Urat në malin e Sheldisë, pasuri kulturore me rëndësi historike

Skuadra e DRTK Shkodër, ka nisur punën për identifikimin dhe dokumentimin e pasurive kulturore me vlerë të rëndësishme historike me qëllim mbrojtjen e vlerave të tyre unike dhe shpalljen e tyre si interes kulturor.

Kësaj here DRTK Shkodër sjell në vëmendje urat në malin e Sheldisë.

Në lartësinë rreth 280 m. ruhen si pjesë e trasesë së rrugës dy ura në distancë rreth 300 m nga njëra tjetra. Vepra inxhinerike në gurë shërbenin si mbikalime mbi vërshimet e përrojve nga Mali i Sheldisë.

Urat janë prej guri, të ndërtuara mbi skarpatin e malit. Në fasadë i është kushtuar kujdes anës estetike në puthitjen mirë të gurëve, skuadrimin e tyre, fugave dhe parapeta.

Ura e parë që ngrihet rrëzë malit të Sheldisë, mbi fshatin Juban me një gjatësi 14 m, ngrihet mbi një qemer njëfish i punuar me gurë të skuadruar me rreze drite 2.70 m. E gjithe ura ka një lartësi 2.10 m dhe gjerësi 3.30 m.

Ura e dytë rreth 300 m në distancë nga e para është më e lartë për shkak dhe të relievit më të thepisur. Për ndërtimin e saj është punuar dhe terreni mbi të cilin janë ngritur këmbët e urës. Me gjatësi 23.40 m, ura ka një lartësi 6.45 m e pajisur me një qemer njëfish me rreze drite 2.70 m dhe gjeresi e trasesë 3.50 m.

Historia e urave mbi fshatin Ganjolle, lidhet me pozicionin gjeografik të Shqipërisë, që e bënte atë të rëndësishme për lidhjen vitale detare të Perandorisë përmes Adriatikut. Për këtë arsye, në vitin 1832 ishte hapur një konsullatë në Shkodër, e cila u bë një qendër e rritjes dhe shpërhapjes së influencës austriake në rajon. Si rrjedhojë, në ultësirën perëndimore u planifikua të ndërtoheshin hekurudha për dekovilët si dhe teleferikë që shërbenin për transportimin e materialeve të luftës, ushtarëve, furnizimeve ushqimore etj. Vija më e njohur e dekovilit por dhe teleferikëve ishte Shëngjin Lezhë-Vorë, 40 km i gjatë dhe do të shërbente për transportin e municioneve e ushqimeve madje dhe të trupave./atsh/KultPlus.com

Shpërthen vullkani në malin Etna në Itali (VIDEO)

Mali Etna në Sicili, vullkani më aktiv në Evropë, ka shpërthyer të dielën mbrëma, ndërsa kjo ngjarje është kapur nga kamera.

Autoritetet italiane kanë thënë se vullkani është futur në fazën “para-alarmimit”, duke e rritur nivelin e paralajmërimit nga F0 në F1.

Etna shpesh shpërthen, mirëpo rrallë aktivitetet e saja rezultojnë në dëme të mëdha.

Mediat në botë kanë shpërndarë video ku shihet shpërthimi i llavës vullkanike:

Mohamed Mbougar Sarr fiton çmimin prestigjioz letrar “Goncourt”

Çmimi “Goncourt”, që është vlerësimi më prestigjioz letrar francez, iu dha shkrimtarit senegalez Mohamed Mbougar Sarr për romanin “La plus secrète mémoire des homme”, frymëzuar nga fati i keq i shkrimtarit nga Mali, Yambo Oulologuem.

Mohamed Mbougar Sarr, 31 vjeç, është shkrimtari i parë nga Afrika Subsahariane që merr këtë çmim.

“Ai mori gjashtë vota në raundin e parë”, njoftoi Philippe Claudel, sekretari i përgjithshëm i jurisë së çmimit.

Ndër veprat e tjera në garë ishin edhe “Milwaukee Blues” nga shkrimtari haitian Louis-Philippe Dalembert, “Le Voyage dans l’Est” i Christine Angot dhe “Enfant de salaud” nga Sorj Chalandon. / KultPlus.com

Pamje nga Rugova, ku një pjesë e malit u përfshi nga zjarri (FOTO)

Një pjesë e Malit të Rugovës është përfshirë nga zjarri që nga mbrëmja e së enjtes. Për këtë rast ka dhënë detaje Policia e Rajonit të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi i ka thënë Gazetës Express se në vendin e ngjarjes kanë dal Policia, FSK’ja, zjarrfikësit, si dhe KFOR-i, transmeton KultPlus.

Sipas Gashit, zjarri thuajse është lokalizuar.

“Gjatë gjithë ditës së djeshme në vendngjarje kanë qëndruar FSK-ja, Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit. Policia hedhur topa uji për të shuar zjarrin, ndërsa edhe KFOR’i ka ardhur në ndihmë me helikopterë. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht dhe njësitet relevante po merren me rastin. Rruga për në Shtupeq është e bllokuar për qytetarë dhe mund të kalojnë vetëm zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka thënë Gashi.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse thotë se zjarret mund të ndizen shumë lehtë shkaku edhe i temperaturave të larta.

“Unë iu kisha bë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse edhe temperaturat janë të lartë dhe lehtë mund të ndizen zjarre”, ka thënë Gashi./gazetaexpress/ KultPlus.com

Zjarri në Shtupeq të Rugovës, Foto: Njeshi.com

Foto: Njeshi.com
Foto: Njeshi.com