Zbulohet identiteti i dyfishtë i Mona Lisës

Konsiderohet piktura më e famshme në botë, shumë njerëz e kanë quajtur edhe “Piktura Misterioze” pasiqë ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë shumë konspiracione, rreth asaj se kush dhe cka mund të jetë Mona Lisa, shkruan KultPlus.

Shkencëtari francez Pascal Cotte pretendon se ka zbuluar një portret të fshehtë poshtë figurës së Monalisë-s, veprës më të famshme të Leonardo da Vinçit.

Siç sqaron vetë shkencëtari, imazhin nën shtresat ekzistuese të bojës, ka mundur ta diktojë falë përdorimit të një teknologjie tepër të sofistikuar, asaj të dritës reflektuese.
Për të analizuar pikturën e famshme, Cotte-s i janë dashur më shumë se 10 vjet. Drejtuesit e muzeut të Luvrit, nuk kanë bërë deri më tani asnjë koment mbi të tilla pretendime./standard.al/KultPlus.com

‘Da Vinçi’ vjen në muzeun historik

Të shohësh të gjitha veprat në pikturë të mjeshtrit Leonardo da Vinçi nuk është aq e thjeshtë. Përveçse duhet të shëtisësh në  muze të ndryshëm, shpesh duhet të mbash radhë. Ato janë të ruajtura me shumë kujdes dhe duhet t’i vështrosh nga një distancë e caktuar. Për t’i parë ato ka lindur edhe ideja e kësaj ekspozite për t’i mbledhur të 17 piktura të tij së bashku. Sigurisht ato nuk janë origjinale. Janë riprodhime të një cilësie të lartë, por me përmasa origjinale.

“Leonardo Opera Omnia”, quhet kjo ekspozitë shëtitëse në të gjithë botën, me rastin e 500-vjetorit të mjeshtrit italian. Tashmë ndodhet edhe në Muzeun Historik Kombëtar. Mes tyre mund të shohim edhe Mona Lizën.

“Si t’ia bënim që të kishim këtu, të gjitha së bashku dhe në mënyrën më të kompletuar të mundshme. Ja! Nëpërmjet kësaj ekspozite që është një ekspozitë që bën bashkë antiken dhe bashkëkohoren. Sepse janë shtatëmbëdhjetë vepra të shpërndara në 11 muze. Të gjitha janë digjitalizuar me një rezolucion shumë të lartë. Janë ndriçuar me një sistem teknologjik, që zëvendëson absolutisht bukurinë e jashtëzakonshme të veprave të Leonardos”, shprehet Alessandra Bertini Malgarini, drejtore e Institutit italian të Kulturës.

“Xhokonda”, “Virgjëresha e Shkëmbinjve”, “Gruaja me fëmijë”, apo sigurisht “Darka e Fundit”. Kur flet për veprat e Leonaros, të vjen në mend edhe fati i çrregullt i tij. Shumë prej veprave të papërfunduara dot. Për organizatorët veprat e tij janë të  një vlere të lartë edukative, prandaj ato duhen aksesuar nga sa më shumë njerëz.

“Ministria e Punëve të Jashtme italiane dhe RAI janë akorduar për një projekt rivitalizimi me një vlerë të fortë edukative. E kam përzemër ta nënvijëzoj që këto vepra kanë një vlerë të lartë edukative”, thotë Alessandra Bertini Malgarini.

“Për shembull Darka e Fundit, e Leonardos, për ta parë në Milano ka një radhë të gjatë. Pastaj duhet të rrish vetëm pak minuta, sepse mund të dëmtohet. Këtu në fakt e kemi me përmasa origjinale. Mund të afrohemi. Mund të shohim me saktësi të gjitha detajet”, sqaron ajo.

Këto vepra janë shpërndarë në Afrikë, Poloni, do të shkojnë më pas në Algjeri etj. Ndërsa për publikun shqiptar do të qëndrojnë deri më 10 gusht, në Muzeun Historik Kombëtar.

Riprodhime të veprave më të rëndësishme të Leonardo Da Vinçit në Muzeun Historik Kombëtar

17 riprodhime të 17 veprave më të rëndësishme të Leonardo da Vinçit, prej sot ftojnë publikun për t’i vizituar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

“Një ekspozitë për të mos u humbur në Muzeun Historik Kombëtar”, tha ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila theksoi se nga sot, 17 riprodhime të 17 veprave më të rëndësishme të Leonardo da Vinçit “ju ftojnë në botën misterioze të krijimtarisë së mjeshtrit të Rilindjes italiane”.

Ekspozita “Leonardo-Opera Omnia” me riprodhime të 17 veprave pikture të Leonardo da Vinçit të një cilësie të lartë dhe me përmasat origjinale organizohet nga Muzeu Historik Kombëtar dhe Instituti Italian i Kulturës.

Projekti Opera Omnia është projektuar me qëllim të rikrijimit të përvojës për të ardhur në kontakt me Trashëgiminë kulturore italiane përmes shfaqjes së jashtëzakonshme me riprodhime me definicion të lartë dhe të vërtetë në shkallë të kryeveprat e gjetura në muzetë në të gjithë botën.

Rikthehet përsëri Da Vinçi, por si robot

Në bashkëpunim me kompaninë “Fujikin”, ekspertët e Universitetit japonez të Osakas kanë krijuar një robot të artistit dhe shkencëtarit italian Leonardo da Vinçi, i cili do të arsimojë gjeneratat e ardhshme të shkencëtarëve.

Roboti i Da Vinçit u është paraqit pjesëmarrësve të samitit që mblodhi liderët e 20 vendeve më të zhvilluara në Osaka.

Drejtori i marketingut i kompanisë “Fujikin”, Kouichi Nakamura, tha se “roboti ishte bërë në nder të Da Vinçit, ndaj të cilit bota është në borxh për veprat e tij”.

Ai deklaroi se “roboti Da Vinci është bërë edhe me qëllim që në mënyrë unike nxënësve t’u prezantohet puna e tyre dhe që të merren me shkencën dhe artin”.

“Kështu do të mundësojmë që nxënësit dhe shkencëtarët e ardhshëm të mësojnë përmes argëtimit”, shtoi Nakamura.

Leonardo da Vinçi në mesin e fashionistëve të aksesorëve

Në librin e saj të ri “Dressed: The secret life o clothes“, akademikja Shahidha Bari ka shfaqur teorinë se Leonardo da Vinçi nuk ishte vetëm një artist dhe inxhinier i madh, por edhe pionier i dizajnit të aksesorëve.

Në teorinë e saj, Bari veçon një imazh të Codex Atlanticus që e përshkruan një qese lëkure me një sistem të mbylljes, ku thekson që “ Qeseja, është shumë e ngjashme me një kuletë të shekullit XX”, shprehët Bari për CNN. “Sistemi i mbylljes në majë të Qesës, me pjesët metalike prej bronzi, është bërë prej lëkurës së kafshëve, dhe ka një sistem mbyllës, që ngjan në një kuletë klasike, që sot kanë në duar nënat tona”, shprehët Bari.

Vërtetë, vizioni i Leonardos ka rezultuar aq i qëndrueshëm, saqë marka italiane Gherardini e prodhoi një kuletë në bazë të dizajnit të Leonardo da Vinçit.

Sigurisht, shumë artistë bashkëkohor, janë inspiruar nga puna e da Vinçit, ku në vitin 2017 Jeff Koons bashkëpunoi me Luis Vuitton në një sërë çantash të frymëzuar nga stilet e artit historik, duke përfshirë edhe Mona Lisa-an e Leonardos, ndërsa në vitin 2013 Damien Hirst u bashku me Prada për të prodhuar modelin e çantave, në numër të limituar, të përbëra nga qelqi Plexiglas, duke i dekoruar me dizajne të insekteve.

Një inspirim të tillë e ndjek edhe artisti Sterling Ruby, i cili kohët e fundit e zbuloi linjën e re të modës në Firencë, duke përfshirë pajisje të tilla si Kuletë drejtkëndëshe të prodhuara tërësisht nga metali i argjendit dhe mbulesa të mbushur me grafite të shtypura, ku e cilëson Leonardon, “si një arbitër i të gjitha pyetjeve dhe lidhjen e tij me bukurinë dhe elegancën” / KultPlus.com

Kryevepra e Leonardo da Vinçit në pronësi të princit saudit

Vepra artistike më e shtrenjtë në botë, Salvator Mundi nga Leonardo da Vinçi, raportohet të jetë në pronësi të princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman, përcjellë KultPlus.

Vendndodhja e kësaj pikture ishte mbajtur sekret që kur u shit për 450 milion dollarë në vitin 2017 në New York. Të hënën Artnet, një institut arti, ka raportuar që vepra pesëqindvjeçare e Da Vinçit është pronë e princit saudit të kurorës.

 Kryevepra “Salvator Mundi” (nga latinishtja që do të thotë Shpëtimtari i Botës) është bërë pjesë e konspiracioneve pasi u zhduk menjëherë pas shitjes së saj në vitin 2017.

 Mbi këtë akuzë është pyetur ambasada Saudite në Londër, por ka mbetë e heshtur ndaj pyetjeve të gazetarëve./KultPlus.com

Ekspozitë me mbi 200 skica dhe vizatime të Da Vinçit në Londër

Leonardo da Vinçi njihet si një gjeni i gjithanshëm që ka kontribuuar në artet figurative, shkencë, arkitekturë, muzikë, inxhinieri dhe kartografi.

500 vjet pas vdekjes së tij Pallati mbretëror Buckingham në Londër hapi dje ekspozitën “Leonardo Da Vinçi: Një jetë në Skica” për të shpalosur një ndër talentet e gjeniut të Rilindjes Italiane. Kjo konsiderohet si ekspozita më e madhe e veprës së Da Vinçit në 65 vjet, pasi prezanton mbi 200 skica e vizatime nga koleksioni gjigand i monarkisë britanike me punime të Da Vinçit, përfshirë një portret të autorit që sapo është konfirmuar si vepër e tij.

Martin Clayton, specialist për skicat në Koleksionin Mbretëror, thotë se pas studimesh të hollësishme, akademikët e njohin sot Da Vinçin më mirë se kurrë dhe kuptojnë më së miri rrymat që ndikuan tek krijimtaria e tij. Ai ishte një individ i pakrahasueshëm, por gjithsesi nuk ishte një anomali, por një produkt i kohës ku jetoi, thotë specialisti.

Veprat e përfshira në ekspozitë janë marrë nga një koleksion me skica e vizatime që Da Vinçi i la nxënësit të tij, Francesco Melzi ditën që vdiq më 2 maj 1519 në Francë. Në 1670 ky katalog u mor në pronësi nga Mbreti Çarls II i Anglisë dhe që atëherë ka qenë pjesë e koleksionit mbretëror britanik.

Ekspozita do të vazhdojë deri më 13 tetor të këtij viti./KultPlus.com

Muzeu italian mund të zbulojë misterin e flokëve të Leonardo da Vinçit

Një muze italian thotë se ka në plan të kryejë testet e ADN-së në një bllok flokësh që beson se mund të kenë qenë të artistit të rilindjes, Leonardo da Vinçi.

Megjithatë, disa ekspertë kanë hedhur dyshime mbi këtë, duke thënë se flokët me siguri nuk i përkasin mjeshtrit italian, ndërsa testimi i besueshëm i ADN-së mund të jetë i pamundur.

Skepticizmi i ekspertëve lidhet me atë se Leonardo da Vinçit nuk i dihet nëna, nuk ka lanë asnjë trashëgimtar si dhe varri i tij është shkatërruar njëherë.

Alessandro Vezzosi, drejtori i muzeut “Leonardo da Vinçi” tha se filli i flokëve u mblodh nga një komision mbretëror që ishte angazhuar më 1863 për të gjetur ndonjë gjë të da Vinçit.

Testimi duhet gjithashtu të jetë në gjendje të provojë nëse mbetjet e identifikuara në Francë në vitin 1863 me të vërtetë i përkisnin da Vinçit.

“Ajo që është e rëndësishme është të mos e marrim për të vërtetë një rezultat përpara se të përfundojë testimi shkencor”, tha Vezzosi./KultPlus.com

Në datëlindjen e Da Vinçit: 16 fakte interesante për gjeniun e Rilindjes

Misteri i emrit, piktura më e hershme, mësuesi i shastisur, mënyra e të shkruarit dhe aksidentet e fëmijërisë. Si iu shkatërruan 12 vite punë në një minutë. Dhe a e dinit që Njeriu Vitruvian është një mënyrë për të treguar zgjerimin e universit tonë? Lexoni këto 16 fakte shumë interesante për jetën e një gjeniu të vërtetë.

1. Një fëmijë i paligjshëm!

Ai lindi si biri jashtë martese i Piero Fruosino di Antonio Vinçit (babait) dhe Caterina (nëna). Prindërit e tij kurrë nuk u martuan dhe ai ishte i vetmi fëmijë i tyre. Megjithatë, ai kishte 17 gjysmë-vëllezër e motra me partnerë të tjerë të prindërve të tij.

2. Emri i një qyteti!

Ai lindi në Anchiano, Toscana (tani në Itali), që është afër qytetit të Vinçit, me të cilin ne e asociojmë mbiemrin e tij sot.

3. Pa arsimim formal!

Përtej leximit dhe shkrimit bazë, ai nuk mori asnjë arsimim formal në ndonjë shkollë.

4. Personi që qëndron prapa aftësive të tij!

Talenti i tij artistik u vlerësua së pari nga babai i tij dhe kur Leonardo ishte 15 vjeç, babai e dërgoi të mësojë pranë piktorit dhe skulptorit Andrea del Verrocchio, në Firence. Ai përpunoi teknikat e skulpturës dhe pikturës së Leonardos për më shumë se një dekadë dhe e trajnoi atë në artet mekanike.

5. Piktura e tij më e hershme!

Megjithëse puna e tij e parë mendohet të jetë ajo e një vizatimi në stilolaps dhe bojë, e luginës së Arnos (siç raportohet nga burime të ndryshme) më 5 gusht 1473, “Shpallja” (diku rreth 1472-1475) mendohet të jetë vepra e tij më e hershme . Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.

6. Kur mësuesi u impresionua me punën e tij!

Ai ndihmoi mentorin e tij Andrea del Verrocchio në pikturën e famshme “Pagëzimi i Krishtit”. Piktura përshkruan pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzori. Është thënë se engjëlli në të majtë u pikturua nga Leonardo i ri dhe kjo ishte një gjë, e cila i bëri shumë përshtypje mësuesit të tij.

7. Shkrimi, nga e djathta në të majtë!

Leonardo da Vinçi ishte majtosh dhe ishte mësuar që të shkruante nga e djathta në të majtë, gjë që rezultonte në një shkrim pasqyrë dhe i cili, ishte e vështirë për t’u lexuar nga të tjerët.

8. Adhurues i kafshëve!

Ai ishte shumë i mëshirshëm ndaj kafshëve dhe ishte kundër futjes së tyre në kafaze. Leonardo blinte shpesh herë kafshë në kafaze dhe më pas i lironte ato.

9. Një vegjetarian i rreptë!

Gjatë gjithë jetës së tij, Leonardo da Vinçi kishte qenë një vegjetarian i rreptë, gjë që supozohet të jetë pasojë e dashurisë së tij për kafshët.

10. Incidentet e fëmijërisë!

Leonardo mbante shenja vetëm dy nga incidente të fëmijërisë: njëri ishte kur një balonë ra nga qielli dhe bishti i saj i lëndoi fytyrën. I dyti kur zbuloi një shpellë ndërsa po eksploronte në male dhe u ndje i tmerruar nga që mendonte se aty mund të ndodheshin disa përbindësha.

11. Shtëpia e fëmijërisë!

Kush nuk dëshiron të eksplorojë shtëpinë e këtij artisti të madh të Rilindjes! Shtëpia e fëmijërisë e Leonardos ndodhet në një fshat të quajtur Anchiano brenda qytetit të Vinçit në Firence. Shtëpia është konvertuar në një lloj muzeu të veprave të famshme të Leonardos. Shtëpia u rihap për publikun në qershor të vitit 2012.

12. Vepra e parë e porositur

Në vitin 1478, ai u bë një mjeshtër i pavarur dhe rreth vitit 1482, filloi të pikturonte veprën e tij të parë të porositur – “Adhurimi i Magjistarëve”. Megjithatë, ai kurrë nuk mundi ta përfundonte atë vepër.

13. Kur 12 vite punë iu shkatërruan brenda një minute!

Në fund të shekullit të 15-të, ai u zhvendos në Milano për të krijuar një statujë kuajsh të lartë 5 metra (në bronz) për të nderuar Francesco Sforzën (themeluesi i dinastisë së klanit të atëhershëm Sforza). Ai punoi për 12 vjet në këtë projekt dhe përgatiti një model balte të kalit në vitin 1493. Megjithatë, gjatë luftës që afroi, ajo u shkatërrua kur Sforzat ranë nga pushteti në 1499.

14. Ai vizatonte një simetri të përsosur të trupit të njeriut!


Bazuar në punën e arkitektit Vitruvius, Leonardo da Vinçi përshkroi përmasat e trupit të njeriut në vizatimin e tij – Njeriu Vitruvian. Ai e vizatoi këtë rreth vitit 1490 dhe vizatimi supozohet të jetë zgjerimi i universit, në formën e trupit njerëzor.

15. Piktura murale më e famshme në botë!

Në fund të shekullit të 15-të, Leonardo da Vinçi krijoi një pikturë murale – “Darka e Fundit”. Ishte pjesë e një plani për të restauruar kishat e Milanos. Piktura murale përshkruan skenën e Darkës së Fundit të Jezusit me dymbëdhjetë dishepujt e tij, kur Jezusi njoftoi se njëri prej tyre do ta tradhëtonte.

16. Kur pikturoi një buzëqeshje misterioze!

Midis 1503 dhe 1506, Leonardo krijoi pikturën më të famshme në botë – Mona Lisa. Gruaja e përshkruar në pikturë ka qenë një objekt spekulimesh. Më parë mendohej të ishte Mona Lisa Gherardini, një kurtizane dhe më vonë, ajo u mendua të ishte Lisa del Giocondo, gruaja e tregtarit fiorentin Francisco del Giocondo. Piktura është e njohur për buzëqeshjen misterioze të gruas. Mbreti Francis I i Francës e kishte blerë pikturën dhe tani është pronë e Republikës Franceze. Piktura origjinale është shfaqur në Muzeun e Luvrit në Paris që nga viti 1797. Piktura ka fituar shumë lavdi, si më e vizituara, më e njohura, më e kënduara, më e shkruara etj./KultPlus.com

E rrallë, zbulohen gjurmët e gishtit të Da Vinçit


Gjurmët e gishtërinjve të Leonardo da Vinçit ekspozohen në Cardiff.

Për 500-vjetorin e vdekjes së mjeshtrit të madh për të cilin janë organizuar 12 evente në Britaninë e Madhe – disa vepra të tij që janë pjesë e koleksionit të Mbretëreshës do të ekspozohen në qytetin e Uellsit, duke përfshirë një vizatim në të cilin janë të dukshme gjurmët e gishtit të madh të dorës së majtë të Da Vinçit.

Vizatimi në të cilin ka mbetur gjurma e Da Vinçit është “Sistemi kardiovaskular dhe organet kryesore të grave”, një nga studimet e tij në anatomi, që daton në vitet e fundit të dekadës së parë të 1500-s.

Nuk është hera e parë që vërehet një gjurmë e Leonardos në veprën që ai ka lënë pas, por kjo është hera e parë që bëhet një studim i hollësishëm mbi të.

“Ka vizatime dhe piktura të pjesshme në vizatime të tjera nga Leonardo, por kjo është deri tani shenja më e qartë dhe më e pastër e Leonardos”, thonë studiuesit.

Skica në fjalë do të ekspozohet në Muzeun Kombëtar në Cardiff nga 1 shkurti deri më 6 maj.

Da Vinçi, simboli i marrëdhënies komplekse franko-italiane

“Leonardo da Vinçi është italian, francezët nuk mund të kenë gjithçka…”

Kjo polemikë e ardhur nga Italia në lidhje me festimin nga Franca të 500-vjetorit të vdekjes së Leonardo Da Vinçit dëshmon për një marrëdhënie komplekse në arte, mes vlerësimeve dhe rivalitetit.

Gjithçka duket se po shkon siç ishte parashikuar pas marrëveshjes së arritur vitin e kaluar mes qeverisë franceze dhe asaj italiane ku parashikohej që Italia t’i jepte hua pikturat e Leonard da Vinçit (1452-1519) muzeut të Luvrit për një ekspozitë të madhe, në vjeshtë, në kujtim të 500-vjetorit të vdekjes së gjeniut të Rilindjes.

Në të kundërt, ishte rënë dakord që Luvri t’i jepte veprat e veta të Rafaelit (1483-1520) një muzeu në Romë për një ekspozitë që do të organizohet vitin e ardhshëm për të kujtuar sërish 500-vjetorin e vdekjes së këtij mjeshtri të madh të pikturës.

Pa dyshim që ishte zëvendëssekretarja e re e shtetit italian për Kulturën, Lucia Borgonzoni e cila ka vendosur t’i rikthehet kushteve të marrëveshjes franko-italiane, duke i gjykuar “të papërfytyrueshme”.

“Leonardo është italian, ai vetëm vdiq në Francë (…). Dhënia hua e këtyre pikturave tek Luvri do e linte Italinë jashtë një evenimenti kulturor madhor”, deklaroi Borgonzoni, anëtare e Ligës, partia e ekstremit të djathtë që erdhi në pushtet qershorin e kaluar.

“Në respekt në autonomisë së muzeve, interesi kombëtar nuk mund të lihet në vend të dytë, francezët nuk mund të kenë gjithçka”, shtoi ministrja që mendon se gjithçka duhet të bisedohet sërish.

Shumë larg një anekdote, kjo përleshje e fundit franko-italiane tregon gjithashtu për marrëdhënien komplekse, për shkak të afërsisë latine dhe arrogancës, që shoqëron dy kombet prej shekujsh.

Tematikë e përsëritur tek italianët, “arroganca franceze” është shfaqur sërish në zemër të tensioneve të fundit diplomatike mes dy vendeve mbi çështjen e emigrantëve.

Motra latine

“Në fushën kulturore, ashtu si edhe në të tjera, rivaliteti mes atyre që i quajmë motrat latine është i pashmangshëm”, shpjegon Jean Yves Fretigne, bashkautor i “Franca dhe Italia. Historia e dy kombeve motra” (Armand Colin, 2016, bashkë me Gilles Bertrand dhe Alessandro Giacone).

“Në njërën anë është Italia që pretendon se është motra e madhe sepse ajo është, bashkë me Romën, gjeneza e artit perëndimor dhe në anën tjetër Franca që ka një ndjenjë superioriteti përballë fqinjës së saj, duke preferuar që të kthehet kryesisht nga Gjermania ose, në ndonjë epokë, edhe nga Anglia”, thekson historiani.

Për sa i përket fushatave napoleonike gjatë të cilave qindra vepra arti iu morën Italisë për të mbushur muzetë franceze, duke filluar nga Luvri, ato i kanë lënë italianëve ndjesinë se janë bastisur.

Një ndjesi e fuqishme që ushqen edhe sot një numër të lartë fjalësh, si ato në lidhje me të famshme “Xhokonda” të Leonardo Da Vinçit që thuhet se edhe ajo është vjedhur nga Bonaparti.

Megjithatë mendohet se këtë vepër ia ka shitur artisti mbretit Fransua I i cili e kishte ftuar të qëndronte në kështjellën e tij në Ambauz në vitet e fundit të jetës.

“Në atë kohë ai që ishte një simbol i miqësisë franko-italiane, Da Vinçi është sot qendra e një polemike artistike për të ardhur keq”, shprehet me keqardhje Jean Yves Fretigne.

Për Eike Schmidt, drejtor i muzeut “Galleria degli Uffizi” në Firence, ku ruhen tre piktura të Leonardos, “në radhë duhet të jetë mbrojtja e veprave, para çdo konsiderate tjetër, kryesisht politike, mbi vendimin për t’i dhënë hua apo jo”. (Nga Franck Iovene)

Shitet me çmim rekord piktura e Leonardo da Vinçit

Një pikturë 500-vjeçare e Krishtit që besohet të jetë pikturuar nga Leonardo da Vinçi, është shitur në Nju Jork për një rekord prej 450 milionë dollarësh.

Piktura njihet si Salvator Mundi (Shpëtimtari i Botës).

Është çmimi më i lartë i ankandit për çdo vepër arti dhe solli tallje dhe duartrokitje në dhomën e ankandit të mbushur Christie’s.

Leonardo da Vinci vdiq në vitin 1519 dhe ka më pak se 20 prej pikturave të tij në ekzistencë.
Vetëm një mendohet të jetë në duar private, Salvator Mundi, që besohet të jetë pikturuar diku pas vitit 1505.
Oferta përfundimtare për punën ishte 400 milion dollarë, me tarifa që sjellin çmimin e plotë deri në 450.3 milion dollarë.

Blerësi i paidentifikuar ishte i përfshirë në një konkurs tenderimi, nëpërmjet telefonit, që zgjati rreth 20 minuta.
Piktura tregon Krishtin me një dorë të ngritur, tjetra mban një sferë qelqi.
Në vitin 1958 ajo u shit në ankand në Londër për 60 dollarë. Në atë kohë, piktura në përgjithësi llogaritej të ishte vepër e një ndjekësi të Leonardo dhe jo vepra e vetë Leonardos.

Një kritik madje e përshkroi sipërfaqen e pikturës të jetë “inerte, e llakur, e pastruar, e pastruar dhe e rindërtuar kaq shumë herë sa duket njëkohësisht e re dhe e vjetër”.
Katër vjet më parë ajo ishte blerë nga një koleksionist rus për 127.5 milion dollarë por kjo ishte një shitje private, jo në ankand. /KultPlus.com

Piktura e Jezu Krishtit e Leonardo da Vinçit, në ankand

“Salvator Mundi” është një nga më pak se 20 pikturat e njohura nga da Vinçi dhe i vetmi në duart e ankandit “Christie’s”.

Një pikturë e rrallë dhe e vjetër rreth 500 vjet e Jezu Krishtit, e pikturuar nga Leonardo da Vinçi, do të shitet në ankand në New York.

“Salvator Mundi” është një nga më pak se 20 pikturat e njohura nga da Vinçi dhe i vetmi në duart e ankandit “Christie’s”. Ky institut mund ta shesë atë për hiq më pak se 100 milionë dollarë, më 15 nëntor.

“Puna e Leonardo da Vinçit është më të vërtetë e jashtëzakonshme. Dikush erdhi dje dhe më pyeti: Ku është Leonardo?’ Pra, kjo është një pyetje në karrierën time në Christie’s, unë kurrë nuk kam qenë i pyetur më pare, shkruan albinfo.ch. Kështu që isha i lumtur t’i dërgoja ata te piktura”, deklaroi zëvendëspresidenti i “Christie’s”, Conor Jordan, i cili shtoi se kjo pikturë shton vëmendjen e publikut rreth shitjeve./ KultPlus.com

“Salvador Mundi” do të shitet mbi 100 milionë dollarë

Tabloja e fundit e piktorit italian, Leonardo da Vinçi në duart e një koleksionuesi privat do të shitet në Nju Jork më 15 nëntor gjatë ankandit të organizuar nga ”Christie’s”, që e ka vlerësuar 100 milionë dollarë.

“Salvator Mundi” (Shpëtuesi i botës), tablo me një finesë ekstreme që përfaqëson Krishtin, ishte konsideruar prej shumë kohësh si një kopje, para se ekspertët të provonin origjinalitetin e saj.

”Të paktën 20 tablo të Leonardo da Vinçit, vepra e të cilit ishte marrë tashmë kur ishte gjallë, ekzistojnë edhe sot”, sipas ”Christie’s”.

Me përjashtim të “Salvator Mundi”, të gjitha janë në pronësi të muzeve apo institucioneve.

Përgjithësisht, pjesa më e madhe e tablove para shekullit XIX janë sot të aksesueshme për publikun dhe shumë rrallë për t’i parë të ofruara në ankande.

Para shitjes, tabloja do të udhëtojë në Hong Kong, San Francisko dhe Londër, ku do të jetë e ekspozuar, para se të mbërrijë në Nju Jork gjatë ditëve para ankandit./ KultPlus.com