‘Mbretëresha pa kurorë’, nga Marigona Bekteshi përfaqëson Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit në Turqi

Shfaqja ‘Mbretëresha pa kurorë” e regjisores Marigona Bekteshi Ferati, do të përfaqësojë Kosovën në edicionin e tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit që mbahet në Bursa të Turqisë, përcjell KultPlus.

”Bursa International Theater Festival” është një ndër festivalet më të mëdha në Evropë, ku çdo vit zgjedhen 5 deri në 10 shfaqje teatrale, të cilat përfaqësojnë shtetet e tyre.

Tashmë, zyrtarisht është bërë e ditur që këtë vit Kosovën do ta përfaqësoj regjisorja Bekteshi Ferati, me shfaqjen ”Mbretëresha pa kurorë”, shfaqje kjo e cila është dhënë premierë në muajin nëntor, të vitit të kaluar.

Regjisorja është shprehur mjaft e lumtur që do të përfaqësojë Kosovën në një festival prestigjioz dhe se ndihet e nderuar që është zgjedhur pikërisht kjo shfaqje teatrale që i kushtohet të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosoovë.

”Kam punuar me shumë përkushtim, veçanërisht që një shfaqje e tillë jo vetëm që bëhet në Kosovë, por për herë të parë edhe në botë, ku rrëfimet e të mbijeturave të dhunës seksuale gjatë luftës, paraqiten në teatër para publikut. Ishte një proces sfidues, sepse rrëfimet e të mbijetuarave janë dhënë ekskluzivisht për realizimin e shfaqjes dhe kam ndjerë një përgjegjësi të madhe, por, ia dolëm dhe tani do t’ia tregojmë edhe botës të vërtetën sepse arti është e vetmja formë përmes së cilës deportohet aty kur nuk deporton as politika e as gjykata”, ka theksuar regjisorja. / KultPlus.com

Marigona Bekteshi dërgon “Sundimi i Gruas” në Belgjikë

Shfaqja “Sundimi i Gruas”, me regji të Marigona Bekteshit, është zgjedhur të shfaqet në edicionin e 35-të të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove “RITU”, shkruan KultPlus.

Ky festival i cili nis nga 26 shkurt do të mbahet deri më 4 mars në Liege të Belgjikës.

Në këtë komedi të pazakontë, një grua e moshës së mesme, tani e martuar me burrin e saj të dytë, përjeton kthimin e burrit të parë nga burgu. Ai ka dalë papritmas nga burgu, sepse është provuar se ai ishte i pafajshëm gjatë gjithë kohës. Pasi që nuk ka ku të shkojë, njeriu fillon të jetojë në banesën e tij me ish-gruas dhe bashkëshortin e saj. Kjo bëhet e papërballueshme për gruan, ndërsa burrat bëhen edhe miq. Natyrisht, kjo situatë çon në të gjitha llojet e konflikteve, gjyqeve dhe vuajtjeve të ndryshme.

Komedia ka për autor Miro Gavran ndërsa regjia është krijuar nga Marigona Bekteshi Ferati, me producent Mirsad Ferati

Në kastën e aktorëve të saj bëjnë pjesë: Njomza Tmava, Fatmir Haliti, Mirsad Ferati dhe Kastriot Hetemi ( Lights design & music ).
Kjo shfaqje është prodhim i Kompanisë Teatrale “Mitrix Culture”./ KultPlus.com