Louisa May Alcott, autorja që ktheu sfidat e jetës në letërsi

Louisa May Alcott (1832 – 1888) mbetet një prej figurave më të dashura të letërsisë amerikane, e njohur veçanërisht për romanin klasik ” Gra të vogla ” (Little Women), që u bë menjëherë një sukses ndërkombëtar dhe vijon të lexohet me pasion deri sot.

E lindur në Pensilvani, Alcott u rrit në një mjedis intelektual, nën shoqërinë e mendimtarëve të mëdhenj amerikanë si Ralph Waldo Emerson, Theodore Parker dhe Henry David Thoreau. Arsimimi i saj erdhi kryesisht nën kujdesin e të atit, filozofit Bronson Alcott, një idealist me ide të përparuara, por i paaftë për të siguruar jetesën e familjes. Pas dështimit të kolonisë utopike Fruitlands, Louisa u përball me barrën e mirëqenies së nënës dhe tri motrave të saj, një përgjegjësi që e shoqëroi gjatë gjithë jetës, shkruan KultPlus.

Për të ndihmuar familjen, ajo punoi si mësuese, guvernante, punëtore shtëpie dhe më pas nisi të shkruante. Rrëfenjat e para iu botuan në The Atlantic Monthly, duke i hapur rrugën një karriere letrare të gjatë. Ishte presioni ekonomik ai që e nxiti të shkruante romanin Gra të vogla në vitin 1868, i cili u prit me entuziazëm të jashtëzakonshëm dhe i solli asaj stabilitet financiar. Në ditarin e vitit 1869, Alcott shënonte me lehtësim: “Shyqyr Zotit, i pagova të gjitha borxhet.”

Përveç krijimtarisë, Louisa May Alcott mbeti një figurë e përkushtuar ndaj familjes. Dy dekadat e fundit të jetës i kaloi duke u kujdesur për prindërit e moshuar, derisa vdiq më 6 mars 1888, vetëm dy ditë pas ndarjes nga jeta të të atit.

Trashëgimia e saj nuk kufizohet vetëm te Gra të vogla. Alcott hapi rrugën për shkrimtaret femra në Amerikë, duke treguar se letërsia nuk është vetëm një mjet argëtimi, por edhe një mënyrë për të përballuar jetën, për të dhënë forcë dhe për të ndërtuar ëndrra të reja./KultPlus.com