Teuta rrëfen momentin kur forcat serbe masakruan djalin 2 vjeçe: ”E kam dorën e lehtë, mos u tutni” bërtitke

Kthimi i gabuar nga Zvicra

Ky rrëfim është nxjerrë nga libri “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”

TEUTA kurrë nuk e kishte menduar se një ditë do ta përjetonte atë që po e shihte në televizor në mesin e viteve të 90-ta.

Me gruan e shefit tek i cili punonte, ajo po shihte rrëfime për luftën në Bosnjë që po ndodhte asokohe. Teuta atëherë jetonte në Zvicër.

Pak vite më pas, burri do të vendoste që të kthehet në Kosovë për t`iu bashkuar UÇK-së. Teuta e ndjek vullnetin e burrit.

Por, kthimi për shtatzënën do të ishte edhe vendimi më i gabuar i jetës së saj. Ajo do të përjetonte ato që njihen si dy ofensivat e ushtrisë serbe nëpër fshatrat e Kosovës.

Do t`i duhej të jetojë në mal të hapur, të përjetonte krismat, plagosjen nga një granatë, dhunën seksuale dhe sërish torturën e dëbimit nga shtëpia, derisa gjatë gjithë kohës nuk ka qenë e vetme. Të pesë fëmijët e vegjël e kanë përcjellë këtë nënë në ato që do të mund të vlerësoheshin si muajt e përballjes me të pa njerëzishmen.

Ajo ka pësuar në këmbë dhe në gji nga dy copa të një granate që është hedhur në mes të kolonës së civilëve, të cilët po ecnin nën kërcënimin se kush ndal hapin do të vritej.

Pak më vonë do të shihte tmerrin nga ata që, ajo i quan ushtarë të Sheshelit, të cilët do ta plaçkitnin. Të tjerët që ajo i quan të Arkanit do t`i prisnin kokën një foshnjeje me qëllim që t`i tmerronin gratë që po iknin.

“I dinim të kujt janë sepse thërrisnin: rroftë Shesheli ose rroftë Arkani. Këta të Arkanit kanë qenë me maska, ata Sheshelit me mantela të gjatë”, tregon Teuta…

Ajo, bashkë me 50 gra është dhunuar seksualisht pak javë para përfundimit të luftës, në një duzinë ku janë mbajtur për disa orë.

Rrëfimi në vetën e parë: Isha e plagosur, por nuk më kursyen

Teuta

Jam një nanë e pesë fëmive, e kam edhe bashkëshortin. Kemi qenë shumë motra e vllazni.

Kam kujtime t’mira, kam shumë… Kemi mrri, i kemi shkollu t’gjitha motrat, e kemi kry shkollën. Momentet ma t’mira kanë qenë për Bajram. Kur vike Bajrami i rrokshim defat, knojshum, dilshim nëpër shpija, u veshshin nuset. Shumë kënaqësi.

E kom pas fejesën, për 6 mujë jom martu. Kena bo darsëm, po me tre mujë m’ka ra me shku n’Gjermani. Edhe atje kom shku kom jetu me burrin. Atje kom qenë, kom punu bashkë me bashkëshortin. Kena nejt pesë vjet në Zvicërr. Kam qenë shatatzanë kur jam kthy n’Kosovë. Atje kom punu, i kam kqyrë pesë çika t’shefit, burri ka punu.

Jemi kthy me ni pushim, u kon ai vit, jom konë shtatzanë… Po du me lidhë kur kemi qenë ‘92-tën, ‘93-tën, atje ka qenë lufta n’Bosnjë, e po du me lidhë qetash te Bosnja. Atje kur ka qenë lufta, kur e kom kqyrë unë me grunë e shefit, e kqyrëm televizorin u çojsha prej veni se krejt trupi mu rrënqethke, kajke gruja e shefit, edhe unë shumë kom kajtë kur e pajsha luftën n’Bosnje çka po ndodhë, çka po bohet. E nuk e kom paramendu me përjetu unë vetë luftën n’Kosovë.

As se kom mendu kurrë po nuk kom mujtë as n’televizor me shiku atje n’Zvicërr t’u kajtë, e t’u u largu me grunë e shefit prej shpisë, t’u dalë me fmi t’u i shëtitë se s’guxojsha me kqyrë televizorin. Edhe jemi çu kemi ardhë n’gusht nji pushim, aty s’na ka tregu kërkush se çka osht’ t’u ndodhë n’Kosovë, aty kur ka ardhë koha pe shoh që burri n’mbramje po vanohet. Unë isha shtatzanë, i kisha edhe dy fmi, çikën edhe djalin. U vanojke çka o tu bo… at’here ka qenë edhe gazeta “Rilindja”, se gjithë na kena msu edhe kem pas qef shumë me lexu. Kur e kom pa “Rilindjen” vetëm e kish shkru n’fillim t’gazetës që vetëm sa s’ka kërsitë lufta n’Kosovë, u kon n’97-tën. Edhe aty m’ka hi nifarë frike. E pajsha që natën po bojnë lëvizje. Burri ish veshë me uniformën e UÇK-së.

I thash, unë du me i marrë fmitë edhe du me ec, edhe vjehrri m’ka thonë merri fminë edhe shko. Burri ka thonë jo, për atdhe le t’vdesim te tonë!

Unë linda… Kom lindë me ni qiri se s’ka pasë as mjek. Nuk kishe çka me pa prej forcave serbe. Qat’here ndodhi një masakër. Qaty ku ka fillu lufta për mu, ka qenë qai momenti kur kom lindë unë edhe tri javë i kom pasë që kom nejt n’shpi. Tri javë me qat fminë e vogël e me bebën edhe tani burri nuk kom ditë kah u shku mo se ushtria nuk e ka leju as n’shpi me ardhë.

Mandej kemi lëvizë prej një katuni në katunin tjetër. Tu u enë… Nata ka qenë e jona, dita ka qenë e shkive. Se ata natën, kur bijshin n’punkta t’vetë mo nuk guxojshin me bo lëvizje, vetëm ditën. Dita u konë e tyne… Ka ra shi shumë, ka ra breshën. Bukë nuk kishëm… Traktori mo s’kish naftë, traktori mo met’. Me tesha, me kotesha krejt qaty na kanë metë. Vetëm nisëm me ec. Krejt gra e fëmijë jemi konë. Kemi fillu n’kamë, kemi ardhë, jena mshef n’nji ahër edhe aty kur na kanë pa neve t’ushtrisë në fshat na kanë percjellë gjendjen krejt kah, ku po shkojna na, kah po himë, ku po dalim. E kanë pa që kambësoria po lshohen nëpër shpija me hi. Edhe kta kanë pritë deri u lshu terri, po si u lshu terri n’tokë kanë thonë ata që mo na nëpër terr nuk guxojna me dalë me i marrë. Na jena mbyllë me ni dhomë, me ni ahër edhe aty kemi dalë jashtë me marr ni kofe me ujë prej bunarit edhe i kena ni kamtë tu ec nëpër rrugë trap tap tap {imiton zhurmën}. Edhe na kemi fillu me kajtë, erdhëm, se ku e kanë nxonë pakicën e kanë bo masakër. Aty ia kem fillu me kajtë e me bërtitë çikat e reja, po për fat kishte qenë ushtria jonë. Kishin ardhë me na nxjerrë. Me na ndihmu. Neve na kanë nxjerrë atë natë, menxi kemi dalë. Kemi bujtë me ni katun tjetër. N’mëngjes, n’mëngjes, na kanë pru ushtartë grurë t’zimë me hangër, fmija s’kishin as çka hajnë…

Edhe ja kanë nisë fmija me hangër grurë, po nuk e hankshin pa sheqer. Ushtria e kishin zi se s’kanë pas miell, edhe ja kanë fillu po thojnë “ni traktor pe kqyrim t’mujshim diqysh me marrë edhe me ju qitë.” Na ishim kogja kallabllak. Me dy traktora. Edhe jena nisë. N`gjysë t’rrugës na nuk kemi ditë mo kurgjo hiç, na kanë ardhë automatat mi kry tu gjue. Na knej n’traktor, na sen s’kena ditë veç kur e ka rrokë gumën e traktorit, u shpërthy guma, e kena ditë se janë tu gjujtë shkitë. Aty i kanë nalë traktorat, shoferat kanë ikë. I kem shti fminë n’mal edhe jon ikë ushtria jonë qysh jon konë krejt jon largu, jon tërhekë, se shkiet ishin kanë tu ardhë me tenka.

Aty kemi nejtë tri ditë e tri netë n’mal, se mo fmive u dufke me ua mshel gojën se krejt terrenin e kqyrshin me automata e me gulinova. Tani hishin kambësoria, gjithë ata tu gjue, e tu gjue, e tu gjue, deri ra terri n’tokë, ata e kanë pastru terrenin. Ia kanë fillu me ardhë tenkat, kur ia kanë fillu tenkat me ardhë, toka u dridhke. Kambësoria u hypë nëpër tenka edhe kanë fillu me shku n`katun. Tani mo me rrokë, me rrokë kah e kishin n’plan ofensivën, edhe na e kalum atë natë, shkumë dy netë, në t’tretën…

I kena marrë fminë aty zhag, jemi shku me ni shpi me ni katun tjetër. Aty ju kena dhonë me hongër, ju kena dhonë me pi qysh e kishin lon gjinja bukën gatshëm. Kish pasë pasul, bukë t’nxehta që jonë ikë kur i kanë ni automatat. Kena hongër bukë, n’mëngjes, n’pesë n’sabah ja kena fillu me ec. Për ofensivën e parë jom tu tregu, edhe aty kanë fillu na kanë qu me ni traktor. Qysh jena hi na kanë qu te familja jem. Po kish pasë refugjatë shumë anej tu nejtë. E jena vendosë, e kanë kry ofenzivën knej, knej nuk kthehen. Po kjo ish konë politikë e tyne, edhe ofenziva e parë mo qajo u konë na kanë kallë shpinë, na kanë shkatërru me çka ka, edhe mo ia ka fillu n’shtator ofenziva të njëjta.

Qat’herë ka fillu lufta e ashpër që ka bo mo, qat’here kur u bo marrëveshja, nënshkrimi për me sulmu NATO. Tash nuk e di, na kemi qenë n’ahër edhe mo s’kemi pasë kohë as fminë me i kapë. Merre me men nuk u dijke as kah po vjen plumbi, nuk dishe as kah po t’vjen.

Atë ditë që fillunë, n’mars, na kanë tubu mo at’herë neve na kanë tubu krejtve, s’na kanë lonë vend kërkun hiç as nëpër male mo s’na kanë lonë vend. Na kanë tubu neve krejt nëpër fshatna edhe jena shku n’shkollë të nji katuni. Mo me fmi, me granim, me krejt qaty kena nejtë tri ditë.

Jem dalë nëpër shpija kemi lypë miell. I kena qitë njo tri bukë me i pjekë, po diqysh ma shumë si lloq si thojnë, si t’langt bukën që s’mujshim kërkun me pjekë. Veç me shku me i qitë dikun si petë me i pjekë mi shporet, për me hongër fmija, me ia mushë shpirtin fmisë. Çikën e kisha n’gji. Gji nuk kisha, çika m’kajke… untë. S’kisha e ngrata me fmi tu kajtë, edhe kur erdhën krejt, qata bukë që e kena pjekë edhe ata na kanë marrë, na kanë gju shkelma jashtë shkollës.

Kur ka ardhë tash Shesheli, ka ardhë edhe Arkani. T’parët kanë qenë t’Sheshelit. Na e dijshim cilët janë se ata thojshin, “Rrnoftë Shesheli”, e britshin e piskitshin. Ata që thojshin “Rrnoftë Shesheli” kanë qenë me mantilla t’gatë. Ata kanë lypë dukat, unë e kom pas dukatin se burri m’ka thonë “Mos e le duakin n’shpi, le t’qëllon për çdo rast”, sikur te dijke.

Kur kanë ardhë t’Arkanit, ata ishin konë krejt t’qart. Ata ishin konë krejt me maska, ishin konë krejt qela, me shamia n’kry.

I kishin pasë krejt aletet e masakrës. Na e kanë marr nji djalë dy vjeç edhe e rroki me thikë njani prej tyne. ”E kam dorën e lehtë, e kom dorën e lehtë, mos u tutni” bërtitke. Fëmija kajshin e britshin.

Çikën e kisha t’smutë, t’voglën, gji s’kisha me i dhonë, me hangër s’kisha edhe e kom ditë që m’ka vdekë çika. At’herë kanë hi n’mesin e grave, n’mesin e çikave edhe tu ju hi shkelma. Do i shtishin nëpër shpija me kqyrë a ka UÇK, i kapshin i ngrehshin zhag. Aty na kanë da 20 veta, krejt zhag na kanë ngrehë shkelma, tu na sjellë brijve. Na kanë çu mas shkollës. Edhe aty na kanë deshë, na i kanë marrë teshat, na i kanë tubu me na kallë.

E na murrën i ndajtën çikat, besa ka pasë edhe grue që i ka pasë 65 vjet, ka pasë edhe gra shtatëzana e na kanë çu mas shkolle. Aty kur na kanë çu mas shkolle, na kanë deshë, na kanë mshtetë krejt për zidi cullak, flakën na kanë qitë edhe aty mo vjehrra jem ka folë, e kjo çika ka kajtë shumë e ka bërtitë. E ka shku kah bari e iu ka lutë që lshona ren’. Po kish do që ishin t’mirë, do kish që ishin t’kqijë. Tani i ka thonë, “Cila osht’ reja jote?”, ma ka bo vjehrra, “Hajde“… Kanë nga tri shoqe para meje, ato: “Unë jam, unë jam” vjehrra ka thonë “s’janë ato”. Thotë, ” Po, pse?” thot, “Jo s’janë ato”, thotë “ato s’janë”. ”Une e kom vjehërr”, e atyne ju ka ra kondakt n’guj edhe i kanë lonë n’dy gujë tri femna. Unë i kom marrë teshat e ni gruje, veç sa jom mshtjellë me dalë te vjehrra. Tani do gra mi kanë dhonë do tesha, tani krejt ju kem bashkangjitë kolonës. Edhe kom mendu që po pshtoj, menja jem pshtova, thojsha.

Ato gratë që kanë mbetë aty mas shkolle kurrë s’jonë gjindë as… s’e dijmë as vorrin ku e kanë, kurrë. Jena bashkangjitë kolonës, jena ungjë krejt, kryt n’dhe. Mo s’kena pasë, as me ni diçka, sa mujshin gjujshin. Aty kena nejtë deri vonë, jonë ardhë kolonat, jonë bashkangjitë shkitë, kanë fillu me knu. Me mjekrra deri kha, kishin marrë kingja, kishin marrë dele, krejt i kishin mushë ato pragat e tyne e tu knu serbisht e tu fishkllu. Shumë sene që kanë marrë, sene që i kanë vjerrë nëpër tenka, dukatin e krejt t’vjerrun nëpër tenka. Edhe na krytë te poshtë, tenkat kanë pri përpara na kemi qenë mas tenkave…

Mas tyne, edhe nonstop tu na ra me ksi kondakt t’automatave, brive e ksajde s’mujshim mo. Fminë e kisha, çikën e kisha n’dorë. Dy fminë, njonin e merrke kunata, njonin vetë për dore që mos t’ëm largohet prej kolone. Me vjehërr me kunata, me motër t’burrit e krejt, e kemi fillu kolonën. Kur jemi ardhë në një fshat na i kanë marrë krejt pleqt. I kanë vra para syve tonë 13 pleq. Kqyrni thojke, “Cili osht’ baba juj?” I kapshin t’ngratit ata pa u bo sen, e ulshin kryt, automat n`kry. Kuku çka kena pa na, aty tani kanë fillu gratë çka i kishin n’kolica nanat e paralizume, i detyrojshin me i shti n’mal, e ata hishin e i vrajshin n’mal. Edhe i lejshin n’mal nanat që kanë qenë t’paralizume ose i çojshin me kolica…

Kemi fillu, kemi ecë, edhe na ka ra granata midis kolone. Aty ka pasë gra pa kry, aty ka pas gra pa kamë, pa dorë. Po unë, kur e kom vrejtë veten që m’ka përfshi edhe mu copa e granatës, çikën ma ka përfshi pak n’ftyre, mu m’ka rrokë n’gji edhe n’kamë.

Veç tu ecë e kom vrejtë çikën thashë, “Nanë, çikën ma paska rrokë copa e granatës” edhe aty kush ishin me gjak, kush ishin veç i skajojshin prej kolone edhe i vrajshin. Ma ka bo vjehrra, “Ec, as mos u kthe me kqyrë çikën diqysh, se marove edhe ti me fmi”. Kah me ecë, kah me ecë po m’shkojke gjak kamës. M’shkojke gjak kamës “Oj nanë veç po dridhna, s’po muj mo me ecë, maje çikën”. Gratë m’kanë dhonë do pelena me mlu çikën, ma kanë lidhë kamën gratë deri jem shku n’qytet… rrugës vjehrra ma ka bo, “A din… çika ka vdekë!”… “Çka me bo oj nanë, ku me lonë?” i thashë. Vetë isha e plagost, e kisha varrën. Po hala jon konë do që jon konë ushtarë, do policë që jonë konë, ushtri e rregulltë, ka pasë, po ata që ishin me maska, ata has vrajshin. E kom marrë çikën e kom lshue te një mulli, atë mulli s’du me pa kurrë. Edhe kur e kom lshu, ma ka bo ni shka, “Mos e le se e han naj qen”. Ushtar me uniformë ka qenë, ushtar ka qenë edhe ma ka bo, “Mos e le”, lehke si qen vetë, “merre” ma bojke serbisht “merre”. E kena marrë çikën. Edhe kur jena afru ngat qytetit na kanë gjujtë me nifar ledine, edhe aty kanë fillu na kanë nda edhe na kanë shti me ni kooperativë. Aty na kanë shti 130 veta, tash na nuk kena guxu me dal me kqyrë kah po i qojnë tjerat, edhe jemi hi na, jem vendos në kooperativë. Kur jemi hi atje kem nejtë. Edhe aty vjehrra na ka shtru ni palltë e ka pasë, e majke se ftoftë u konë koha. Kanë ardhë gratë, qysh me ia bo, me gërshonë ma kanë hekë ket pjesën e mishit që mos me u infektu. Ma kanë pre gratë, ma kanë lidhë kamën mi kanë qitë mill që me u nalë gjaku, pak u qetsu. E për gjinin, gjinin nuk mujsha me nalë kurrqysh, çikën e kisha n’gji, kur çika lypke me thithë. Ia nisën me m’rrokë temperaturë, ia nisën me m’rrokë ethe…

Ia nisa edhe pak çikës me i dhonë tamël që ma prunën do gra me ia lagë buzët. Çika veç filloj me i çelë sytë, çika gjallë ish konë. Edhe mo çika filloi me u përmirsu, aty kemi nejtë njo tri netë, po jom konë shumë smutë. Veç ni doktor e falenderoj shumë.

Ata mo u vendosën aty para koperativës krejt shkitë, edhe kanë nxanë rini shumë. Aty kcejshin prej toke n’cull t’barkut para neve tu na i rrehë djemtë. Krejt shkojke gjaku teposhtë, u cillke, u rroke për zidi. Cili e rroke me kondakt, a e hangshin, e jepshin orën, a dukatin djemtë e ri. Hiç s’vijke n’shprehje, prej toke shkelma që kcejshin e i shtishin n’kamiona. Na aty ia nisum po kajmë, po piskasum, po bërtasum. Na u afru ni shka, e rrehi ni plak. E rrehi edhe ni çikë. Ajo u kanë e re, veç që i ka pasë floktë e shkurtune mushki edhe tha “UÇK a?” Na e ka rrehë ato nërsy krejtve. Edhe na kanë bërtitë, “Pse po bërtitni?” edhe na kanë shti apet mrena.

Kur na kanë shti neve aty mrena, edhe thashë, zahere pi marrin djemtë e ri, krejt i mushën kamionat. Edhe na thamë, po largohen, po i marrin e po largohen. Kur jena hi mrena edhe hinën dy vetë, ishin pak ma te ulët, thojshin, “Lshoni fëminë edhe perjashta!” Përjashta krejt fëmia jonë dalë edhe s’i lamë me i vra fëminë, na asnjo nuk pranojshum. Hiç s’dojsha me pranu, dy fëminë i kom lidhë qishtu edhe thojsha le t’ëm vrajnë me fëmi se s’largona kurrë. Evladi ish shpirti i shpirtit.

Aty tani ia kena fillu me kajtë, tha, “Burrat ia u kena vra. Ia u kena kallë shpijat. Çka pritni ju ma? Pse s’jeni shku në Shipni? Albania… pse s’shkojshi?” thojke. “O na i ke vra me burrë e me krejt, une mo as fëmitë s’i lshoj. Me fëmitë vramë”. E ka hekë automatin, edhe kur e kom pa fëmitë që kanë fillu me dalë, do t’grave që i kanë lëshu fëminë. Unë fëminë s’i kom lshu, o siç um ka rrokë shuplakë, me veshin vonë kom pasë problem me vesh.

Aty i kanë marrë fëminë, mu m’kanë rrehë edhe kanë fillu me na nda… 130 veta jena kanë, 50 veta na kanë nda në qat ven që kemi qenë. Fminë i murrën, i qitën jashtë. Kanë marrë gra, ma s’kena pasë… Na krejt u tranum krejt t`u bërtitë që ma kurrë ai za s’um heket prej veshit (qan). Edhe aty tu bërtitë e tu piskitë ia kanë fillu, na si kena ndigju që janë kanë ushtarë e jonë kanë me asi të masakrës, jonë konë me alete, thika shtrafcigera, s’di qysh me thanë, jonë kanë me maska.

Me mjetet që i kanë pasë, edhe tash kur u hi ai i madhi me maska e di që ni dhamë të dukatit e ka pasë në gojë. Kur ka bërtitë, “Për ni minutë krejt mu deshë, krejt! Ktu afat s’ka! Veç ni minut keni mu deshë krejt”.

Na jena kanë 50 veta, prej 130-ve që jena kanë, 50 veta na kanë nda qaty, na kanë marrë. O brima që u shkue, piskama që u shkue, as s’dishum cilën me ngushllu, cilën me afru s’guxojshum tu sjellë, tu i rrehë. Tu na deshë me zor, me thikë bre jelektë që mi kanë pre qitu, ma bike thikën (qan). Une jom kanë e plagostë, po nuk më kanë kursy. Jom kanë e plagostë në kamë e në gji. S’u ardhë në shprehi hiç, veç gjaku që m’shkojke për gjini knej. Veç e di kur m’ka ardhë vetëdija, e di, dy vetë i kom pasë përmi. Njani m’ka majtë, tjetri e ka bo punën e vet. Krejt jena kanë të qarta të prishta. Ata mo qysh e bojshin qefin e vetë, qysh dijshin aty mo s’ki pasë shancë, dy orë, tri, as s’i kanë çelë as dyrtë. Edhe jashtë kanë qenë me fëmi, e me gra, e me krejt. E kanë ni brimën, e kanë ni piskamën. Krejt aty jena kone, gjynah, a din, sebep mas sebepi jemi njoh krejt. Ma as s’kom ditë as ku jom. S’kom pasë as vetëdije, vetëm vjehrrën e maj n’men pak që ma ka gju ni qebe kur o’ hi. Tani i kanë marrë me veti, s’e di sa i kanë marrë me veti, veç pak, 30 veta jena met’. 20 veta prej atyhit i kanë hekë. E ma, u ardhë vjehrra me na mbulu, e kan hi krejt. Çika e madhe e mban men thotë, “O mam qysh britshit e piskitshit, s’du mo me pa, as televizorin”. Pesë vjeç u kanë.

Edhe aty kanë fillue gratë me ujë te nxehtë me na la. At’here as ujë s’kishum, s’kishe ku me marrë as ujë. Kemi nejtë aty edhe ni javë ditë, rrafsh ni javë ditë, po ata qasjade jonë konë. Edhe tjerët që jonë shku, po qaty kemi nejtë, nonstop n’kontroll të tyne jena konë.

Kanë ardhë prapë t’nesrit. T’nesrit kanë ardhë tjetra parti. Unë kom hypë në tavan me ni çikë, kom pshtu n’tavan, edhe mo s’jom dalë poshtë hiç. Deri kur u kry.

Kanë ardhë gratë, kanë ardhë kush ka pasë mundësi, kush ka pshtu do sene, kush ka pas sene nëpër shpija, na kan mlu. Kush ka pas do tesha, u munojshin me na bo nifar ushqimi me hangër, po hiç s’ka pas shancë, tani na kanë pru mjekët menxi, varrat me i ly pak.

Po aty në atë koperativën kena nejtë edhe ni javë edhe masi ka përfundu edhe ma s’kena pasë ku me shku na, nuk e dishum a na kanë pshtu djemtë, a u vra kush! Kemi dalë në ledinë, kajshin gratë, tana sot me i pa trupi me rrëqethet, edhe kemi dalë në ledinë jemi ungjë, kemi kajtë gjitha gratë që na kanë ndodhë. Po sa kena nejtë në atë javë, gjashtë fëmi i kemi varrosë, se s’kanë pasë çka me hangër, s’ka pasë çka me pi. Vorrin e marojshim mi at koperativën veç sa mi shti në dhe, se s’ke pasë ku mi shti. Tani dilshum i kajshum vorret edhe kur pi shoh vllaun e burrin që po vijnë. Khu Zot, qysh mi dalë përpara, kta kishin ni çka ka ndodhë krejt po s’ja dhojshin vetit që pe dinë! Erdh vllau, erdhën tani kta djemtë e mixhallarve që jon kanë të vesht me tesha të ushtrisë, tani burri. Tani tha nana, “Hiç mos bo zo, le te dinë tonë qe je e rrehtë”, se edhe kto kanë me thanë “që jemi të rrehta”. Edhe qashtu vendosum, që jena të rrehta, po thashë si sot si nesër me ni, ma mire le te din çka osht’, le të osht’ me kohë, le t’vendosë sa t’jom qitu. Aty kom qenë kur nuk e kom njoftë kush osht’ a o’ burri jem a s’osht… Edhe tash burri kur afrohet ngat kqyr, çka me pa, nuk isha veç une po ishum shumë gra tjera. Krejt secilën te kqyrësh, shumë pleh, si të smuta, të qarta, edhe u afru ngat, dola i kapa përqafe vllaun e burrin e krejt ata çka kanë pshtu prej lufte. Tha burri: “A pshtutë?” thashë, “Pshtumë”. M’ka kapë edhe njëherë përqafe edhe m’tha, “Ku jonë fmija?”. Të tubumë krejt qaty ia nisën do fjalë, e kom marrë burrin e kom largu, edhe i kom thanë qishtu-qishtu na ka ndodhë, “Ndaç prano, ndaç mos prano”, thashë “qishtu, jo veç mu po krejtve qishtu na kanë nda”. Tha që e din, “edhe ti ke me kanë gruja jem qysh je kanë gjithë, gjithë ki me kanë”. Edhe gjithë burri m’ka përkrahë. Tani kanë ardhë KFOR-i, si i kom pa, m’ka hupë vedija… Thojsha “Prapë ja nisi lufta”, ka pas problem burri, vjehrra se ma nuk mujsha me deshtë kërkanin. Nuk mujsha ma hiç, hiç mu adaptu se jeta jem u shkatrru, se jeta jeme s’osht’ si perpara qysh ka qenë si para lufte, si mas lufte. Gjithqysh, ka pasë kohë që bijsha me flejtë, nuk mujsha me flejtë, u çojsha n’kamë, hinën, erdhën, shkunë, u çojsha, britsha piskitsha në gjumë.

Ama kta krejt e dijnë që jom kanë shumë e rrehtë. Edhe baba ka qenë në dijeni, shumë ma, aty u munojshum nifar jete po nuk kishum vullnet. I kisha fmitë, vjehrri ma ka hekë kanopin prej fyti, jom shku vetën me furë në garazhdë, vjehrri ma ka hekë kanopin “Çka je tu bo bre bijë?! Çka ki bre bijë?!”, psiqikisht unë kom pas lu pej menve…

Mas lufte shumë kom hekë, tri vjet jom kanë psiqikisht e lujtne. Kurrë s’kom guxu me nejtë pa kokrra, ksi qetsuse…

Prej 2008-ës ju falënderona kësaj shoqate ku po flasim. Zaher jam kanë e mbylltë, tash ma mirë. Unë e kom rrëfy luftën për herë të parë në kët vit. Ka pas aty… s’jonë kanë veç dy-tre vetë, po kemi qenë shumë që ia kom rrëfy luftën se s’ka mujtë me m`nalë kërkush, me më nalë tu folë. Çka kom folë, po unë kom folë, kam fol për përjetimet e luftës. Se kom dit se edhe më vonë do të flas… tash e po vij, po dal pak. Kur kom shku për herë të parë, aty kom edhe burri m’ka thonë, “Shko” se burrin e kom pasë n’punë. “Shko, osht’ diçka, pse mos me shku? Jonë shku gratë”. Po shumë kemi qenë, dy komba kemi shku, gra, burra, krejt jemi shku me shprehë luftën çka kena përjetue.

I kom vrejtë ndryshimet masi kam folë. Se pak m’u dukshin njerëzit ma t’gjallë, ma m’pritshin ma mirë. M’u duke kanihere vetja që sen nuk po nij çka m’ka ndodhë. Qe dy vjet e knej, mirë jam me burrin, qe dy vjet. Pe nij që jam me burrin pak e afrume se nuk kom deshtë… Ai e ka kuptu gjithë. Osht’ ni person shumë i kuptushëm, osht’ ni person shumë i qetë. Edhe vetë jom shumë nervoz, e bash kur jom nervoz ai m’qetëson, ai m’flet mirë, “Hajde dalum pak, hajde shëtitum pak. Hajde… s’ki… thotë çka ki mu bo nervoz nusja jem? Pse po bahesh kaq nervoz? Ka kalu lufta mo, ajo o shku, ajo duhet me u harru. Tash e kem t’ardhmen, fminë, familjen”. Shumë osht’ i qetë, e falemnderoj me zemër se e kam ni ksi burrë…

Sot ma e mira që pres me ndodhë, veç fëmia që t’ëm shkollohen. Prej fëmive e pres t’ardhmen, që t’i shoh t’u u shkollu, t’i shoh t’u u punësu që mos t’përsëritet kjo, dhashtë Zoti mos t’përsëritet kurrë, oh Allah që po t’lutna.

Po arrihen, qato që i kom mendue, që qato hjekë që kom hjekë, pe shoh që pas kom pasë për kon me nga, kom pasë për kon.

Porosia ime osht’, ma s’shumti, t’falemnderoj që na keni dhonë këtë mundësi që t’flasum, që po e pres me gjithë zemër ni libër që ta lexoj, e jetën qysh e kena përjetu para lufte, e qysh kom përjetu mas lufte. Qajo osht’ dëshira ime, që t’e shoh librin n’dorë t’e lexoj. Që ta shohin t’gjithë n’Kosovë, që ta lexojnë se çka kena përjetu nanat. Çka kena përjetu për fëmi, çka kena përjetu për këtë vend. Qajo osht’ porosia ime e fundit.

Fuqizuar nga: Integra dhe forumZFD

Në bashkëpunim me: KRCT

Mbështetur nga: RBF, MOTT, BMZ dhe UN Women

Familja nga Kosova zgjedh shoun televiziv për të falënderuar familjet që i mikpritën gjatë luftës

Programi televiziv “Dua të të bëj të lumtur” mbrëmjen e të shtunës na riktheu në vitet e luftës së përgjakshme të Kosovës, duke na rikujtuar plagët e lëna pas prej saj.

Në program u trajtua historia e dhimbshme e një prej shumë familjeve, që u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të vendosen në Shqipëri.

Familja Bytyçi rrëfeu në studio rrugëtimin e gjatë dhe tepër të vështirë, që kishin kaluar gjatë largimit nga Kosova.

Xhemal dhe Ajshe Bytyçi ishin mikpritur nga familja Axhami në Kukës, e pas një periudhe të gjatë kishin vendosur që të shpërnguleshin në Tiranë, te familja Hyseni.

Kur lufta sapo kishte mbaruar, familja Bytyçi ishte nisur për në Kosovë menjëherë, edhe pse vendi nuk ishte pastruar nga minat.

Xhemal dhe Ajshe Bytyçi kishin zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për të falënderuar dhe për t’iu shprehur mirënjohjen dy familjeve që i kishin strehuar gjatë periudhës së vështirë të luftës.

“Publik i dashur, ky është Agim Hyseni, vëlla dhe shkuar vëllait. Ju falënderoj shumë për përkrahjen dhe pritjen që keni bërë për ne, në ato dy muaj që kemi qëndruar bashkë! Ju falënderoj juve dhe të gjithë shqiptarëve, që na ndihmuat dhe hapët dyert e shtëpive tuaja për ne”.

Nga ana tjetër, familja Hyseni tregoi momente nga jetesa me familjen Bytyçi dhe shtoi se nuk kishin bërë gjë tjetër përveç detyrës së tyre si shqiptarë./tch/ KultPlus.com

Fotoreporteri i ‘Frankfurter Allgemeine’ publikon për herë të parë foto të luftës në Kosovë

Fotoreporteri i tablodit gjerman “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ka publikuar fotografi të shkrepura gjatë luftës në Kosovë.

Fotografitë e Wolfgang Eilmes përfshijnë periudhën e luftës në Prekaz, përshkrimin e dhimbjes së viktimave, pamje të ushtarëve të UÇK-së, forcave serbe, shtëpi të djegura gjithandej si dhe refugjatë të vendosur në Shqipëri e Maqedoni.

Dy vjeçari i vrarë nga forcat serbe në Kosovë, fotografia e njohur e Yannis Bahrakis (FOTO)

Yannis Bahrakis, fotografi fitues i çmimit Pulitzer, i cili ka mbuluar luftën në Kosovë, ka vdekur dje në moshën 58 vjeçare, përcjellë KultPlus.

Por ai na ka lënë dëshmi të luftës së fundit në Kosovë, fotografitë e tij që flasin më shumë se gjithçka. Duke fokusuar momente nga më tragjiket, vuajtjet, vrasjet e trupat e ndjerë, ai bëri që Kosova ta kujtojë si një njeri që dokumentoi një pjesë të historisë së trishtë të vendit tonë.

Një fotografi e bërë nga Yannis gjatë luftës në Kosovë, e cila u bë shumë e njohur pas publikimit të saj, është ajo e cila tregon një njeri gjersa vendos trupin e dy vjeçarit Mazllum Sylmetaj, në arkivol pranë trupave të tre anëtarëve të tjerë të familjes të vrarë po ashtu nga forcat serbe.

Bahrakis e ka bërë fotografinë nga lartë dhe ka përdorur një teknikë të veçantë e cila të jep ndjesinë e lëvizjes.

Fotografia ishte shumë e fuqishme dhe trupi i fëmijës pothuajse ishte në ajër. Të jepte përshtypjen që shpirti është duke lënë trupin për të shkuar në parajsë, pati thënë Behrakis për këtë fotografi.

Behrakis numëron një numër të konsiderueshëm të fotografive që i realizoi gjatë luftës në Kosovë por edhe në shumë vende të tjera që përjetuan kriza të tilla. / KultPlus.com

Yannis Bahrakis

Y

Ish-ushtari britanik në Kosovë: Kemi mbledhur copa të trupave të njerëzve të shpërndara gjithandej si pasojë e bombave

Një ish-ushtar britanik i KFOR-it, që nuk ka dashur t’i bëhet emri publik, është shndërruar në policin e parë britanik pa shtëpi.

Sikurse edhe shumë të tjerë që rrezikojnë jetët e tyre për t’i mbajtur të tjerët të sigurt, edhe ky u diagnostikua me çrregullim të stresit post-traumatik më 2017.

46-vjeçari, baba krenar i tre fëmijëve, tregon se si pasojë e çrregullimit i kishte dështuar edhe martesa sepse, siç thotë ai, “u bëra i pamundur për të jetuar me mua dikush”. Më pas jeta e tij mori tatëpjetën dhe gjendja e tij vetëm sa përkeqësohej, raporton “Mail on Sunday”. E shteti, siç shkruan ky medium, pa fije turpi mbylli sytë ndaj rastit të tij. Pas misioneve ushtarake në Kosovë, Irak e Afganistan, ai e vazhdoi shërbimin në Policinë Metropolitane të Londrës, por, nga momenti i diagnostikimit, ai mori pushim mjekësor dhe atë status vazhdon ta mbajë, por që, sipas grupit vullnetar që po merret me rastin e tij, ai është harruar krejtësisht dhe është lejuar “të marrë tatëpjetën”, përcjell albinfo.ch.

Muaji i kaluar për të ishte më i vështiri pasi që ka mbetur pa asnjë qindarkë në xhep. Në një intervistë për “The Mail on Sunday”, gjatë së cilës vazhdimisht e humbte përqendrimin, ai foli me hidhërim për braktisjen ndaj tij, dhe tha se besimi në Ushtri dhe Polici në esencë s’kanë shërbyer për asgjë dhe tani jeta e tij nuk ka ndonjë horizont më të madh sesa të gjejë ushqimin e radhës.

Ish-ushtaraku britanik ka folur edhe për misionin e tij në Kosovë gjatë luftës më 1999, ku thotë ta ketë kuptuar për herë të parë rolin e rrezikshëm që kishte marrë.

Gjatë hyrjes së trupave tokësore të NATO-s, forcat ushtarake serbe po tërhiqeshin, por derisa po e bënin këtë, ata shtinin në mënyrë sistematike dhe ekzekutonin këdo që gjenin. Trupat ishin futur në varreza masive, e në shumë raste kishin vendosur edhe mina.

“Kishin futur mjete shpërthyese të programuara të shpërthejnë posa të largohet një trup”, thotë polici.

“Ishte punë që të shkatërronte nervat. Në një rast, ishim bashkë me xhandarmërinë belge tek një varrezë masive në një fshat. Pasi i kishin vrarë burrat dhe i kishin varrosur, serbët i kishin nxjerrë sërish mbi dhè, dhe ua kishin ndryshuar rrobat për ta vështirësuar identifikimin. Asnjëherë nuk do t’i harrojë pikëllimin dhe dëshpërimin e grave dhe fëmijëve”, deklaron më tej ish-ushtari britanik i KFOR-it.

Por, ai thotë se kjo s’ishte më e keqja. Ekipi i tij kishte mbledhur copa të trupave të njerëzve të shpërndara gjithandej si pasojë e bombave.

“Ishte tmerruese dhe ato pamje më afektojnë edhe sot, por atëherë vetëm e kryenim punën”, ka rrëfyer ish-ushtari britanik që nuk ka dashur të identifikohet me emër.

Me gjithë punën e madhe që dikur kishte bërë, ai u bë ish-ushtari e polici i parë i pastrehë në Britani. / KultPlus.com

Jeta në mal, gjatë luftës së fundit në Kosovë (VIDEO)

Më poshtë mund të shihni një video e cila është realizuar në Kosovë gjatë okupimit serb. Aty mund të shihni gjendjen e rëndë të shqiptarëve dhe jetesën e tyre në male. Një rrugëtim i qindra njerëzve që ecnin duke mos e ditur se ku do të shkojnë.

“Dojnë me na mbyt na kanë qit prej shpije që 5 muj, nëpër mal, nëpër shi, lloç. Fëmijët kanë lind midis malit. Jemi pa bukë, pa ujë, pa tesha, pa mbulojë. S’kemi ku me ja majtë. Dojnë me na mbyt të gjithë”, dëgjohet duke thënë njëra nga gratë që shihet në video./ KultPLus.com

Një foto emblematike: “Klithma e Kosovës”

Luan Rama

Kjo fotografi e fotografit francez Georges Merillon, që nga dita kur mori çmimin e fotografisë më të mirë të «World Photo Presse» më 1991, ajo u bë e njohur në të gjithë botën si dhe objekt i shumë analizave estetike, edhe pse vetë fotografia nuk kishte asnjë simbol apo semiologji politike, madje as «pieta», siç e cilësuan jo pak kritikë këtë fotografi: «Pieta du Kosova».

Vallë një ndjesi mëshire për një nënë apo familje që qan birin e saj, atje, në dyshemenë e zbrazët të asaj shtëpie të thjeshtë, në shtëpinë ku ajo kishte lindur pjellën e vet? Nëna është aty, rrethuar nga vajzat, nusja, njerëzit e afërt të familjes, në qendër të atij grumbulli njerëzor të ngërthyer nga dhimbja e ku përpara, si në prehërin e saj ka birin e vdekur. Dhe ajo klith.

Është kjo klithmë kundër vdekjes që e kapërcen përkufizimin që disa kritikë i dhanë kësaj fotografie dhe duke risjellë në memorjen kolektive veprat e njohura «Pieta» e Mikelanxhelos e vitit 1499, «Pieta» e Van Dyck e 1624, apo atë tablo madhështore të Caravaggio-s e pikturuar më 1606, ku qahet një i vdekur, apo Shën Marinë në kokën e Jezusë së vdekur.

Madje po atë vit, kur një gazetar e pyeti presidentin Mitterand të komentonte një nga fotografitë më emblematike të vitit, ai komentoi pikërisht këtë foto të botuar në dy faqet e «Figaro magazine», duke thënë ndër të tjera: «E shikon atë fotografi dhe nuk ke si të mos mendosh për një tablo të Mantegna-s apo Rembrandt… zemërimi dhe dhimbja kanë gjithnjë të njëjtën fytyrë!..».

Tablotë pa dyshim janë emblematike dhe kanë mbetur në historinë e artit, e ndoshta dikush mund ta krahasonte dhe me «Klithmën» e Munch, çka më duket më afër, por përsëri, në strukturën e saj, në raportet e dritë-hijes dhe për më tepër në atë thjeshtësi të zymtë kuadri pa asnjë artifis, me atë lloj drite qumështi, nga bryma e asaj dite të ftohtë dimri, e mbajtur në ekspozim në një shpejtësi 20-30 sekonda, kjo tablo qëndron e jashtëzakonshme dhe e tejkalon idenë e «Pieta»…

Ne nuk mëshirojmë atë nënë për djalin e saj, ne tronditemi gjer në thellësinë e ndjesive tona me atë klithje që ka mbetur ngjizur në ato buzë, në atë skenë të fotografuar brenda një çasti të shkurtër, papritur, pa i thënë askujt, pasi fotografi Merillon qëndroi në atë dhomë morti, ku qëndrojnë sipas traditës vetëm gratë, veçse dy-tre minuta, jo më shumë.

Ndoshta Merillon nuk e imagjinonte që në «dhomën e errët» të aparatit të tij të ishte regjistruar një nga fotografitë më kulmore në jetën e tij si artist. Jo, nuk ishte «Pieta», por një klithmë sa personale aq dhe e një populli. «Klithma e Kosovës».

Vite më vonë, kur gazetarja franceze Annick Cojean, e kishte parë këtë foto dhe do shkruante një libër rreth 13 fotografive embmblematike të botës, mes të cilave një e Hiroshimës, një tjetër e princeshës Diana, një e revolucionit feminist apo kundër dallimit racial, midis tyre ajo zgjodhi dhe këtë fotografi, për të parë me sytë e saj vendin e ngjarjes dhe rikrijuar edhe njëherë tablonë e kohës.

Bëhej fjalë për shkrimin e librit «Kthimi tek imazhet». Dhe ajo u nis drejt fshatit kosovar ku kishte ndodhur kjo ngjarje tronditëse. Me makinë kishte rrahur rrugët e Kosovës mbushur me policët e Milosheviçit. Dhe gazetarja e “Le monde” shkoi gjer në Rahovec, në fshatin Nagafc, ku Nasimi ishte vrarë më 29 janar të vitit 1990. Ishte vrarë në një pritë të policisë, kur bashkë me disa shokë po shkonin për të marrë pjesë në një manifestim, pa armë, vetëm me një copë flamur. Dhe ata i kishin vrarë ata katër të rinj të lirisë duke plagosur dhe 32 të tjerë… Në Rahovec ajo takoi nënën e Nesimit, atë që vuri atë kuje epike.

Ajo i tha se “Nesimi ishte i bukur, i fortë… se kështu Nesimi jeton sërish, dhe emri i tij mbush jetën e këtyre njerëzve»… «Në prag të martesës së tij, – i thoshte ajo, – ai manifestonte në Prishtinë për Kosovën dhe unë kisha frikë” Por atë ditë të akullt janari, kur Sabrija, nëna e tij kishte parë atë grup njerëzish ti afroheshin shtëpisë së saj, me ato fytyra në zi, me atë vështrim të heshtur e gjithë tmerr, ajo e kuptoi se vdekja e kishte marrë Nesimin. Dhe ajo ulëriu: «Oh, e mjera nanë, e mjera nanë që sheh birin e saj të vdekur! Si mund të hysh kështu biri im në shtëpinë tënde?…» Dhe atë e kishin futur ashtu të vrarë, duke e vendosur në mes të dhomës, ashtu siç do ta gjente pak çaste më vonë fotografi i GAMA-s Georges Merillon, që me të marrë vesh ngjarjen ishte nisur nga Prishtina.

Katër orë rrugë me makinë për të pikëtakuar vdekjen…

Në bisedë me gazetaren e «Le monde», motra më e vogël, Afërdita Elshani, i tregonte: «Një mbrëmje më parë isha shqetësuar kur vëllai im u kthye vonë nga mbledhja. Por e dija se çështja e Kosovës ishte thellë zemrës së tij. Një mëngjes unë e pyeta: «Do ta fitojmë dot lirinë, apo jo?» Dhe ai më buzëqeshi ëmbël: «Së shpejti!» E përcolla deri tek porta. Nxitonte përsëri në një tjetër manifestim dhe thashë me vete se kam një vëlla te mrekullueshëm. Më kujtohet se kur isha shtatë vjeçe, njerëzit e shtëpisë e përcollën me rastin e nisjes së tij ushtar. Por papritur policia serbe rrethoi shtëpinë duke kontrolluar kudo për të gjetur materiale propagandistike. Nasimi kishte frikë se mos thyenin gjithçka. «Mjaft! – u thirri më në fund. Dhe ai u dha disa kaseta e trakte ku shkruhej «Kosova Republikë». E arrestuan menjëherë. Por nuk kisha frikë. Isha shumë krenare që kisha një vëlla të tillë… Dhe ata e vranë. Përse? Ai ishte i drejtë, kurajoz dhe mbronte popullin e tij. Ja, tashmë në gjirin e familjes, i zbehtë, pa jetë, me fytyrën e tij të bukur dhe flamurin e vogël të Kosovës nën mjekër që i vuri gruaja e tij. Nuk mund të kesh një vëlla më të mirë. Dhe nuk mund të ketë vdekje më të bukur se ajo për lirinë…”

Që nga ajo shkrepje e aparatit të Merillon kanë kaluar 18 vjet dhe kjo fotografi mbetet një emblemë për Kosovën.

Një lloj ikone në historinë e fotografisë. Mjafton ta shohësh gjatë atë për të kuptuar semiologjinë e një historie të tërë. Britma e saj ka një emër: «Kurrë më!» Por fotografia ka një dimension edhe më universal: është humaniteti i përballur me barbarinë, vdekjen! Ja pse kjo «Pieta-britmë» mbetet një referencë e gjallë për kohërat që vijnë.
Gazeta Shqip, 2 gusht, 2018./ Kultplus.com

19 vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova (FOTO)

​Sot shënohet 19-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

Për veç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi).

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova./ KultPlus.com