Fotoreporterët e luftës shpalosin rrëfime nga arkivat personale: Shteti i Kosovës t’i arkivojë sa më parë fotografitë e trupave të Familjes Jashari

Vjollca Duraku

Visar Kryeziu, Vjosa Sadriu- Hamiti dhe Ridvan Slivova mbrëmë kanë shpalosur përvojat, kujtimet dhe sfidat e gazetarisë gjatë kohës së luftës në një panel diskutimi të mbajtur në shenjë të manifestimit të Ditës së Çlirimit, përkatësisht 26-vjetorit të lirisë së Kosovës, në KultPlus Caffe Gallery.

Tre panelistët janë personazhe të cilët koha e luftës i ka gjetur në një moshë fare të re, megjithatë ambicia e tyre për të treguar të vërtetën e popullit të përvuajtur, i ka shëndrruar ata në dokumentues të ngjarjeve në vitet më të vështira të popullit të Kosovës, duke e tronditur edhe ndërgjegjen ndërkombëtare.

Moderuesja e këtij paneli diskutues me shumë rëndësi, Vlora Merovci, ka thënë se puna e fotoreporterëve në momentet më të vështira të Kosovës, ka bërë që të gjitha përjetimet e asaj kohe të kthehen në momente të përjetshme.

“Një ndër dimensionet më të fuqishme të këtij rrugëtimi ishin momnentet e pathëna, shikimet e heshtura dhe fotoreporterët ata që i kthyen këto në kujtime të përjetshme. Pra, nëpërmjet objektvave të tyre ata nuk e dokumentuan vetëm luftën, ata e tronditën ndërgjegjen ndërkombëtare dhe ata ishin gjithmonë aty ku dhimbja bërtiste, ku dhimbja mbijetonte dhe ku imazhi bëhej dëshmi”, ka thënë Merovci.

Visar Kryeziu, i cili ka fotografuar të gjithë trupat e dëshmorëve të Familjes Jashari nisi të shpalos rrëfimin e tij duke shpërfaqur guximin, sinqeritetin dhe atdhedashurinë e një djaloshi 21 vjeçar, i cili me punën e tij ka dhënë një kontribut të madh e të pashlyeshëm për çlirimin e vendit.

“Kur kam filluar unë kam qenë 21 vjeçar, megjithëse të rinj, ne kemi qenë të vetëdijshëm për barrën që e mbanim mbi supe. Në atë kohë të gjithë kemi qenë të indoktrinuar politikisht. Deshëm apo jo kemi qenë të përfshirë në atë që ndodhte, ndryshe nga rinia e ditëve të sotme, që nuk janë të përfshirë në situatën politike. Kam filluar në Kohë Ditore, dhe pastaj më kanë ftuar gazetarët prej Associated Press, Reuters dhe agjenci e televizione të ndryshme. Fotografia ka qenë thirrje e imja e brendshme, me të cilën kam menduar për të bërë punë më të madhe. Mendoja që arma të cilën nuk e kishim për luftë, ishte aparati. AP ishte agjencia më e madhe botërore e lajmeve, e për këtë ndoshta nuk kam qenë i vetëdijshëm sa shtrirje të gjerë kanë pasur në tërë globin. Çdo ditë kemi qenë në terren dhe çdo gjë që raportonim merrte jehonë në dimensione tjera. Nuk e kam ditur që fotografitë e mija janë publikuar në Japoni, Tajlandë, Indonezi, Rusi dhe Beograd”, ka thënë Kryeziu.

Kurse Vjosa Sadriu-Hamiti, e cila e kishte filluar misionin e saj në moshën 24-vjeçare si përkthyese në informatorin gjerman, tha se rrugëtimi i saj kishte nisur me përgjegjësinë që ajo e ndiente për të plasuar gjendjen e Kosovës para publikut gjerman.

“Unë kam filluar të punoj në QIK në 95-tën, pasi kisha qenë në Gjermani për një vit në studime. Kur u ktheva më ftuan se donin të fillonin edhe me informatorin gjerman, pas informatorëve në gjuhën shqipe dhe angleze. Në Kosovë ‘QIK’ ka qenë i vetmi zë që fliste për shqipatarët, çdo lajm që është botuar, është verifikuar përmes nëndegëve dhe KMDLNJ-së deri në 10-të herë. Në atë kohë kam qenë 24 vjeçe, ku edhe i kam ngarkuar vetes detyrën për ta bërë atë punë, pasi mendoja që nëse nuk do të përktheheshin lajmet në gjuhën gjermane, Gjermania nuk do ta dinte se çfarë po ndodh me ne. Pasluftës e kemi kuptuar që një barrë të tillë e ka pasur secili prej nesh në atë kohë. Ky aktivitet nuk është cilësuar si barrë, por si diçka që pa ty nuk mund të ecën procesi dhe nuk mund të informohen njerëzit. Nga perspektiva e sotme, ajo është një barrë bukur e rëndë për një moshë shumë të re”, ka thënë Sadriu- Hamiti duke kujtuar edhe kohën kur në shtëpinë e saj i kanë bërë konak gazetarëve të huaj.

Kurse, Ridvan Slivova përvojën e tij si fotograf e ka filluar pikërisht në trazirat më të mëdha të vendit, duke mos e menduar faktin që përmes punës së tij do të ndërtonte histori, duke filluar nga shfaqjet e Faruk Begollit në Dodonë, e deri te lufta dhe masakrat e ndryshme.

“Kemi qenë të përgatitur si nga ana psikologjike, e po ashtu edhe nga ana informative mbi atë se me çka po përballej vendi ynë, pavarësisht moshës që e kemi pasur. Çdo lajm pasi është marrë, është analizuar disa herë. Nuk janë publikuar lajme që dalin sot në publik. Unë kam filluar shumë i ri, pikërisht në vrullin e trazirave më të mëdha, pasi lufta është një kurorë e asaj që ka ndodhur përpara. Shumë kemi përjetuar si të rinj, duke filluar në 91-tën duke fotografuar një kufomë për ta parë opinioni. Në atë kohë kam punuar për mediat vendore, mirëpo përmes Këshillit për të Drejta të Njeriut dhe Qendrës Informative, janë dërguar informacionet në qendrat kryesore të botës. LDK ka pasur degë dhe nëndegë me njerëz të informuar për çkado që ka ndodhur në Kosovë. Kjo qendër është njoftuar brenda një ore”, ka thënë Slivova.

Në këtë panel diskutues i cili ngjallte kuriozitet, fotografi Visar Kryeziu ka treguar se ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me cilët është takuar kanë qenë krye-komandanti Adem Jashari dhe Abedin Rexha- Sandokani, pasi deri atëherë UÇK-ja kishte vepruar në ilegalitet.

“Secilin shqiptar apo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që e kemi fotografuar me armë, ka qenë rrezik individual për të, por edhe për familjen e tij. Ne e dijmë çfarë hakmarrje ka pasur aparati shtetëror serb. Ka qenë një përgjegjësi shumë e madhe, në të njëjtën kohë duhej për ta fituar besimin për të kryer misionin. Ndoshta edhe nuk e kam ditur peshën që e ka pasur. Jam munduar që ta kryej punën pa i kalkuluar dëmet që do të mundja t’i shkaktoj. Mendonim se me ato fotografi ne kemi me ndal luftën”, ka thënë Kryeziu.

Ndërsa, Vjosa Sadriu- Hamiti ka rrëfyer edhe rastin më sfidues të cilin e ka përjetuar gjatë asaj periudhe të vështirë.

“Një herë kemi qenë në afërsi të Llapit, me një gazetar të huaj. Na patën thënë hyni këtej, nga një rrugë e arave dhe të kthehemi në të majtë. Rrugës duke shkuar ngelëm në baltë pasi vetura nuk ishte në gjendje shumë të mirë. Dikush tha që dalim jashtë e t’i ngrisnim duart lartë duke i lëvizur, në mënyrë që të vijnë pastaj ushtarët e UÇK-së për të na ndihmuar. Ne faktikisht aty kishim qenë në vijë të frontit. Aty vetëm Zoti ka dashur të na shpëtoj. UÇK-ja e kanë ditur se janë në vëzhgim dhe kishin dërguar një banor të asaj ane për të na nxjerrë nga balta”, ka kujtuar Sadriu-Hamiti.

Ndërsa, fotografi Ridvan Slivova tha se gjatë kësaj kohe është munduar të fotografoj sa më pak ushtarë, me qëllim që të mos i ekspozoj para pushtuesve.

“Në Llap, Isa Havolli- një ushtar i vjetër në front të luftës së bashku me një ushtar tjetër nga Shqipëria, na thoshte të mos i rrinim përpara. Ai askënd nuk e lejonte përpara tij, me idenë që mos t’i vritej asnjë i ri, sepse ai ishte në front dhe përpara kanë qenë të barrikaduar pala tjetër. Kemi raste të lloj- llojshme. Për fat të mirë kemi ditur edhe të ballafaqohemi edhe na kanë njohur njerëzit pak a shumë” ka thënë Slivova.

Fotografi Visar Kryeziu, i cili posedon një arkivë me trupat e dëshmorëve të familjes Jashari i ka bërë thirrje komunitetit për t’u angazhuar në ruajtjen e materialit arkivor, i cili do të shërbej si mbamendje për memorien kolektive.

“Familjen Jashari e kam fotografuar sepse për mua ka qenë e rëndësishme të dokumentoj. Kam menduar që e kam kryer punën e një prokurori ose një fotografi të prokurorisë për krime, sepse misioni im ka qenë të paraqes atë çfarë kanë bërë serbët në këtë familje. 80 % e viktimave janë fëmijë, gra, pleq e plaka. Aty vetëm katër persona kanë qenë të moshës që mund të përfshiheshin në luftë. Fotografitë që i posedoj nuk janë për tu ekspozuar. Unë ende nuk e di se si shteti i Kosovës nuk i posedon në Arkivë. Në mbledhjen komemorative të Alban Bujarit i bëra pyetje vetes çka nëse nesër mua më ndodh e njejta gjë? Çka do të ndodhe me materialet e mija? Unë nuk e di nëse gruaja dhe fëmijët e mi do të jenë në gjendje të jetësojnë punën që nuk kam mundur unë ta arkivoj. Kërkojnë një qasje profesionale” ka thënë ai duke e përmendur edhe shumëllojshmërinë e fotografive të cilat gjenden në arkivën e tij personale.

“Unë frikësohem kur hyj në arkivë me punu sepse aty gjej gjithçka. I kam gjetur ushtarët në morg të Prizrenit, dëshmorët e Pashtrikut. Kam pasur rastin të hyj edhe në morg të Prizrenit. Unë nuk e kam ditur deri vonë që ata janë ushtarët e komandant Mujë Krasniqit. Këto fotografi kërkojnë një profesionist për t’i trajtuar dhe për t’i arkivuar pasi nuk janë foto për publikim. Por, unë po mendoj që janë të vlevshme për shtetin tonë”, ka thënë Kryeziu.

Drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë, Ardianë Pajaziti në këtë takim me panelistët e gazetarëve dhe fotografëve të luftës ka propozuar që të themelohet një Institut për Fotografët dhe Reporterët e Luftës, me qëllim të zbardhjes së fotografive dhe dokumentimeve të tjera.

“Është më rëndësi që të themelohet një Institut me gazetarët dhe fotoreporterëve të luftës, shumë fotografi kanë mbetur në arkivat e fotografëve dhe vetëm në këtë mënyrë dokumentohet vuajtja e popullit shqiptar”, ka thënë Pajaziti, e cila më pas ka shtuar se për këtë punë duhet një angazhim maksimal dhe dërgimi I këtij ekipi në një rezidencë disa mujore do të ndihmonte në këtë çështje.

Edhe të pranishmit tjerë, këtë panel diskutues e cilësuan të një rëndësie të veçantë, tema e të cilit duhet të trajtohet nga organet kompetente me prioritet, ndjeshmëri dhe serozitet, në mënyrë që shteti i Kosovës të ketë arkivë me qindra e mijëra fotografi nga një periudhë shumë e rëndësishme e vendit./ KultPlus.com