Mbyllet “Manifesta 14”, nga një vend ku mungoi infrastruktura e artit, Prishtina u bë qendra kulturore e Evropës dhe botës

Era Berisha

Një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të artit bashkëkohor, “Manifesta 14 Prishtina”, mbrëmë ka mbyllur perden e fundit. E organizuar çdo dy vjet në një qytet tjetër evropian, edicioni i 14-të i Manifestës gjeti hapjen në Prishtinë në muajin korrik, me ç’rast gjithsej 25 hapësira u bënë trendi më i fundit dhe më i ndjekuri në Kosovë. Brenda kësaj periudhe janë shënuar 800 mijë vizita në lokacionet e Manifestës, duke e bërë Prishtinën qendrën më të madhe kulturore në Evropë e jo vetëm, shkruan KultPlus.

Duke i tejkaluar prezantimet e Prishtinës në kuadër të makiatos apo periudhës së pasluftës, Prishtinën tashmë të gjithë e kanë njohur nga një këndvështrim tjetër. Qyteti u shndërrua në muzën e disa nga mediave më prestigjioze në botë por edhe atyre vendore. Përgjatë 100 ditëve, mbi 100 pjesëmarrës kanë ekspozuar artin e tyre dhe emocioni që është shpërfaqur nga puna e tyre, ka dalë përtej imagjinatës së njeriut. Kësisoj, është shfaqur puna artistike dhe kolektive e artit bashkëkohor, një punë kjo që padyshim e ka prekur nivelin botëror e që ka marrë vëmendjen e botës së artit ndërkombëtar.

Vizitorë ndërkombëtarë dhe vendorë kanë pushtuar Prishtinën në masë të madhe. Vëmendja e tyre iu dedikua Manifestës, më konkretisht artistëve pjesëmarrës, nga të cilët ata vendorë qenë rreth 60 përqind (një përqindje më e lartë e artistëve vendas se në shumë bienale të tjera). Puna e tyre e pakrahasueshme iu është prezantuar botës së promovimit, andaj këta artistë kosovarë kanë dëshmuar që shpirti i tyre është i fundosur thellë në “oqeanin” e artit, dhe nuk ka rrugëdalje nga kjo.

Në anën tjetër, Kosova ka dhënë më të mundurën e saj, për të organizuar e mbajtur një ngjarje të përmasave të tilla. Duke pasur parasysh që ardhja në Kosovë e një bienale të tillë që radhitet në mesin e pesë bienaleve më të fuqishme të artit pamor në botë, atëherë mund të themi që Kosova ka arritur t’i thyej limitet e veta.

Kujtojmë se me përfundimin e Manifestës, Ministria e Kulturës është duke ndërmarr hapat që të sigurohet një trashëgimi e prekshme dhe konkrete e Manifestës, gjë që do të finalizohet ditëve në vijim. Gjithashtu MKRS është angazhuar për të mbajtur të ekspozuara veprat e intervenimit artistik të Petrit Halilaj dhe Flaka Halitit deri në fund të vitit 2023. Ndërkaq, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku pati bërë të ditur se ky është viti kur është iniciuar themelimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë dhe mendohet që projekti do të zgjasë deri më 2026.

Qe arkitekti italian Carlo Ratti ai që krijoi një vizion urban për Prishtinën, duke sugjeruar mënyra se si vendet e braktisura në të gjithë qytetin mund të ringjallen për përdorim publik. Bienalja ka përdorur këto vende si hapësira ekspozite: “Grand Hotel Prishtina”, “Sheshi Zahir Pajaziti”, “Kino Armata”, “Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, “Fakulteti Filozofik – UP”, ”Galeria Kombëtare e Kosovës”, “Galeria e Fakultetit të Arteve – UP”, “Rruga 2 korriku” , “Çelësa punues”, “Gërmia departament store”, “Kino Rinia”, “Qendra për Praktikë Narrative”, “Sheshi Adem Jashari”, “Biblioteka Kombëtare e Kosovës”, “Hamami i Madh”, “Foundation 17 Gallery Space”, “Muzeu Etnologjik”, “Fabrika e Tullave”, “Green Corridor”, “Rilindja”, “Pallati i Rinisë dhe Sportit”, “Prishtina Observatory”, “The Flat”, “Partisan Martyr’s Cemetery Monument”, “Hertica School House”.

Konsiderohet që Bienalja këtë vit është përpjekur për të lënë një trashëgimi për artistët në Kosovë, duke përfshirë hapësirën e quajtur “Qendra për Praktikë Narrative”. Qendra përfshin një dhomë të errët fotografike dhe një punëtori të mbushur me mjete elektrike për t’i përdorur artistët. Autoritetet e qytetit të Prishtinës i kanë dhënë Manifestës ndërtesën për katër vjet dhe fondacioni që drejton bienalen po mbledh fonde për ta bërë atë një institucion të përhershëm.

Mbyllja zyrtare e “Manifesta 14 Prishtina” në Fabrikën e Tullave përkoi me disa fjalime si dhe me një performancë speciale nga grupi Saz’iso.

Drejtoresha e Manifesës, Hedwig Fijen ka falënderuar secilin person që ka qenë pjesë e 100 ditëve, duke përmendur se mbështetja e tyre është simbol i brezit të ri të fuqishëm të Kosovës.

“Pikërisht kur arritëm këtu në Prishtinë i premtova Kryetarit dhe Ministrit se do të ishte edicioni më i mirë ndonjëherë. E mbajtëm premtimin. Mendoj me gjithë zemër që e bëmë. Vetëkuptohet që ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë 109 partnerët dhe financuesit tanë. Por para së gjithash, le t’u japim një duartrokitje të ngrohtë sepse shumë prej tyre janë këtu. I jemi thellësisht mirënjohës të gjithë artistëve, ndërkombëtarë dhe kosovarë, për veprat inteligjente dhe brilante dhe për angazhimin e tyre. Tani, unë do të filloj me listën time të pabesueshme të gjatë të emrave të njerëzve që meritojnë njohjen, të cilët dhanë gjithë çka mundën për të ndërtuar këtë edicion të jashtëzakonshëm. Nuk ka audiencë, asnjë njoftim për shtyp, asnjë publikim, asnjë komunikim, pa këta njerëz”, ka thënë Fijen.

Sipas saj, stafi i tyre mbështetës, mbështetja e tyre e përkushtuar është simbol i brezit të ri të fuqishëm të Kosovës. Dhe, nuk do të kishte vepra arti, artistë, ekspozita, vende, asgjë, pa ekipin e tyre të prodhimit. E po ashtu, nuk do të kishte turne ndërmjetësuesish, asnjë program shkolle, asnjë hulumtim para-bienal, nuk do të kishte qytetarë, as nën-kulturë, pa ekipin e tyre të arsimit.

“Faleminderit të gjithëve për gjithçka që dhatë. Faleminderit, audiencave, sepse në fund të fundit, ne i bëjmë të gjitha për ju dhe jo për ne. Më shumë se 800 mijë panë se çfarë ndodhi në qytet. Një duartrokitje e madhe shkon për veten tuaj”, përfundon Fijen.

Ndërkaq, ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ri-konfirmuar se Kosova ka kapacitetin për të organizuar një ngjarje kaq të madhe të artit ndërkombëtar.

“Faleminderit që jeni sonte këtu. Po e mbyllim një udhëtim të jashtëzakonshëm në të cilin shumë njerëz kanë kontribuar, e unë posaçërisht dua t’i shpreh falënderimet tona si Ministri për Hedwig the ekipin, për punën e tyre të mrekullueshme dhe në të njëjtën kohë dua ta ri-konfirmoj këtë që tashmë është shumë e qartë. Kosova nuk e ka vetëm vullnetin por e ka edhe kapacitetin për të organizuar një ngjarje kaq të madhe të artit ndërkombëtar. Jemi shumë të sigurt që do të vazhdojmë edhe më tutje. Ne ia kemi dalë së bashku me institucionet, artistët, organizatorët, dhe të gjithë ju që keni kontribuar në një formë apo tjetër”, ka thënë Çeku.

Gjithashtu, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka përmendur se trashëgimia e Manifestës, do të jetojë tutje, nëpërmjet ndërtesave, instalacioneve, Fabrikës së Tullave, bibliotekës “Hivzi Sulejmani” dhe “Green Corridor”.

“Është një ndjenjë fantastike për të qenë sonte këtu me të gjithë ju, për të përmbyllur një event aq fenomenal për kryeqytetin tonë, për vendin tonë. Kanë qenë me të vërtetë 100 ditë të mrekullueshme. Ishte me të vërtetë një ëndërr e realizuar, të shihja të gjithë qytetin si muze. Me Manifestën e kemi bërë këtë, por Prishtina përplot 100 ditë është transferuar në një qytet-muze të artit kontemporan. Kam premtuar më herët që trashëgimia do të vazhdojë. Trashëgimia e Manifestës do të jetojë tutje, dhe do të jetojë nëpërmjet ndërtesave, instalacioneve, “Tulltores”, bibliotekës “Hivzi Suljemani”. Po ashtu, do të jetojë nëpërmjet “Green Corridor” dhe ne patjetër që nuk do ta humbasin vrullin dhe do të vazhdojmë të krijojmë gjëra të bukura për qytetin tonë”, ka thënë Rama.

Sipas tij, ata janë të vetëdijshëm që ka shumë punë para tyre por kjo vetëm tregon që nëse njerëzit bashkohen, nuk do të ka çfarë t’i ndal ata për të transformuar kryeqytetin, e për ta bërë një kryeqytet me karakterin më unik në botë.

“E kemi edhe një numër të madh të gjërave që kanë ndodhur këtyre ditëve. Kemi mësuar se çka i duhet qytetit, çka dëshiron qyteti dhe çfarë dëshirojnë qytetarët e Prishtinës. Kjo nuk është lamtumirë. Kjo në fakt është fillimi i “Manifesta 14 foundation” që do të vazhdojë trashëgiminë në qytet. Andaj, të dashurohemi me Prishtinën. Le ta zbulojmë dhe t’i tregojmë botës historitë tona të suksesit”, përfundon ai.

Mbrëmja në Fabrikën e Tullave vazhdoi me një performancë speciale nga bendi “Saz’iso”, që solli tingujt e jugut të Shqipërisë mu në mesin e Prishtinës. Instrumentet diversive në skenë kanë shënuar fundin e një ngjarje kulturore, teksa kanë jehuar nëpër çdo shpirt të pranishëm.

Të rrethuar nga prezenca e dritës së hënës, zjarri gjigand që shërbente për ngrohtësi, reflektorë të ndryshëm që dhanë hijeshi, muzika shqiptare krejtësisht e rrallë, ushqimi i llojllojshëm e pija, të pranishmit kanë qenë dëshmitarë të një rrugëtimi që zor se harrohet dot. Me “Manifesta 14” është rishkruar e ardhmja e kryeqytetit.

Artistët pjesëmarrës në “Manifesta 14 Prishtina”: Abazi/Greville/Pinchuk, Larry Achiampong, Astronomy Club of Kosova, Bora Baboçi, Celine Baumann, Elona Beqiraj, Valentina Bonizzi, Anna Bromley, Luz Broto, Lee Bul, Lua Coderch, Daniel Gustav Cramer dhe Haris Epaminonda, Ilir Dalipi, Yael Davids me Andre van Bergen, Cevdet Erek, ETEA, Jakup Ferri, Foundation 17, Lek M.Gjeloshi, Nuria Guell, Driton Hajredini, Artan Hajrullahu, Laureta Hajrullahu, Petrit Halilaj, Flaka Haliti, Lawrence Abu Hamdan, Haveit Collective, Roni Horn, Fahrija Hoti dhe gratë e Krushës së Madhe, Majlinda Hoxha, ICA-Sofia, Astrit Ismaili, Fitore Isufi Shukriu – Koja, Hristina Ivanoska, Emily Jacir, Jelena Juresa, Genc Kadriu, Alevtina Kakhidze, Sejla Kameric, Antoneta Kastrati me Casey Cooper Johnson, Doruntina Kastrati, Kino Armata, Genti Korini, Argjirë Krasniqi, Edona Kryeziu, Katalin Ladik, Luljeta Lleshanaku, Nimon Lokaj, Jumana Manna, Brilant Milazimi, Hana Miletic, Ivan Moudov, Alekta Xhafa Mripa, Alban Muja, Sami Mustafa, Silvi Naçi, Natasha Nedelkova, New Grand (Blerta Hashani, Arbnor Karaliti, Lumturie Krasniqi, Mimoza Sahiti, Valdrin Thaqi, Ermir Zhinipotoku), Tuan Andrew Nguyen, Thao Nguyen Phan, Vigan Nimani, Christian Nyampeta, Off Season, Adrian Paci, Susan Philipsz dhe Radio International Collective, Marubi National Museum of Photography, Marta Popivoda, PykëPresje, Sahej Rahal, Lala Rascic, Carlo Ratti Associati, raumlaborberlin, re.act.feminism, Alicja Rogalska, RomaMoMa me Farija Mehmetin, Ugo Rondinone, Nusret Salihamixhiqi, Secondary Archive, Sekhmet Institute, Selma Selman, Driton Selmani, Dineo Seshee Bopape, Abi Shehu, Chiharu Shiota, Igor Simic, Uyra Sodoma, Speculative Tourism, Beth Stephens dhe Annie Sprinkle, Mette Sterre, StoryLab, Kolektivi the names comes last, tamtam, Miryana Todorova, Vangjush Vellahu, Alije Vokshi, Werker Collective, Sislej Xhafa, Yll Xhaferi, Miki Yui, Driant Zeneli, Hana Zeqa, Lulzim Zeqiri, Dardan Zhegrova.  / KultPlus.com

Kurti në takim me Fijen, rikthekson mbështetjen e Qeverisë për Manifesta Biennal

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti priti në takim drejtoren e Manifesta Biennial, Hedwig Fijen.

U bisedua për mbarëvajtjen rreth organizimit të Manifesta Biennial, si organizim i rrallë që po ndodhë për herë të parë në rajon, që do të jetë edicioni më i madh me artistë dhe me vendngjarje. U diskutua edhe për bashkëpunimin me akterë të ndryshëm në kulturë dhe edukim, dhe potencialin për sinergji të reja në të gjithë sferat socio-kulturore në Republikën e Kosovës.

Në takim u ritheksua rëndësia e impaktit të bienales në hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit me profesionistët ndërkombëtarë, ngritjen e kapaciteteve profesionale të të rinjve kosovarë në art dhe kulturë, krijimin e mundësive të reja të rimendimit të hapësirave kulturore dhe ri-vitalizimin e skenës kulturore në Kosovë.

Kryeministri Kurti ritheksoi mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Manifesta Biennial, si një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës dhe artit në Evropë, që do të hapet më 22 korrik 2022.

Ai shprehu mirënjohje për angazhimin, punën e palodhshme dhe bashkëpunimin ndërmjet strukturave kulturore në Kosovë dhe Manifesta Biennial, me bazë në Amsterdam, Holandë.

Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane do të sjellë në Prishtinë një program artistik 100 ditor me performanca, punëtori e organizime të ndryshme artistike.​/21Media/ KultPlus.com

Tri botime mbi subkulturat e Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës nesër në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve

Manifesta Biennial ka ftuar prishtinasit që të vijnë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve nesër për të festuar publikimin e tri botimeve mbi subkulturat e Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës, shkruan KultPlus.

I gjithë ky botim është bërë në bashkëpunim me Termokiss.

Në orën 18:00 jemi me autorët e publikimeve dhe me muzikë prej Arif Muharremit, Eljesa Bekës dhe Genc Elezajt. /KultPlus.com

Hapet thirrja për vullnetarë me pagesë në Manifesta Biennial

Për herë të parë, Manifesta vjen në Kosovë e do të sjellë më shumë se 100 pjesëmarrës kreativë prej gjithë botës për të transformuar Prishtinën në një skenë dinamike, energjike, të zellshme e artistike. Manifesta 14 Prishtina do të zhvillojë aktivitetin e saj për 100 ditë në 25 hapësira emblematike të qytetit.

Kjo gjë që do të zgjojë vëmendjen e mijëra vizitorëve prandaj është hapur thirrja për vullnetarë.

Bashkohuni për të pasur një mundësi të veçantë për të përfaqësuar skenën e larmishme të Prishtinës dhe shtetin e bukur të Kosovës.

Klikoni KËTU për të lexuar më shumë detaje./ KultPlus.com

Tirana, një nga ndalesat e Manifesta Biennial

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti priti në një takim Hedwig Fije, themeluesen e Manifesta Biennial.

Gjatë takimit, Margariti dhe Fije biseduan për aktivitetin si dhe shkëmbimin e eksperiencave.

“Me Hedwig Fije, themeluesen e Manifesta Biennial, që stacionin e radhës ka Prishtinën. Një mundësi bashkëpunimi mes artistësh, shkëmbim eksperiencash dhe zhvillimit të një kalendari aktivitetesh, ku Tirana është një nga ndalesat”,  tha Margariti.

Manifesta Biennial është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës dhe artit në Evropë dhe një faktor me shumë rëndësi në zhvillimin e kulturës.

Kosova për herë të parë do të jetë mikpritëse e bienales në vitin 2022. Kjo bienale do të ketë impakt në të gjithë fushat socio-kulturore në Kosovë si në cilësinë e ngritjes së kapaciteteve profesionale të të rinjve kosovarë në art dhe kulturë, hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit me profesionistët ndërkombëtarë, krijimin e mundësive të reja të rimendimit të hapësirave kulturore në Kosovë dhe rivitalizimin e skenës kulturore./KultPlus.com