“Përmes objektivit të saj”, fotoreporterja Laura Hasani pjesë e ekspozitës së OKB-së

Këtë qershor Kombet e Bashkuara do të prezantojnë një ekspozitë të re dhe mbresëlënëse fotografike në festivalin “Photoville” në Nju-Jork, duke ia sjellë vëmendjen globale lidershipit, guximit dhe ndikimit të grave dhe aleatëve të tyre që udhëheqin paqen në disa nga zonat më të paqëndrueshme të botës.

Kosova në këtë ekspozitë do të prezantohet nga fotoreporterja e gazetës “Zëri”, Laura Hasani, ku bashkë me disa fotoreportere nga vende të ndryshme të botës do të tregojnë një histori kolektive, që përshkon qëndresën, rezistencën dhe transformimin.

Image

Duke paraqitur fotografi origjinale të realizuara nga fotografe lokale, ekspozita vë në pah ndërtuese të paqes, mbrojtëse të të drejtave të njeriut, paqeruajtëse të OKB-së dhe aktiviste në terren, historitë e të cilave shpesh injorohen. Portretet dhe mjediset e tyre pasqyrojnë njëkohësisht sfidat e konflikteve dhe mundësitë që shfaqen kur gratë marrin drejtimin.

E lansuar në përkujtim të 25-vjetorit të Rezolutës 1325 (2000) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ekspozita thekson agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” (WPS), e cila njeh jo vetëm ndikimin disproporcional që kanë konfliktet te gratë, por edhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ndërtimin e paqes, forcimin e besimit dhe udhëheqjen e ndryshimeve transformuese.

“Lufta për barazi gjinore nuk ka të bëjë vetëm me drejtësinë”, tha sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara António Guterres në fjalimin e tij gjatë Ditës Ndërkombëtare të Gruas 2025 në Nju-Jork. “Bëhet fjalë për pushtet – kush ka një vend në tryezë, dhe kush përjashtohet. Thënë thjesht: kur gratë dhe vajzat ngrihen, të gjithë përfitojnë”, shtoi ai.

Kapur në njëmbëdhjetë vende – Abyei, Qiproja, Republika e Afrikës Qendrore, Republika Demokratike e Kongos, Haiti, Kosova, Libani, Mozambiku, Territoret Palestineze të Pushtuara, Sudani Jugor dhe Sudani – imazhet tregojnë një histori kolektive që përshkon qëndresën, rezistencën dhe transformimin.https://zeri.info/inarticle.html

“Shumë shpesh, roli i grave në proceset e paqes dhe ndërtimin e besimit injorohet ose nënvlerësohet”, tha Laura Hasani, fotoreportere e gazetës “Zëri” në Kosovë me përvojë mbi 25-vjeçare. “Këto fotografi synojnë ta ndryshojnë këtë, që bota t’i shohë dhe dëgjojë gratë që po rindërtojnë komunitetet dhe po udhëheqin ndryshimin”, shtoi Hasani.

Në Haiti, Clyfane Saintil, një aktiviste feministe dhe udhëheqëse e një organizate jofitimprurëse që shfaqet në ekspozitë, ndihmon vajzat dhe gratë haitiane të fitojnë vetëbesim për të kërkuar të drejtat e tyre dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre.

“Ndryshimi nis në komunitetet tona, aty ku ngrihen gratë dhe vajzat, dhe kur burrat zgjedhin të jenë aleatë dhe jo pengesë”, tha ajo.

Përmes objektivit të atyre që jetojnë realitetin e konfliktit, ekspozita e rishikon mënyrën se si i shohim gratë: jo vetëm si viktima, por si arkitekte të paqes dhe drejtësisë. Ajo gjithashtu u bën thirrje qeverive, organizatave ndërkombëtare dhe komuniteteve që të riafirmojnë angazhimin ndaj premtimeve të agjendës WPS, e cila mbetet po aq urgjente sot sa 25 vjet më parë.

“Përmes Objektivit të Saj: Gratë që Ngrihen për Paqen” është një bashkëpunim ndërmjet Departamentit të Operacioneve për Paqe dhe atij për Çështje Politike dhe Ndërtim të Paqes të Kombeve të Bashkuara, UN Women dhe fondit të iniciativës “Elsie”.

Premiera do të zhvillohet më 7 qershor 2025, në Brooklyn Bridge Park dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 22 qershor. Më pas, do të udhëtojë në disa nga vendet e përfshira në ekspozitë, për të mbërritur më vonë në Parlamentin Evropian në Bruksel dhe, në tetor, në selinë qendrore të OKB-së në Nju-Jork.

Ekspozita mbështetet nga qeveritë e Australisë, Kanadasë, Danimarkës, Bashkimit Evropian, Finlandës, Gjermanisë, Holandës, Norvegjisë, Suedisë, Republikës së Koresë dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat me kontributet e tyre bujare mundësuan shpërndarjen e këtyre historive frymëzuese në mbarë botën. / Zeri/ KultPlus.com