Anulohet koncerti i Malumës në Tiranë – shkak koronavirusi

Në Tiranë janë anuluar aktivitetet publike të parashikuara për Ditën e Verës dhe 100 Vjetorin e shpalljes Kryeqytet.

Në kuadër të planit të masave për përballimin e situatës me koronavirusin, kryebashkiaku Veliaj tha se ka nisur dezinfektimi në institucionet parashkollore.

“Do të vazhdojmë me dezinfektimin; kur qeveria të njoftojë hapjen e tyre, do të jemi në një gatishmëri maksimale për të bërë një dezinfektim tjetër edhe para hapjes së tyre”, tha ai.

Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të reduktuar disa shërbime tek zyrat e Pritjes me Qytetarët, të cilat mund t’i marrin online ose përmes një telefonate pa pagesë në numrin 0800 0888.

“Nëse ka një shqetësim, si ato që vijnë tipikisht në Bashkinë e Tiranës, një lokal që bën zhurmë poshtë pallatit, nuk ka arsye të vish tek zyra e pritjes me qytetarët. Mjafton të na njoftosh, do ia referojmë policisë. Ne duam t’i reduktojmë këto shërbime, kryesisht online ose me telefon. Vijmë ne tek njerëzit, nuk ka nevojë që dikush të vijë dhe të ekspozohet me qindra të tjerë në sallën e Pritjes me qytetarët, ndaj dua t’i theksoj faktit që kemi nr tel 0800-0888, hapur për çdo thirrje”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku lajmëroi edhe anulimin e të gjitha grumbullimeve masive, kulturore, sportive, tubime, koncerte, aktivitete, dëgjesa publike deri në datën 3 prill.

Kjo përfshin gjithë aktivitetet e Ditës së Verës, koncertin e këngëtarit Maluma, i cili do të zhvillohet në muajin Qershor, dhe aktivitetet e 100 vjetorit të Tiranës Kryeqytet./TCH /KultPlus.com