Organizata të Shoqërisë Civile, individë dhe aktivistë, pro rregullimit të martesës mes personave të seksit të njëjtë në Kodin Civil

Dje, më 20 janar 2022, mbi 60 organizata të shoqërisë civile, individë dhe aktiviste/ë i janë bashkangjitur procesit afatgjatë të avokimit për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Draft Kodin Civil.

Organizatat, individët dhe aktivistet/ët pjesëmarrës, në shenjë mbështetjeje të këtij procesi, dje nënshkruan letrën e cila ende po qarkullon për përkrahje dhe nënshkrime.

E njëjta, në ditët e ardhshme do t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës, Deputetëve dhe Komisioneve Parlamentare, për rregullimin e martesës për personat e seksit të njëjtë në Projekt Kodin Civil. Aktualisht, Draft Kodi Civil nuk i ka përfshirë kërkesat për përdorimin e gjuhës neutrale në rregullimin e martesës, duke vazhduar trajtimin përjashtues ndaj komunitetit LGBTIQ+.

“Ftojmë të gjitha organizatat, individët dhe aktivistet/ët që punojnë dhe veprojnë për jetësimin e të drejtave të njeriut, pa përjashtime, që besojnë në parimet e barazisë, mosdiskriminimit, të drejtën për privatësi, të drejtën për krijimin e familjes, që t’i bashkohen organizatave dhe akzivisteve/ëve në përkrahje të letrës.”- thuhet në njoftimin e tyre./ KultPlus.com