Anibar Lanson ‘Anibar Pro – Genesis’ – Gjenerata e re e animatorëve ngjitet në skenë

Në edicionin e 16-të të Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit, Anibar ka lansuar për herë të parë një program dedikuar fuqizimit të talenteve të rinj në fushën e animacionit – “Anibar Pro -Genesis.”

Kjo nismë franko-kosovare, e themeluar në bashkëpunim me Institutin Francez në Kosovë dhe e
mbështetur nga Ministria Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme si dhe Ambasada Franceze
në Kosovë, synon të vendosë themele të qëndrueshme për të rinjtë që duan të zhvillohen në
animacion, multimedia dhe industrinë e lojërave.

Anibar Pro – Genesis është një dritare të re për krijuesit e rinj, që ua mundëson atyre të
zhvillohen përmes trajnimeve në ndërmarrësi, art dhe përmes shkëmbimeve ndërkombëtare.
Programi u prezantua të marten me 15 korrik, në ditën e dytë të festivalit në Pejë, në një
atmosferë energjike dhe frymëzuese.

Rreth 20 studio franceze dhe evropiane po qëndrojnë këtë javë në Pejë për të zhvilluar takime me
profesionistë të rinj të animacionit përmes Genesis Pitching Sessions, biseda rreth mentorimit,
etikes në rrëfime dhe qëndrueshmërisë në industri si dhe takimeve me producentë dhe
përfaqësues të festivaleve të njohura ndërkombëtare.

Gjatë ditëve në vijim, 18 animatorë të rinj pritet të prezantojnë projektet e tyre filmike, ku fituesit
do të përzgjidhen nga një juri profesioniste me përvojë të gjatë në industrinë e filmit dhe
animacionit.

Në fjalimin e tij gjatë hapjes së programit, Ambasadori Francez në Kosovë, z. Olivier Guérot,
theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi: “Kjo nuk është thjesht mbështetje për hir të mbështetjes,
sepse ashtu siç e dimë, filmi është vetë kultura. Dhe është me rëndësi sepse të rinjtë mund të
krijojnë kontakte me profesionistë të fushës. Gjithashtu flasim për identitet dhe është e
rëndësishme të rritet e zhvillohet, ky identitet në këtë shtet të ri.”

Ai po ashtu theksoi se Franca po e zgjeron prezencën e saj në Kosovë e rajon duke u fokusuar në
art edhe kulturë e do të vijojë të mbështesë të rinjtë për ta rritur e konkretizuar kreativitetin e
tyre.

Ndërsa Vullnet Sanaja, Drejtor Ekzekutiv i Anibar, u shpreh se ky bashkëpunim përfaqëson një
arritje të madhe për festivalin dhe për të gjithë komunitetin krijues.

Anibar Pro – Genesis po ashtu përforcon punën disa vjeçare të bërë nga Akademia e Animacionit
në Prishtinë, duke krijuar më shumë mundësi për të apasionuarit pas animacionit dhe për
zhvillimin e një industrie kreative të fuqishme në vend./ KultPlus.com

SpaceX lanson dy grupe tjera satelitësh Starlink nga brigjet amerikane

Së fundmi, SpaceX ka lëshuar dy grupe tjera të satelitëve Starlink nga brigjet e SHBA-së.

Raketa e parë Falcon 9 me 23 anije kozmike u nis nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s në Florida, ndërsa raketa tjetër me 22 satelitë u nis nga Baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni.

Siç pritej, të dy fazat e para të Falcon 9 u rikthyen në Tokë rreth 8.5 minuta pas ngritjes.

Ndërkohë, pjesët e sipërme të raketës vazhduan të ngjiteshin në orbitën e ulët të Tokës, për të vendosur dy grupet e satelitëve në hapësirë.

Këto ishin lëshimet e teta dhe të nënta të vitit për SpaceX, e cila synon të kryejë 144 misione orbitale në vitin 2024.

Në përputhje me planin ambicioz të kompanisë, një tjetër mision është planifikuar të nisë më 30 janar për të dërguar anijen robotike të ngarkesave Cygnus të Northrop Grumman drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.

Ndryshe, ky mision thuhet se filloi në një përvjetor të zymtë, pasi në të njëjtën datë 38 vite më parë anija kozmike e NASA-s Challenger u shpërbë dy minuta pas ngritjes, duke vrarë shtatë astronautët në bord./GazetaEpress/ KultPlus.com

WhatsApp po sjell një super veçori të re

WhatsApp thuhet se po lanson një veçori të re të fokusuar në privatësi për anëtarët e komunitetit.

Funksionaliteti i ri që u tha më parë se ishte në testim, do t’i lejonte përdoruesit të fshehin numrat e tyre të telefonit kur i bashkohen ndonjë grupi.

Funksioni i quajtur “privacy number of phone”, thuhet se është i disponueshëm për të gjithë testuesit beta të Android dhe iOS.

Me këtë, përdoruesit mund të marrin pjesë në biseda dhe të tregojnë reagimet e tyre ndaj mesazheve duke fshehur emrat dhe numrat e tyre të telefonit nga anëtarët e tjerë të komunitetit.

Aplikacioni në pronësi të Meta-s nuk e ka bërë të ditur zyrtarisht se kur synon të bëjë funksionin të disponueshëm për të gjithë përdoruesit./alsatm/KultPlus.com