Akademia e Shkencave, konferencë kushtuar Luan Omarit në 100-vjetorin e lindjes

Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së akademikut Luan Omari, Akademia e Shkencave zhvilloi një konferencë shkencore me titull “Shteti dhe e drejta në veprën e akademikut Luan Omarit, me rastin e 100-vjetorit të lindjes”.

Veprimtaria u zhvillua në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Konferenca u drejtua nga akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe akad. Aurela Anastasi.

Në emër të Kryesisë së ASHSH-së, përshëndeti të pranishmit akad. Vasil Tole. Ai u shpreh se Luan Omari është i pari akademik që feston 100-vjetorin mes nesh, e njëherazi i fundit nga akademikët që themeluan Akademinë tonë të Shkencave në vitin 1972.

“Ne, nuk nderojmë thjesht një jetë të gjatë, por një jetë të shkrirë me shkencën, me mendimin shkencor, vlerësojmë një jetë të tërë të lidhur me sistemin universitar dhe me ndërgjegjen juridike të këtij vendi”, u shpreh akad. Tole.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Qeverisë së Shqipërisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ai e vlerësoi akad. Omarin si një prej figurave më të mëdha të mendimit juridik dhe të shkencës kushtetuese shqiptare si dhe shprehu mirënjohje të thellë për kontributet e jashtëzakonshme të cilat kanë lënë gjurmë të thella në historinë e shtetit shqiptar, në sistemin tonë juridik në formimin e mendimit demokratik në vend, si dhe për formimin e brezave të juristëve.

Një letër urimi erdhi për 100-vjetorin e akad. Omarit në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nga kryetari i saj akad. Mehmet Kraja. Përmes kësaj letre, Kryesia e ASHAK-ut shpreh mirënjohjen për kontributin e veçantë shkencor të akad. Omarit, i cili përveç kontributeve të tjera, në vitin 2009 botoi veprën “Kushtetuta e Kosovës në një vështrim krahasues”.

Pas fjalëve përshëndetëse, akad. Aurela Anastasi drejtoi punimet e konferencës. Seanca nisi me kumtesën me temën “Shteti dhe e drejta në veprën e prof. Luan Omarit” nga prof. dr. Arta Mandro. Ajo shprehu vlerësim dhe përulësi ndaj punës dhe kontributit të akad. Omarit në edukimin ligjor si institucion dhe në atë të shtetit dhe të së drejtës si përbërësit e domosdoshëm të demokracisë.

Më pas prof. dr. Ksenofon Krisafi mbajti një kumtesë me temën “Minoritetet në analizat juridike të prof. Luan Omaritt”. Ai e vlerësoi akad. Omarin si një figurë emblematike në fushën e së drejtës dhe si një zë të rëndësishëm në debatin publik mbi çështjet kushtetuese dhe administrative në promovimin e vlerave demokratike dhe të të drejtave të njeriut në Shqipëri, për reformën në gjyqësor, qeverisjen demokratike e më gjerë.

Studentë të Fakultetit të Drejtësisë së UT-së lexuan citate të përzgjedhura nga vepra e prof. Luan Omarit, duke shprehur mirënjohjen për njohuritë që përcjell në brezin e ri.

Në fund, vajza e akad. Omarit, prof. dr. Anila Omari, mbajti një fjalë falënderuese për zhvillimin e kësaj veprimtarie duke shprehur mirënjohjen për Kryesinë e ASHSH-së, përfaqësuesit e qeverisë, organizatorët, si dhe për personalitetet, profesorët e nderuar të jurisprudencës e marrëdhënieve ndërkombëtare, të cilët vlerësuan kontributin e akad Omarit në këto fusha./ KultPlus.com

ASH e Shqipërisë i ndan Çmimin e Karrierës akademikut Luan Omarin

Akademia e Shkencave të Shqipërisë organizoi ceremoninë e ndarjes së çmimeve shkencore kombëtare vjetore për vitin 2018. Me Çmimin e Karrierës u vlerësua bashkëthemeluesi i fundit që është gjallë i këtij institucioni, akademiku Luan Omari.

U zhvillua dje ceremonia e edicionit III të ndarjes së çmimeve shkencore kombëtare vjetore për vitin 2018 nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Me Çmimin e Karrierës u vlerësua profesor Luan Omari. Me motivacionin si: “Anëtar-bashkëthemelues i Akademisë së Shkencave edhe përurues e drejtues i suksesshëm institucional i saj. Përfaqësues i denjë i botës akademike shqiptare, evropiane edhe rajonale, që ka një veprimtari shkencore mbi 6 dekada…”. Çmimi iu dorëzua nga kryetari i Akademisë së Shkencave Skënder Gjinushi, i cili ndër të tjera u shpreh se “Është një nga baballarët e ASH, edhe nuk është akademia, që vlerëson sot këtë çmim, por është profesori, që na nderon duke pranuar këtë çmim. Është një ndër emrat, që do të krenohet brezat”.

Ndërsa, për bashkëthemeluesin e kësaj akademie, ky çmim është një vlerësim i rëndësishëm, që i bëhet për karrierën e tij, “Jetën time të gjatë, kohën më të madhe e kam kaluar në institucionet shkencore. Kam pas fat të madh të jem pranë njerëzve të shquar, si Eqrem Çabej, Aleks Buda, etj. Është kënaqësi e madhe që të marrë këtë çmim, në fund të karrierës sime. Do të mundohem, që forcat që më kanë mbetur t’ja kushtoj akademisë sonë”, u shpreh akademiku Luan Omari. (vlerësimi monetar 500 mijë lekë)

Me çmimin “ Eqerem Çabej” për veprën më cilësore origjinale monografike në shkencat shoqërore dhe albanologjike u vlerësua “Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX”, nga një grup autorësh.(1 mln lekë)

Me çmimin “Petrit Radovicka” për veprat apo kërkimet më të rëndësishme në shkencat natyrore edhe teknike u vlerësua vepra “Atlas i Florës së Shqipërisë” e akademikut Jani Vangjeli, me motivacionin: “Një vepër me karakter koleksionues edhe në shërbim të florës shqiptare. E mbështetur në rezultatet e kërkimit në terren mbi bimësinë shqiptare”. (1 mln lekë)

Me çmimin “Kërkuesi i ri më i suksesshëm”, për shkencat shoqërore dhe albanologjike u vlerësua “La necropoli meridionale di Phoinike. Le tombe ellenistiche e romane.” nga prof. asoc. Belisa Muka dhe prof. asoc. Giuseppe Lepore me motivacionin: “Bazuar në trajtimin shumëdisiplinorë të të dhënave, rëndësia e këtij botimi shfaqet në paraqitjen e rezultateve të gërmimeve, ekspeditave në nekropolin jugor të qytetit antik të Phoinikes”.

Kërkuesve të rinj, çmimi iu dorëzua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila u shpreh se: “Është shpresëdhënëse që të gjithë të rinjtë t’i hynë rrugës kërkimore, edhe të mos ngelin në sipërfaqen të kërkimit. Serioziteti i tyre na vë edhe më shumë para përgjegjësisë, që të jemi mbështetës”.

Juria e çmimeve përbëhej nga 10 anëtarë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme kërkimore dhe kryesohej nga profesor Etem Lika. / KultPlus.com