Del në dritë pasuria arkeologjike e Luginës së poshtme të Drinit

Çdo ditë e më tepër po del në dritë pasuria e vyer arkeologjike e Luginës së poshtme të Drinit, me vendbanimin e Komanit.

Ekspedita kërkimore-arkeologjike që këtë vit u zhvillua gjatë muajit korrik synon vazhdimin e gërmimeve në nekropolin qendror të Komanit, një prej varrezave më të mëdha mesjetare në vend, por dhe nga më të njohurat në pjesën e Ballkanit Perëndimor e që përbën burimin kryesor të të dhënave rreth popullsisë përgjatë shek. VI deri në shek. XIV.

Përmes këtij projekti të dhënat dhe kultura materiale po jep dhe do krijojë mundësinë të mësojmë më shumë për organizimin topografik të varrezës, riteve funerale, paleodemografisë (ushqimit, sëmundjeve, gjenetikës, mobilitetit), kodeve sociale, stadin që kishte arritur, prodhimeve e shkëmbimeve ndërajonale të popullsisë.

Ky projekt i rëndësishëm kërkimor zbatohet dhe mbështetet nga CNRS Paris/Orient et Méditerranée École Française de Rome nën drejtimin e Etleva Nallbanit, Elvana Metallës, Instituti i Arkeologjisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Jocelyne Desideri, Université de Genève dhe DRTK Shkodër./atsh/KultPlus.com

Lugina e Drinit, vendi me bukuri të rralla dhe thesare të trashëgimisë arkeologjike (VIDEO)

Lugina e Drinit, që nis nga Vau i Dejës e shtrihet sipër në Koman për të përfunduar me Fierzën, ofron bukuri natyrore dhe thesare të trashëgimisë arkeologjike.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga lugina e Drinit duke ftuar vizitorët vendas e të huaj për të shijuar peizazhin tërheqës e me bukuri të rrallë në këto ditë vere.

Drini që mban fshehur ishullin e Sardës apo të Shurdhahut, ku kishin selinë Dukagjinët, qendër ndërlidhëse e rëndësishme deri në shekullin e XV mes Malësisë, Mirditës dhe Zadrimës të josh me ngjyrat e kësaj vjeshte.

Lugina e Drinit fsheh jo pak site antike gjatë rrjedhës së tij, por është edhe një pasuri më vete për shkak të shumëllojshmërisë së specieve që e gjallojnë.  Rrjedha e Drinit zotëron një pasuri prej 4 mijë speciesh dhe mikrogjallesash.

Lugina e Drinit është një dëshmi e vlerave të mëdha natyrore, turistike, hidrologjike e kulturore. Drini është lumi më i gjatë i trojeve shqiptare me 335 km gjatësi në total. Ai derdhet në Detin Adriatik afër Lezhës dhe në lumin e Bunës, degë që u formua pas një përmbytjeje në shekullin e 19. /atsh/ KultPlus.com