Aprovohet ligji për simbole në Mal të Zi, shqiptarët lirshëm mund ta përdorin flamurin

Është bërë e ditur se qeveria e Malit të Zi ka aprovuar sot projekt-Ligjin për Simbolet Kombëtare i hartuar nga Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Mehmet Zenka.

Ky projekt-Ligj do të jetë në rënd të ditës për miratim në seancën e parë të Kuvendit të Malit të Zi, transmeton INA.

Rreth kësaj, kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj për TV Boin tha se ky projekt-ligj parasheh që flamuri shqiptar të përdoret i lirshëm kudo që jetojnë shqiptarët.

Megjithatë, duhet cekur se përdorimi i simboleve kombëtare garantohet edhe me Ligjin aktual për simbole kombëtare dhe gjithashtu edhe me Kushtetutë, por që përdorimi i flamurit shqiptar është sanksionuar përmes Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.

Kujtojmë se rasti i fundit i gjobitjes për shkak të shfaqjes së flamurit shqiptar, ndodhi javën e kaluar në Krajë. Përveç aprovimit të projekt-Ligjit për Simbolet Kombëtare, Qeveria ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të paraqes projekt-ligjin për ndryshim të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike i cili ishte miratuar nga Parlamenti malazez në vitin 2011.

Vitin e kaluar deputeti Genci Nimanbegu kishte paraqitur projekt-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, por nuk kishte fituar shumicën e votave të koalicionit parlamentarë. Albinfo.ch. / KultPlus.com

Serbia prezanton në Pekin këndimin me lahutë si të veten, reagon Mali i Zi

Ministri e Kulturës e Malit të Zi ka vlerësuar se me rastin e hapjes së Qendrës Kulturore të Serbisë në Pekin, organizatori “ka vënë dorë konkretisht” mbi trashëgiminë kulturore të Malit të Zi “duke e prezantuar si të veten”.

“Përmes paraqitjes së lahutarit në hapje të Qendrës Kulturore të Serbisë “Ivo Andriq” në Pekin, i cili ishte i veshur me kostume popullore malazeze, si një veçori identitare skajshmërisht eksplicite, organizatorët e kësaj shfaqjeje kanë vënë dorë në trashëgiminë konkrete kulturore të Malit të Zi, duke e prezantuar si të veten” ka saktësuar Ministria e Kulturës së Malit të Zi, transmeton Koha.net.

Në Pekin më 29 nëntor është hapur Qendra Kulturore “Ivo Andriq” e Serbisë, dhe me këtë rast u mbajt një ceremoni që u shoqërua edhe me një program kulturo-artistik. Njëra nga pikët ka qenë edhe ajo muzikore me lahutë nga një i ri i veshur me kostum popullor malazias.

“Fakti se të kënduarit me lahutë është pjesë e trashëgimisë kulturore e shumë popujve të Ballkanit, së paku kërkon një prezantim më të kujdesshëm të kësaj trashëgimie jomateriale, nga ai që u mund u pa me rastin e hapjes së Qendrës Kulturore “Ivo Andriq” të Serbisë në Pekin”, janë shprehur në Ministrinë malazeze të Kulturës. Kjo ministri ka shtuar se fakti tash për tash i regjistrimit të këngës me lahutë në Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Jomateriale Kulturore të Njerëzimit, si pjesë e trashëgimisë Kulturore të Serbisë, do të thotë se Serbia me rastin e prezantimit të kësaj trashëgimie traditën e këndimit me lahutë e konsideron të veten sikurse edhe çdo gjë që shkon me të, siç është veshja, domethëniet simbolike dhe burimore si dhe autentiteti i teksteve të këngëve të lahutës, transmeton Koha.net.

“Duke respektuar faktin se këndimi me lahutë i takon edhe trashëgimisë kulturore të Serbisë, gjë që fundja është vërtetuar edhe me vetë regjistrimin në listën e UNESCO-s, konsiderojmë se me rastin e prezantimit dhe promovimit të kësaj trashëgimie jomateriale nuk do të duhej t’u referohej atyre përmbajtjeve dhe elementeve të saj që u përkasin popujve të tjerë, përkatësisht trashëgimisë kulturore të shtetit tjetër”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Kulturës të Malit të Zi.

Kjo ministri thekson se Mali i Zi “duke u nisur nga veprime të tilla në të ardhmen këndimin me lahutë do ta prezantojë si trashëgimi të veten kulturore, që posaçërisht do të lidhet me periudhën pasi të pranohen kandidaturat nga ana e UNESCO-s për Malin e Zi, Shqipërinë, Kroacinë, Kroacinë dhe BeH”.

Ministri Gashi priti ministrin e Malit të Zi, Mehmed Zenka

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në takim Ministrin për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritete të Republikës së Malit të Zi, Mehmed Zenka, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunim mes dy ministrive.

Ministri Zenka e ka falënderuar ministrin Gashi për pritjen dhe ka njoftuar ministrin për aktivitetet dhe punën që ministria që e udhëheq ai në Mal të Zi. Zenka u shpreh se ministria përkrah minoritetet në Mal të Zi përmes projekteve të shumta, me theks të kulturës e rinisë.

Ai tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me ministrin Gashi për të realizuar projekte të përbashkëta që janë të interesit të dyanshëm në mënyrë që të rritet shkëmbimi i përvojave të mira dhe i profesionistëve të fushave të ndryshme.

Ndërkaq, nga ana e tij, ministri Gashi, u shpreh se MKRS-ja është e gatshme që të bashkëpunojë dhe mbështesë projektet konkrete që janë me interes edhe për politikat e ministrisë tonë, por edhe që janë në favor qytetarëve të Republikës së Kosovës por edhe atyre të Republikës së Malit të Zi, pa përjashtim./ KultPlus.com