Kolonia artistike “Art Camp”, madhështia katër ditore e maleve të Sllupçanit mirëpret 45 artistë

Suada Qorraj

Në malin e fshatit Sllupçan, për të dytin vit me radhë arti dhe artistët do të bëhen një me natyrën. Piktura, lojërat, muzika por dhe kampingu janë disa nga elementet që e shoqërojnë koloninë artistike katër ditore “Art Camp”, shkruan KultPlus.

Dashuria e madhe që ka për natyrën dhe mungesa e një kolonie artistike në komunën ku ai është rritur, Likovën e Maqedonisë së Veriut, e ka shtyrë drejtorin e “Art Camp”, Ardian Kadriun, por dhe artistët e tjerë të Maqedonisë që të krijojnë një koloni artistike, ndryshe nga ato që kanë qenë të pranishme deri më sot në shoqërinë tonë.

Sllupçani është edhe fshati ku Ardian Kadrija është rritur, vendi që ai e njeh më mirë se kushdo tjetër. Prania e pishave, frekuentimi i madh i njerëzve në këtë pjesë dhe pozita e mirë gjeografike e këtij fshati, ja ka shtuar edhe më shumë madhështinë artit që krijohet në brendësi të këtij mali.

Kadrija ka thënë se ekspozita dhe kampingu në malet e Likovës që këtë vit do të mbahet që nga 20 gushti, ju mundëson artistëve që të lidhen më shumë me natyrën e madje edhe të inspirohen prej saj.

“Kështu që në kohën kur shumë ekspozita mbahen në ambiente të mbyllura, ne menduam që të provojmë të bëjmë diçka në ambient të hapur, dhe kjo ishte ideja fillestare. Ekspozitë në natyrë ku në të njëjtën kohë artistët do kenë mundësi edhe të bëjnë kamping. Inspirimi më i mirë i artisteve është lidhja me natyrën”, ka deklaruar ai.

Edicioni i dytë i kolonisë artistike krahas pikturës do të jetë i mbushur edhe me komedi, shfaqje muzikore dhe filma të metrazhit të shkurtër. “Ballkoni”, “Ajo”, “Më fal” dhe “Toka” janë vetëm disa nga dokumentarët që do të përkojnë netët e freskëta verore në koloninë e malit të Likovës.

“Pasi që këtë vit kinemaja është mbyllur, ne kemi vendosur që një natë të kemi edhe kinema në natyrë ku do shfaqen 5 filma të metrazhit shkurtër. Filmat që do shfaqen për herë të parë në ‘ArtCamp’ apo mund të them edhe në pjesën e shqiptarëve që jetojnë në Kumanovë e rrethinë, do jenë ‘Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj, filmi ‘Ajo‘ nga More Raca filmi “Me fal” nga Besim Ugzmajli dhe ‘Toka’ nga Iber Deari”.

Ardian Kadrija ka shtuar se edicioni i sivjetëm do të ketë 45 pjesëmarrës nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe Serbia. Sipas tij interesimin për këtë koloni artistike e kanë pasur edhe artist nga vende të tjera, por për shkak të pandemisë dhe pamundësisë së udhëtimit në Maqedoni pjesëmarrja e tyre për këtë edicion do të jetë e pamundur.

Drejtori i “Art Camp” në një intervistë për KultPlus ka thënë se pandemia ka ndikuar që edhe shumë artist nga Kosova të mos mund të marrin pjesë në edicionin e sivjetëm të kësaj kolonie për shkak të barrierave që kjo pandemi ka sjellë në kufirin e këtyre dy shteteve.

“Pjesa që për momentin më shumë na shqetëson është që shumë artistë që kanë pasur dëshirë të jenë në “ART CAMP” nuk do mund të vijnë për shkak të pandemisë. P.sh. për momentin kufiri mes Kosovës – Maqedonisë së Veriut është i mbyllur dhe kjo e bën të pamundur që artistët që janë nga Kosova të marrin pjesë në ArtCamp”, ka shtuar Kadrija.

Ai ka pohuar se artistët janë ndarë të kënaqur me idenë dhe me mënyrën e organizimit të kësaj kolonie, ngase pjesëmarrja në këtë koloni ka qenë një nga ato përvojat që konsiderohen të veçanta. Madje ai ka thënë se në edicionin e parë të kësaj kolonie, vetëm në natën e parë të ekspozitës kanë qenë të pranishëm rreth 300 vizitor, gjë që sipas tij nuk ndodh as në ekspozitat e mbyllura. / KultPlus.com

Në 99% të institucioneve në Maqedoninë e Veriut nuk zbatohet Ligji për gjuhën shqipe

Nga pyetësorët anketues të dërguar në 641 institucione, 99 për qind e përgjigjeve thonë se dygjuhësia nuk zbatohet siç përcaktohet në ligj.

Kjo bëhet e njohur nga dhënat e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, ku theksohet se rezistenca paraqitet edhe tek institucionet ku ka udhëheqës maqedonas edhe tek ata me udhëheqës shqiptarë. Sipas udhëheqësit në sektorin për planifikim dhe koordinim, Marjan Patlixhankovski vullneti për zbatimin e ligjit diku ekziston dhe diku jo, ndërsa sa i përket fazës së parë të zbatimit, ku përfshihet ndryshimi i vulave, llogove, memorandumeve dhe të ngjashme, deri diku janë zbatuar, por sipas tij, ka akoma institucione ku akoma nuk ka filluar zbatimi i kësaj pjese. Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve ka obligim ligjor që deri më 31 mars, të dorëzojë raportin e plotë me përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe më pas e njëjta do të publikohet në ueb faqen e tyre. Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhëve, Ylber Sela thotë se kanë reaguar lidhur me moszbatimin, megjithatë thotë se nuk është kompetencë e tyre që të bëjnë dënime. Sela tha se Inspektorati tanimë ka drejtor të ri dhe pasi ta formojmë ekipin do të dalin në terren, të shohin ankesat që arrijnë dhe më pas të procedojnë ato çështje. Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve publikoi broshurën “Informacione mbi të drejtat gjuhësore të qytetarëve në RMV” dhe udhëzuesin e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve./Shenja.tv / KultPlus.com

Vizita e Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut i kushtohet Nënë Terezës

Papa Françesku, në prag të vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, më 7 maj në Shkup, ka dërguar një mesazh për të gjithë qytetarëve të vendit tonë. Në mesazhin e tij ai shprehet se vizitën ia kushton një shenjtore të madhe, Nënës Terezës, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve.

Mesazhi i Papa Françeskut

Të dashur vëllezër dhe motra nga Maqedonia е Veriut,

Nëpërmjet këtij mesazhi të shkurtër, dua të shpreh gëzimin dhe miqësinë që ndjej për njerëzit tuaj dhe kishën që ekziston në vendin tuaj.

Prej që vendi juaj u bë i pavarur, Selia e Shenjtë donte të krijonte marrëdhënie miqësore dhe diplomatike me ju. Sot, më shumë se kurrë, ka nevojë që në Evropë dhe në mbarë botën, për të zhvillohet një kulturë e përbashkët, një kulturë e vëllazërisë, unë do të vij në mesin tuaj. Unë jam i sigurt se vendi juaj është i mirë.

Në fakt, bukuria e veçantë e vendit tuaj, është për shkak të kulturave të ndryshme, etnive dhe feve që jetojnë në të. Sigurisht që bashkëjetesa nuk është gjithmonë e lehtë, ne e dimë atë, por ja vlen që të investohet në përpjekje, për shkak se mozaikët më të bukura janë ato që kanë shumë ngjyra.

Vizitën time ia kushtoj një shenjtore të madhe, një bije të vendit tuaj, Nënës Terezë, e lindur dhe e rritur në Shkup, e cila me ndihmën e Perëndisë, u bë misionare e guximshme e Krishtit në botë, duke u dhënë shpresë dhe dinjitetin të varfërve.

Të dashur miq, le të përgatisim takimin tonë me lutje që ky takim të jetë i mbushur me paqe dhe të mira për të gjithë njerëzit tuaj.

Qofshi të bekuar nga Perëndia!/KultPlus.com