Manastiri i Ardenicës, tjetër pasuri kulturore që do të restaurohet

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) bëri me dije se një monument tjetër do i nënshtrohet ndërhyrjeve konservuese dhe restauruese.

Bëhet fjalë për Manastirin e Ardenicës, i cili ndodhet në kodrën e fshatit Kolonjë të rrethit të Lushnjës, mes një pylli me pisha dhe selvi. Manastiri është i tipit bizantino-ortodoks. Ky monument përbëhet nga Kisha e Shën Mërisë, Kapela e Shën Triadhës, konakët, mulliri vajit, furra, stalla, etj. Në qendër të tij ndodhet kisha “Lindja e Shën Mërisë”, e cila është ndërtuar pjesërisht me gurë të sjellë nga Apolonia dhe gurë shtufi.

Punimet do të kryhen kryesisht në konakët e Manastirit ndërsa do të ketë ndërhyrje konsoliduese në strukturën murale, restaurim i dyshemesë, pastrim i fugave përgjatë perimetrit të kishës, restaurim-trajtim i strukturës drusore, pastrim i fasadës nga patina biologjike, F.V. dyer dhe dritare, etj.

Manastiri i Ardenicës “Lindja e Hyjlindjes’’ mban emrin e Marisë Hyjlindisë, ashtu si shumica e kishave të  Myzeqesë, ku ajo njihet si mbrojtëse e veprimtarisë kryesore ekonomike të kësaj krahine: bujqësisë.

Manastiri i Ardenicës i përket periudhës bizantine por formën përfundimtare e ka marrë gjatë shekullit të XVIII. Nga momenti i themelimit të tij, manastiri ka pasur një rol kyç në zhvillimin e identitetit fetar dhe kulturor të popullatës shqiptare.

Përmes pasurisë së tij trashëgimore, ai thërret të gjithë ata që janë të interesuar të zbulojnë rrënjët dhe thellësinë e kësaj toke, ku historia dhe besimi lidhen për të formuar një peizazh të pashembullt shpirtëror./atsh/KultPlus.com

Mulliri i vitit 1725, ndodhet brenda manastirit të Ardenicës

Manastiri i Ardenicës është një nga pikat kryesore turistike në Lushnjë, që mbledh gjithmonë e më shumë vizitorë.

Por krahas vlerave të besimit ortodoks, ky manastir është dhe një dëshmi e ekonomisë dhe traditave të hershme të zonës së Myzeqesë. Në brendësi të tij, ndodhet ky mulli vaji I cili, mendohet se I përket vitit 1725.

Kjo vepër e mirëfilltë e “Inxhinierisë popullore” dëshmon traditën e hershme të prodhimit të vajit të ullirit në mënyrë manuale.

Gjatë periudhës së mesjetës kishat dhe manastiret ishin edhe ente të prodhimit bujqësor e blegtoral. Ndërsa pranë tyre zhvilloheshin edhe panaire të ndryshme./Top Channel/KultPlus.com