Përurohet lokaliteti arkeologjik në qendër të Prizrenit

Lokaliteti arkeologjik i cili tashmë është integruar në sheshin e lidhjes në Prizren, ngërthen në vete dy shtresa kulturore: rrënoja muresh nga pazari i bylmetit në periudhën Osmane i cili ka ekzistuar deri në gjysmën e shekullit XX, dhe nën të, struktura të një vile romake që besohet të datojnë që nga shekulli III-IV.

Përveç konservimit dhe prezantimit para publikut, është rigjeneruar dhe integruar edhe hapësira përreth. Përmes integrimit të pjerrinave dhe materialeve adekuate, qasja në lokalitet mundësohet për të gjitha grupet e komunitetit, duke u bërë kështu atraksioni më i ri në Sheshin e Lidhjen pranë rrjedhës së Lumbardhit.

Lokaliteti Arkeologjik u përurua me fjalë rasti nga Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, nënkryetari i komunës ë Prizrenit, Kujtim Gashi, përfaqësues nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore dhe Instituti Arkeologjik i Kosovës, përfaqësues nga UN-Habitati në Kosovë, së bashku me shumë qytetarë e vizitorë të qytetit të Prizrenit, ka njoftuar Ministria e Kulturës.

“Në kuadër të përurimit, është zhvilluar aktiviteti i mendimit imagjinar “Arkeologët e vegjël- Vizatojmë të kaluarën” me fëmijët të cilët përmes vizatimit kanë paraqitur idetë e tyre se si është dukur lokaliteti shekuj më parë”.

“Ky projekt është realizuar në kuadër të programit Integrimi i Trashëgimisë Kulturore në Planifikim Hapësinor, i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosova, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë”./KultPlus.com

Nesër hapet Lokaliteti Arkeologjik në Prizren

Ministria e Kulturës ka njoftuar se ditën e nesërme do të bëhet hapja dhe përurimi i lokalitetit arkeologjik në Prizren. Ngjarja do të zhvillohet në sheshin e Lidhjes së Prizrenit me fillim nga ora 18:00, shkruan KultPlus.

Qëllimi i këtij lokaliteti është vënia në pah e dëshmive për ekzistencën e qytetit të Prizrenit që nga shekulli i IV-të, si dhe promovimin e nxitjes së planifikimit urban gjithëpërfshirës, përmes rigjenerimit urban të hapësirës.

Ky projekt është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit për Zhvillimi Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë.

Kujtojmë që hapja e lokalitetit arkeologjik të Prizrenit do të bëhet nesër, me datë 7 korrik, në ora 18:00 deri në 21:00./ KultPlus.com

Nesër mbahet takimi i parë në kuadër të projektit “Plani i Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren”

Nesër fillojnë diskutimet publike në kuadër të projektit për hartimin dhe zbatimin e Planit të Prezantimit dhe Interpretimit për Lokalitetin Arkeologjik në Prizren.

Siç njofton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në takimin e parë ftohen banorët e lagjes dhe komuniteti i biznesit që operon në afërsi të lokalitetit arkeologjik.

Ky takim do të mbahet të martën, me datën 31 Maj 2022 , në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Në takimin e dytë ftohet komuniteti profesionit i Prizrenit dhe më gjerë. Ky takim do të mbahet të enjten, me datën 02 Qershor 2022, në Kino Lumbardhi, nga ora 13:00 deri 15:30.

Prezantimi, interpretimi dhe promovimi i Lokalitetit Arkeologjik si një lokalitet me rëndësi të madhe historike, shkencore, kulturore dhe edukative, përmes projektit të interpretimit synon që të ngre vetëdijen për rëndësinë e këtij lokaliteti si dhe të promovojë vlerat kulturore përmes zhvillimit të turizmit kulturor. / KultPlus.com