Lord Bajroni në letrën dërguar nënës: I dua shqiptarët shumë, janë të ashpër, por janë raca më e bukur në botë

Poeti romantik anglez, Bajroni lindi në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate të varfëruar. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey. Më 1801 Bajronin e dërguan në Harrow, në shkollë, ku studioi gjuhët greke e latine, historinë dhe letërsinë angleze. Në moshën 18 vjeçare, Bajroni hyri në Universitetin Kembrixhit (Trinity College). Më 1809 zuri vendin e tij në Dhomën e Lordëve, ku u shqua për idetë përparimtare. Po këtë vit ndërmori një udhëtim nëpër Evropë.

Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë Jugore, më saktësisht në Janinë, Lord Bajroni mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Thomas Philips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar, me titull “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (Portret i një fisniku me veshje shqiptare). Portreti u vendos në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë.

Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harold’s” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet të poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali etj. Poemën e përshkron patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë.

Në letrën dërguar nënës së tij në datën 12 nëntor 1809, midis të tjerash Bajroni shkruan:“…I dua shqiptarët shumë. Të gjithë shqiptaret janë të lindur të ndershëm dhe besnik, janë të ashpër… por janë ndoshta raca më e bukur në botë për nga paraqitja. Në udhëtimin që bëra, kam rojtur një herë dy ditë, dhe një herë tjetër tri ditë, në një kazermë shqiptarësh, dhe s’kam gjetur kurrë ushtarë aqe të pëlqyer sa shqiptarët, ndonëse kam qenë në garnizonet e Gibraltarit e të Maltës, dhe kam parë shumica ushtarësh spanjollë, frengj, sicilianë dhe anglezë. Nuk më rodhën gjësende, dhe më ftuan me gëzim të marr nga zahireja dhe nga qumështi i tyre…”

Në vitin 1823 Bajroni u nis për në Greqi ku u bë frymëzues i luftës për pavarësi kombëtare të Greqisë kundër turqve. Nuk arriti të shihte çlirimin e saj sepse u sëmur nga ethet dhe vdiq në Mesolongj, më 19 prill 1824, në moshën 36-vjeçare. / KultPlus.com

200 vite nga vdekja e Lord Bajronit

Më 19 prill të vitit 1824, Lord Bajroni ka vdekur në atë që tani është Greqi, ku kishte shkuar për të mbështetur luftën greke për pavarësi nga perandoria osmane. Edhe sot, ai konsiderohet si hero kombëtar grek.

Historia e Bajronit është plot skandale, udhëtimet ekzotike; jeta e tij pompoze la përshtypje të thella, dhe emri i tij filloi të nënkuptojë njeriun e ndërlikuar; romantik, arrogant, të errët, cinik; shpërthim krijues, shije intrigues në veshje, muzikë, dhe seksualitet, dinak i pabesë, i poshtër (të gjitha përmblidhen në fjalorin urban nën “byronic”.

George Gordon Byron lindi në Aberdeen, Skoci, në vitin 1788. Këmba e çalë dhe mjedisi i varfër ia bënë të vështirë fëmijërinë, por në moshën 10 vjeçare Bajroni trashëgoi titullin Lord nga ungji i tij. Kjo i dha mundësi të dilte nga skamja, të shkonte në shkollë pastaj në Kolegjin Trinity, Kambrixh, ku u zhyt thellë në borxhe, në jetë të shthurur dhe marrëdhënie të pasionuar me gra e burra. Vëllimi i tij i parë i botuar me poezi, Orët e përtacisë (1807), u hodh poshtë nga kritika, sidomos në Skoci; dhe në librin e tij të dytë, “English Bards and Scotch Reviewers” (1809), Bajroni sulmoi krijimtarinë dhe kritikën letrare angleze. Po atë vit, ai udhëtoi për në Portugali, Spanjë, dhe në Lindjen e Afërme për dy vjet. Përvojat e tij përfshihen në veprat e mëvonshme, si në “Childe Harold’s Pilgrimage” (1812 ), që i solli sukses të menjëhershëm në Angli; “u zgjova një mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm”, do të shprehej Bajroni; dhe poezia, sjellja, moda, shijet e tij filluan të imitoheshin gjerësisht.

Më 1815, Bajron u martua me Anne Isabella Milbanke, dhe më 1816, çifti u bë me vajzë, Ada, e cila kur të rritej do të shquhej në fushën e matematikës, dhe sot konsiderohet nga disa si programuesja e parë e kompjuterit. Martesa nuk zgjati shumë dhe çifti Bajron u nda ligjërisht. Në këtë kohë, shpërthen skandali mbi incestin e dyshuar të Bajronit me gjysmë-motrën e tij, Augusta Leigh, dhe i përçmuar nga shoqëria, detyrohet të largohet nga Anglia. Fillimisht u vendos në Zvicër, Gjenevë, afër poetit Percy Bysshe Shelley dhe gruas së tij, Mary Wollstonecraft Shelley. Atje, Bajroni përfshihet në marrëdhënie intime me motrën e gruas së Shellit, Claire Clairmont; nga kjo lidhje më janar 1817 lindi vajza tjetër e Bajronit, Allegra. Pas kësaj, Bajroni ikën në Venecia ku marrëdhënie të ngjashme nuk iu ndanë.

“Në fshehtësi u takuam –

Në heshtje u pikëllova,

Se një ditë do t’më harrosh,

Shpirti yt mund të mashtrohet.

Kur unë të dalë përpara

Pas viteve të gjata ,

Si duhet të përshëndes ty? –

Me heshtje dhe lot”

Në vitin 1819, ai u lidh me konteshën Tereza Guiccioli, gruaja e re e një konti të moshuar. Lord Bajron gjithashtu mbeti gjithmonë një mbështetës i zjarrtë i çështjeve të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, duke mbështetur luftën greke për pavarësi. Ai u bashkua me kauzën e lirisë, udhëtoi e vizitoi Shqipërinë jugore, oborrin e Ali pashë Tepelenës, u takua me shqiptarë, arvanitas, qëndroi me suliotë, adhuroi zakonet, sjelljet, gjuhën, armët e veshjet, udhëhoqi stërvitjen e tyre në Missolongi, ku vdiq nga ethet, pak pas ditëlindjes së tij të 36-të. Bajroni jetoi ashtu siç shkroi ose anasjelltas: “Në jetë zemra e njeriut thyhet, por edhe me zemër të thyer jetohet”./KultPlus.com