Marrëveshja kulturore Kosovë – Itali do të mundësojë bashkëpunim më të thellë mes dy vendeve

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka pritur në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, me të cilin bisedoi për çështje që janë të interesit të përbashkët.

Ministrja Dumoshi e falënderoi ambasadorin dhe nëpërmjet tij edhe shtetin e Italisë dhe popullin e saj, për kontributin që ka dhënë në forcimin e shtetit të Kosovës. Ministrja tha se lidhshmëria e MKRS-së me ambasadën është në raport shumë të ngushtë ngase mund të konkretizohen shumë punë dhe ministrja ka thënë se beson që bashkërisht do t’i shtyjmë para shumë projekte në fushën e kulturës e të trashëgimisë.

Si temë bosht e takimit ishte marrëveshja e cila pritet të nënshkruhet për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Republikës së Kosovës dhe Italisë.

“Me konkretizimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes i hapet rrugë një bashkëpunimi konkret dhe thellimit të raporteve mes dy vendeve. Aty mund të hyjnë çështje konkret si një kalendar i përbashkët kulturor Kosovë-Itali, ku do të mund të përfshiheshin edhe arbëreshët në këtë bashkëpunim”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Ndër të tjera, ministrja e njoftoi ambasadorin edhe për pjesë të programit që ka MKRS-ja për zhvillimin e kulturës dhe të trashëgimisë dhe për hapat konkret që ka ndërmarrë ministria sikurse është pasurimi i fondit të trashëgimisë shpirtërore duke futur asete të reja në kuadër të këtij fondi.

Ministrja tha se është e gatshme që me ambasadën të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me zhvillimin e projekteve konkrete në të ardhmen ku përfshihen edhe investimin në kuadrot e reja pasi që MKRS-ja veçse ka nënshkruar një memorandum me Universitetin e Prishtinës për mbështetje të edukimit të kuadrove të reja në fushën e trashëgimisë, ekspertizë të cilën Italia e posedon dhe Kosova mund të përfitojë në këtë drejtim.

Ndërkaq, ambasadori Orlando e falënderoi ministren dhe e vlerësoi për idetë e shumta e të mira që janë në interes për Kosovën. Ai tha se pajtohet që marrëveshja për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Kosovës e Italisë duhet të nënshkruhet sa më parë dhe se ai po mban kontakte me Romën zyrtare që kjo gjë të konkretizohet.

Ambasadori Orlando konfirmoi se bashkëpunimi mund të konkretizohet përmes ekspertëve dhe konsulentëve, përmes komunikimeve, videokonferencave dhe vizitave të ndryshme studimore.

Në këtë takim, palët u pajtuan që hapi i parë është konkretizimi i marrëveshjes me nënshkrimin e saj, si dhe mundësia për bashkëpunim në projektet konkrete në të ardhmen. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi takoi kryetarin e Obliqit, premton investim në kulturë e rini

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti sot të takim Kryetarin e Komunës së Obiliqit Xhafer Gashi, me të cilin biseduan për realizimin e projekteve të përbashkëta që janë në interes të qytetarëve të kësaj komune.

Ministrja Dumoshi e siguroi Kryetarin Gashi se prioritet i saj dhe i MKRS-së është që të përkrahë secilën komunë në fushat që mbulon ministria, me këtë rast edhe për Obiliqin, në të cilën ministria ka në plan të investojë në projekte konkrete në kulturë e rini.

“Unë si ministre dhe MKRS-ja do t’u gjendemi pranë të gjitha Komunave të Kosovës pa përjashtim në bazë të mundësive dhe kapaciteteve buxhetore që ministria ka, duke bërë investime të shumta kapitale  edhe në përkrahje të drejtpërdrejtë në ngritje të cilësisë në kulturë, trashëgimi kulturore, rini e sport”, tha mes tjerash ministrja.

Ndërsa, kryetari Gashi e uroi ministren për marrjen e detyrës dhe e falënderoi për gatishmërinë e treguar për ta përkrahur Komunën e Obiliqit. Gashi tha se Obiliqi ka nevojë që të investohet më shumë në këtë komunë në projekte infrastrukturore dhe është e mirëseardhur mbështetja e MKRS-së. / KultPlus.com

‘Tetori gjerman” në Shqipëri do të sjellë veprimtari intensive

Një përvjetor miqësie, sa diplomatike aq politike, por edhe kulturore përkon me vjeshtën kulturore, ajo që konsiderohet prej vitesh si “tetori gjerman” në Shqipëri. “Ky është viti i njëmbëdhjetë që organizohen javët e kulturës gjermane në Shqipëri”, thuhet në deklaratën e djeshme të ambasadës gjermane, duke veçuar faktin se “kjo vjeshtë do të interesante, sepse vjen përsëri “Tetori gjerman”, vjeshta kulturore gjermane në Shqipëri.

Filma dhe letërsi, teatër, muzikë, balet, diskutime dhe workshope – edhe për vitin 2017 programi i aktiviteteve ofron diçka për çdo shije”. Deri më 16 nëntor janë parashikuar veprimtari intensive që realizon dhe opusin politik: 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Drejtuesi i sektorit të kulturës dhe shtypit, Johannes Dietrich, u shpreh për mediat mbi programin duke thënë se do të ketë “ekspozita që sjellin në kujtesë histori të ndryshme, aktivitete operistike dhe teatrale, seminare, shkëmbime traditash.

“Aktivitetet do të jenë intensive dhe do nisin më 30 shtator me një Requiem Gjerman në sallën e Katedrales Ortodokse në Tiranë. Koncerti do jepet në bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit. Do të ketë shfaqje të kërcimit Chiping në Teatrin Kombëtar, dhe do të vijojë me premierën e teatrit “Jashtë derës” në Teatrin Eksperimental “Spahivogli”, do të shfaqet filmi “Lamtumirë Europë” nga Mari Shchrader e më gjerë”, tha Dietrich.

Ndërsa ambasadorja gjermane, Susanne Schutz, foli për intensifikimin e marrëdhënieve midis

Shqipërisë e Gjermanisë. “Në harkun kohor të 30 vjetëve, marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë hera-herës kanë qenë disi abstrakte. Ndërkohë që vitet e fundit marrëdhëniet politike janë intensifikuar ndjeshëm, ne kemi vendosur që këtë vit t’i japim më shumë ngjyrë kulturës.

Dhe në konceptin gjerman kulturë do të thotë të lëvizin njerëzit. Kjo është kultura. Përveç aktiviteteve klasike artistike do të ketë edhe shumë tryeza, debate e seminare ku do të jetë në vëmendje mësimi dhe përdorimi i gjuhës gjermane”, u shpreh Schutz.

Mbrëmjet gjermane nisin të shtunën me koncertin “Një Requiem Gjerman”, në sallën e Katedrales së Re Ortodokse, ku bëhet fjalë për rekuiemi Gjerman i Brahmsit, që prej shfaqjes së parë të plotë të tij në vitin 1868 në Katedralen e Bremenit, hyn në mënyrë të padiskutueshme te veprat kryesore të historisë së zhanrit oratorio. Vepra mbart një rëndësi tejet të madhe jo vetëm prej strukturës së dendur muzikore të pazakontë të saj, por dhe për shkak të tekstit, në të cilin Brahmsi përmbledh vargje kryesore nga Dhjata e Vjetër dhe Dhjata e Re, të përkthyera nga Martin Lutheri, në mënyrë të tillë që idetë qendrore “trishtim” dhe “ngushëllim” të lidhen qartas me njëra-tjetrën. Për një hapje festive të Tetorit Gjerman, Ambasada Gjermane, së bashku me TKOBAP Tiranë, sjell në skenë këtë vepër në një bashkëprodhim gjermano-shqiptar. Orkestra dhe Kori i Operës do të drejtohen nga dirigjenti gjerman Ekhart Wycik, Profesor në Shkollën e Lartë të Muzikës Weimar, shkruan mapo.al. Krahas sopranos shqiptare Erjona Gjyzeli dhe Eva Golemi, rolin e dytë solo e merr baritoni gjerman Henryk Bohm.

Shfaqje kërcimi: “Chipping”

Koreografja Anna Konjetzky për herë të parë në Shqipëri

Gjithçka vibron: Në “chipping” të Anna Konjetzkyt skena është pa pushim në lëvizje. Kuba rrëshqasin tutje-tëhu – herë ngadalë, pa u vënë re fare, herë shpejt dhe dukshëm duke u rrokullisur mbi gjithçka. Trupi duhet t’u përshtatet vazhdimisht rrethanave të reja, të kërkojë rrugën e tij në një copëz hapësire lëkundëse. Çdo hap një akt balance i ri, çdo lëvizje e rimenduar, e risjellë në ekuilibër, çdo rrugë e rigjetur. Koreografitë e Anna Konjetzkyt sillen rreth pikës lidhëse mes kërcimit, instalacionit dhe performancës, janë në limitet fizike dhe shumë shpesh të strukturuara nga një regji drite dhe skene të sofistikuar. Me ftesë të Qendrës Gëte shfaqja e kërcimit “Chipping” jepet për herë të parë në Shqipëri. Përveç kësaj, Anna Konjetzky dhe kërcimtarja Sarah Huby do të organizojnë një workshop, ku do t’u përcjellin kërcimtarëve shqiptarë eksperiencat e tyre./ KultPlus.com

Ministrja Dumoshi vizitoi Komunën e Kllokotit, u bisedua në dobi të zhvillimit të kulturës

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka vizituar sot Komunën e Kllokotit, me ç’rast ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e kësaj komune, Srećko Spasić dhe nënkryetarin, Hasan Rashiti, përcjellë KultPlus.

Në këtë takim, ndërmjet ministres Dumoshi dhe drejtuesve të Komunës së Kllokotit, Spasić dhe Rashiti, u bisedua për nevojën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe atyre komunale, në dobi të zhvillimit të kulturës, rinisë dhe sportit, si fusha të rëndësishme për të promovuar tolerancën dhe zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim, u bisedua për nevojën e ndërtimit të një qendre rinore në këtë komunë.
Ministrja Dumoshi u shpreh se MKRS-ja do të mbështes komunën për realizimin e këtij projekti, me planifikimin buxhetor të vitit 2018.

Më tej, ministrja Dumoshi, drejtuesve të Komunës së Kllokotit u premtoi mbështetje të aktiviteteve të kësaj komune, sidomos ato që lidhen me komunitetet dhe bashkëjetesën shumetnike.

Kjo vizitë e ministres Dumoshi është zhvilluar në kuadër të Muajit të Rinisë, ku ministrja mori pjesë në aktivitetet që ka mbështetë MKRS-ja. / KultPlus.com