet e tyre.

Një ngjarje e tillë është shumë e rëndësishme për kulturën dhe letërsinë në mbarë botën. Në vendin tonë u shënua duke përmbledhur disa nga perlat e poetëve tanë më të njohur, këtu duke përfshirë edhe disa poezi të përzgjedhura në mënyrë të veçantë nga anëtarët, e PEN Qendrës.

Kjo festë për fjalën e shkruar, poezinë, u përmbyllë me një fotografi të përbashkët nga të gjithë të pranishmit të cilët e vazhduan diskutimin mbi poezinë duke u takuar nga afër me njëri tjetrin. / Vjollca Duraku / KultPlus.com

“The journey continues”, ekspozita e portreteve të Flamur Miftarit, një eksplorim në botën e brendshme

Në shikim të parë të marrin vëmendjen portretet që duket sikur flasin, flasin për një botë të brendshme, ku sa duket një gjendje psikike e tyre, përnjëherë të kalon te një emocion apo eksperiencë që vjen në një formë frymëzimi shfaqur në letër.

Këto portrete të punuara nga artisti i ri por tejet i talentuar Flamur Miftari, ishin bërë bashkë për tu prezantuar mbrëmë para publikut në KultPlus Caffe Gallery ku edhe u hap ekspozita e titulluar “The journey continues…”. Ekspozita paraqiste një seri prej 15 veprash të autorit të realizuara me teknikën e vajit dhe akrilit dhe kishte mbledhur mbrëmë rreth vetës një numër të konsiderueshëm artdashës, shkruan KultPlus.

Në këtë ekspozitë dominuan portretet, që ndjekin rrugën e shfaqjes së botës së brendshme të autorit Flamur Miftari. Portretet ishin shprehur në forma të caktuara dhe mund të interpretoheshin në mënyra të ndryshme. Këto portrete nuk ishin thjesht figura, por shprehnin një lloj të ndryshëm të frymëzimit dhe emocionit.

Flamuri është një artist i ri i cili ka arritur të ndërtojë një identitet në botën e artit shqiptar. Portretet e tij janë me një qasje unike ndaj subjekteve të tyre.

Në hapje të kësaj ekspozite e para mori fjalën Ardianë Pajaziti, themeluesja e KultPlus, e cila u shpreh e lumtur që artisti Flamur Miftari po prezantonte këtë ekspozitë në KultPlus Caffe Gallery.

“Kjo është ekspozita e dytë personale e artistit Flamur Miftari, por e para në KultPlus Caffe Gallery. Miftari e ka sjellë një frymë shumë të mirë në ambientin tonë dhe ne jemi të lumtur për këtë gjë. Andaj ju ftojmë edhe juve që të vizitoni këtë ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur për dy javë”, ka njoftuar Pajaziti.

Tutje, për artin e tij foli edhe vetë artisti, ku përmes veprave tregonte aftësinë për të krijuar art të shquar, dhe siç thotë vetë artisti, ai mundohet të paraqesë botën e tij të brendshme nëpërmjet pikturës. Në disa prej tyre, ai paraqet veten, ndërsa në disa të tjera, ai paraqet njerëz që e kanë ndikuar atë në mënyra të ndryshme.

“Këto janë punime ku dominojnë më shumë portretet, punime që përmbajnë më shumë prekjen e njeriut (Human Touch), dhe piktura që shprehin më shumë emocion, gjendje psikike dhe paqe mendore. Shumica e punimeve paraqesin gjendjen e njeriut në hapësirë, eksperienca e lloje të ndryshme”, ka thënë Miftari në ceremoninë e hapjes së ekspozitës.

Një nga veprat më të shquara në ekspozitë ishte edhe portreti që paraqiste një njeri të moshuar që rrudhat i kishin kapluar fytyrën e njëkohësisht flisnin për jetën e vështirë që kishte kaluar. Duke ndjekur vështrimin e personit në portret, shikuesi arrinte të bënte një rrugëtim të fshehtë në botën e tij të brendshme.

Ky portret i kishte marr artistit plot 3 muaj kohë deri në finalizim.

“Ky portret tregon rrudhat dhe sa kohë ka kaluar, në çfarë pengesa jetësore ka kaluar. Çdo rrudhë paraqet një mësim për rrugëtimin jetësor. Edhe sytë që shikojmë i bijën më saktë që është duke e parë krejt jetën e vet, çka ka përjetuar”, ka thënë artisti Miftari.

Figura e Markus Aurelus, e cila e paraqet Romën Antike duke u shpërbërë, Kështjella në Gjermani apo Letra e një vajze për të dashurin e saj ushtarë, janë disa nga veprat tjera të kësaj ekspozite të cilat e dëshmojnë edhe më shumë veprën e Miftarit, si artist që premton shumë.

“Këto të tjerat janë si një lojë, por një lojë serioze. Punime me fytyra antike, kemi edhe portrete më moderne. Punimet në përgjithësi janë vetë treguese, mund t’i interpretoni si t’i shihni ju, secili mund të krijojë një mendim të vetin në bazë të eksperiencave që i ka pasur sepse veprat janë të hapura për interpretim. Qëllimi është të stimulojmë mendim, kujtime, ndjenja. Secila figurë mund të degëzohet në shumë interpretime dhe në shumë seri të vetme”, ka shtuar më tej artisti.

Pas analizës për portretin e njeriut të moshuar profesori dhe regjisori, Fadil Hysaj, potencoi se Miftari është një artist i ri i cili premton shumë pasi ka aftësinë për të paraqitur në mënyrë të jashtëzakonshme brendësinë e personazhit pa e deformuar figurën e tij.

“Konsideroj që është një autor i brezit të ri i cili mundohet që ta shoh njeriun në atë përmasën e brendshme pa pretenduar që ta deformojë figurën e tij. Zakonisht pretendimet për ta parë brendësinë kur e humbasim atë të jashtmen mendoj që arrijmë efektin e njëjtë sikurse mos ta shohim brenda fare. Por duke e ruajtur jashtësinë e figurës, duke u munduar që përmes detajeve të mbulojë atë që ka brenda, ky piktor mendoj që premton një autorësi të veçantë, pra mendon që nuk ka nevojë për të deformuar një figurë për të nxjerrë ekspresionin e brendshëm, për ta bërë të dukshëm, sepse ne nga natyra kursehemi, e kursejmë mbrendësinë  edhe mundohemi të krijojmë një imazh shpesh të rrejshëm jashtë, por një detaj shpesh na nxjerr, na dekonspiron”, ka thënë profesori Hysaj i cili tutje ka falënderuar edhe KultPlus Caffe Gallery për hapësirën që u ofron artistëve të rinjë, që të paraqesin punën e tyre dhe të fillojnë karrierën.

Ekspozita “The journey continues…”, do të qëndroj e hapur dy javë në ambientet e KultPlus Caffe Gallery. / Vjollca Duraku / KultPlus.com

Për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas në ASA Medical Aesthetics, trajtimet më të kërkuara me ofertë speciale

Çdo ditë e vitit është një mundësi e përkryer për të mbështetur dhe festuar gratë në jetën tuaj. Megjithatë, 8 Marsi shënon një ditë shumë të rëndësishme: Ditën Ndërkombëtare të Gruas! Festë kjo e kthyer në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat, të cilat në këtë ditë ndihen të privilegjuara.

ASA Medical Aesthetics Center është klinikë dermo-estetike e cila njihet për shërbimet dhe tretmanet të cilat janë në hap me industrinë e bukurisë së avancuar. ASA ofron një gamë të gjerë të trajtimeve më të sofistikuara jokirurgjikale, kundër plakjes dhe estetike, më të kërkuara në tregun e sotëm.

Në këtë ditë të veçantë për gratë dhuroni vetes tuaj një nga trajtimet më të sofistikuara me ofertë speciale nga data 2 Mars deri më 8 Mars të cilën mund ta shihni më poshtë :

Posti në Instagram : https://www.instagram.com/p/CpQS4TBo7Hg/

Në këtë klinikë shumëdimensionale ju do të trajtoheni nga specialistë të fushës së mjekësisë dhe dermo estetikës te cilat njohin në detaj anatominë e fytyrës dhe problematikat e saj.

Kualiteti, profesionalizmi, dhe zgjidhja ideale për mirëqenien e lëkurës suaj gjenden vetëm në ASA Medical Aeshtetics Center.

Për të rezervuar takimin tuaj për një trajtim apo konsultë telefononi në:

Nr.tel:  00 383 49 293 747.

KultPlus shpall konkurs për gazetarë

Gazeta online për art dhe kulturë KultPlus, shpall konkurs për gazetarë.

Inkurajohen të aplikojnë të gjithë ata që kanë studiuar ose studiojnë gazetari, letërsi, dhe njohës të fushës së kulturës.

CV-të mund t’i dërgoni deri më datë 25 shkurt në [email protected]

Vetëm kandidatët e përzgjedhur në rrethin e ngushtë do të kontaktohen për intervistë. /KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita e gjashtë fotografëve shqiptarë, sjellin pamje të botës së egër në Spanjë

Në Valencia të Spanjës janë shkrepë fotografitë, ku nëpërmjet gjashtë fotografëve shqiptarë është fokusuar natyra e këtij vendi, fotografi që do të prezantohen nëpërmjet një ekspozite në KultPlus Caffe Gallery.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen 12 fotografi nga gjashtë fotografët shqiptarë, por që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës e ata janë: Arben Berisha, Vebi Sulejmani, Jetmir Troshani, Refik Ibrahimi, Ruzhdi Ibrahimi dhe  Sevdail Sulejmani.

Andaj jeni të ftuar që të shihni për së afërmi këtë ekspozitë e cila përpos që ka për qëllim prezantimin e natyrës së Spanjës, ka për qëllim edhe lidhjen e Spanjës dhe Kosovës, pasi që fotografitë e realizuara në Spanjë, për herë të parë po prezantohen në Prishtinë. Dhe qëllimi i kësaj ekspozite në prag të shënimit të 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është që ti rikujtojë Spanjës pranimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Natyrë, emocion, bashkëbisedim dhe verë ju pret në këtë mbrëmje artistike, ku do të kemi pak Spanjë në mes të Prishtinës.

Ekspozita do të hapet më sonte, më 16 shkurt në KultPlus Caffe Gallery në ora 19:00, dhe do të rri e hapur dy javë. / KultPlus.com

Gjashtë fotografë shqiptarë me porosi për Spanjën: Njihe Kosovën

Në Valencia të Spanjës janë shkrepë fotografitë, ku nëpërmjet gjashtë fotografëve shqiptarë është fokusuar natyra e këtij vendi, fotografi që do të prezantohen nëpërmjet një ekspozite në KultPlus Caffe Gallery.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen 12 fotografi nga gjashtë fotografët shqiptarë, por që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës e ata janë: Arben Berisha, Vebi Sulejmani, Jetmir Troshani, Refik Ibrahimi, Ruzhdi Ibrahimi dhe  Sevdail Sulejmani.

Andaj jeni të ftuar që të shihni për së afërmi këtë ekspozitë e cila përpos që ka për qëllim prezantimin e natyrës së Spanjës, ka për qëllim edhe lidhjen e Spanjës dhe Kosovës, pasi që fotografitë e realizuara në Spanjë, për herë të parë po prezantohen në Prishtinë. Dhe qëllimi i kësaj ekspozite në prag të shënimit të 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është që ti rikujtojë Spanjës pranimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Natyrë, emocion, bashkëbisedim dhe verë ju pret në këtë mbrëmje artistike, ku do të kemi pak Spanjë në mes të Prishtinës.

Ekspozita do të hapet më 16 shkurt në KultPlus Caffe Gallery në ora 19:00, dhe do të rri e hapur dy javë. / KultPlus.com

“Pragu”, dy platforma që paraqesin evolucionin artistik të Renea Begollit

Uranik Emini

E vendosur në një lokacion të veçantë, “Galeria Qahili” e saporinovuar ishte mikpritëse e një artisteje vizionare, Renea Begolli, dhe ekspozitës së saj personale, “Pragu”, më 8 shkurt. Artistja e re, e njohur për stilin e saj unik dhe figurat e saj imagjinative, u nderua nga artdashësit dhe fytyra publike teksa tregoi fuqinë e artit të saj, shkruan KultPlus.

Hyrja në “Galeria Qahili” ishte si të hyje në një botë tjetër, ku kufijtë mes realitetit dhe imagjinatës ishin të mjegulluara. Ekspozita ishte e ndarë në dy pjesë, ku pjesa e poshtme tregonte vizatimet e kaluara të Begollit, ndërsa pjesa e sipërme ishte një piedestal i botës tjetër që shfaqte figura që u ngjanin alienëve, së bashku me vizatime panoramike, kryesisht të mbushura me ngjyra nga më të ndryshmet.

Me çdo vepër arti, vizitorët transportoheshin në botën imagjinare të Begollit, ku çdo gjë ishte e mundur dhe asnjë detaj nuk ishte shumë i vogël për t’u vlerësuar. Detajet e ndërlikuara, ngjyrat mahnitëse dhe dhuntia krijuese në secilën pjesë i lanë vizitorët të mahnitur nga talenti dhe zgjuarsia e një artisteje të re.

Ekspozita e Renea Begollit u kurua nga Yll Xhaferi, i cili mblodhi me mjeshtëri veprat e saj për të krijuar një eksperiencë të paharrueshme, ndërkaq “Galeria Qahili” prezantoi dinjitetshëm figurat e saj imagjinative dhe stilin unik.

Hapja e ekspozitës “Pragu” ishte një ngjarje e mbushur me yje, ku të pranishëm ishin shumë personazhe publike dhe artdashës. Njerëzit e pranishëm në këtë galeri u mbushën me emocione ndërsa vizitorët mrekulloheshin nga detajet e ndërlikuara dhe dhuntia krijuese e shfaqur në çdo vepër arti.

Artistja dhe protagonistja e kësaj ekspozite, Renea Begolli, tha për KultPlus se ndjehet shumë e lumtur që ka arritur të hap këtë ekspozitë, derisa ndau detaje të tjera rreth ekspozitës.

“Ideja e “Pragut” ka qenë për shkak të konceptit të punëve, punët e trajtojnë pak hapësirat e ndërmjetme dhe punët kalojnë prej një mënyre qysh i kom punu në tjetrën. Ekspozita është e ndarë në dy pjesë, ku paraqiten punët e mia të kaluara dhe të tanishme, shihet edhe një zhvillim i punës dhe një transformim i imi. Edhe ideja e “Pragut” ka qenë si një simbol dhe çka nënkupton me qenë në një prag, a je brenda apo jashtë dhe disa pyetje të tilla jam munduar me i shtru përmes këtij titulli”, thotë ajo.

Tutje, Begolli flet edhe për pjesën e veprave të ndara në dy pjesë dhe stilin e saj transformues.

“Edhe puna jem është shumë kërkuese, jam gjithmonë në kërkim që të mbërrij nga një punë në tjetrën dhe të mos e përsëris veten. Punët ndryshojnë, idetë ndryshojnë, ngjyrat e të gjitha këto që janë të lidhura me njëra tjetrën, por kur je e re gjithmonë mundohesh me ndryshu dhe me e gjet veten si duhet, edhe pse ka shumë sfida në këtë aspekt. Nuk tentoj që të krijoj punën e njëjtë, secila punë e ka një veçanti”, shpjegon ajo më tej për KultPlus.

“Unë nuk besoj në idenë e stilit të artistit, unë përveti kam qef që ta sfidoj veten, por gjithmonë puna ndryshon, në këtër rast edhe artisti. Nuk besoj që në ndonjë moment kom me gjet stilin tem, por do të jem gjithmonë në kërkim për shumë gjëra të reja”, njofton Begolli.

Trupi, ndryshimet që ky i fundit pëson dhe gjendja fizike e emocionale e tyre, është njëra prej temave që artistja synon të përçoj si mesazh te publiku.

“Njëra prej temave që kjo ekspozitë trajton është trupi, dhe ndryshimet që ndodhin në trup, si fizkisht, si në gjendjen emocionale dhe sidomos ndryshimet që ndodhin në natyrë dhe si ndikojnë te ne. Trupat janë sikurse spekulativ në një mënyrë se si kishin mujt me ndryshu trupat tonë në një të ardhme kur ambienti është duke u shkatërruar në një lloj forme, këto trupa si alien janë edhe si njerëzor por edhe ikin prej saj. Trupat nëse shikohen veçmas, ndrrohen edhe ato në secilin punim, edhe gjendja emocionale e tyre dhe pozita në të cilën gjenden fizikisht po edhe ambienti ku janë”, përfundon ajo, duke falënderuar të gjithë të pranishmit që erdhen për të parë nga afër vizatimet e saj në këtë ekspozitë.

Ndërkaq, kuratori i kësaj ekspozite, Yll Xhaferi, thotë për KultPlus se ai në rolin e kuratorit, ka qenë për herë të parë.

“Fillimisht, në pozitën e kuratorit gjendem për herë të parë. Është një bashkëpunim interesant, sepse Renea më ka ftu, ndërkaq unë atë e njoh që moti kohë dhe na ka ra me e pa punën e njëri tjetrit. Unë jam më i madh me moshë dhe e kom pa evoluimin e punëve të Reneas dhe progresit që ajo e ka bërë prej fillimmit të studimeve deri tash, ku është në përfundim të masterit. Kur më ka ftu, e kom marr si sfidë, por tu mendu që e njohim njëri-tjetrin, i kom hy kësaj sfide”, shpjegon Xhaferi.

Bashkëpunim i natyrshëm për një finale të bukur

“Bashkëpunimi ka shku shumë mirë e natyrshëm dhe është normale që punët të vlerësohen prej publikut. Një prej pjesëve më të vështira më të cilën jam përballur është ky bashkëdygëzimi i ciklit të vjetër të punëve që ka pasur me këto të reja. Normalisht, kanë kuptim nëse e njeh Renean mirë, pasi ka përdoru stil komplet tjetër, më herët një pop-abstrakte dhe ka kaluar në një figuracion shumë interesant. Prej zbërthimit të formave te krjimi i disa personazheve, që duken paska si jashtëtoksor por sigurisht publiku mund të asociohet me këto trupa, pasi janë duke mbajt pozita shumë vragjile dhe njerëzore. Pjesa tjetër mund të shihet nga publikut”, vazhdon tutje kuratori i ekspozitës “Pragu”.

Xhaferi gjithashtu shpjegon edhe procesin e përzgjedhes së galerisë “Qahili”, si vend të duhur për shfaqjen e pikturve të Begollit.

“Sepse na ka përmbush kërkesat tona, pasi është e ndarë në dy pjesë, ku pjesa kryesore paraqet një pidestalë ku paraqiten punimet e reja, ndërkaq në atë pjesën tjetër duket pak më intime dhe si dhomë personale, ku paraqiten punët e saj të vjetra. Na u ka përshtat sikurse me porosit, kështuqë kemi vendosur me bashkëpunu. Një pjesë tjetër që mund të themi se ka ndikuar që ne të zgjedhim Galerinë “Qahili” është edhe pjesa e ndriçimit, ku shpesh ne e nënvlerësojmë anën teknike. Një ndriçim i mirë, automaitkisht e vlerëson punën tuaj dhe artistit”, përfundon ai.

Si përfundim, ekspozita “Pragu” e Renea Begollit në “Galeria Qahili” ishte një ngjarje e suksesshme dhe e paharrueshme që shfaqi stilin dhe talentin unik të artistes së re. Me kërkimin e saj të vazhdueshëm për forma të reja të shprehjes dhe figurat e saj imagjinative, Begolli me siguri do të bëjë emër në botën e artit Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 4 mars. /KultPlus.com

Mbrëmje letrare me Ibrahim Kadriun në KultPlus Caffe Gallery

Në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë së shkrimtarit Ibrahim Kadriu, Shtëpia Botuese “Faik Konica” ka botuar kompletin me dhjetë vepra të shkrimtarit Kadriu, për të cilën do të organizohet edhe një mbrëmje letrare në KultPlus Caffe Gallery.


“Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”, janë titujt e librave, për të cilat do të flasin Anton Berisha, Nazmi Rrahmani, Elvi Sidheri dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.
Ejani dhe bëhuni pjesë e kësaj mbrëmje të veçantë letrare, mbrëmje që do të shoqërohet edhe me tinguj të muzikës dhe me verë. Kjo mbrëmje mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.

Mbrëmja letrare me Ibrahim Kadriun do të fillojë në ora 19:00 në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, të mërkurën më 25 janar./ KultPlus.com

Përtej çdo sfide dhe traume, Mrika Nikçi dhe shkëlqimi i saj që nuk pushon së rrezatuari

Uranik Emini

“Malet janë problem vetëm kur janë më të mëdhenj se ju. Duhet të zhvillohesh aq shumë sa të bëhesh më i madh se malet me të cilat përballesh.”

Një vajzë me ëndrra të mëdha dhe një baba që e mbështet në gjithçka që kjo e fundit bën, deri edhe në thyerjen e rekordeve botërore. Në shikim të parë kjo mund të duket sikurse një hyrje në një përrallë me fund të lumtur. Por, përpos fundit të lumtur, edhe pjesa e një babai që mbështet vajzën e saj në ngjitjen e majave më të larta të botës, është e vërtetë, shkruan KultPlus.

Mrika Nikçi dhe babai i saj, Arianit Nikçi, kishin filluar një mision më 29 janar të vitit 2018, të ngjiten në majat më të larta të shtatë kontinenteve të tokës. E gjithë kjo filloi kur edhe ishin ngjitur në majën Kilimanjaro të Afrikës, një lartësi detare mbi 5800 metra.

Kur bëhet fjalë për rekordet botërore, është sikurse ato janë të projektuara për t’u thyer, sikurse ekziston një shirit i pafund i vendosur në një vend, që sfidon njerëzimin të jetë gjithmonë në krye. Mrika e kaloi shiritin dhe hyri në histori, duke u bërë vajza më e re në botë që ngjitë shtatë majat më të larta apo të njohur ndryshe edhe sikurse “7 summits”.

Në një periudhë prej 17 muajve, Mrika së bashku me babain e saj, ngjitën majat sikurse Vinson, Aconcagua, Mount Everest, Denali, Mali Elbrus dhe Piramida Carstensz, këtë të fundit më 15 gusht të viti 2019, për të hyrë në histori, si vajza më e re në botë që ngjit shtatë majat më të larta në shtatë kontinente.

Jeta e Mrikës si një vajzë e vogël. Ëndrrat e saj të fëmijërisë dhe kalimi në një botë ndryshe, atë të natyrës. Përballjet e përditshme me vdekjen, shoqëria e prania e përhershme e babait në krahët dhe shpatullat e saj, ngjitja e majave më të larta në botë dhe Mrika përtej maleve e realitetin e saj të përditshëm mund ta lexoni më poshtë në intervistën e vajzës së rekordeve.

KultPlus: Kryesisht, si fëmijë ëndërrojmë për gjëra të mëdha, planifikojmë gjëra sikurse jeta është shumë e lehtë përpara dhe arrijmë që të krijojmë një pasqyrë të jetës sonë. Megjithatë, shumë njerëz edhe sikurse fëmijë nuk mendojnë që të futen në librat e historisë dhe emri i tyre të jetë i njohur anë e mbanë botës. Një gjë të tillë, ju e keni arritur në moshën 17 vjeçare, pra ke hyrë në histori duke i ngjitur 7 majat më të larta të botës në shtatë kontinentet. Tani kanë kaluar disa vite por, si kanë qenë ëndrrat e tua të fëmijërisë dhe sa përkojnë ato me realitetin tani

Mrika Nikçi: Kam ëndërruar të garoj për Kosovën në sportin e karatesë si dhe të kem një karrierë të fortë në profesionin e avokates. Si fëmijë asnjëherë nuk kam ëndërruar që një dite do të ngjitem në majën më të lartë të botës, por jetës asnjëherë nuk i dihet, dhe jo rrallëherë ajo ndërron drejtim. Kur ndalova së praktikuari sportin e karatesë, atëherë nisa hapat drejtë ëndrrës së madhe – ngjitja në 7 Majat e botës para se ti mbushja 18 vjet, me ç ’rast thyeja rekord dhe bëhesha vajza më e re në botë të kaloja këtë rekord. Ndërsa sa i përket ëndrrës e së bërit avokate ende jam duke punuar me pasion çdo dite në atë drejtim, pasi edhe po vijoj studimet në fakultetin e Juridikut.

KultPlus: E ke përmendur pjesën që ke qenë e lidhur me natyrën që nga fëmijëria, a ndodhi kjo natyrshëm apo ishte nga imponimi i prindërve tuaj?

Mrika Nikçi: Ju falënderohem gjithmonë prindërve të mi që më mishnuan me bjeshkët tona, ku unë pata mundësinë të bie në dashuri me to.

KultPlus: Eksperiencat e juaja gjatë ngjitjeve të majave më të larta në botë, përfshijnë histori të shumta. Cila është njëra prej historive që ju e veçoni më së shumti dhe nuk do të harroni asnjëherë?

Mrika Nikçi:  Asnjëherë nuk do ta harroj momentin kur së bashku me babain e ngjitem majën e fundit nga të shtatat me të cilën përfunduam sfidën “Seven Summits”. Asnjëherë nuk kam përjetuar emocione më të forta dhe asnjëherë nuk jam ndjerë më shumë krenare me veten time. E nga historitë e shumta që mbaj në bagazhin e këtij rrugëtimi, do e veçoja momentin kur në kontinentin e akulltë të Antarktikut, nga stuhitë e mëdha kishte filluar të më ngrihej hunda sepse kisha harruar ta mbuloja për disa sekonda…

KultPlus: Gjithë ato ecje, gjithë ato ngjitje, gjithë ato rekorde të thyera dhe gjithnjë pas vetes keni mbajtur dy flamurë që i keni ngritur kudo që keni qenë prezent. Si është ndjenja e të bërit krenar një popull të tërë, duke refuzuar në anën tjetër oferta nga shtete të tjera?

Mrika Nikçi: Vetë fakti që kam qenë dhe kurrë nuk do të ndaloj së qenuri krenare për vendin dhe popullin tim, tregon që edhe pse kam pasur ofertë nga vendet tjera, me kënaqësinë dhe mburrjen më të madhe kam valuar dy flamujt tonë, të Republikës së Kosovës dhe flamurin kombëtar të Shqipërisë.

KultPlus: Përpos bisedave të ndryshme që keni pasur me babin e juaj, ju keni planifikuar gjithnjë edhe pjesën më të keqe. Sa është e vështirë që përpara një nisje të ngjitjes së ndonjë maje, të bisedoni për vdekjen?

Mrika Nikçi: Nuk është aspak e lehtë të bisedosh për vdekjen, e sidomos kur ngjitesh me njeriun më të dashur në njërën anë, e pas vetes lë të dashurit tu në anën tjetër, por është mënyra më e mirë për të menaxhuar me veten gjatë ngjitjes edhe nëse do të ndodh një gjë e tillë. Ka momente të shumta që kemi qenë në pozitë shumë të rrezikshme për jetën, dhe gjithmonë kemi qenë te përgatitur se si të veprojmë në situata të tilla, edhe pse malet e larta shpesh kanë plane tjera e të paparashikueshme nga ato që planifikon mendja e njeriut.

KultPlus: Përpos sportit të alpinizmit, ju më herët jeni marrë edhe me sporte të tjera. Cilat ishin këto eksperienca dhe cili është sporti ku “shpirti” i juaj fle më së shumti rehat?

Mrika Nikçi: Kam qenë garuese në sportin e karatesë të cilin e kam praktikuar përafërsisht 9 vite, dhe kam qenë disa herë kampione e Kosovës, si dhe garuese në sportin e skijimit. Por, shpirti më fle më së shumti rehat në ngjitjen e majave të larta, sepse aty kam gjetur 100 për qind të potencialit tim.

KultPlus: Gjatë jetës, njerëzit përballen me marrjen e vendimeve të ndryshme, qoftë ato të hidhura, të dëshpëruara apo edhe të gëzuara. A mund të ndani me lexuesit e KultPlus njërin prej momenteve më të lumtura që ju keni marrë në jetën tuaj dhe a ekziston një i tillë, që ju ka bërë të pendoheni më vonë ose një vendim që pendoheni se nuk e keni marrë?

Mrika Nikçi: Vendimi më i frikshëm të cilin e kam ndërmarr ka qenë ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve në moshën 17 vjeçare. Dhe sot me plot bindje them se është vendimi më i mirë të cilin e kam ndërmarrë ndonjëherë, sepse ky vendim më ka sjellë edhe momente të hidhura, edhe të dëshpëruara por që në fund më ka ofruar gëzimin dhe lumturinë e papërshkrueshme.

KultPlus: Merreni me sporte të ndryshme që një kohë të gjatë, por a ka pasur momente kur keni vendosur që të largohesh dhe të mos mendosh për asgjë tjetër? Ose thjesht ka qenë një moment reflektimi dhe më pas gjithçka është rikthyer në normalitet?

Mrika Nikçi: Gjatë ngjitjes së majave ka pasur momente ku kam menduar të dorëzohem, por gjithmonë e kam shtyrë vetën që të mos ndalem. Njëri nga momentet ku seriozisht e kam konsideruar dorëzimin është kur isha duke u ngjitur për kampin 4 të majës Denali, Alaskë dhe trupi im ndaloi së funksionari, por pas disa minutave vendosa të vazhdoj, dhe aty mund të them se i kam shtyrë të gjitha limitet e mija.

KultPlus: Sfida “7 summits” ka pjesën e tretë më të vështirë në botën e alpinizmit, a keni planifikuar që në të ardhmen t’i realizoni edhe dy pjesë të tjera dhe në një lloj mënyre të kompletoni sfidat që ekzistojnë deri tani?

Mrika Nikçi: Kam dëshirë të përfundoj sfidën e quajtur Grand Slam, që nënkupton ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve dhe ecja e Polit të jugut dhe Polit të veriut.

KultPlus: Fakti që ti je një grua, e bën karrierën tënde edhe më të jashtëzakonshme. Kjo pasi gruaja në Kosovë është në diskriminim e sipër dhe arritjet “vihen në hije”, cili është mesazhi i juaj për të gjithë gratë?

Mrika Nikçi: Mesazhi im për të gjitha gratë është që, asnjëherë të mos ndalen, ti ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë fort për realizimin e tyre, të kenë besim në vetvete dhe mbi të gjitha ta mbështesin njëra tjetrën. Së bashku jemi me të forta.

KultPlus: Ne e njohim Mrikën e majave, Mrikën e rekordeve, Mrikën që bëri krenarë gjithë Shqipërinë e Kosovën, por nuk dimë shumë për jetën e Mrikës jashtë alpinizmit. Ju po studioni juridikun, duke ndjekur edhe një herë tjetër hapat e babit juaj, i cili është një avokat, por a ka diçka konkrete me të cilën po merreni tani, e cilat janë gjithashtu edhe planet e së ardhmes në profesionin tuaj?

Mrika Nikçi: Mrika jashtë rekordeve dhe alpinizmit është si çdo vajzë tjetër 21 vjeçare me plot ëndrra dhe pasion për të ardhmen. Krahas studimeve të cilat i kam prioritet për profesionin e së ardhmes, ushtrimeve në vazhdimësi, daljet në natyrë dhe ecja në malet tona, merrem edhe me kompaninë ‘Mrika Seven Summits’, të cilën së fundmi e kemi hapur me babin dhe ofrojmë shërbime të ecjes dhe ngjitjes për turistët.

Në ndërkohë, bëj fushata dhe mundohem të sensibilizoj çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, si dhe jap fjalime motivuese.

KultPlus: Kohët e fundit, pas ngjarjeve që keni përjetuar, jeni bërë edhe zë i viktimave të ngacmimeve seksuale. Sa e vështirë ishte kjo gjë?

Mrika Nikçi: Kohët e fundit u bëra cak i ngacmimit seksual – ngjarje kjo e cila më ka goditur mjaft. Por, duke qenë krenare me vetveten dhe çdoherë e vendosur, e ngrita zërin në opinion duke i dalë në mbrojtje vëtës dhe të drejtave të mia, sepse e dija qe me këtë sensibilizim pa marrë parasysh pasojat për vetveten, unë qëndroj dhe bëhem zë për të gjitha gratë tjera.

KultPlus: Mesazhi për fund por edhe për vitin 2023. Çfarë pret Mrika në vitin që po vjen dhe cili është mesazhi për vitin që po lëmë pas?

Mrika Nikçi: Mesazhi për vitin 2023 është që të qëndrojmë të fortë përkundër sfidave që na dalin gjatë rrugëtimit jetësorë, ta duam njëri tjetrin, ta ruajmë njëri tjetrin, të ëndërrojmë shumë e të punojmë edhe më shumë e me vetëbesim për realizimin e atyre ëndrrave.

Mrika e sipërfaqi dhe e dëshmoi fjalinë e parë të shkruar në këtë artikull. Madhështia e saj, është më e madhe se një mal, dhe nuk ka maje ose traumë, çfarëdo qoftë ajo, që mund ta ndalë atë. /KultPlus.com

Shukrie Ramadani: Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

Ardianë Pajaziti

Shukrie Ramadani kishte hyrë në klasë të parë shumë e vogël, më e vogla prej moshatarëve të saj. Nuk i kishte mbushë as gjashtë vjet kur ishte ulë në bankën e shkollës së fshatit të lindjes në Zhegër të Gjilanit, dhe këtë nguti për tu regjistruar në shkollë ajo e sheh edhe si një sinjal tjetër, të takohej që nga fëmijëria me shokun e saj të klasës, shokun e jetës, bashkëshortin dhe babain e tre fëmijëve të saj, Agim Ramadanin, e cila nuk e kujton asnjërin prej takimeve si takimin e parë, sepse sipas saj e gjithë jeta e saj ishte Agim.

Si dy rivalët më të këqij që ishin përgjatë shkollimit, dhe në të njëjtën kohë edhe miqtë më të mirë, jetën e Shukrie dhe Agim Ramadanit do ta perceptonin vetëm bashkëkohanikët, pasi që, nëse do ta dëgjoje si rrëfim, më shumë i ngjanë legjendave se sa vetë jetës.

Ata jetuan shpejt, aq shpejt sa për të lënë gjurmë në lirinë e Kosovës, gjurmë që kishin nisë që nga organizimet ilegale, protestave të vitit 81, arrestimit të Shukrisë, ballafaqimin me luftën e Kroacisë, jetën në Zvicër, luftën e Kosovës e deri të Rrasa e Zogut. Rrasa e Zogut është vend që pothuajse ka pushuar edhe zemra e Shukrisë, se mu në këtë vend, më 11 prill të vitit 1999 kishte rënë Agim Ramadani, i cili edhe sot vazhdon të jeton në kujtimet e Shukrisë, sikurse që jeton edhe në Agimin e vogël, nipin e Agim e Shukrie Ramadanit, e cila Shukria e quan edhe si rinkarnim i Agimit.

Ajo sot është 58 vjeçe, dhe nëse ke fatin të dëgjosh rrëfimin e saj, e sheh që nëse flet për Agimin, emri i tij është dashuri,  forcë, dhimbje dhe krenari për të.

Por nëse flet me etapa, është e çuditshme që se sytë i xixëllojnë kur flet për fëmijërinë, dhe po për atë fëmijëri që brenda saj ka edhe Agimin. Një ngazëllim i tillë zgjatë deri te vitet e 80-ta, pastaj, duket se të dy janë të destinuar për punë të mëdha dhe fillon e rëndohet biseda. E edhe më e rëndë bëhet kur flitet për luftërat, atë të Kroacisë e Kosovës, por kur arrijmë te pjesa e luftës së Kosovës, ngazëllimi i mëhershëm i Shukrisë merr tjetër formë, ngufatet nga vaji e nga lotët, e cila me dhimbje, me shumë dhimbje flet për momentin kur kupton se ka rënë Agimi, për momentin se tenton që ta zhvarrosë kufomën e tij e deri te pendimi i rëndë, që edhe sot nuk e lë rehat se pse nuk e bëri atë veprim, zhvarrimin, pikërisht në Koshare, vendi që prehet Agim Ramadani, e që edhe për Shukrinë mbetet vendi më qetësues karshi Zhegrës, Kroacisë e Zvicrës, vende ku ka ndarë pjesët më të bukura, më sfiduese dhe më kërkuese me Agim Ramadanin. 

Agimin e kisha rivalin më të madh në klasë

Shukria e cila me Agimin ishte në të njëjtën klasë, që nga klasa e parë, kujton për lexuesit e KultPlus se atë e kishte rivalin më të madh në klasë, por në të njëjtën kohë e kishte edhe mikun më të mirë.

“Unë isha më e mira në gjuhë shqipe, e ai në matematikë, dhe pikërisht se bënim gara me njëri tjetrin, mund të them se sa e kemi dashur njëri tjetrin, po aq e kemi urryer”, kujton Shukria kujtimet e para me Agimin, e cila tregon se në shkollë kishte hyrë pak para se të mbushte gjashtë vjet, e Agimi kishte hyrë si shtatë vjeçar.

Duke qenë shokë klase, duke marr pjesë në shumë aktivitete kulturore, sportive e aktivitete të tjera shkollore, Shukria thotë se nuk mban mend ndonjë takim të parë, apo të dytë, sepse krejt jeta e saj sillet rreth Agimit. “Jam rritë me të, çdo kujtim i imi i fëmijërisë lidhet me të”, ka thënë Shukria, e cila kujton se edhe kur ishin diku rreth moshës 12/13 vjet, ata të dy patën luajtur në shfaqjen “Halili dhe Hajria” dhe Shukria kujton se si Agimi skuqej në skenë kur ishte pjesa e shprehjes së dashurisë ndaj Shukrisë, në këtë rast që luante personazhin e Hajrisë.

Ndarjen si opsion nuk e panë as në shkollë të mesme në Gjilan, edhe atje vazhduan në të njëjtën klasë, por tashmë me një miqësi më të ngushtë, miqësi më me vizion dhe me aktivitete më të ndjeshme, pasi që, sipas Shukrisë, të dy u bënë pjesë e ilegales.

“Përderisa ishim në vitin e fundit të shkollës së mesme, dhe ishim aktiv në ilegale, ne në të njëjtën kohë patëm menduar që të shkonim bashkë në Akademinë Ushtarake në Zagreb. Më shumë ishte qëllimi që mos të ndaheshim, edhe pse, në atë kohë ende nuk ishim të dashur, akoma vazhdonim të ishim miq të ngushtë e të mirë”, tregon Shukria, por që planet që kishin menduar për të ardhmen duket se nuk kishin shkuar në favor të tyre.

Kishin shpërthyer demonstratat e vitit 81, dhe Shukria ishte pjesë e organizimit të këtyre demonstratave. Sipas saj, ajo ra në duar të policisë.”Disa kushërinj kisha të punësuar në policinë e atëhershme, por edhe në pozita të tjera institucionale. Në fakt, me këtë arrestim, unë isha rrebeli i familjes që po ua merrja ftyrën. Gjatë marrjes në pyetje unë nuk mohova asgjë, po duke pas rreth familjar nëpër këto isntitucione, ata ndryshuan deklaratën zyrtare dhe më nxorën të nesërmen nga aty. Por e keqja ishte se përgjatë marrjes në pyetje më kishte rrahur një polic aq shumë, sa që ma kishte thyer krahun”, tregon Shukria.

Më burgosën në vitin 1981, për këtë fakt më ndaluan shkollimin në Akademinë Ushtarake në Zagreb

Por pasoja më e madhe e këtyre zhvillimeve ishte se Shukrisë me këtë pjesëmarrje në këto demonstrata i ishte ndaluar vijimi i Akademisë Ushtarake në Zagreb dhe këmbanat e ndarjes ishin më afër se kurrë. Por Shukria tregon se fillimisht Agimi kishte shkruar për të përfunduar shërbimin ushtarak,  kurse Shukria kishte ngel në Gjilan për të vijuar Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjilan, pasi që edhe në Universitetin e Prishtinës i ishte mohuar vijimi i studimeve.

“Në një formë ishte ndarja fizike me Agimin, po ajo ndarje ishte edhe periudha vendimtare që të ofrohemi edhe më shumë me njëri tjetrin. Në letrën e parë që ma kishte dërguar Agimi, përpos asaj që më kishte treguar se si po kalon në shërbimin ushtarak e detaje të tjera, krejt në fund të letrës më kishte shkruar “Përjetësisht, Agimi”, tregon Shukria, e cila më tej shpjegon se mu kjo letër fillimisht i kishte rënë babait të saj në dorë, shkas që iu bë me dije edhe njëherë se ata nuk dëshirojnë që vajza e tyre të lidhet me atë djalë.

“Atë letër e kam edhe sot”, tregon Shukria, e cila më pas ofrohet te një moment më delikat, atëherë kur edhe kishin shkëmbyer puthjen e parë.

“Agimi ishte në shërbim ushtarak, dhe momenti për të shkuar në Akademi Ushtarake po ofrohej, dhe mundësia ishte që të bënte kalimin prej ushtrisë e drejt në Akademi. Po para se të bënte këtë kalimin ai mori pushim tri ditë, dhe brenda kësaj periudhe ndodhi lidhja e jonë. Agimi ishte 19-të vjeç e unë 18-të. Kur e pashë e ndjeja se zemra donte të më dilte prej vendit, nuk ishte ai Agim që njihja, ishte më i rritur, më i fuqishëm, më burrëror, kishte marr komplet një nur tjetër”, tregon Shukria, e cila këtë distancë më të vonshme sa ishte në Akademinë Ushtarake e tregon pak më të afërt, pasi që edhe letrat kishin marr një dimension tjetër, të cilat forconin çdo ditë e më shumë lidhjen e tyre.

“Kemi shkëmbyer mbi 100 letra, se Agimi qëndroi atje për pesë vjet. Për fat të keq shumica më janë djeg, letrat që i kam pas në Kosovë më janë djegë si pasojë e luftës, kurse një pjesë të letrave që i kam pas në Zvicër i kam edhe sot. Ka pas një shkrim të jashtëzakonshëm Agimi. Zakonisht në letra më ka dërguar edhe vizatime, apo pjesë të poezive. Letrat e Agimit mund ti lexosh lirisht para çdo fëmije, pa u turpëruar, kanë qenë poezi në vete, ka qenë një poet i papërshkrueshëm. Është çudi se si një njeri të brumosen kaq shumë gjëra, kaq shumë njohuri, kaq shumë dashuri, ai ka qenë i dashuruar në jetën. Unë kam qenë e kundërta, nganjëherë them se kemi qenë si ajo shenja kineze, e bardha dhe e zeza, ndoshta kjo ka bërë që në dy të tërhiqemi kaq shumë ndaj njëri tjetrit. Se unë s’kam qenë tip pozitiv, jo e vrullshme për jetën dhe ai më ka mësuar ta shoh bukurinë e jetës”, ka thënë Shukria.

Dhe përderisa Agimi vazhdonte në Akademinë Ushtarake në Zagreb, Shukria i kishte njoftuar familjarët e saj se lidhja me Agimin kishte marr hov, por ata nuk i kishin dhënë leje. Vazhdonin të kundërshtonin këtë lidhje, tashmë duke i dhënë edhe një arsye, se duke qenë Agimi oficer ushtarak, nuk dëshironin që vajza e tyre të jetonte larg familjes.

Agimi erdhi për tre ditë nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, kishte ardh me një qëllim, të merrte dorën time dhe të kthehej

Ndërkohë, krahu që ia kishin thyer nga rrahjet në demonstratat e vitit 81, Shukrisë vazhdonte ti sillte telashe, dhe me patjetër duhej ti bënte një intervenim në spitalin e Shkupit.

“Agimi e kishte kuptuar për operacion dhe kishte ardhë pa lejen e lëshuar nga Akademia Ushtarake e Zagrebit, me qëllim që të takohej shpejt e shpejt me babain tim. I kishte dalë në udhë dhe i kishte hyrë në makinë.  I ka kërkuar dorën time, babai im e kishte kundërshtuar duke i thënë ‘Se nuk e pranonte këtë lidhje’. Po Agimi, duke qenë edhe me uniformë ushtarake, kishte nxjerrë revolen dhe e kishte lënë në makinë të babës. ‘Ose ma jep dorën e Shukrisë ose më qëllo’, i kishte thënë Agimi babait tim. Babai im kishte lëshuar pe, dhe mu aty ia kishte dhënë dorën time”, tregon Shukria, e cila kishte mësuar për fejesën e saj gjatë qëndrimit të saj në spital, e cila shpjegon se kurrë se kishte menduar se një ditë do të mund të arrinin në këtë pikë, duke pas parasysh se sa shumë e kish kundërshtuar këtë lidhje familja e saj.

Duke qenë një çift që kishte jetuar shumë shpejt, edhe martesën e kishin bërë po aq shpejt. Të dy kishin vendosur se e diela e parë pas betimit të Agimit si oficer, do të duhej të ishte e diel e kurorëzimit të martesës së tyre. Dhe Shukria tregon se Agimi kishte dhënë betimin të enjten, ceremoni në të cilën kishte shkuar edhe Shukria, kurse të dielën ishin martuar, pa marr parasysh udhëtimin e gjatë të asaj kohe deri në Zagreb,  udhëtim që i kishte dërmuar të dy, por në të njëjtën kohë edhe i kishte lumturuar, sepse po fillonin një etapë të re.

Më pas, Kroacia ishte bërë strofulla e këtij çifti, të cilët përgjatë qëndrimit të tyre për pesë vjet, iu kishin lindur dy djem, dhe gjithçka dukej se po shkonte mirë, dhe përderisa Shukria kishte përfunduar edhe shkollimin për edukatore, tashmë në gjuhën kroate, lufta kishte shpërthyer në Slloveni, më pas edhe në Kroaci, situatë që filloi të shkundë edhe familjen Ramadani.

“Isha e re dhe atëherë, në ish Jugosllavi, ndërtesat e oficerëve ishin të ndara nga ndërtesat e tjera. Dhe mbaj në mend se ajo ndërtesë ku jetoja pat mbet vetëm ndërtesë me gra dhe fëmijë, pasi që asnjëra prej neve nuk e dinim se ku i kishim burrat. Agimi më shumë ishte në mision se sa ishte afër neve. Andaj, vendosa të kthehem në Kosovë, përderisa Agimi qëndroi edhe më tej në Kroaci, sepse kishte për qëllim që të shpëtonte shumë djem shqiptarë të cilët ishin në mision ushtarak në armatën jugosllave. Po para se të vija në Kosovë, Agimi ma pat treguar një kod, që nëse më thërret në telefon dhe më thotë se do të shkojmë në Kërçovë, unë duhet të marr sinjalin se unë duhet të bëhesha gati bashkë me fëmijët dhe të lëshonim Kosovën”, thotë Shukria. 

Duke kujtuar këtë vendim të vështirë, që e dinin se po lëshonin Kosovën po nuk e dinin kthimin, ajo kujton se këtë kod e mori për Vit të Ri, dhe ajo bashkë me Agimin dhe dy djemtë e tyre fluturuan prej aeroportit të Shkupit.

“Ende i kam të freskëta emocionet e atij fluturimi. Deri në aeroport, Agimi ishte me uniformë ushtarake, pak para se të niseshim shkoi dhe hoqi uniformën dhe veshi atë civilen, po deri sa kemi arrit në Zvicër unë kisha frikë se do ta arrestojnë, sepse ai sapo kishte dezertuar prej ushtrisë së Jugosllavisë së atëhershme”, thotë Shukria.

Dhe tashmë jeta e tyre ishte më e sigurt kur kemi parasysh luftën, por jo jeta më e mirë e mundshme që mund të të ofrojë perëndimi, pasi që për disa muaj familja Ramadani bashkë me shumë familje të tjera refugjate ishin vendosë në një bunker, që sipas Shukrisë detyroheshin të dilnin në diell që të merrnin rreze dielli, sepse ishte jashtë mase ftohtë brenda bunkerit. Pasojat e qëndrimit në këtë bunker, ishin pasoja të rënda për Shukrinë, pasi shëndeti iu rëndua dhe ishte detyruar të shtrihej në spital.

Kamp pas kampi, e shtëpi pas shtëpie, më në fund ishin vendosë në një shtëpi që plotësonte nevojat e familjes Ramadani në Zurich të Zvicrës, ku edhe filluan një jetë më të rregullt, ku Shukria vazhdoi punën si mësuese e gjuhës shqipe, kurse Agimi përpos punëve të ndryshme, ai ishte përgjegjës edhe për aktivitetet kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër, sikurse që merrej në të njëjtën kohë me poezi dhe pikturë.

Në shikim të parë dukej se jeta e tyre po stabilizohej, duke përfshirë se familja e tyre ishte rritë edhe me lindjen e një vajze, por situata ‘poshtë’, ashtu sikurse i referoheshin mërgimtarët Kosovës nuk ishte në ditët më të mira.

Shukria tregon se tashmë oficerët shqiptarë që ishin mërgimtarë në diasporë kishin filluar ti shpeshtonin takimet dhe të shqyrtonin mundësinë e rikthimit të tyre në atdhe, për të mbrojtur vendin e tyre.

Vendimi i Agim Ramadanit për të shkuar në luftën e Kosovës, ishte vendim që shqetësoi edhe fëmijët. Shukria kujton se vajza e tyre ishte vetëm tri vjeçe, dhe edhe pse nuk i kishin treguar se po shkonte në Kosovë, trupi i saj e kishte ndjerë këtë fakt, dhe sipas saj, temperatura i kishte shkuar në 40 gradë. “U pat detyruar Agimi që udhëtimin ta shtyjë për një natë, me rekomandim të mjekut. Më pas iu thamë fëmijëve se babai po shkon me punë në Francë, dhe kështu i qetësuam ujërat”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë asaj periudhe kishin edhe probleme financiare, sepse kishin mbet vetëm me pagën e Shukrisë si mësuese.

Agimi la Zvicrën për luftën e Kosovës, shkoi edhe me një parullë, se nuk i takon asnjë partie politike

“Agimi ka shkuar në luftë me një dëshirë, duke treguar gjithnjë se nuk është anëtarë i asnjë partie dhe se shkon për të luftuar për vendin e tij.  Për Agimin ka qenë esenciale se oficeri dhe mësuesi nuk guxojnë kurrë ti takojnë një partie. Ai këto dy profesione i ka vlerësuar si profesione që janë në shërbim të popullit”, ka thënë Shukria. 

Udhëtimi për luftë i Agim Ramadanit nuk paraqiti ndonjë problem për Shukrinë, problemi më i madh për të ishte se si nuk kishte mundësi që të shkonte edhe ajo për të luftuar bashkë me të, po pasi që ishte nënë e tre fëmijëve, ata ndanë rolet, njëri në luftë e tjetri kujdesin për fëmijët.

Pas asaj ndarje, Shukria kujton se me Agimin ishte takuar pas nëntë muajve, atëherë kur ishte kthyer Agimi në Zvicër për të mbledhë fondet për blerjen e armëve, dhe më pas ishte edhe një takim tjetër në Shqipëri, ku Shukria shkoi të takojë Agimin pas rënies së Junikut, dhe Agim Ramadani kishte udhëheqë kolonën shqiptare për në Shqipëri.

Shukria e përshkruan Agimin si një njeri që nuk e njihte. “I kishte mbet veç shpirti, një njeri që ishte i mbështjellë vetëm me lëkurë. Por kishte shpirtin aq të fortë, aq të fortë e aq pozitiv sa më dha shumë shpresa që liria nuk është larg”, rrëfen Shukria, e cila e vuan edhe më faktin që Agimi dhe shokët e tij nuk e lejuan që ti bashkohej në luftë, edhe pse shumë e dëshironte.

“Më detyroi të kthehesha për Zvicër pas tri ditëve, ishte shumë situatë e vështirë”, tregon Shukria për jetën me shumë sakrifica me Agim Ramadanin, i njohur nga të gjithë me nofkën “Katana”.

Por vizita e fundit dhe takimi i fundit me Agimin ishte në vitin 1998, kur Agimi kishte shkuar sërish në Zvicër, por tashti i shoqëruar edhe nga Sali Ceku.

Shukria tregon se këtë herë e kishte parë më se paku, sepse shtëpia e saj ishte e mbushur me mysafirë dhe nuk kishte pas rast të bisedonte shumë me të.

“Përpos disa gjërave që mi ka treguar, e më mirë është që mos ti dija”, thotë Shukria, që edhe kësaj here nuk shpalosë më shumë se çfarë i kishte treguar Agim Ramadani me atë vizitë.

Përderisa Shukria vazhdonte të jetonte në Zvicër bashkë me fëmijët e saj, Agim Ramadani vazhdonte të luftonte në Kosovë, e për momentin e bombardimeve të NATO-s, Shukria tregon se si e kishte thirrë Agimi në telefon, në mënyrë që ti dëgjonte bombardimet edhe Shukria në Zvicër.

“Kur sulmoi për herë të parë NATO, më thirri Agimi në telefon. ‘E dëgjon’, më tha, ‘Kjo është zhurma e lirisë, e dëgjon si ushton liria’, më tha Agimi në telefon, dhe mbaj në mend që i pata thënë ‘Çfarë zhurme paska liria, qenka e çuditshme”, thotë Shukria, e cila tregon se përgjatë qëndrimit të Agimit atje, ata janë dëgjuar pothuajse në çdo të tretën ditë.

Përderisa vjen te momenti që është edhe momenti më i vështirë në jetën e Shukrisë, sikur lëvizë vend dhe sikur mbledhë forcat për të treguar edhe këtë pjesë të jetës së saj, jetë me shumë copëza, shumë dhimbje por jetë e mbushur me shumë dashuri.

Atë ditë që kishte rënë Agimi unë pata një ngushti që ma shtrëngonte shpirtin

Shukria tregon se ishte e ftuar në drekë te një familje shqiptare në Zvicër, por edhe pse ishte momenti kur po shtrohej tryeza e drekës, Shukria mban në mend se ishte ngritur në këmbë me kërkesën e saj për tu kthyer në shtëpi.

“Një ngushti aq shumë ma shtrëngoi shpirtin, sa nuk më zinte vend vend. Sikur që thonë te ne, toka peshë më qojke”, tregon Shukria, e cila edhe telefonin me të cilin komunikonte me Agimin e kishte harruar në banesë. “Kam shkuar shpejt e shpejt në banesë dhe kam thirrë në telefon, mu lajmërua Agron Isufi, e pyeta për Agimin po ai më tha se është në front. I thashë që ti thotë Agimit të ruhet, sepse kam një ndjenjë të keqe”, kujton ato momente Shukria, e cila më pas shpjegon se pas një ore sërish thirri, po prap i thanë të njëjtën përgjigje se nuk mund të fliste se ishte në front. Shukria tregon se atë natë nuk kishte vënë gjumë në sy, dhe herën e fundit që kishte fole me Agimin ishte 9 prilli.

Të nesërmen e asaj dite, ajo tregon se në banesën e saj kishte ardhur Kimete Gashi, ish gruaja e Xhafer Gashit dhe e zverdhur në fytyrë i kishte thënë se duhet të shkonin në Shqipëri, që ti vizitojnë burrat.

“Mbaj në mend se më tha se kishte dëgjuar se Agimin e kanë plagosur, në fakt ajo me të vërtetë ishte veç me atë informatë. Po unë e di se përjetova diçka të tmerrshme në brendinë time, se e dija se nëse do të ishte i plagosur Agimi, ai do të më merrte në telefon, dhe jo këtë lajm ta merrja vesh prej Kimetes”, tregon Shukria.

Ndërkohë, Shukria tregon se para se të nisej për Shqipëri me vëllain e Agimit dhe disa shokë të tij, ajo kishte biseduar me djalin e saj, në atë kohë nëntë vjeç dhe i kishte thënë se edhe nëse ka ndodhë diçka me babin, babi bëhet hero, dhe ku ka gjë më të mirë se të bëhet hero. “Djali vetëm më dëgjonte dhe në fund më tha ‘Mam, nuk dua që babi të bëhet hero, unë dua që babi të kthehet në shtëpi”, tregon Shukria e cila shpjegon se vetëm ajo e di se si e ka përmbledhë vetën para fëmijëve dhe si nuk ka qarë para tyre, vetëm që ti ruaj ata nga dhimbja.

Shukria fillimisht kishte shkuar në Bajram Curr, dhe aty ishte vendosur me një shtëpi, pasi i thanë se kanë shumë rrugë për të bërë deri në Koshare.

“Isha e hutuar, fëmijët i kisha në Zvicër, unë isha në Bajram Curr, ndërkohë më thoshin se burrin e kisha të plagosur në Koshare. Por goditjen më të madhe e mora nga vëllai i shokut të Agimit. Ai mu drejtua dhe ma dha lajmin. Lajmin se Agimi kishte rënë. Nuk di si e kam pranuar atë lajm, veç e di se në një tavolinë aty afër ka qenë një gazetë me fjalëkryq, jam ulë dhe me një shpejtësi marramendëse e kam plotësu fjalëkryqin. Desha të sprovoj vetën se a jam mirë me mendje. Atë natë nuk kam vënë gjumë në sy, dhe ashtu e dërmuar me mëngjes jemi nisë në Koshare”, tregon Shukria, e cila në trajektin që po udhëtonin nga liqeni i Komanit, bashkë me ta kishin rastisë edhe disa gazetarë të huaj, gazetarë që me një farë forme penguan të realizonte Shukria një plan që e kishte brenda. Ajo kishte planifikuar që ta hapte varrin, ta zhvarroste Agimin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të bindej se ishte po Agimi i saj. Por të gjithë shqiptarët që po e rrethonin Shukrinë e lutën që mos ta bënte këtë gjest pata gazetarëve të huaj, sepse do të shndërrohej në lajm botëror.  

Jam penduar që nuk e hapa varrin, kurrë nuk jam bindë që ka vdekë Agimi

“Të them të drejtën shumë jam penduar që nuk e kam hapë varrin, kurrë nuk jam bind që ka vdekë Agimi”, thotë krejt në lot Shukria, e cila pas vizitës në ato varreza, asaj i ishin dorëzuar edhe gjërat personale të Agimit, sikurse që kishin dashur t’ia jepnin revolen dhe kallashin. “Armët nuk i pranova, iu thash që këto armë duhet të përdoren deri sa të largohet këmba e fundit e serbit”, tregon Shukria, e cila thotë që edhe pse ka përfunduar lufta, ato armë më nuk i kanë rënë në dorë, edhe pse do të dëshironte shumë që ti kishte në gjërat personale të Agimit, duke përfshirë ditarin e Agimit, ditar që sipas Shukrisë pa ndihmën e shokëve të tij nuk ka mundësi ta c’kodojë, sikurse që i ka dhënë vetës detyrë që të bëj Muzeun e Agimit, film për Agimin, ribotimin e librit “Si e njoha Agim Ramadanin”, që është shkruar nga Ibrahim Kadriu dhe një ekspozitë.  

Sot 58 vjeçe, e që e ve është që nga mosha 32 vjeçe, ajo edhe sot prehjen më të madhe e gjen në Koshare, pavarësisht shumë vendeve që kishte jetuar me Agimin, po sikurse që ka për zemër edhe Zvicrën, pasi që është vendi ku më së gjati ka jetuar me Agimin. “Ndoshta kjo është edhe arsyeja që u ktheva në Zvicër”, thotë Shukria e cila tash punon si diplomate në Ambasadën e Kosovës në Zvicër.

Ajo tash është e rrethuar me fëmijët e saj, dhe me nipat e mbesat e saj, po më të preferuarin e ka Agimin e vogël, që sipas saj shpesh i duket që Agimi i saj është rinkarnuar në Agimin e vogël. Shukria që jeton me shumë kujtime për Katanën, ka edhe një detaj tjetër që Agimin ia ringjallë. Shumë shpesh ndodhë që ti kthehen pikturat e Agimit nga blerësit e mëhershëm, të cilët vlerësojnë se këto piktura më mirë është që ti takojnë familjes se sa blerësve. “Është edhe dhimbje po edhe ringjallje, që kohë pas kohe më kthehet diçka e Agimit”, tregon Shukria duke treguar edhe një detaj, se pikturat e Agimit që i posedon edhe sot, për çudi shumica e tyre kanë pamjen e Rrasës së Zogut, Rrasë që prehë heroin e Kosovës, Agim Ramadanin./ KultPlus.com

“Histori e humbur”, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

Poezi nga Eneida Gjonbalaj

Një herë në një kohë,
unë ndihesha nostalgjike
për një vetvete që nuk ekzistonte kurrë.
Dhe kur shikoja qiellin,
horizonti më fliste
në një gjuhë që ishte harruar.
Ndoshta nuk ka qenë kurrë aty.
Një herë në një kohë.
Unë ndihesha melankolike
për ty.
Ti ke jetuar në një dimension tjetër.
Ne u takuam në një jetë tjetër.
Ne u puthëm mes kohësh.

Një herë në një kohë.
Një sekond zgjati shumë,
dhe ne kemi ndjerë dashuri.

Ne nuk jemi nga këtu.

“Histori e humbur” shkruar nga Eneida Gjonbalaj, një nga poezitë finaliste në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./ KultPlus.com

“Cila është e vërteta?”, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

Poezi nga Urim Dullovi

Ca trupa milingonash
që i japin lamtumirën e fundit
anëtarit të shuar.
Grimca dheu që hareshëm bien mbi ‘tabut’.
Lisa që me hije mbulojnë
kujtimin e të vdekurve në harresë.
Të gjithë jemi një shaka e universit
që përsëritet e përsëritet
dhe bëhet aq bajat sa meken ndjenjat
e njëjtësia e përsëritur nuk na pengon.
Me a pavetëdije bëhemi pjesë e pandashme
(derisa të mos ekzistojmë)
e saj.

Vetëm në këtë moment arrita ta marr një përgjigje
për pyetjet e mia rreth jetës
dhe arsyes së saj.
E kuptova vogëlsinë time.
Vogëlsinë e botës sime.
Kotësinë e saj.
Kotësinë e përsëritshme e të pambarim.

Sa afër përgjigjes përfundimtare jam nuk e di,
por e di që e kam hedhur dhe një hap.
Një hap: kaq afër është përgjigja dhe kaq larg.

E pres një fund apokaliptik,
të tipit të filmave ‘sci-fi’.

Duket se akoma nuk e kam kryer ciklin jetësor të Dedalusit
drejt besimit në të bukurën
dhe vetëm të bukurën.

“Cila është e vërteta?” shkruar nga Urim Dullovi, një nga poezitë finaliste në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./ KultPlus.com

“Ditar urbani”, një ndër poezitë finaliste në konkursin poetik “KultStrofa”

Poezi nga Argëzon Sulejmani

Ajo mënjanoi perçen bojëgjake 
Për të gjerbur kafenë 
Kur nga të kuqet buzë si krahë engjëlli
Beftë i rrodhi lëng i bëshëm nga goja 
Më kot u mundua ta mbulonte mëkatin 
Me cepat prej mëndafshi 
Si Motra Tone 
Unë e pashë mirë gjakun që rrodhi 
Unë e pashë mirë sa rëndë e lau mëkatin… 

*

I dishrúmi drandojfil në ijën e saj të majtë 
Ku preken kuadrantet 
Katër dhe shtatë anatomik 
Sesi petalet e kuqe u hapen lartësive 
Sesi gjethet ndjellëse
Iu sulen thellësive 
Sa keq që një ditë do rrudhet drandojfili
Sa mirë që sot sfidon me përmbytje…

*

Si flatër e mori gjumi 
Mbështetur për dritaren e urbanit 
Mund ta ketë pasë zënë keq kyçin e majt
Por flinte aq qetë dhe endshëm 
Lullaby… Lullaby… 
Sa nisi të vinte përzhgjëndërrt 
Në ëndrrën time zgjuar… 

*

Qorrferman 
Syri poetik është si syri klinik 
Rrëmon pa ndalim tej damarit të ujshëm 
Pamjaftohet me shuarjet e etjes 
Pos me prekjet e ujanës 
Deri në përmbytje
Epikë e vargut të mbramë
Syri poetik mjegullohet nga metaforat 
Nga ironia… 
Avullohet përpara bekimeve dhe anasjelltas
Nënvizoj – ajo është veç bekim 
Pa anasjelltas… 

Kur qyteti dhe Ajo nuk ndeshen 
Sheshet dhe datat bëhen mirazhe 
Perënditë Erini zbrazin dufin 
Unë nisë me grushte ta hinkoj 
Ranën e Madhe të Ulqinit 
Uraganit të zemëruar 
I vë emrin e saj 
Që të mos mbetet data pa emër 
Që të mos mbetet urbani pa ditë… 

“Ditar urbani”, shkruar nga Argëzon Sulejmani, një nga poezitë finaliste në edicionin e pestë të konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për kulturë KultPlus./ KultPlus.com

Nesër mbahet mbrëmja finale e konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’

Nesër, më 16 dhjetor, në ora 19:00, në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet nata finale e konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’, organizuar nga gazeta online për art dhe kulturë KultPlus.

Ky konkurs i cili ndër vite ka sjellë prurje të jashtëzakonshme të cilat janë kurorëzuar me një event të organizuar në KultPlus ku edhe janë shpërblyer poezitë më të mira, këtë vit paralajmëron një edicion special të mbështjellë me një laramani emocionesh.

Dhjetë poezitë finaliste tashmë janë përzgjedhur nga juria profesionale e cila është e përbërë nga: Ornela Vorpsi, kryetare e jurisë, Ag Apolloni dhe Dren Abazi, ndërsa në mbrëmjes e 16 dhjetorit, juria do të shpallë edhe tri poezitë më të mira, të cilat edhe do të shpërblehen nga organizatori.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, njëherit drejtoresha e KultPlus, është shprehur se “KultStrofa” është një prej konkurseve më serioze dhe më të vlerësuara të poezisë, andaj janë kujdesur që edhe këtë vit të sjellin një edicion që e dëshmon këtë gjë.

“KultStrofa vazhdon të jetë një prej konkurseve më prestigjioze dhe më serioze sa i përket poezisë. Kështu kanë vlerësuar shumë poetë të njohur për këtë konkurs, e këtë e dëshmon edhe prurja e shumë poezive në edicionet paraprake poashtu edhe këtë vit. Këtë konkurs e bën të veçantë edhe përzgjedhja e jurisë profesionale, ku çdo vit kemi pas kujdes të përzgjedhim emra të njohur të botës letrare. Edhe këtë vit kemi emra të fuqishëm të letërsisë dhe një prej tekstshkruesve më të dashur për publikun”, shprehet Pajaziti.

Ju kujtojmë që në konkursin e parë fitues ishte poeti i njohur Ragip Sylaj, për të vazhduar tutje ne edicionet tjera me poetet, Arjola Zadrima, Merita Berdica dhe Gentiana Bajrami Atashit.

“KultStrofa”, këtë vit mbështete nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komuna e Prishtinës, Ambasada e Francës në Kosovë, Hotel Nartel. / KultPlus.com