Letra emocionuese që Abraham Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij

Kjo është letra që presidenti amerikan Abraham Lincoln i drejtoi mësuesit të djalit të tij në fillim të shkollës. Një letër që duhet lexuar për të kuptuar jetën dhe mësimet që janë të rëndësishme tek fëmijët.

Letra e plotë:

Mësues i nderuar.
Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e re dhe e çuditshme, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht. Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet. Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë, por butësisht, nëse mundeni.
Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t’i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, dhe jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë, me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur, si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.
Mësojeni ti përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbëruar.

Mësojeni të ketë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do ti thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t’i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjonte në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij se si të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajo për të qenë i padurueshëm. Lejojeni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në ZOTIN. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni
më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mire DHE ËSHTË BIRI IM

Me respekt
Abraham Lincoln. / KultPlus.com

Letra e Dritëro Agollit për Sadijen 10 ditë para dasme: Meqë të njoh aq mirë, nuk më duket e çuditshme dita e dasmës

Në korrik të vitit 1965, ata u lidhën në martesë. Më në fund ‘e kandisi’ta merrte në shtëpi shkodranen. Vetëm 10 ditë përpara dasme, Dritëro Agolli i shkruan të dashurës së zemrës.

Letra:

E dashur Sadije! Sa u ktheva nga Korça. S’më besohet se kanë mbetur edhe 10 ditë gjer në dasmë.
Unë këtej kam bërë të gjitha përpjekjet që të kalojmë mirë verën. Mua më dhanë një herë një fletë kampi për në Pogradec, po duhet të niseshim më datë 24 qershor, d.m.th. sot. Natyrisht që ishte një gjë që s’bëhej. Atëherë shokë e miq ndërhynë dhe ne do të shkojmë në Durrës më 9 korrik në shtëpinë e pushimit ose të Kryeministrisë, ose të Oficerëve.

Ti duhet të marrësh një vërtetim nga qendra jote e punës që je në punë. Bëje gati, se vij e marr të shtunën. Unë do vij të të marr me maqinë angazhe e vishu si të duash e si të jetë më mirë. Ti kujton se unë nuk kam qejf që ti të vishesh me të bardha? Këtë radhë më ka marrë malli shumë për ty. Po ti e ke patur fajin pasi nuk donje të të vinja unë në Shkodër meqë kishin mbetur kaq pak ditë nga martesa! Gjepura! Të shtunën do vi e ti do më presësh. Mbarove shkollën? Xhelali a erdhi? Unë jam i bindur që ty plazhi do të të pëlqejë. Në njëzetedy ditë apo një muaj do të bëhesh korb e zezë. Vetëm duhet të ruash lëkurën e hundës se mos mbetesh me lëkurë të ngrënë në hundë, dhe ti e di sa rëndësi ka hunda, sidomos për seksin e bukur! O hundë, e bekuar! Kam shkruar një cikël me vjersha për fëmijë dhe nesër botohet në “Mësuesi”.

Sadije-dhe-Dritëro-Agolli

Vjersha të tilla ti kurrë nuk ke lexuar. Për herë të parë shkruaj për fëmijë, siç duket, ti së shpejti do na skalitësh ndonjë azuratino! Tani në prag të dasmës ti nuk shkruan. Nuk vete në postë, siç mendoj unë. Kush e di sa e hutuar dhe e emocionuar je! Edhe unë i emocionuar jam, po meqë jam aq i afërt me ty dhe të njoh aq mirë, nuk më duket e çuditshme dita e dasmës.

Të dua shumë, shumë.
Të puth fort
Yti Dritëro
24.VI.1965 /KultPlus.com

Gazetari shqiptar i shkruan të bijës 10 arsyet pse e largoi nga shtëpia dhe e dërgoi në Amerikë

Janë të shumtë prindërit që vuajnë mallin e fëmijëve vetëm pse mendojnë që e ardhmja e tyre, jo vetëm profesionale, do të jetë më e mirë nëse i dërgojnë me studime jashtë.

Gazetari Edmond Arizaj e ka dërguar të bijën me studime në Amerikë. Mbase nuk do të kishte zgjedhur një vend kaq të largët, nëse të gjitha arsyet që rendit më poshtë nuk do të ishin të drejta.


Letra e gazetarit
“Do të vijë një kohë që do të pyesësh veten ‘Pse babai më këshilloi të studioja në USA? Shpresoj që kjo pyetje të mbërrijë sa më vonë dhe mundësisht vetëm në formën e kurreshtjes. Megjithatë po t’i jap disa arsye, duke pretenduar që na takojnë vetëm ne të dyve dhe asnjë prindi apo fëmije tjetër, të lirë në vendimet e tyre. Nuk ështëe dramë pse TI zgjodhe të largohesh për studime, por është dramë pse JU zgjidhni të largoheni, është dramë pse ATA bëjnë sikur nuk kuptojnëe pse JU largoheni çdo vit e më shumë.

Së pari sepse këtu, në vendin tonë të bukur që të dy e duam shumë, nuk do të ishe e lirë. Ose do të kishe një liri të perthyer. Këtu je plotesisht i lirë të mbijetosh, por për të jetuar ka disa kushte dhe këto kushte jam i sigurt se nuk i plotësoje dot. Këtë e tregove me karakterin e fortë, e drejtë dhe shpeshherë të ashpër në mbrojtjen e tëe drejtës tënde që nëe klasat parauniversitare. E pra, kishe dy mundësi: ose të thyhej karakteri yt për të jetuar, ose të jetoje duke mbijetuar.

Së dyti, që të ecësh në jetë, në karrierë, në shoqeri do të duhej të jetoje përherë në një varkë që lundron vetëm në det me tallaz. Rrezikon të permbytet barka, rrezikon të të hedhin nga barka, rrezikon urinë, etjen, por ke dhe rrezikun e madh fare që mund të zgjedhësh të “hash” shoqen a shokun e barkës që të vazhdosh përpara. Justifikimin që mund ta degjosh rëndom, jetë është luftë, mos e beso, ështëe idiotllëk. Është gjetje e shfrytëzuesve dhe të paskrupujve, për të justifikuar tradhtitëe që u kanë bërë miqve, pabesitë që u kanë bërë kolegëve, e manipulimet që u kanë bërë kujt i ka rëenë puna me ta. Ka dhe një jetë pa luftë. Eshte jeta me perpjekje, me mundim, me sakrifica, pa lene viktima rruges, por qe ne fund te jep shperblimin e punes dhe studimeve, nuk te le ne fund te zinxhirit njerezor sic ndodh rendom ne vendin tone te bukur. Mjafton te hedhesh syte verdalle ne ate vendin ku je tani dhe te shohesh shumicen e bashkatdhetareve tane dhe te bindesh per kete. E te bindesh edhe sa kollaj mund te flasin pa qene anonime, per politiken, per problemet e per qeverine, pa pasur frike se te nesermen do te “keshillohen” a me keq te shkurtohen nga puna.

Se treti, nuk ke per t’u paragjykuar. As per prejardhjen tende siç mund te ndodhte ne çdo vend te Europes, as per pasurine tende siç mund te ndodhte ne çdo cep te Shqiperise, as per mendimet e tua, as per jeten tende. Do te duhet vetem te zbatosh disa rregulla e ligje, por fantastike eshte qe po ato rregulla e ligje i zbatojne pothuajse te gjithe ne ate vend. Pra je e barabarte, ne start njesoj keni qene te gjithe. Te tjerat, varen nga aftesite, durimi, deshira dhe vullneti. Krejt ndryshe nga “diku tjeter”, apo jo? Aq ndryshe sa disa te kthyer nga Amerika, jane asimiluar nga “e keqja”. Apo u ka pelqyer?!

Se katerti, horizonti. Ne vendin tone te bukur, horizontet e tua do te mbylleshin, jo per fajin tend, vetem brenda kryeqytetit, ne xhunglen me te ashper te mbijeteses, qe sa me te bukur ta tregojne, aq me e shemtuar eshte ne te vertete. Njerez qe nuk duan te sillen si te tille, sherbyes publike qe sillen si latifondiste, qytetare qe zgjedhin friken si zezake pambuku, injorante qe shesin filozofi, eskorta qe reklamohen si modele pa ditur ca eshte pasarela, femije “pasunaresh” qe bejne gara me makina 200 mije euro e te cilet policia i nderon, drejtesi qe vetem shkruhet e tille sepse prej 30 vjetesh eshte e padrejte, arsimim qe nis seprapthi qe tek kerrabat e abetares, shendetesi ku vetem shendeti mungon, njerez qe sulmojne per qejf mjekun, mesuesin, policin, ushatarakun, fisnikeri qe zhduket cdo dite e me shpejt, trashegimi pa ADN, kaos dhe simbioza ne cdo cep. Te gjitha keto, dhe me shume akoma ne kryeqytet, prane syrit te vemendshem te kujtdo organizate e institucioni vezhgues e raportues te huaj, qe behet shqiptar aq shpejt sa nuk imagjinohet. Pershkrova me pak fjale Tiranen. Nuk guxoj te pershkruaj qytetet, sepse aty s’ka vije horizonti fare.

Se pesti, ajo qe te derrmon me shume nuk eshte reklama apo nderet qe i bejne sho-shoqit, te njohurve, apo lidhjeve te ndryshme ne ekranet tona televizive, por ajo qe ofrojne si fytyra e mendime te reja; jane kaq mizorisht servile, te perulur, te atrofizuar, te kryetarezuar, te gatshem te shesin fytyren e prapanicen per karriere, e te shiten per me pak se 30 aspra per te nderruar mendim, e te lepijne e kafshojne cdo gje per karrige. Ky eshte shembulli. Nuk ka asnje ndryshim sado te ndryshojne ngjyrat. E ardhmja eshte aq e erret, aq e pasigurte, sa te duket se jeton ne nje ndertese pa themele, me mure rere e me cati betoni. Ka nje lidhje aq te forte mes pushteteve, aq te pathyeshme, aq mafioze, aq te nendheshme e mbidheshme, sa te duket se per ta ciflosur sadopak eshte si t’i biesh me koke murit ne nje spital cmendine me duart e lidhura. Mos me thuaj te merren njerezit me punet e bizneset e tyre, sepse nese do duan te jene te pavarur, do te vije shteti te merret me ta. T’ua nxije jeten deri ne ate pike sa te hyjne me domosdo ne njeren ose tjetren rrjete, nuk ka rendesi, rendesishme eshte te jene brenda “sistemit”. Sepse liria rrezikon sistemin. Sistemin qe ngrihet mbi zinxhiret e injorances, servilizmit, dyfytyresise e karakterit te shformuar.

Se gjashti, askush nuk do te luaje me ate qe te takon, qe meriton, qe fiton. Kjo eshte e sigurte. Ne vendin tone te bukur eshte e sigurte qe kjo nuk ishte aspak e sigurte. Ke degjuar per te drejten e prones? Aty ku studion tani eshte e shenjte. Ne vendin tone te bukur e drejta e prones eshte nxitje per humor. Humor te zi. Po per te drejten e jetes ke degjuar? Vendi yne i bukur i fshehu ata qe u shkaterruan jeten me mijera njerezve. Sot mund te jene kudo. Madje mund te jene duke mbajtur edhe leksione. Mund te jete edhe nje komshi. Po mund te jene edhe duke bere ligje. A eshte e drejte kjo? Nese do te pyesesh aty ku je, do shkaktosh habi dhe zemerim, sepse e drejte e vonuar, e drejte e mohuar; imagjino se cfare eshte e drejta e mohuar perjetesisht. Por ne vendin tone te bukur e kalojme me “te shkuara te harruara”. Mendoje, si mund valle te harroje dikush qe ende nuk e di pse ia arrestuan babane, pse ia degjeneruan nenen, pse ia internuan vellane, pse nuk i dhane shkolle. Eshte nje plage qe e lane te mahisej, dhe sot vetem leshon eren e keqe, por ne nuk e dime se nga vjen, thjesht e ndjejme pa qene te afte ta sherojme.

Se shtati dhe do hyjme paksa me personale, munda egozimin tim prinderor, per te mos rrezikuar nje te neserme ku ti me kerkon llogari: pse me le te studioja ne keto shkolla. Sepse universitetet ne shumice kane degraduar. Nuk ke nevoje te shkosh auditor me auditor, mjafton te ndezesh TV ne darke, ne cdo stacion do prezantohesh me dhjetera pedagoge ne shkolla te ndryshme, qe kur i degjon qan me njerin sy e qesh me tjetrin. Per te ardhur keq. Sa me pompoz ta kene prezantimin, aq me bosh tingellojne. Duket sikur ka marre fund ajo plejada e pedagogeve studioze, shkencetare, kerkues, punetore, modeste (me ka dhene leksione dikur nje i tille, quhej Fatos Baxhaku), autoritare ne zoterimin e lendes, dhe ka ardhur koha e pedagogeve “hajt japim mesim, marrim ndonje lek, dalim dhe ne televizor”. Jo, jo, nuk jane aspak te gjithe keshtu. Por ngaqe ata te miret (shumica eshte e tille) jane te pazeshem, duket sikur nuk ekzistojne. Njeri po nuk i do t’i shfaqe, sepse profesionistet nuk sjellin klikime. U desh nje termet dhe nje pandemi qe te mesojme se egzistojne edhe inxhiniere e doktore shqiptare, jo vetem brenda kufijve, por edhe jashte. Ishim mesuar vetem me emra kriminelesh. Por valle a duhet te presim vetem fatkeqesi per te njohur profesioniste dhe eksperte? Sa te gjenim pergjigjen e kesaj pyetjeje do kishe arritur moshen qe kam une sot.

Se teti, kam krijuar bindjen e forte se vetem me kontaktin kulturor jashte Shqiperise, mund te percjellim sadopak kulture brenda saj. Te pakten ne sjellje. Eshte nje beteje e veshtire, dhe kjo ne fakt eshte lufta qe duhet te beje viktima. Viktimat duhet te jene injorantet qe sundojne, te padenjet qe shfrytezojne varferine per te bere qejfet e tyre, te pangopurit qe gllaberojne cdo gje qe kane mundesi e qe ua kane lene ne ruajtje e mirebesim. Mbi te gjitha viktime duhet te jete frika e njerezve. Duhet vrare frika. Nuk vritet me padituri. Dhe une besoj fort se emigrantet tane, jane leva jone e Arkimedit per te bere ndryshimin e madh. Problemi qe kam me kete “ekuacion” ne koken time, eshte se shqiptaret integrohen aq shpejt kudo qe shkojne, jane kaq te afte te shprehin talentet e tyre te mohuara ne vendin tone te bukur, emancipohen, kulturohen, edukohen, evoluojne aq shpejt, sa vendin e tyre tashme e shohin thjesht si zgavren e xhungles ku linden e u rriten, por qe nuk shohin asnje te ardhme aty. Kjo eshte e dhimbshme, por e verteta. Te pakten edhe per shume vite. Nuk shoh askund deshire, entuziazem, vullnet, fryme qe ta shnderrojne kete zgaver. Njerezit, ata qe e bejne vendin, kane zgjedhur fatkeqesisht te mbijetojne ne shumice, duke pare nepermjet smarteve se si jetojne shfrytezuesit e tyre, bijte, apo kandidatet per shfrytezues.

E nenta, ne vendin tone te bukur ka humbur krejt sensi i mases. Sensi i turpit. Sensi i cipes. Sensi i faqes. Cdo gje e pandershme behet aq hapur, flitet aq lehtesisht, merret aq me te qeshur, kalohet aq lehte, sfumohet aq pabesueshmerisht, saqe arrin nje moment kur do te duket vetja se je jashte kohe. Do te gjendesh para dy mundesive: te pershtatesh, ose te shpallesh i padeshirueshem. Nje gje duket krejt e sigurte: Askush qe ka arritur te perfitoje mbi sensin e mases, paturpesisht mbi sensin e mases, as ka per t’u gjykuar ndonjehere, as ka per te kthyer gje ne arken e qytetareve (shtetit), as do te jete ndonjehere faqeskuqur perballe mjerimit, te shkaktuar edhe nga makuteria. Nese s’me beson, kur te vish do te coj ne Bulqize. Aty eshte thelbi i gjithe ketij 30 vjecari ne Shqiperi, ku pushteti, biznesi, media, kane formuar unitetin e celnikte te perfitimit, mbi kurrizin e kujtdo qe guxon e del nga rreshti.

E dhjeta, nuk krahasoj dot vendin tone te bukur me Ameriken e pamate, e te padyte. Por njerezit patjeter. Ka pasur edhe Amerika kohe te veshtira. Por gjithashtu ka pasur njerez, kurdohere ka pasur njerez, qe kane dashur te ndryshojne gjerat. Dhe keta njerez i kane ndjekur te tjere njerez. E kur krimi dhe korrupsioni shenjonin cdo jete ne perditshmeri, masa ka levizur nga vendi. Ka pasur qeveritare qe kane luftuar dhe nuk kane pranuar nenshtrimin. Ka pasur gazetare qe nuk jane blere e as kane shitur. Ka pasur police qe nuk qanin per rrogen, por hapnin beteja edhe pse e dinin se po hapnin varret e tyre. Jane te tille njerez, antisistem, antiestablishment, qe bejne ndryshimin, qe ndergjegjesojne, qe turperojne madje masen e madhe te pazeshme, duke u vrare friken e duke i kthyer nga qengja ne luane, qofte edhe per nje dite. Sepse ndonjehere mjafton edhe nje dite per te dridhur sistemet. Nuk po flas per heronj. Heroine eshte nje nene e vetme, qe ben dy pune dhe gjen kohe ne darke te luaje me femijet e saj. Jo. Po flas per njerez me guxim. Keta na mungojne. Apo me keqardhshem, i kemi fals.

E fundit na perket vetem ne, eshte plani yne, ashtu si çdo familje ka planin e saj, prandaj nuk po e them me ze te larte. Por gjithsesi, askush nuk do te na e heqe nga zemra vendin tone, ashtu si askush nuk mund te na detyroje te shohim, te rrime, a te frymojme pa bezajte teksa e shqyejne vendin tone. Aq sa mundesi kemi. Lingooo lingooo. / KultPlus.com

Zhgënjimi ndaj Vatikanit dhe letra që Skënderbeu ia dërgoi Papës: Turqit po vijnë, ne nuk gjunjëzohemi

Më poshtë – me pak përshtatje – është punimi i Dhimitri Pilikës, që daton nga janari 1967 dhe që si bosht ka një ndër letrat e Skënderbeut (ndër të paktat që ekzistojnë) , e gjetur mbas pesë shekujsh nga vdekja e tij. Letra është e 8 prillit 1456 dhe i drejtohet Papës në Romë.

Gjatë luftës kundër pushtimeve otomanë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i jepte rëndësi të veçantë zbulimit, kështu që në pranverën e vitit 1456 informohet që një ekspeditë ushtarake ishte nisur drejt trojeve arbërore. Pas mobilizimit të të gjithë shqiptarëve dhe mbështetësve të tij, Skënderbeu – si një strateg vizonar – përpiqet të sigurojë mbështetjen e vendeve të tjera.

Por, ndihma e jashtme nuk mendohej pa aprovimin e Papës në Romë i cili ushtronte një pushtet të padiskutueshëm mbi mbretëritë dhe princërit e Evropës katolike. Për këtë arsye, Skënderbeu nis me urgjencë përfaqësuesin e tij, Pal Dushmanin, por me sa duket Vatikani jo vetëm që tregohet indiferent duke mos iu përgjigjur kërkesave të Skënderbeut dhe duke ju dhënë kohë pushtuesve ti afroheshin trojeve që synonin t’i pushtonin, por nxjerr dhe pengesa për Pal Engjëlln në kthimin e tij në Krujë.

Skënderbeu i zemëruar për këtë sjellje të Vatikanit shtrëngohet të kryejë një protestë jashtëzakonisht energjike duke i dërguar një letër njërit nga këshilltarëve më të ngushtë të Papës Alfonsi të V-të, Kardinalit Dominik Kapranikës. Ky qëndrim mjaft kritik ndaj Vatikanit në këtë letër mund të ketë qënë dhe shkaku i mos publikimit të saj deri më tani.

Teksti i letrës sjell pranë shqiptarëve disa tipare të forta të Skënderbeut, si dinjiteti, krenaria, burrëria, besa dhe vizioni i tij ndërkombëtar, ku shprehet jo vetëm për mbrojtjen e trojeve shqiptare po edhe për të luftuar në ndihmë të vendeve të tjera.

Teksti është si më poshtë :

Shumë i nderuarat dhe zotëri më Krishtin. I shkruaj zotërisë suaj shumë të nderuar që të ketë dijeni mbi ngjarjet që po ndodhin këtej. Turku ka bërë përgatitje jashtëzakonisht të mëdha. Thonë se ai sapo është duke u derdhur me 14.000 turq, ose kundër nesh ose kundër Danubit. Njoftohemi se i është afruar tani kufirit. Me forcat tona po marshojmë kundër tyre.

Prandaj që edhe ne të mundim të mbrohemi edhe turkut vetë t’i shkaktojmë humbje. I lutem me këmbëngulje zotërisë suaj shumë të nderuar të kujdeset së bashku me zotërinë tonë që të më sigurohet ndihma e popujve.

Papo në marrtë armiku rrugën drejt Danubit, ne do t’i qepemi prapa shpine. Por, në ardhtë kundër nesh, ne do t’i rezistojmë.

Të gjithë e dinë se, sikur të hiqet dorë nga plani që pattë përgatitur kundër armikut, kjo është e dëmshme për fenë e krishterë.

Për këtë arsye, shumë i nderuari zotëri, ndërmarrjen e filluar e paçi nën kujdesin tuaj: sepse , përndryshe, turku pak e nga pak po grumbullon forca.

I dërgova shenjtërisë së tij zotërisë sonë përfaqësuesin tim, atin e nderuar zotin kryepeshkop të Krujës. Habitem se për ç’arsye nuk është kthyer dhe se nuk po marr përgjigje që prej kaq kohe.

Prurësi i kësaj letre është miku im shumë i ngushtë zoti Pal Engjëlli, këtë ja u rekomandoj në mënyrë të posaçme, zotëri shumë i nderuar. Mbettë pra zotëria juaj me shëndet, lumturi dhe jetë të gjatë

Lezh më 8 të prillit 1456

Gjergj Kastrioti I quajtur ndryshe Skënderbe

Zot në Arbër, mbështet tek ju

Që nga leximi i kësaj letre bien në sy disa veti të rralla të Gjergj Kastriotit, të këtij simboli të gjithë rezistencave në historinë e njerëzimit: ai nuk e lyp ndihmën, por e kërkon shprehimisht me dinjitet.

Gatishmëria e tij dhe fryma e tij ndërkombëtare kur shprehet i gatshëm të ndihmoj popujt fqinj në rast se e pësonin ata sulmin, vendosmëria e tij e patundur për të pritur pushtuesin, qortimi i hapur dhe trimëror që i përplas ndonëse jo pa takt Selisë së shenjtë në rast se kjo dredhon dhe e ka syrin për të tradhtuar, arsyetimi i pjekur i Skënderbeut, konciz, pa ambiguitet, largpamës, mençuria e thellë e tij, njohja e thellë e situatës politike evropiane, gjakftohtësia, qëndrimi burrëror, i prerë dhe besimi në vetvete shpalosin përpara shqiptarëve një anë jo shumë të njohur të Skënderbeut.

Letra në origjinalin e saj është e shkruajtur latinisht sipas anës formale të protokollit me një formulë të paracaktuar. Ajo I drejtohet një ndër personave më me influencë në Vatikan, Kardinalit Dominik Kaprakinkës, i cili njihej si kritikues i ashpër i Papës dhe të metave të Vatikanit, si dhe njihej si njeri me ide të qarta dhe të prera kundër pushtimit otoman.

Përmbajtja e letrës dhe asaj çka shkruhet aty është e vërtetuar historikisht: përgjatë dimrit të viteve 1455-1456 turqit mblodhën dhjetëra mijë ushtarë nga të gjitha anët e perandorisë osmane dhe ndërtuan në Krushevc të Serbisë mbi lumen Moravë një fabrikë topash.

Kjo ishte veç vala e parë e ushtrisë turke që po lëshohej atë mot me Moisi Golemin në krye kundër trojeve arbërore. Informatat e Skënderbeut mbi numrin e pushtuesve përputhen plotësisht me dokumentet historike të asaj periudhe.

Për të konfirmuar madhështinë epokale të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe rolin e tij me përmasa botërore në ndryshimin e fateve të Evropës, fjalët e Mehmetit të II-të për të: “Sikur të mos ishte lindur Skënderbeu, unë do t’i kisha dhënë për burrë gjirin e Adriatikut republikës së Venedikut, do të kisha vënë çallmën mbi kryet e Papës dhe gjysmëhënën mbi kubenë e Shën Pjetrit”.

Përgatiti: Brizida Gjikondi. / KultPlus.com

Letra rrënqethëse e Oriana Fallaci për fëmijën që nuk e lindi kurrë

Letra e shkrimtares dhe gazetares së njohur italiane drejtuar fëmijës që humbi…

Këtë natë kuptova që ti ishe: një grimcë jete e ardhur nga asgjëja. Po qëndroja me sy hapur në errësirë e papritmas në këtë terr, u ndez një dritë qartësie: ti ishe. Ekzistoje. Qe sikur të ndieja një plumb në gjoks. Më ndaloi zemra.

Kur rinisi të rrihte me goditje të shurdhëta e të hutuara, kuptova se po rrokullisesha në një pus ku gjithçka ishte e paqartë e terrorizuese. Tani jam këtu, e mbyllur me çelës brenda një frike që më lag fytyrën, flokët, mendimet. E në të humbas.

Përpiqu të kuptosh: nuk është frika nga të tjerët. Nuk pyes për të tjerët. Nuk është frika ndaj Zotit. Unë nuk besoj në Zot. Nuk është frikë ndaj dhimbjes. Nuk i trembem dhimbjes. Është frika për ty, ndaj rastësisë që të shkuli nga asgjëja për të të ngjitur në kërthizën time.

Nuk kam qenë kurrë gati për të të pritur, edhe pse të kam kërkuar shumë. Kam shtruar gjithmonë pyetjen mizore: Po sikur të mos i pëlqejë të lindë? Po sikur një ditë ti të më qortoje duke britur: “Kush të tha të më sillje në botë, pse më solle, pse?”

Jeta është një mundim i tillë, mor bir. Është një luftë që përsëritet çdo ditë, e momentet e gëzueshme të saj janë aq të shkurtra e paguajnë një çmim mizor. Si mund ta di se nuk do ishte e drejtë të të hidhja tej, si mund të kuptoj se nuk do t’i rikthehesh heshtjes?

Nuk mundesh të më flasësh. Grimca jote e jetës është veçse një nyje celulash të sapokrijuara. Ndoshta nuk është as jetë, veç mundësi jete. E megjithatë do jepja gjithçka që ti të më ndihmoje me një shenjë, me një sinjal. Nëna ime thotë se unë ia dhashë dikur e prandaj më solli në botë.

Nëna ime, ta dish, nuk më donte. U nisa gabimisht, në një moment zbavitjeje të dikujt. E që të mos lindja çdo natë shkrinte në ujë një ilaç. Më pas e pinte duke qarë. E pi deri në natën kur unë lëviza, brenda kërthizës së saj, e godas më shkelm për t’i thënë mos më hidh tej. Ajo ishte duke vendosur gotën në buzë.

E largon menjëherë duke e derdhur në tokë. Disa muaj më pas unë rrotullohesha fitimtare në diell e se qe mirë apo keq nuk e di. Kur jam e lumtur, mendoj se qe një e mirë, kur jam e palumtur, them se qe një e keqe. Edhe kur jam e palumtur, mendoj se do më vinte keq të mos lindesha, pasi asgjëja është më e keqja e asgjësë.

Unë, po ta përsëris, nuk i trembem dhimbjes. Ajo lind me ne, rritet me ne e me të mësohemi si me faktin se kemi dy krahë e dy këmbë. Unë në fund të fundit nuk i trembem as vdekjes, pasi një që vdes, do të thotë se ka lindur, se ka dalë nga asgjëja. Unë i trembem asgjësë, mosqenies, detyrimit për të thënë se nuk isha, rastësisht, o gabimisht, apo thjesht për zbavitjen e tjetrit.

Shumë gra pyesin: Pse të sjell në botë një fëmijë? Për të pasur uri, për të pasur ftohtë, për t’u tradhtuar, fyer, për të vdekur i vrarë në luftë apo nga sëmundja? E mohojnë shpresën që uria e tij të ngopet, që i ftohti i tij të ngrohet, që besnikëria e respekti të jenë miq, që të jetojë gjatë duke tentuar të eliminojë sëmundjet e luftën.

Ndoshta ato kanë të drejtë. Po asgjëja duhet preferuar ndaj vuajtjes? Unë madje dhe në intervalet kur qaj për falimentimet e mia, deluzionet e mia, hallet e mia, konkludoj se të vuash është më mirë se asgjëja. E po ta shtoj këtë jetë me dilemën lind o nuk lind, përfundoj duke eksklamuar se lindja është më mirë se moslindja.

Si thua, është e drejtë të shtrosh një arsyetim të tillë edhe për ty? Nuk është si të të sjellësh në botë për veten time e mjafton? Nuk më intereson të sjell në botë për vetveten e mjaft. Madje, nuk kam aspak nevojë për ty.

Do të jesh burrë o grua?

Do të doja të ishe grua. Do të doja që ti të provoje një ditë atë që po provoj unë: nuk jam aspak dakord me nënën time që thotë se të lindësh grua është një fatkeqësi. Nëna ime, kur ishte e hidhëruar, pëshpëriste: Ah sikur të kisha lindur burrë!

E di: është një botë e fabrikuar për burrat e për burrat, diktatura e tyre është kaq antike që shkon deri te mënyra e shprehjes. Thuhet burrë për të thënë burrë e grua, thuhet fëmijë për të thënë djalë o vajzë, thuhet bir për të thënë bir o bijë, thuhet vrasës për të treguar një burrë o një grua. Në legjendat që meshkujt kanë krijuar për të shpjeguar jetën, krijesa e parë nuk është një grua, por një burrë i quajtur Adam.

Eva vjen më pas për ta argëtuar e për të krijuar telashe. Në pikturat që zbukurojnë kishat e tyre, Zoti është një plak me mjekër: kurrë një plakushe me flokë të bardhë. E të gjithë heronjtë e tyre janë meshkuj: nga ai Prometeu që zbuloi zjarrin, tek Ikari që tentoi të fluturonte e deri tek Jezusi që e shpallin si biri i Shpirtit të Shenjtë – pothuajse sikur gruaja nga e cila lindi të ishte një inkubatriçe apo një dado.

E MEGJITHATË, PIKËRISHT PËR KËTË TË JESH GRUA ËSHTË KAQ TËRHEQËSE. ËSHTË NJË AVENTURË QË KËRKON KAQ KURAJË, NJË SFIDË QË NUK TË MËRZIT KURRË. DO TË KISHE KAQ GJËRA PËR TË BËRË PO TË LINDJE GRUA.

E për ta nisur do të të duhej të luftoje për të bindur se Zoti, po të ekzistonte, mund të ishte dhe një plakë me flokë të bardhë apo një vajzë e bukur. Më pas do të të duhej të shpjegoje se mëkati nuk lindi në ditën kur Eva këputi mollën: në këtë ditë lindi një virtyt i mrekullueshëm i quajtur mosbindja.

Në fund do të të duhet të luftosh për të demonstruar se brenda trupit tënd të lëmuar e me forma, ndodhet një inteligjencë që ulëret për t’u dëgjuar. Të jesh nënë nuk është një zanat. Nuk është as një detyrë. Është vetëm një e drejtë midis shumë të drejtash. Do të lodhesh shumë duke ulëritur. E shpesh, pothuajse gjithmonë do të humbësh. Por nuk duhet të shkurajohesh.

Të luftosh është shumë bukur se sa të fitosh, të udhëtosh është shumë më argëtuese se sa të mbërrish: kur ke arritur o ke fituar , të kesh është një boshllëk i madh. E për të kapërcyer këtë boshllëk duhet të rifillosh udhëtimin, të krijosh zbulime të reja. Po shpresoj që ti të jesh një grua, pavarësisht se unë të quaj bir. E shpresoj që ti të mos thuash kurrë atë që thotë nëna ime. Unë nuk e kam thënë kurrë.

Po dhe po të lindje burrë, unë do të isha e kënaqur njëlloj. E ndoshta më shumë, sepse do të të kursehen kaq shumë injorime, shumë shërbime, shumë abuzime. Po të lindje burrë për shembull, nuk do kishe frikë se mos të përdhunonin në errësirën e një rruge.

Nuk do të nevojitej një fytyrë e bukur për t’u pranuar me vështrimin e parë, as një trup i bukur për të fshehur inteligjencën. Nuk do t’u nënshtrohesh paragjykimeve dashakeqëse kur të flesh me kë të të pëlqejë, nuk do të dëgjosh të të thuhet se mëkati lindi kur këpute një mollë. Mund të luftosh më rehatisht për të bindur se Zoti dhe po të ekzistonte mund të ishte një plakushe me flokë të bardha ose një vajzë e bukur.

Mund të mos bindesh pa u tallur, të dashurosh pa u zgjuar natën me ndjenjën se po rrokullisesh në një pus, të mbrohesh pa u insultuar. Natyrisht do të të takojnë skllavëri të tjera, padrejtësi të tjera: as dhe për një burrë jeta nuk është as e lehtë, ta dish.

Derisa të kesh muskuj të fortë do të të kërkojnë të mbash sa më shumë pesha, do të imponojnë përgjegjësi arbitrare. Derisa të kesh mjekër, do të qeshin po të qash, madje dhe kur të kesh nevojë për ngrohtësi. Derisa të kesh një bisht para, do të të urdhërojnë të vrasësh ose të vritesh në luftë, do të kërkojnë pjesëmarrjen tënde për të vendosur tiraninë e krijuar në shpella.

E megjithatë apo pikërisht për këtë, të jesh një burrë është gjithashtu një aventurë e mrekullueshme: një detyrë që nuk do të zhgënjejë kurrë. Të paktën shpresoj, pasi po të lindësh burrë, do të jesh një burrë siç unë e kam ëndërruar gjithmonë: i ëmbël me të dobëtit, i egër me prepotentët, zemërgjerë me këdo që të do të mirën, i pamëshirshëm me atë që të urdhëron.

E në fund, armik i cilitdo që tregon se Jezusi është biri i Babait të Shpirtit të Shenjtë, e jo i gruas që e lindi. Biri im, po përpiqem të të shpjegoj se të jesh burrë nuk do të thotë të kesh një bisht para, do të thotë të jesh një person. E mbi të gjitha mua më intereson të jesh një person. Është një fjalë e mrekullueshme fjala person, pasi nuk vë limite midis burrit e gruas, nuk vë barrikada midis kush ka bisht e kush jo.

Nga ana tjetër filli që ndan kush ka bisht e kush jo është një fill aq i hollë, që praktikisht shprehet me aftësinë e pjekurisë o jo të një krijese në kërthizë. Zemra e truri nuk kanë seks. As sjellja.

Po të jesh një person me zemër e tru, mbaj mend se unë nuk do të jem nga ata që do të urdhërojnë të sillesh në këtë mënyrë a në tjetrën, femër a mashkull qofsh. Do të të kërkoj vetëm të shfrytëzosh mirë mrekullinë e ardhjes në jetë, të mos i dorëzohesh kurrë frikës. Është një shtazë përherë në pritë, frika.

Na kafshon të gjithëve, çdo ditë e janë pak ata që nuk lejojnë të kafshohen nga ajo. Në emër të kujdesit, të komoditetit e të herë dhe të urtësisë. Frikësohen kur kërcënohen nga rreziku e sapo ai largohet, njerëzit bëhen arrogantë. Nuk duhet të shmangësh kurrë rrezikun, edhe kur frika të frenon. Të vish në jetë është vetë një rrezik i pendimit se pse ke ardhur.

NË VEND TË FRIKËS UNË NDIEJ NJË LLOJ MELANKOLIE, NJË LLOJ PAKËNAQËSIE QË ZBEH EDHE HUMORIZMIN TIM. MË VJEN KEQ TË VDES, PO. E NUK HARROJ KURRË ATË ÇKA MË THËNË ANA MAGNANI VITE MË PARË: “ORIANA IME, NUK ËSHTË E DREJTË TË VDESËSH, MEQENËSE KEMI LINDUR”. /KultPlus.com

Letra që sqaron momentet e fundit të Ali Pashës: fjalët që tha dhe gjuajta me pistoletë

Nga Aurenc Bebja 

“Le Constitutionnel” ka botuar, të hënën e 25 marsit 1822, në ballinë, një shkrim në lidhje me sqarimin e momenteve të fundit të Ali Pashës nëpërmjet letrave të dëshmitarëve okularë të Janinës, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Ali Pasha ra më 5 shkurt, pas një mbrojtjeje me kokëfortësi prej më shumë se tetëmbëdhjetë muajve. Këtu po ju sjellim një përmbledhje të saktë të shkaqeve që i paraprinë katastrofës së tij, dhe ngjarjeve që e shoqëruan atë. Pas disa rrëfimeve kontradiktore të përhapura këtu në lidhje me këto ngjarjet e fundit, ne kemi marrë disa letra të dëshmitarëve okularë nga Janina, të cilat përputhen plotësisht mbi detajet e dhëna.

Rreth fundit të vjeshtës së kaluar, Thahir-Abbas (Tahir Abazi), një shqiptar mysliman dhe ish-oficer i Ali Pashës, ishte revoltuar me disa nga vëllezërit e tij të tjerë kundër Portës dhe u bashkua me suljotët në favor të zotit të tij. Agjentët e qeverisë lakmitare, dhe e cila, për fat të keq të Greqisë, është vendosur prej disa kohësh në rrethinat e saj, u shqetësuan mjaft për këtë ndryshim të shpejtë dhe të papritur.

Kur më vonë udhëheqësit shqiptarë të popujve myslimanë të Epirit dërguan disa deputetë në kongresin e Argos-it për të bashkuar përfundimisht fatin dhe interesat e tyre me ato të grekëve, këta agjentë u alarmuan aq shumë nga kjo rezolutë sa nuk mund të qëndronin, më gjatë, spektatorë, dhe pa u vonuar, bashkuan përpjekjet e politikës së tyre me armaturat myslimane. Ata arritën kështu të bindnin shqiptarët se projekti i grekëve ishte që të shkatërronin sa më shpejt që të mundnin Ali Pashën, të cilit ata kurrë nuk do t’i falnin bezdisjet e së kaluarës, dhe më pas të shfarosnin popujt shqiptarë, gjendja shpirtërore e të cilëve gjithmonë do t’u shkaktonte atyre hije.

Chouschrid Pasha (Hurshid ose Hurshit), më vete, këshillohej nga njëra anë nga këta agjentë, dhe duke parë nga ana tjetër pamundësinë e nënshtrimit të Ali Pashës me armë, përdori si mjet tradhtinë. Ai bëri disa lëshime ndaj Thahir-Abbas-it (Tahir Abazit) dhe kolegut të tij Hagos-Mouhourdar (Hagos Muhurdar), duke u premtuar atyre në emër të sulltanit se do t’i emëronte, të parin pasha të Janinës dhe të dytin pasha të Delvinës, duke emëruar kështu Omer Vrionin, pasha i këtij qyteti të fundit, në pashallikun e Beratit. Që ata t’i besonin, ai dërgoi nga Kostandinopoja një letër dënimi për Ismaïl-Pachobey-n (Ismail Pasho beun), pashain e Janinës, dhe Hysen Pashën, pashain e Beratit, të cilëve, të strehuar me sa duket në Selanik, u prenë kokat në Mezovon (Metsovo), një qytet dhjetë vende larg Janinës.

Kjo masë pati efektin e saj; Thahir-Abbas-i (Tahir Abazi) vuri re vënien në ekzekutim të premtimeve të serasqerit Chouschrid (Hurshid); dhe, pasi shkëmbeu disa pengje me të, ai arriti në Janinë. Duke qenë ndërmjetës midis turqve dhe ish-zotit (pronarit) të tij për të propozuar një marrëveshje, ai u prit me besim në fortesën e këtij të fundit, dhe pati disa takime me të. Ndërsa Ali Pasha i shtynte propozimet turke, ai përfitoi nga vizitat e tij në kala, dhe mori kontrollin e garnizonit që më parë kishte qenë nën urdhërat e tij, dhe tek i cili kishte ende një vetëbesim të madh; garnizoni kaloi në anë të tij dhe dorëzoi vendin.

Kështjella ra kështu në duart e turqve, Ali Pasha u tërhoq me rreth njëqind e dyzet burra në Esocastron (fortesë e brendshme), ku ai deklaroi se në fund të fundit do të hidhte në erë fortesën me të gjitha thesaret e saj. Turqit, të informuar për vendimin e tij, pas disa bisedimesh, i dërguan një konventë (kontratë) të mbuluar me firmat (nënshkrimet) e të gjithë pashallarëve, bejlerëve dhe oficerëve që gjendeshin në Janinë, dhe në të cilën, ata i betuan atij, mbi profetin, mbi kokën e Sulltanit dhe mbi besimin e tyre si myslimanë sunitë (ortodoksë), një tërheqje të ndershme, gëzimin e pasurisë së tij, dhe të gjithë sigurinë dhe mbrojtjen e Portës së Lartë.

Ali Pasha, duke parë këto nënshkrime të shumta, e la veten të tundohej për një moment. U ra dakord që vendi i tërheqjes së tij të ishte kalaja e Gjirokastrës. Kështu, pasi la oficerin e tij më besnik në krye të garnizonit të tij të vogël në fortesë, u nis, më 1 shkurt, bashkë me gjashtë bashkëpunëtorët e tij, për në kalanë e Ile du Lac (Ishullit të Liqenit), e cila ishte ende nën urdhërat e tij.

Atje, ai u ftua nga serasqeri të dorëzonte fortesën para se të nisej për në destinacionin e tij. Ndërsa ish-satrapi hezitonte ende, atij iu dërgua një konventë e dytë, e mbushur me një numër më të madh nënshkrimesh, dhe në të cilën i premtonin të njëjtin besim. Atëherë, ai nxorri nga xhepi një palë tespihe dhe i dërgoi në kalanë e tij. Pas kësaj shenje që kishin rënë dakord, oficeri shqiptar dorëzoi vendin, por kur turqit hynë i prenë kokën.

Në të njëjtën kohë, Hasan Pasha, i shoqëruar nga shpatëmbajtësi i Chouschrid Pashës (Hurshid Pashës), shkoi me 60 burra në ishull dhe i paraqiti Ali Pashës letrën e sulltanit. Kur ky i fundit vuri re se në vend të letrës së faljes që i ishte premtuar, i kishin sjellë atij vetëm një letër dënimi me vdekje, ai kapi një pistoletë : “Dhe ju që shkelni betimet tuaja në mënyrë tradhëtare, tha ai, kujtoni se Aliu është një grua ?” dhe duke folur kështu, ai qëlloi mbi Hasan Pashën dhe e plagosi. Me një të shtënë të dytë, ai vrau një oficer të pashait. Gjashtë oficerët e tij ndoqën shembullin e tij; ata vranë dymbëdhjetë turq, plagosën disa dhe humbën jetën ndërsa po luftonin. Koka e Ali Pashës u transportua më pas, e shfaqur në portën e kalasë së madhe, gjatë gjithë ditës së 6 shkurtit, dhe të nesërmen u dërgua në Kostandinopojë. I tillë ishte fundi i satrapit shqiptar, i cili u ther, por nuk u mund.

Letrat e fundit nga Janina na tregojnë se Chouschrid Pasha (Hurshid Pasha) u largua nga ky qytet më 13 shkurt me trupat e tij, duke u nisur për në Mezovon (Metsovo); ndoshta për të pushtuar paradat e Pindit, dhe për të favorizuar kalimin e thesareve të Ali Pashait. Ai ia dorëzoi Omer Vrionit komandën e Epirit, i cili është në krye të shqiptarëve.

Të njëjtat letra tregojnë se Chouschrid Pashën (Hurshid Pashën) e kanë larguar nga posti i tij i serasqerit, dhe duhet të shkojë në Kostandinopojë për të dhënë llogari për paratë e Ali Pashës. Nuk do të ishte e pamundur që ai të përjetojë fatin e paraardhësit të tij Pasho Beut, të cilit iu pre koka disa ditë para Ali Pashës, armikut të tij të betuar.

Disa njerëz vlerësojnë thesaret e Aliut të një shume prej 250 milionësh; disa të tjerë nuk mendojnë se arrijnë 100 milionëshin; por disa persona, që pretendojnë se janë më të arsimuar (ditur), sigurojnë që thesaret e tij të mëdha janë gruposur dhe fshehur, dhe se satrapi i mjerueshëm mbante vetëm një pjesë të vogël pranë tij. / KultPlus.com

https://www.darsiani.com/la-gazette/le-constitutionnel-1822-letrat-e-deshmitareve-okulare-nga-janina-na-sqarojne-momentet-e-fundit-te-ali-pashes-fjalet-qe-tha-gjuajtja-me-pistolete/

Letra emocionuese që Abraham Lincoln i dërgoi mësuesit të djalit të tij

Kjo është letra që presidenti amerikan Abraham Lincoln i drejtoi mësuesit të djalit të tij në fillim të shkollës. Një letër që duhet lexuar për të kuptuar jetën dhe mësimet që janë të rëndësishme tek fëmijët.

Letra e plotë:

Mësues i nderuar.
Djali im sot e fillon shkollën.

Pas pak, gjithçka do të jetë për të e re dhe e çuditshme, prandaj do të doja ta trajtonit butësisht. Është një aventurë që ai do ta marrë me vete nëpër të gjitha kontinentet. Të tilla aventura që ndoshta mund të përfshijnë luftëra, tragjedi dhe fatkeqësi. Ta jetosh këtë jetë, të duhet besim, dashuri dhe kurajo.

Për këtë, i dashur mësues, do t’ju lutesha ta merrnit përdore e t’i mësoni gjëra që do t’i duhen t’i dijë, mësojeni atë, por butësisht, nëse mundeni.
Mësojeni se për çdo armik, ekziston një mik.

Atij do t’i duhet të mësojë se jo të gjithë njerëzit janë të drejtë, dhe jo të gjithë njerëzit janë të sinqertë.

Megjithatë mësojeni se për çdo faqezi ka një hero dhe se për çdo politikan egoist, jeton një lider i përkushtuar.

Mësojeni nëse mundeni se 10 centë të fituar kanë shumë më tepër vlerë se një dollar i gjetur. Në shkollë, mësues, është shumë më e ndershme të dështosh se të mashtrosh.

Mësojeni atë si të humbë hijshëm, dhe si t’i gëzohet fitores kur ai fiton.

Mësojeni të jetë i mirë, me njerëzit e mirë, dhe i ashpër me njerëzit e ashpër. Mundohuni t’i qëndrojë sa më larg zilisë, nëse do të mundeni dhe mësojani sekretin e një buzëqeshjeje të çiltër.

Mësojeni po të jetë e mundur, si të qeshë kur të jetë i trishtuar, dhe se të derdhësh lotë nuk është aspak turp.
Mësojeni ti përqeshë cinikët.

Mësojeni nëse mundeni të zbulojë mrekullinë e leximit të librave, por gjithashtu i jepni edhe kohën e mjaftueshme për të kundruar misterin e përjetshëm të fluturimit të zogjve në qiell, të bletëve në diell e të luleve mbi një kodër të gjelbëruar.

Mësojeni të ketë besim në idetë e tij edhe nëse të gjithë do ti thonë se janë të gabuara.

Mundohuni t’i mësoni birit tim forcën për mos e ndjekur turmën edhe kur të gjithë vrapojnë pas fitimtarit.

Mësojeni të dëgjojë me vëmendje çdo njeri, por gjithashtu të shoshisë të gjithë atë që dëgjonte në sitën e së vërtetës dhe të marrë veç të mirën.

Mësojani atij se si të shesë talentin dhe zgjuarsinë e tij tek ofertuesi më i lartë, por mos të pranojë kurrë asnjë lloj çmimi për shpirtin e zemrën.

Lejojeni të ketë kurajo për të qenë i padurueshëm. Lejojeni të ketë durimin për të qenë trim.

Mësojeni atë të ketë besim sublim te vetvetja, sepse atëherë ai do të ketë gjithmonë besim sublim në njerëzimin dhe në ZOTIN. Këto janë kërkesat, mësues, por ju bëni
më të mirën që mundeni. Ai është fëmijë i vogël dhe i mire DHE ËSHTË BIRI IM

Me respekt
Abraham Lincoln. / KultPlus.com

Letrat më të famshme të dashurisë

Vincent Van Gogh, artisti i famshëm holandez i shkruan Theos, vëllait të tij, duke i përshkruar dashurinë për kushërirën e tij Kee, e cila nuk e pranoi kurrë, 1881

“I dashur Theo. Jeta është bërë shumë e dashur për mua, dhe jam shumë i lumtur që kam rënë në dashuri. Jeta ime dhe dashuria ime tani janë një. “Por ti je përballur me një ‘kurrën e kurrës’, më përgjigjesh ti. Përgjigjja ime për ty është: “Çunak i vjetër, tani për tani unë shikoj në ‘kurrën e kurrës’ një bllok akulli, të cilën zemra ime mund ta shkrijë.”


Mark Twain, letër për Olivia Langdonin – bashkëshorten e tij të ardhshme, 1869

“Përtej thellësive të zemrës sime të lumtur rrjedh një rrymë dashurie dhe lutjeje për këtë thesar të paçmuar që i është lënë në mirëbesim gjithë jetës sime. Ti nuk mund t’i shohësh valët e saj të pakapshme që rrjedhin drejt teje, e dashur, por në këto rreshta ti do ta dëgjosh valëzimin e largët të sipërfaqes.”


Shkrimtari rus, Leo Tolstoy, për të fejuarën e tij Valeria Arsenev, 1856

“Tashmë unë dashuroj bukurinë tënde, por ky është vetëm fillimi i dashurisë në ty në atë çfarë është e përjetshme në zemrën dhe shpirtin tënd. Për bukurinë, njerëzit mund të bien në dashuri brenda një ore, dhe po aq shpejt kjo dashuri mund të mbarojë. Por shpirtin, njerëzit duhet të mësojnë ta njohin.

Besomë, asgjë në botë nuk fitohet pa punë, madje as dashuria, ndjenja më e bukur dhe më e natyrshme.”


Johann Wolfgang von Goethe u njoh me Charlotte von Steinin, në vitin 1775, teksa jetonte në Vajmar. Ajo u bë frymëzimi për shumë heroina të veprave të tij, si dhe bashkëshortja e tij, 1784

“Letrat e mia duhet të kenë treguar se sa i dashuruar jam. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe çdo vend i bukur që shoh ma shton dëshirën që ti të ishe aty. Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për afërsinë ndaj teje, prezenca jote nuk largohet asnjëherë. Në ty, unë kam masën e çdo gruaje, për çdo njeri. Në dashurinë tënde, kam masën e gjithçkaje. Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi, dashuria jote ma qartëson. Kuptoj qartë se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh. Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato. Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë. Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë.”


James Joyce i shkruan të dashurës që do të bëhet gruaja e tij, disa muaj takimit, 1904

“E dashura ime Nora. Thjesht, më ka goditur. Erdha në 11 e gjysmë. Që atëherë jam i ulur në një karrige të thjeshtë si i budallepsur. S’mund të bëj asgjë. Nuk dëgjoj asgjë tjetër, përveç zërit tënd. Jam si një budalla duke të dëgjuar ty që më thua “i dashur”. Ofendova dy burra sot, duke i lënë në të ftohtë. Doja të dëgjoja zërin tënd, jo të tyrin. Kur jam me ty e lë mënjanë natyrën time përçmuese dhe dyshuese. Do të doja të ndjeja kokën tënde në shpatullat e mia. Besoj tani do shkoj në krevat. Kam gjysmë ore duke shkruar këtë letër. Do të më shkruash diçka? Shpresoj që po. Si do ta nënshkruaj emrin tim? Nuk do ta nënshkruaj fare, sepse nuk di çfarë të nënshkruaj.”


Shkrimtari francez Honore de Balzac, letër për konteshën polake Ewelina Hanska, 1836

“Engjëlli im i dashur. Po çmendem për ty, aq sa një njeri mund të çmendet. Nuk mund t’i bëj bashkë dy ide pa qenë ti në mes të tyre. Tashmë s’mendoj dot asgjë për ty. Pavarësisht nga dëshira ime, imagjinata më sjell tek ty. Të shtrëngoj, të puth, kujdesem për ty, një mijë përkujdesje dashurie më kapin. Sa për zemrën time, aty do jesh gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme të të pasurit ty atje. Por, Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja? Kjo është mania që më ka terrorizuar këtë mëngjes. Çohem çdo moment duke i thënë vetes: “Hajde të shkojmë atje”. Më pas, ulem përsëri nga detyrimet e mia. Është një konflikt i frikshëm. Kjo s’është jetë. S’kam qenë kurrë më parë kështu. Ti ke gllabëruar gjithçka. Ndjehem i budallepsur dhe i lumtur sapo mendoj për ty. Sillem vërdallë në një ëndërr të këndshme në të cilën në një moment jetoj mijëra vjet. Çfarë situate e tmerrshme! I mbuluar me dashuri, duke ndjerë dashuri në çdo gjë, por, duke jetuar vetëm për dashurinë, duke parë veten të konsumuar nga brengat, e gjej veten të kapur në njëmijë rrjeta merimangash. O, Evë e dashur, ti nuk e di. E mora kartolinën tënde. Është këtu para meje dhe unë flas me ty sikur t’i të ishe aty. Të pashë ty, si dje, të bukur, mahnitërisht të bukur. Dje, gjatë gjithë mbrëmjes i thashë vetes sime “ajo është e imja!” Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, siç isha unë dje!”


Mbreti Henry VIII i Anglisë u divorcua nga bashkëshortja e tij Chatherine, për t’u martuar me Anne Boleyn, 1528

“E dashura dhe shoqja ime. Unë dhe zemra ime e vendosim veten tonë në duart e tua, duke t’u lutur që ti të kujdesesh për ne me mirësinë tënde dhe të mos lesh mungesën të zvogëlojë dashurinë tënde për ne. Për mua sëmbimi që më shkakton mungesa është shumë i madh, dhe kur mendoj për rritjen e asaj që më bën të vuaj, do të ishte krejt e patolerueshme nëse s’do ishte shpresa ime e vazhdueshme për të pandryshueshmen dashurinë tënde.”


Shkrimtari i famshëm francez, Gustave Flaubert. i shkruan bashkëshortes së tij, Louise Colet, 1846

“Do të të mbuloj me dashuri kur të të shoh herën tjetër. Me përkujdesje, me ekstazë. Dua të të mbush me gjithë gëzimet e mishit, aq sa ty të të bjerë të fikët e të vdesësh. Dua që ti të mahnitesh nga unë, dhe t’i thuash vetes tënde që as nuk i ke ëndërruar ngazëllime të tilla… Kur të plakesh, dua që ti t’i kujtosh ato pak orë. Dua që kockat e tua të thata të mbushen me gëzim kur të mendosh për to.”


Dramaturgu irlandez, George Bernard Shaw, aktores Beatrice Campbell së cilës i drejtohet me pseudonimin “Stella”, 1913

“Për Stelën,

Dua vagabondin zuzar brenda meje,

Dua zonjën time të errët

Dua engjëllin tim, joshjen time

Dua dritën e shtatë llambave: të bukurisë, të nderit, të qeshurës, të muzikës, të dashurisë, të jetës dhe të pavdekshmes…

Dua frymëzimin tim, marrëzinë time, gëzimin tim

hyjninë brenda meje, çmendurinë time, egoizmin tim

mendjen time të shëndoshë, shenjtërimin tim,

shpërfytyrimin tim, purfifikimin tim,

dritën time në mes të detit,

palmën time në mes të shkretëtirës

kopshtin tim me lulet e dashura

një mijë gëzimet e mia të paemërta

dërdëllitjet e mia të ditës,

ëndrrat e mia të natës

të dashurën time dhe yllin tim…”

Letra e shkrimtares dhe gazetares së njohur italiane drejtuar fëmijës që humbi

Këtë natë kuptova që ti ishe: një grimcë jete e ardhur nga asgjëja. Po qëndroja me sy hapur në errësirë e papritmas në këtë terr, u ndez një dritë qartësie: ti ishe. Ekzistoje. Qe sikur të ndieja një plumb në gjoks. Më ndaloi zemra.

Kur rinisi të rrihte me goditje të shurdhëta e të hutuara, kuptova se po rrokullisesha në një pus ku gjithçka ishte e paqartë e terrorizuese. Tani jam këtu, e mbyllur me çelës brenda një frike që më lag fytyrën, flokët, mendimet. E në të humbas.

Përpiqu të kuptosh: nuk është frika nga të tjerët. Nuk pyes për të tjerët. Nuk është frika ndaj Zotit. Unë nuk besoj në Zot. Nuk është frikë ndaj dhimbjes. Nuk i trembem dhimbjes. Është frika për ty, ndaj rastësisë që të shkuli nga asgjëja për të të ngjitur në kërthizën time.

Nuk kam qenë kurrë gati për të të pritur, edhe pse të kam kërkuar shumë. Kam shtruar gjithmonë pyetjen mizore: Po sikur të mos i pëlqejë të lindë? Po sikur një ditë ti të më qortoje duke britur: “Kush të tha të më sillje në botë, pse më solle, pse?”

Jeta është një mundim i tillë, mor bir. Është një luftë që përsëritet çdo ditë, e momentet e gëzueshme të saj janë aq të shkurtra e paguajnë një çmim mizor. Si mund ta di se nuk do ishte e drejtë të të hidhja tej, si mund të kuptoj se nuk do t’i rikthehesh heshtjes?

Nuk mundesh të më flasësh. Grimca jote e jetës është veçse një nyje celulash të sapokrijuara. Ndoshta nuk është as jetë, veç mundësi jete. E megjithatë do jepja gjithçka që ti të më ndihmoje me një shenjë, me një sinjal. Nëna ime thotë se unë ia dhashë dikur e prandaj më solli në botë.

Nëna ime, ta dish, nuk më donte. U nisa gabimisht, në një moment zbavitjeje të dikujt. E që të mos lindja çdo natë shkrinte në ujë një ilaç. Më pas e pinte duke qarë. E pi deri në natën kur unë lëviza, brenda kërthizës së saj, e godas më shkelm për t’i thënë mos më hidh tej. Ajo ishte duke vendosur gotën në buzë.

E largon menjëherë duke e derdhur në tokë. Disa muaj më pas unë rrotullohesha fitimtare në diell e se qe mirë apo keq nuk e di. Kur jam e lumtur, mendoj se qe një e mirë, kur jam e palumtur, them se qe një e keqe. Edhe kur jam e palumtur, mendoj se do më vinte keq të mos lindesha, pasi asgjëja është më e keqja e asgjësë.

Unë, po ta përsëris, nuk i trembem dhimbjes. Ajo lind me ne, rritet me ne e me të mësohemi si me faktin se kemi dy krahë e dy këmbë. Unë në fund të fundit nuk i trembem as vdekjes, pasi një që vdes, do të thotë se ka lindur, se ka dalë nga asgjëja. Unë i trembem asgjësë, mosqenies, detyrimit për të thënë se nuk isha, rastësisht, o gabimisht, apo thjesht për zbavitjen e tjetrit.

Shumë gra pyesin: Pse të sjell në botë një fëmijë? Për të pasur uri, për të pasur ftohtë, për t’u tradhtuar, fyer, për të vdekur i vrarë në luftë apo nga sëmundja? E mohojnë shpresën që uria e tij të ngopet, që i ftohti i tij të ngrohet, që besnikëria e respekti të jenë miq, që të jetojë gjatë duke tentuar të eliminojë sëmundjet e luftën.

Ndoshta ato kanë të drejtë. Po asgjëja duhet preferuar ndaj vuajtjes? Unë madje dhe në intervalet kur qaj për falimentimet e mia, deluzionet e mia, hallet e mia, konkludoj se të vuash është më mirë se asgjëja. E po ta shtoj këtë jetë me dilemën lind o nuk lind, përfundoj duke eksklamuar se lindja është më mirë se moslindja.

Si thua, është e drejtë të shtrosh një arsyetim të tillë edhe për ty? Nuk është si të të sjellësh në botë për veten time e mjafton? Nuk më intereson të sjell në botë për vetveten e mjaft. Madje, nuk kam aspak nevojë për ty.

Do të jesh burrë o grua?

Do të doja të ishe grua. Do të doja që ti të provoje një ditë atë që po provoj unë: nuk jam aspak dakord me nënën time që thotë se të lindësh grua është një fatkeqësi. Nëna ime, kur ishte e hidhëruar, pëshpëriste: Ah sikur të kisha lindur burrë!

E di: është një botë e fabrikuar për burrat e për burrat, diktatura e tyre është kaq antike sa që shkon deri te mënyra e shprehjes. Thuhet burrë për të thënë burrë e grua, thuhet fëmijë për të thënë djalë o vajzë, thuhet bir për të thënë bir o bijë, thuhet vrasës për të treguar një burrë o një grua. Në legjendat që meshkujt kanë krijuar për të shpjeguar jetën, krijesa e parë nuk është një grua, por një burrë i quajtur Adam.

Eva vjen më pas për ta argëtuar e për të krijuar telashe. Në pikturat që zbukurojnë kishat e tyre, Zoti është një plak me mjekër: kurrë një plakushe me flokë të bardhë. E të gjithë heronjtë e tyre janë meshkuj: nga ai Prometeu që zbuloi zjarrin, tek Ikari që tentoi të fluturonte e deri tek Jezusi që e shpallin si biri i Shpirtit të Shenjtë – pothuajse sikur gruaja nga e cila lindi të ishte një inkubatriçe apo një dado.

E MEGJITHATË, PIKËRISHT PËR KËTË TË JESH GRUA ËSHTË KAQ TËRHEQËSE. ËSHTË NJË AVENTURË QË KËRKON KAQ KURAJË, NJË SFIDË QË NUK TË MËRZIT KURRË. DO TË KISHE KAQ GJËRA PËR TË BËRË PO TË LINDJE GRUA.

E për ta nisur do të të duhej të luftoje për të bindur se Zoti, po të ekzistonte, mund të ishte dhe një plakë me flokë të bardhë apo një një vajzë e bukur. Më pas do të të duhej të shpjegoje se mëkati nuk lindi në ditën kur Eva këputi mollën: në këtë ditë lindi një virtyt i mrekullueshëm i quajtur mosbindja.

Në fund do të të duhet të luftosh për të demonstruar se brenda trupit tënd të lëmuar e me forma, ndodhet një inteligjencë që ulëret për t’u dëgjuar. Të jesh nënë nuk është një zanat. Nuk është as një detyrë. Është vetëm një e drejtë midis shumë të drejtash. Do të lodhesh shumë duke ulëritur. E shpesh, pothuajse gjithmonë do të humbësh. Por nuk duhet të shkurajohesh.

Të luftosh është shumë bukur se sa të fitosh, të udhëtosh është shumë më argëtuese se sa të mbërrish: kur ke arritur o ke fituar , të kesh është një boshllëk i madh. E për të kapërcyer këtë boshllëk duhet të rifillosh udhëtimin, të krijosh zbulime të reja. Po shpresoj që ti të jesh një grua, pavarësisht se unë të quaj bir. E shpresoj që ti të mos thuash kurrë atë që thotë nëna ime. Unë nuk e kam thënë kurrë.

Po dhe po të lindje burrë, unë do të isha e kënaqur njëlloj. E ndoshta më shumë, sepse do të të kursehen kaq shumë injorime, shumë shërbime, shumë abuzime. Po të lindje burrë për shembull, nuk do kishe frikë se mos të përdhunonin në errësirën e një rruge.

Nuk do të nevojitej një fytyrë e bukur për t’u pranuar me vështrimin e parë, as një trup i bukur për të fshehur inteligjencën. Nuk do t’u nënshtrohesh paragjykimeve dashakeqëse kur të flesh me kë të të pëlqejë, nuk do të dëgjosh të të thuhet se mëkati lindi kur këpute një mollë. Mund të luftosh më rehatisht për të bindur se Zoti dhe po të ekzistonte mund të ishte një plakushe me flokë të bardha ose një vajzë e bukur.

Mund të mos bindesh pa u tallur, të dashurosh pa u zgjuar natën me ndjenjën se po rrokullisesh në një pus, të mbrohesh pa u insultuar. Natyrisht do të të takojnë skllavëri të tjera, padrejtësi të tjera: as dhe për një burrë jeta nuk është as e lehtë, ta dish.

Derisa të kesh muskuj të fortë do të të kërkojnë të mbash sa më shumë pesha, do të imponojnë përgjegjësi arbitrare. Derisa të kesh mjekër, do të qeshin po të qash, madje dhe kur të kesh nevojë për ngrohtësi. Derisa të kesh një bisht para, do të të urdhërojnë të vrasësh ose të vritesh në luftë, do të kërkojnë pjesëmarrjen tënde për të vendosur tiraninë e krijuar në shpella.

E megjithatë apo pikërisht për këtë, të jesh një burrë është gjithashtu një aventurë e mrekullueshme: një detyrë që nuk do të zhgënjejë kurrë. Të paktën shpresoj, pasi po të lindësh burrë, do të jesh një burrë siç unë e kam ëndërruar gjithmonë: i ëmbël me të dobëtit, i egër me prepotentët, zemërgjerë me këdo që të do të mirën, i pamëshirshëm me atë që të urdhëron.

E në fund, armik i cilitdo që tregon se Jezusi është biri i Babait të Shpirtit të Shenjtë, e jo i gruas që e lindi. Biri im, po përpiqem të të shpjegoj se të jesh burrë nuk do të thotë të kesh një bisht para, do të thotë të jesh një person. E mbi të gjitha mua më intereson të jesh një person. Është një fjalë e mrekullueshme fjala person, pasi nuk vë limite midis burrit e gruas, nuk vë barrikada midis kush ka bisht e kush jo.

Nga ana tjetër filli që ndan kush ka bisht e kush jo është një fill aq i hollë, që praktikisht shprehet me aftësinë e pjekurisë o jo të një krijese në kërthizë. Zemra e truri nuk kanë seks. As sjellja.

Po të jesh një person me zemër e tru, mbaj mend se unë nuk do të jem nga ata që do të urdhërojnë të sillesh në këtë mënyrë a në tjetrën, femër a mashkull qofsh. Do të të kërkoj vetëm të shfrytëzosh mirë mrekullinë e ardhjes në jetë, të mos i dorëzohesh kurrë frikës. Është një shtazë përherë në pritë, frika.

Na kafshon të gjithëve, çdo ditë e janë pak ata që nuk lejojnë të kafshohen nga ajo. Në emër të kujdesit, të komoditetit e të herë dhe të urtësisë. Frikësohen kur kërcënohen nga rreziku e sapo ai largohet, njerëzit bëhen arrogantë. Nuk duhet të shmangësh kurrë rrezikun, edhe kur frika të frenon. Të vish në jetë është vetë një rrezik i pendimit se pse ke ardhur.

NË VEND TË FRIKËS UNË NDIEJ NJË LLOJ MELANKOLIE, NJË LLOJ PAKËNAQËSIE QË ZBEH EDHE HUMORIZMIN TIM. MË VJEN KEQ TË VDES, PO. E NUK HARROJ KURRË ATË ÇKA MË THËNË ANA MAGNANI VITE MË PARË: “ORIANA IME, NUK ËSHTË E DREJTË TË VDESËSH, MEQENËSE KEMI LINDUR”.

“Dashuria e shndërron mirënjohjen në përkushtim”

Martin Heidegger i shkruan Hannah Arendt

“E fortdashur Hannah!

Cila të jetë vallë arsyeja që dashuria na shpërfaqet shumë herë më e pasur sesa tërë përvoja njerëzore dhe një gllabërim i ëmbël për tërë ata që kanë rënë në kurthin e saj? Sepse bëhemi ajo çka dashurojmë, duke mbetur në të njëjtën kohë vetvetja.

Kjo është arsyeja përse herëpashershëm ndjejmë dëshirën e zjarrtë që ta falenderojmë me të tërë të qenëshmen tonë njeriun që dashurojmë; porse, në fund, dashur pa dashur vërejmë se si kjo nuk mjafton aspak.

E vetmja mënyrë është të falenderojmë me tërë thelbin dhe thellësinë e vetvetes tonë. Dashuria e shndërron mirënjohjen në një përkushtim dhe vlerësim të vetvetes dhe, në të njëjtën kohë, në një besim pa kushte ndaj tjetrit. Kjo është edhe forma se si dashuria e dëndëson fuqimisht të fshehtën e saj…

I yti”
M /KultPlus.com

Letra e Dritëro Agollit për Sadijen 10 ditë para dasme: Meqë të njoh aq mirë, nuk më duket e çuditshme dita e dasmës

Në korrik të vitit 1965, ata u lidhën në martesë. Më në fund ‘e kandisi’ta merrte në shtëpi shkodranen. Vetëm 10 ditë përpara dasme, Dritëro Agolli i shkruan të dashurës së zemrës.

Letra:

E dashur Sadije! Sa u ktheva nga Korça. S’më besohet se kanë mbetur edhe 10 ditë gjer në dasmë.
Unë këtej kam bërë të gjitha përpjekjet që të kalojmë mirë verën. Mua më dhanë një herë një fletë kampi për në Pogradec, po duhet të niseshim më datë 24 qershor, d.m.th. sot. Natyrisht që ishte një gjë që s’bëhej. Atëherë shokë e miq ndërhynë dhe ne do të shkojmë në Durrës më 9 korrik në shtëpinë e pushimit ose të Kryeministrisë, ose të Oficerëve.

Ti duhet të marrësh një vërtetim nga qendra jote e punës që je në punë. Bëje gati, se vij e marr të shtunën. Unë do vij të të marr me maqinë angazhe e vishu si të duash e si të jetë më mirë. Ti kujton se unë nuk kam qejf që ti të vishesh me të bardha? Këtë radhë më ka marrë malli shumë për ty. Po ti e ke patur fajin pasi nuk donje të të vinja unë në Shkodër meqë kishin mbetur kaq pak ditë nga martesa! Gjepura! Të shtunën do vi e ti do më presësh. Mbarove shkollën? Xhelali a erdhi? Unë jam i bindur që ty plazhi do të të pëlqejë. Në njëzetedy ditë apo një muaj do të bëhesh korb e zezë. Vetëm duhet të ruash lëkurën e hundës se mos mbetesh me lëkurë të ngrënë në hundë, dhe ti e di sa rëndësi ka hunda, sidomos për seksin e bukur! O hundë, e bekuar! Kam shkruar një cikël me vjersha për fëmijë dhe nesër botohet në “Mësuesi”.

Sadije-dhe-Dritëro-Agolli

Vjersha të tilla ti kurrë nuk ke lexuar. Për herë të parë shkruaj për fëmijë, siç duket, ti së shpejti do na skalitësh ndonjë azuratino! Tani në prag të dasmës ti nuk shkruan. Nuk vete në postë, siç mendoj unë. Kush e di sa e hutuar dhe e emocionuar je! Edhe unë i emocionuar jam, po meqë jam aq i afërt me ty dhe të njoh aq mirë, nuk më duket e çuditshme dita e dasmës.

Të dua shumë, shumë.
Të puth fort
Yti Dritëro
24.VI.1965 /KultPlus.com

“I dashur nipi im mos u bëjë idiot”, letra e famshme e Umberto Ecos

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë, ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si me formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë. Dakord, kjo nuk mund të bëhet vetëm me libra dhe revista, bëhet fare mirë edhe në Internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të bashkëbiseduar me miqtë, por edhe për të biseduar (fjala bie) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Kamisardët? Dhe si quheshin tre anijet e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? A mund të ketë patur një timon Arka e Noes? Si quhej paraardhësi i demit? Kishte më shumë tigra 100 vjet më parë, apo sot? Çfarë ishte Perandoria e Malit? Dhe kush ishte personi që fliste për Perandorinë e të Keqes? Cili ka qenë Papa i dytë i historisë? Kur u shfaq Mickey Mouse?

Nuk do të doja që kjo letër e Krishtlindjes të tingëllojë si e shkruar nga Deamici, dhe të të jepte këshilla dashurie për të singjashmit tanë, për vendin, për botën dhe gjëra si këto. As nuk do ia vije veshin dhe, kur të vinte çasti për t’i vënë në zbatim (ti i rritur dhe unë i ikur nga kjo botë), sistemi i vlerave do të ketë ndryshuar kaq shumë, sa që rekomandimet e mia ndoshta do të kenë dalë mode.

Kështu që dua të ndalem në një rekomandim, të cilin do të jesh në gjendje ta vësh në zbatim edhe tani, ndërkohë që lundron me iPad-in tënd. Nuk do të bëj as gabimin të të këshilloj që të mos e përdorësh, jo aq shumë se do të dukesha si një gjysh që ka mbetur me të vjetrën, por sepse e bëj edhe vetë. Më e shumta që mund të të rekomandoj, nëse rastësisht ndesh në qindra faqet pornografike që tregojnë në një mijë mënyra, marrëdhënien mes dy qenieve njerëzore, apo mes një qenieje njerëzore dhe një kafshe, përpiqu që të mos besosh se seksi është ai që sheh aty, veç të tjerave tejet monoton, sepse bëhet fjalë për një aktrim, qëllimi i të cilit është të të mbajë mbyllur në shtëpi, e të mos dalësh të shohësh dhe takosh vajzat e vërteta. Po nisem nga parimi që ti je heteroseksual, përndryshe përshtati rekomandimet e mia me rastin tënd: por shiko vajzat, në shkollë apo atje ku shkon të luash, sepse janë më të mira ato të vërtetat, se sa ato televizivet, dhe një ditë do të të japin kënaqësi më të mëdha, se sa ato online. Besoji kujt ka më shumë përvojë se sa ti (dhe nëse unë do të kisha parë vetëm seks në kompjuter, yt atë nuk do të kishte lindur, dhe ti kushedi ku do të ishe, madje nuk do të ishe fare).

Gjithësesi nuk doja të të flisja për këtë, por për një sëmundje që ka goditur brezin tënd, dhe atë të të rinjve më të mëdhenj se ti, që ndoshta janë në shkollë të lartë: humbja e kujtesës.

Eshtë e vërtetë se, nëse të lind dëshira për të mësuar se kush ishte Karli i Madh apo ku ndodhet Kuala Lumpuri, mjafton të shtypësh një tastë në kompjuter dhe Interneti ta thotë menjëherë. Bëje kur duhet, por pasi ta kesh bërë, përpiqu të kujtosh atë që ke lexuar, që të mos jesh i detyruar ta kërkosh për së dyti, nëse do të të lindë nevoja, mbase për një detyrë shkollore.

Rreziku është që, duke qenë se mendon se kompjuteri yt mund të ta thotë në çdo moment, ti humbet shijen për ta ngulitur në kokë. Do të ishte pak a shumë njësoj sikur, pasi ke mësuar që për të shkuar nga Rruga Filan në rrugën Fistek, ka autobusë apo metro që të mundësojnë të lëvizësh pa u lodhur (gjë që është shumë komode dhe bëje kur e ke me nxitim), ti mendon se kështu nuk ke më nevojë të ecësh. Por nëse nuk ecën mjaftueshëm, ti bëhesh person “me aftësi ndryshe”, siç thuhet sot për të treguar ata që ecin në karrocë me rrota. Dakord, e di që merresh me sport dhe di ta lëvizësh trupin, por le të kthehemi tek truri yt.

Kujtesa është një muskul njësoj si muskujt e këmbëve, po nuk e ushtrove dobësohet dhe ti bëhesh (nga pikëpamja mendore) me aftësi ndryshe, domethënë (le ta themi qartë) një idiot. Dhe veç kësaj, duke qenë se për të gjithë ekziston rreziku që kur të plakemi na vjen Alzheimeri, një prej mënyrave për të shmangur këtë incident të papëlqyeshëm, është të ushtrosh gjithmonë kujtesën.

Dhe vijmë tek dieta ime. Çdo mëngjes mëso ndonjë varg, një poezi të shkurtër, ose siç na bënin ne të mësonim “La Cavallina Storna” apo “Il sabato del villaggio”. Dhe ndoshta bëj garë me miqtë, për të parë se kush e kujton më mirë. Nëse nuk të pëlqen poezia, bëje me formacionet e futbollistëve, por kujdes sepse nuk duhet të dish vetëm cilët janë futbollistët e Romës sot, por edhe ata të skuadrave të tjera, dhe ndoshta të skuadrave të së kaluarës (mendo që unë mbaj mend futbollistët e Torinos, skuadrës avioni i të cilës u rrëzua në Superga me të gjithë futbollistët në bord: Bacigalupo, Ballarin, Maroso etj.) Bëj gara kujtese, ndoshta me librat që ke lexuar (kush ishte në bordin e Hispaniolas në kërkim të ishullit të thesarit? Lord Trelauney, kapiteni Smollet, doktor Livesey, Long John Silver, Jim…) Shiko nëse miqtë e tu mbajnë mend se cilët ishin shërbëtorët e tre moskëtierëve dhe të D’Artagnanit (Grimaud, Bazin, Mousqueton e Planchet)… Dhe nëse nuk do të duash të lexosh “Tre moskëtierët” (dhe ti nuk di se çfarë do të humbasësh), bëje me një prej historive që ke lexuar.

Duket si një lojë (dhe është një lojë), por do të shohësh se si mendja jote do të popullohet me personazhe, histori, kujtime të gjithfarëlloji. Ndoshta ke pyetur veten, përse një herë e një kohë kompjuterat quheshin tru elektronikë: është sepse ata janë projektuar sipas modelit të trurit tënd (dhe tonit), por truri ynë ka më shumë lidhje se sa një kompjuter, është një lloj kompjuteri që ti e mban gjithmonë me vete dhe që rritet dhe fuqizohet duke e ushtruar, ndërkohë që kompjuteri që ti ke mbi tryezë, sa më shumë e përdor aq më shumë humbet shpejtësi, dhe pas disa vitesh duhet ta ndërrosh. Ndërsa truri yt sot mund të zgjasë deri nëntëdhjetë vite dhe në moshën nëntëdhjetë vjeç (nëse e ke ushtruar), do të kujtojë më shumë gjëra se sa kujton ti sot. Eshtë falas.

Pastaj është kujtesa historike, ajo që nuk ka të bëjë me faktet e jetës tënde apo gjërat që ke lexuar, por ka të bëjë me ato që kanë ndodhur, para se të lindje ti.

Sot nëse shkon në kinema, duhet të hysh në një orë të caktuar kur fillon filmi, dhe sapo fillon, dikush të merr – si të thuash – për dore dhe të thotë se çfarë ndodh. Në kohën time mund të hyje në kinema në çdo moment, dua të them edhe në mes të filmit, mbërrihej teksa po ndodhnin disa gjëra dhe ne përpiqeshim të kuptonim se çfarë kishte ndodhur më herët (pastaj kur filmi rifillonte kuptonim nëse kishim hamendësuar si duhej – përveç faktit që, nëse filmi na kish pëlqyer, rrinim të shihnim edhe atë pjesë që e kishim parë tashmë). Ja pra, jeta është si një film i kohëve të mia. Ne vijmë në jetë kur shumë gjëra kanë ndodhur tashmë, prej qindra e mijëra vitesh, dhe është e rëndësishme të kuptosh atë që ka ndodhur para se të lindnim; vlen për të kuptuar përse ndodhin shumë gjëra sot.

Sot shkolla (përveç shënimeve të tua personale) duhet të të mësojë që të memorizosh atë që ka ndodhur para se të lindje, por duket që nuk po e bën mirë, sepse shumë studime na thonë që të rinjtë e sotëm, edhe ata më të rriturit që janë në universitet tashmë, nëse kanë lindur rastësisht në vitin 1990 nuk e dinë (dhe ndoshta nuk duan ta dinë) se çfarë kishte ndodhur në 1980 (dhe nuk po flasim për atë që ka ndodhur pesëdhjetë vjet më parë). Statistikat na thonë se, nëse pyet dikë se kush ishte Aldo Moro, të përgjigjet që ishte kreu i Brigadave të Kuqe – ndërkohë që ai u vra prej Brigadave të Kuqe.

Nuk flasim për Brigadat e Kuqe, ato mbeten ende një mister për shumëkënd, e megjithatë ato ishin e tashmja vetëm 30 vjet më parë. Unë kam lindur në vitin 1932, dhjetë vjet pas ardhjes në pushtet të fashizmit, por dija se kush kish qenë kryeministër edhe në kohën e marshimit drejt Romës (çfarë është ky?). Ndoshta shkolla fashiste ma kishte mësuar për të më treguar se sa budalla dhe i lig ishte ai ministër, që fashistët e kishin zëvendësuar. Dakord, po të paktën e dija. Dhe pastaj, duke lënë mënjanë shkollën, një i ri i kohëve të sotme nuk di kush ishin aktoret e kinemasë të njëzetë viteve më parë, ndërsa unë dija se cila ishte Francesca Bertini, e cila luante në filma pa zë, 20 vite para se të lindja unë. Ndoshta sepse shfletoja revista të vjetra të grumbulluara në depon e shtëpisë sonë, por po të ftoj pikërisht të shfletosh edhe revista të vjetra, sepse është një mënyrë për të mësuar se çfarë ndodhte para se të lindje ti.

Po pse është kaq e rëndësishme të dish se çfarë ka ndodhur më parë? Sepse shumë herë, ajo që ka ndodhur më parë të shpjegon se pse disa gjëra ndodhin sot dhe, në çdo rast, ashtu si me formacionet e futbollistëve, është një mënyrë për të pasuruar kujtesën tonë.

Dakord, kjo nuk mund të bëhet vetëm me libra dhe revista, bëhet fare mirë edhe në Internet. I cili duhet përdorur jo vetëm për të bashkëbiseduar me miqtë, por edhe për të biseduar (fjala bie) me historinë e botës. Cilët ishin hititët? Kamisardët? Dhe si quheshin tre anijet e Kolombit? Kur u zhdukën dinosaurët? A mund të ketë patur një timon Arka e Noes? Si quhej paraardhësi i demit? Kishte më shumë tigra 100 vjet më parë, apo sot? Çfarë ishte Perandoria e Malit? Dhe kush ishte personi që fliste për Perandorinë e të Keqes? Cili ka qenë Papa i dytë i historisë? Kur u shfaq Mickey Mouse?

Mund të vazhdoj në pafundësi, dhe do të ishin të gjitha aventura të bukura kërkimi. Dhe të gjitha për t’u kujtuar. Do të vijë dita kur do të jesh bërë plak dhe do të ndihesh sikur të kesh jetuar një mijë jetë, sepse do të jetë sikur ke qenë i pranishëm në Betejën e Vaterlosë, sikur ke qenë aty kur vritej Jul Çezari, dhe ndoshta vetëm pak metra larg vendit ku Bertoldi i Zi, duke përzierë substancat në përpjekje për të prodhuar flori, zbuloi gabimisht barutin, dhe hodhi veten në erë (e mbase mirë iu bë). Miqtë e tu që nuk do ta kenë kultivuar kujtesën, do të kenë jetuar vetëm një jetë, të tyren, e cila do të ketë qenë e mbushur me melankoli dhe e varfër në emocione të mëdha.

Kultivoje kujtesën pra, dhe nesër lexo përmendësh “La Vispa Tesera” (poezi e Luigi Salierit).

Burimi: “Espresso” – Në shqip nga bota.al /KultPlus.com

Letra plot humor që Dritëro Agolli i shkroi djalit të tij (FOTO)

Dritëro Agolli ka një vit që nuk jeton fizikisht por veprimtaria artistike e mban emrin e tij akoma gjallë, shkruan KultPlus.

E bija e Dritëro Agollit, Elona Agolli zbulon vazhdimisht letrat e babait të tij. Shkrimtari i madh shqiptar përdorte letrat edhe në komunikim familjar, kjo ishte mënyra më e mirë e tij për t’u shprehur.

“Letërshkrimi për Tim atë ishte mënyra më e kënaqshme e komunikimit edhe në marrëdhëniet familjare. Në prag festash , në debate apo “zënka” mes nesh , në dërgimin e lajmit apo porosisë , letrat ishin mënyra e shpeshtë që kënaqnin te dy palët. Pasi letërshkruesi(im atë) lëshohej lirshëm në humor , nëntekste, figura e metafora kurse pala tjetër , pritësi ( unë, fëmijët, vëllai , Luani) shijonim artin e vërtetë të komunikimit , një gjuhë që rrallë e hasnim në të përditshmen tonë”, ka shkruar Elona Agolli.

KultPlus ju sjellë një letër që Dritëro i kishte shkruar para dy vitesh djalit të tij, Luanit.

I dashur Luan
Në livadhin e shakasë, domethënë humorit dhe satirës , ndodhin edhe keqkuptime. Kështu ndodhi me ne të dy, duke bërë shaka rreth një dashi me këmborë. Ndofta, po të ishte cjap me zile dhe me mjekër nuk do të kalonim nga shakaja në një farë fjalëkëmbimi . Faji ishte i imi që ngrita zërin: dashi ka zot!
Dashi nuk vraponte nëpër sallon; ai qëndronte në mur(pikturë). Ah, sikur të ishte cjap !
Të përqafoj
Dritëroi

“Pikë së pari, të uroj dashuri dhe duke dashur, uroj të të duan”

Victor Hugo

Pikë së pari, të uroj dashuri. Dhe duke dashur, uroj të të duan. Por nëse kjo nuk ndodh, atëherë tregohu i shkathët për të harruar. Dhe pasi të kesh harruar, uroj të mos pendohesh.
Uroj vërtetë që kjo mos të të ndodhë, por nëse ndodh dhe ti harron, shpresoj të mos zhytesh në dëshpërim.
Të uroj të kesh shumë miq. Edhe nëse ata janë të këqij ose të parëndësishëm. Uroj të kesh miq të guximshëm dhe të vërtetë. Dhe uroj që një prej tyre të jetë më i besueshmi.
Por sepse jeta është në këtë mënyrë që është, të uroj armiq. As shumë, por as pak. Një numër i ndërmjetëm, që të të bëjë të pyesësh veten për të vërtetat dhe siguritë e tua. Dhe le të jetë mes tyre njëri që do jetë i drejtë, që të mos ndihesh kurrë i sigurte në idetë e tua.
Uroj të jesh i dobishëm, por jo i pazëvendësueshëm. Dhe në momentet e tua më të këqija, kur të mos kesh asgjë, ajo dobishmëri të të mbajë në këmbë.
Në proporcion me të, të uroj të jesh tolerant. Jo me ata që bëjnë gabime të vogla, sepse kjo është shumë e thjeshtë, por me ata që bëjnë gabime të mëdha, të cilat nuk mund të zhbëhen. Përdore mirë tolerancën tënde që të bëhesh shembull për të tjerët.

Uroj që kur të jesh i vogël, të mos rritesh shpejt. Dhe atëherë kur të jesh rritur, mos këmbëngul të jesh sërish i vogël. Dhe kur të plakesh, mos u dëshpëro. Sepse çdo moshë ka kënaqësitë dhe dhembjet e veta, dhe ne kemi nevojë për të dyja këto në jetë.
Gjithashtu, uroj të jesh i mërzitur, të paktën një ditë. Kështu në atë ditë do kuptosh se të qeshësh çdo ditë është mirë, të qeshësh shpesh është e mërzitshme dhe të qeshësh vazhdimisht është çmenduri.
Uroj që të zbulosh me shumë shpejtësi nga ajo që thashë më sipër, se në botë ka njerëz të palumtur, të depresionuar dhe të patrajtuar mirë.
Të uroj të përkëdhelësh një qen, të ushqesh një zog e të dëgjosh cicërimën e tij, që dëgjohet në mënyrë triumfuese çdo mëngjes. Sepse në këtë mënyrë, do ndihesh mirë, pa arsye.
Dhe pastaj, uroj të ujisësh një farë, sado e vogël qoftë ajo. Dhe të jesh dëshmitar i rritjes së saj, që të shohësh se sa jetë jeton një pemë.
Të uroj gjithashtu, të kesh para, sepse duhet të jemi praktikë. Dhe të paktën, një herë në vit, t’i vendosësh përpara teje e të thuash “Këto janë të miat.”. Kështu, do kuptohet se kush zotëron kë.
Uroj që asnjë nga të dashurit e tu të mos vdesë. Por nëse disa prej tyre vdesin, uroj të qash pa pendesë dhe pa u ndjerë në faj për fjalët që kurrë nuk ua the apo gjërat që kurrë nuk i bëre për ta.
Së fundmi, nëse je mashkull, të uroj një femër të mirë përkrah, e nëse je femër, të uroj një mashkull të mirë. Dhe ta doni njëri – tjetrin nesër, dhe ditën pas të nesërmes. Dhe kur të dy të jeni të lodhur e të buzëqeshur, uroj të keni sërish dashuri për t’ja nisur ditës tjetër nga e para.
Nëse të ndodhin të gjitha këto, atëherë nuk të uroj asgjë më tepër se kaq./ KultPlus.com

Letra e Karl Marx e cila u shit mbi 53 mijë dollarë

Një letër jashtëzakonisht e rrallë e shkruar nga filozofi gjerman Karl Marx dhe që mban datën 1 tetor 1879 u shit për më shumë se 53 mijë dollarë në një ankand në Boston (Massachussets).

“Kur u ktheva nga bregu i detit, gjeta kartën tuaj të 23 shtatorit. Do të më pëlqente të më dërgonit disa kopje të “Zbulimit” sepse nuk kam asnjë”, -shkruante në atë letër Marksi. Publikimi që Marksi aludon qartazi është mbi “Zbulimin e historisë diplomatike të shek XVIII” që u publikua me disa numra në shtyp në gusht të 1856 deri në prill të 1857.

Letrat e Marksit janë jashtëzakonisht të rralla dhe jashtë institucioneve inekzistente dhe kjo është e vetmja që kemi gjetur, – shprehet në një komunikatë Bobby Livingston, zëdhënës i ankandit.

E njëjta shtëpi ankandi shiti një fotografi të Mahatma Gandhi-t të firmosur nga ai vetë për 41.806 dollarëo, përcjell Bota.al. Fotografia, në të cilën shihet Gandi duke ecur bashkë me politikanin indian, Madan Mohan Malaviya pas ciklit të dytë të koferencës së tavolinës së rrumbullakët indiane është e firmosur me penë stilografike me iniciale “MK Gandhi”./ KultPlus.com

Dritëro Agolli i shkruante letra gruas së tij pas dasmës, “dimri është stinë e vështirë për dashnorët” (FOTO)

Elona Agolli, ka zbuluar dje disa nga letrat e babait të saj, Dritëro Agollit i cili një ditë pas dasmës përmes letrave i drejtohet më shumë pasion, dashuri e humor gruas së tij, Sadijes, shkruan KultPlus.

Data 6 janar 1965 shënon ditën e celebrimit të martesës së shkrimtarit të madh Dritëro Agollit me gruan e tij, Sadijen.

“Ditë të ftohta janari, por plot pasion, aq bukur të përshkruara në letërkëmbimin mes tyre”, shkruan Elona derisa zbulon këto letra.

Kjo është letra e parë të cilën shkrimtari e ka shkruar vetëm një ditë pas martesës, me datë 07.01.1965.

“E dashur Sadije,

U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime. S’ka tani tërcmërc. Emrin tim e ke edhe në pasaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prapë bashkë do të ishim.
Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qirasur gjithë ata njerëz. Të trashëgohesh, thoshte njeri; të trashëgohesh, thoshte tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë.

Lutjen a e bëre? Mos e lër pas dore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë, se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjendjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerëzishme. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë.

Eja papritur ndonjëherë.

Të puth shumë
Dritëro
7.1.1965

Letra e dytë është shkruar menjëherë një ditë pas, ku shkrimtari edhe shpreh mungesën që ndjente në atë ditë të ftohtë për gruan e tij, Sadijen.

“Ngrive ti sot tek autobusi, moj e dashur; dimri është stinë e vështirë për dashnorët! Sa marr udhën për në shtëpi, mendoj për të ardhur prapë tek ti. Mua gjithnjë kur nisem më vjen keq që ndahem, dhe pa marrë biletën them me vehte: sikur mos ketë bileta e të ik pasdite! (megjithëse duhet ikur në mëngjes).

Sonte binte dëborë. Dolla në rrugë me republikën e plakut, megjithëse është e vjetër, po ç’t’i bënja se më ngrinte koka. Ti ke të ftohtë? Atëherë po të puth fort që mos kesh të ftohtë.

Yti Dritëro
8 janar 1965

Letra e tretë që është publikuar, i takon datës 10 janar 2965, ku shkrimtari e shpreh zbrazëtinë që ndjenë pa gruan e tij, i cili në vetmi shpreh mërzinë që ndjen për të derisa i uron natën e mirë.

“E dashur Sadije, si je, moj gruaja ime e shtrenjtë? Je bërë fare dembele, as shkruan letra, as na vjen nga Tirana. Unë rri këtu vetëm e mërzitem për ty. Kur vij ndonjëherë vonë, në dhomë s’ka dritë, në dhomë është ftohtë. Atëherë them me vehte se po të ishte Sadija ime e dashur nuk do të mbretëronte kjo gjendje!

Prushi në mangall po më shuhet. Në dhomë po bën ftohtë. Më duket sikur jam brenda në ujë, si peshqit e mi në akuarium. Dua të mbulohem me jorgan, pra, që t’i shpëtoj këtij të ftohti. Prandaj natën e mirë.
Të puth shumë
Dritëro
10.1.1965/ KultPlus.com

Çfarë tha Ismail Qemali 105 vite më parë në Vlorë?

Sot anembanë botës ku ka shqiptarë, ka nisur festa e 105 vjetorit të pavarësisë. Në nder të kësaj dite të shënuar për çdo shqiptar rreth e rreth botës, po botojmë fjalën e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në Mitingun e Madh në Vlorë.

“Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë…”.

Fjala e plotë e Ismail Qemali në ditën e shpalljes së pavarësisë

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaq burra Shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.

Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.

Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mes.

Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Duke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.

Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.
Rroftë Flamuri!
Rroftë Shqipërija!

Letrat

Poezi nga Dritëro Agolli.

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë,
… Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhomë telefon
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon, as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast.

Letra e fuqishme e Hillary Clinton, drejtuar vetës së saj në adoleshencë

Është ish-kandidatja presidenciale Hillary Clinton ajo që do të sjellë lot dhe gëzim me shumë vargje të zemrës me qarkullimin e librit të saj të ri “What happened”. Kurse letra e saj drejtuar vetes si adoleshente sjellë në mënyrë të jashtëzakonshme fuqinë që i nevojitet çdo vajze sot, shkruan Elite Daily, përcjellë KultPlus.

Më 8 nëntor, Teen Vogue botoi një letër që Clinton e kishte shkruar për veten e saj si një vajzë e re në kolegj. Në letër, ajo ofroi disa këshilla shumë të vlefshme dhe nxjerri në pah disa nga pasiguritë me të cilat është përballë si një studente e re. Duke iu drejtuar vetes si një studente e semestrit të parë në Wellesley College, ajo kishte shkruar.

“Kur erdhe për herë të parë në kampus, u gjenda e rrethuar nga gra të mrekullueshme dhe të kualifikuara. Ato flisnin rrjedhshëm në shumë gjuhë të tjera. Ato kishin jetuar jashtë vendit. Ato kishin lexuar tashmë gjysmën e librave të programit mësimor. Kjo më frikësonte – ishte aq e frikshme për mua sa që u telefonon prindërve për t’u thënë se nuk i përket kolegjit Wellesley, dhe në fund të fundit duhet që të ktheheshe në shtëpi”, kishte shkruar Hillary.

Mësimi që Hillary kishte nxjerrë nga kjo përvojë ishte. “Rrezikoni dhe mos kini frikë të kapeni duke u përpjekur”, tha Clinton. “Bëni çmos për të përqafuar entuziazmin që vjen me mosnjohjen e asaj që vjen në të ardhmen dhe mos harroni se besimi dhe mendja e hapur gjithmonë do t’ju shërbejnë më mirë se pasiguria dhe dyshimi”, kishte shkruar Hillary Clinton. / KultPlus.com

Letrat e Harper Lee zbulojnë mendimet e saj private mbi Barack Obama, Gregory Peck dhe plakjen

Fituesja e shumë çmimeve Harper Lee ishte aq e famshme por e kishte dhe jetën e saj private. Por tani, njohja e jetës së autores së “To Kill a Mockingbird” mund të dalë në dritë nëpërmjet korrespondentes së saj personale, shkruan New York Daily News, përcjellë KultPlus.

Nate D. Sanders Auctions ka 38 letra me shkrim nga Lee për shitje. Shkrimet përmbajnë biseda mes autores dhe mikes së saj Felice Itzkoff gjatë një periudhe pesëvjeçare e cila përfundoi në vitin 2010. Itzkoff vdiq një vit më vonë, dhe Lee vdiq në vitin 2016 në moshën 89 vjeçare.

Në një letër, të datës 20 janar 2009 – ditën e inaugurimit të Presidentit Barak Obama – Lee shkroi: “Në këtë Ditë Inagurimi unë i numëroj bekimet e mia … Po mendoj edhe për një mik tjetër, Greg Peck, i cili ishte një mik i mirë të Lyndon B. Johnson. Greg i tha atij: ‘A mendoni se do të jetojmë për të parë një president me ngjyrë?’ LBJ tha: “Jo, por unë dëshiroj edhe atë.

Peck, i cili luajti Atticus Finch në adaptimin e filmit të vitit 1962 të romanit të Lee, ishte një mik i përjetshëm i autores.

Në një letër tjetër, të datës 14 maj 2009, Lee përshkruan shërbimin përkujtimor për Horton Foote, i cili shkroi skenarin për ” To Kill a Mockingbird “. Letra u shkrua gati një gjysmë shekulli pas filmit të bazuar në romanin e saj të jashtëzakonshëm të vitit 1960, për të cilën ajo fitoi çmimin Pulitzer.

Përtej presidencave dhe miqësive personale, letrat e Lee mbulojnë fenë, trashëgiminë e saj jugore dhe indinjaten e plakjes./ KultPlus.com

Letrat e dashurisë së Oskar Wilde

Historitë e dashurive nuk janë asnjëherë të lehta, aq më tepër të atyre që janë të të njëjtit seks. Një ndër personazhet që e ka vuajtur më shumë persekutimin për shkak të prirjeve të tij dashurore është Oskar Wilde, i cili u burgos disa herë për homoseksualizmin e tij.

Por pavarësisht vuajtjeve, historitë e tij të dashurisë janë ndër më të bukurat. Në qershor të vitit 1891, ai u takua me Lord Alfred “Bosie” Douglas, poet i ri 21 vjeçar që studionte në Oksford, që do të kthehej më pas në muzën e Wilde për të shkruar “Portretin e DorianGrayt”. Gjatë kohës që jetuan së bashku, Oskar shkroi veprat themeltare të krijimtarisë së tij. Janë pafund letrat e dashurisë që ata i dërgonin njëri tjetrit, duke u konsideruar si ndër letrat më të ndjera në historinë e çifteve e njohura të artit.

Një letër e shkruar një ditë të ftohtë nëntori, Oksford 1892 nga Wilde:

I dashur Bosie … Do doja shumë të shkoja diku me ty larg, aty ku është ngrohtë e plot ngjyra…

Disa javë më vonë, në janar 1893 Wilde shkruan:

Djaloshi im,
Soneti që më dërgove ishte i bukur, gati një mrekulli sesi buzët e kuqe të gjetheve të trëndafilave, mund të çojnë në çmendinë e muzikës dhe të puthjes. Shpirti yt i hollë i mbështjellë nga pasioni ecën lehtë drejt poezisë. Pse jeni vetëm në Londër dhe kur do të shkosh në Salibury? Apo do të ftohësh duart në muzg…Këtu është një vend i bukur, por më mungon ti…

Me një dashuri të pavdekshme, i joti Oscar

Në fillim të marsit 1893, Wilde shkruan një letër ku ndjehet padurimi i dashurisë
I dashuri i të gjithë djemve! Letrat jote ishte e këndshme. Verë e kuqe dhe e bardhë për mua…Por jam i trishtuar. Nuk duhet të bësh skena me mua, ato më trishtojnë, më rrënojnë. Unë ju shoh si një krijesë që ke dalë nga antikiteti grek, dhe s’mund t’ju shoh të shtrembëruar nga pasioni. S’mund ti dëgjoj buzët e tua të buta të thonë gjëra të këqija për mua. Mos e thyej zemrën time. Ndjej se duhet të shoh sa më shpejt. Do të vij në Salisbury. Nuk e di si do t’ja bëj. Je diçka hyjnore për mua. Këtu ku jam ka shumë vështirësi. Fatura ime shkon £ 49 për një javë! Tashmë jam ulur në një stol pranë Thames – por ju, nuk jeni këtu i dashuri im, djali im i mrekullueshëm…

Gjithmonë yti
Oscar

Dashuria e tyre nuk ishte e lehtë dhe për shkak të kushteve ekonomike. Në një letër të dhjetorit të vitit 1893 Wilde i shkruan:

Djali im i dashur,

Faleminderit për letrën tuaj. Jam i mbingarkuar nga presionet e kreditorëve aq sa duket se jam buzë greminës por ndjehem i lumtur që jemi sërish miq, dhe se dashuria jonë ka mundur të sfidojë hijen për të mbetur mes dritës, ashtu si një trëndafil i vjetër. Le të jemi gjithmonë të dashur për njëri-tjetrin, siç kemi qenë gjithmonë.

Mendoj për ty çdo ditë e më shumë…

Oskar

Në qershor të atij viti Wilde shkruan:

I dashuri im i shtrenjtë!

Shpresoj që cigaret të kenë ardhur të gjitha. Drekova sot me Gladys de Grey, dhe dy të tjerë këtu. Ata më ftuan të shkoj në Paris me ta të mërkurën, por ti e di nuk kam shumë para të udhëtoj. Më ka marrë malli dhe dua të shoh. Është absurde por nuk mund të jetoj pa ty. Ti je shumë i dashur, i mrekullueshëm…Mendoj për ty gjithë ditën, më mungon lëkura jote, duket sikur lëviz duart në ajër dhe të ndjej…E di që nuk më beson, por në janar të premtoj do ikim bashkë larg, në një udhëtim të gjatë, ku duart e tua të jenë gjithë kohën pranë meje. Do jetë një kohë e bukur djalosh, aq sa do të duam të mos mbarojë. Të dy e meritojmë këtë arratisje.

Më shkruaj, ma ndrysho këtë vetmi

I joti përgjithmonë, Oskar.