“Macbeth” i Giuseppe Verdit hap sezonin e operës në La Scala

Megjithëse “Macbeth” zhvillohet në shekullin e 11-të, regjisori Davide Livermore e vuri në skenë operën në një qytet modern, duke përdorur realitetin e shtuar.

“Macbeth” i Giuseppe Verdit filloi sezonin e operës së La Scala-s para qindra spektatorëve, ndërsa vala e katërt e pandemisë së koronavirusit po detyron përsëri shumë teatro në vende të tjera në Evropë të mbyllin dyert e tyre. Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, dhe të famshëm morën pjesë në premierën që shënon hapjen e kalendarit kulturor të Milanos.

Ndërsa kinematë dhe teatrot e Italisë u rihapën për publikun në fund të prillit, qeveria të hënën kufizoi përsëri hyrjen në një sërë ambientesh, përfshirë teatrot, për të pavaksinuarit.

“Kur shihni kaq shumë teatro të mëdhenj të mbyllur, si Opera Shtetërore e Vjenës, ajo në Mynih, Dresden dhe Leipzig, më duhet të them se jemi me fat. Hapja e sezonit të këtij viti është një mrekulli”, tha drejtori artistik i La Scala-s, Dominique Meyer.

Publiku dhe anëtarët e orkestrës mbanin maska, ndërsa aktorët dhe kori performuan në këmbë në distancë, por darka gala që zakonisht pasonte shfaqjen, u anulua. / KultPlus.com