Maja e Qorres në Llogora, një ndër destinacionet më të bukura të Llogorasë edhe në dimër

Të rinj aventurierë të borës dhe lartësive janë ngjitur në këto ditë të para janari në Majën e Qorres, e ndodhur në lartësinë 2018 metra mbi nivelin e detit, një ndër destinacionet më të bukura dhe të vështira të Parkut Kombëtar të Llogorasë.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale foto nga ky mal, ku turistët shijojnë një pamje të magjishme nën petkun e dëborës.

Të shumtë janë turistët të cilët zgjedhin ta provojnë këtë sfidë, pavarësisht kushteve atmosferike, për të marrë kështu më të bukurën e kësaj pasurie natyrore.

Rrugëtimi drejt Majës së Qorres kërkon përgatitje të mirë fizike, veshjen e duhur si dhe guida të licensuara për të realizuar kështu një eksperiencë sa më të sigurt.

Nga Maja e Qorres ofrohet një pamje magjepsëse, nga ku duken lumi i Vlorës me fshatrat dhe zonën përreth.

Parku Kombëtar i Llogorasë është një nga hapësirat natyrore më të vizituara nga turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit./atsh/KultPlus.com

Edhe pak ditë nga hapja për qarkullim e tunelit të Llogorasë

Tuneli i Llogorasë, një ndër veprat më të mëdha publike, afërsisht 20 km në jug të Vlorës, me vlerë investimi 142 milionë euro dhe me impakt të drejtpërdrejtë në gjithë ekonominë e vendit, do të jetë i hapur për pak ditë për qarkullimin e mjeteve.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga tuneli, të cilin e përshkuan teksa udhëton drejt Dhërmiut në jug.

“Për Dhërmi nga tuneli spektakolar i Llogorasë. Edhe pak ditë hapja për qarkullimin e lirë”, u shpreh Rama.

Më herët, Kryeministri ka njoftuar se ky tunel do të përurohet në 5 korrik 2024, duke shkurtuar distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta.

Me një gjatësi prej afro 6 kilometrash, tuneli kryesor është i veshur me beton dhe i pajisur me sistemet komplekse të drenazhimit, ventilimit, mbrojtjes kundër zjarrit dhe tymrave, ndriçimit, thirrjeve të emergjencës dhe sinjalistikës.

Gjithashtu tuneli është i pajisur në secilën anë me trotuare 1.17 m të gjerë. Tuneli kryesor është 7.70 m i gjerë dhe 4.70 m i lartë, si dhe i pajisur me sistem ajrimi, si dhe me një sistem të kullimit të urave nëntokësore dhe atyre sipërfaqësore.

Ndërsa tuneli ndihmës lidhet me tunelin qendror me 11 dalje, 5 prej të cilave janë dalje për automjete, ndërkohë 6 të tjerat janë për aksesin e këmbësoreve.

Lartësia e tunelit kryesor është 4. 7 m ndërkohë që gjerësia e gjithë rrugës 7.7 m. 1.7 m janë të vendosura si trotuar për të gjitha rastet e emergjencës siç parashikohet në kodin e sigurisë. /atsh/ KultPlus.com