Osmani në Krushë: Nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht

Presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, para familjarëve të masakruarve 26 vjet më parë në Krushë të Madhe, u betua se nuk do të ndalen asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë e krimet mizore të Serbisë të marrin dënimin e merituar.

E para e vendit tha se kur në një fshat vriten kaq shumë njerëz të pafajshëm e derdhet kaq shumë gjak, ai nuk është vetëm një vend në hartë, por është një dëshmi e përjetshme.

“Sot qëndrojmë në Krushë të Madhe aty ku dhembja  është gdhendur në çdo gur, në çdo prag shtëpie, në çdo zemër që rreh për drejtësi. Para 26 vitesh ky fshat u goditë nga një prej krimeve më të tmerrshme të regjimit gjenocidal të Serbisë. 241 burra e djem u masakruan mes tyre 7 fëmijë e 5 gra përfshirë edhe një grua shtatzënë” , th gjatë fjalimit presidentja.

Edhe pas 26 vitesh kur ende 64 persona figurojnë të zhdukur, e para e shtetit tha se është një krim i shumëfishtë i Serbisë gjenocidale sepse familjet e tyre jetojnë çdo ditë me dhimbjen, me mallin e një pritjeje që nuk merr fund asnjëherë.

“E në këtë radhë të gjatë të dhimbjes qëndron edhe një emër i madh i kombit tonë, një mendje ndritur, një figurë e paharruar, Ukshin Hoti. Prej më shumë se dy dekadash edhe fati i tij, sikurse i të gjithë banorëve të Krushës që sot janë të zhdukur me dhunë, mbetet i pazbardhur”, tha ajo, para familjarëve në këtë ditë përkujtuese.

E para e shtetit tha se një intelektual, një patriot, një zë i guximshëm i kombit u mor me dhunë nga regjimi kriminal serb, ndaj prej atëherë nuk dihet më asgjë për të, përveçse atë e mori Serbia.

“Ky mister nuk është vetëm një padrejtësi ndaj Ukshin Hotit e familjes së tij, por një plagë në ndërgjegjen e njerëzimit. Sepse pyetja,  ‘ku është Ukshin Hoti?”, ende kërkon përgjigje, siç kërkojnë përgjigje edhe rreth 1600 të zhdukur me dhunë”.

Osmani tha se masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, por është e përditshmja, është e sotshmja.

“Sepse dhimbja vazhdon edhe sot, njësoj si para 26 vitesh. Ajo është  një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre të mbetet pa zë, e sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, nuk duhet të ndalemi, nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht, sepse drejtësia për Krushën e Madhe, është drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë. Sot para kujtimit të martirëve tanë, para dhembjes së familjeve të tyre, para kësaj toke të shenjtë, ne bëjmë betim. Nuk do të ndalemi asnjëherë derisa drejtësia të triumfojë. Nuk do të pushojmë derisa krimet që u kryen nga ana e Serbisë të marrin përgjigjen e duhur. Nuk do ta harrojmë kurrë sakrificën e Krushës së Madhe”, tha presidentja./RTK/ KultPlus.com

Masakra e Krushës së Madhe është e filmuar, Bashës i kërkohet t’i kthejë incizimet Kosovës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri thirrje sot kryetarit të PD-së, Lulzim Bashës të përgjigjet se ku e ka fshehur kasetën filmike nga masakra e Krushës së Madhe dhe t’ia kthejë këtë provë të rëndësishme Kosovës dhe drejtësisë.

“Një ndër masakrat më të mëdha serbe ndaj popullit të Kosovës është ajo e Krushës. E vetmja kasetë filmike e plotë e kësaj masakre, sipas poseduesit të saj Milaim Bellanica i është dorëzuar Lulzim Bashës, në atë kohë punonjës/përkthyes i UNMIK. Kjo kasetë e plotë nuk u publikua kurrë dhe mbetet mister pse Lulëzim Basha nuk e vuri në dispozicion të hetimeve për krimet serbe në Kosovë. Milaim Bellanica është dëshmitar i masakrës së Krushës së Madhe i cili mundi të filmonte ekzekutime, fjalime të ndryshme të serbëve në Krushë të Madhe”, tha Balla, ndërsa publikoi një video me dëshmi nga kjo masakër.

Balla tha se “marsi i vitit 1999 për krushjanët, ishte një ngjarje që do të mbahet përjetë në kujtesën e atyre që arritën të dalin të gjallë nga ajo masakër”.

“Në natën e 24 marsit të vitit 1999, kur avionët e NATO-së filluan bombardimet mbi Serbinë, forcat pushtuese serbe në pamundësi për t’u përballur me forcat e NATO-së dhe UÇK-së, me mizori masakruan popullin e pambrojtur të Kosovës”, tha Balla.

Balla tregon se ish-ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, bashkë me ish-Ministrin e Mbrojtjes, Rudolph Scharping, me 23 qershor të vitit 1999 vizituan fshatin Krushë e Madhe.

“Joschka Fischer u shpreh: ”Kjo vizitë në Krushë të Madhe sërish më qartësoi se për çka kishim luftuar dhe se kishim vepruar drejt me vendimin, që Milosheviçin këtë herë ta konfrontonim ushtarakisht dhe me vendosmëri”.

Po ashtu, Balla kujtoi se “edhe ish-ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Robin Cook, gjatë vizitës në Krushë më 24 qershor të vitit 1999 u shpreh: “Nuk do të mbyllim sytë para kësaj… kjo është e tmerrshme. Jam tepër i prekur dhe i emocionuar nga kjo… jemi duke i ndjekur ata që kanë instruktuar këto krime dhe fushatën sistematike të krimeve”.

“Ende sot mbetet mister fati i të pagjeturve. Krushës i mungojnë dhe 65 persona, në mesin e tyre edhe intelektuali i përmasave kombëtare dhe ndërkombëtare, profesori Ukshin Hoti. Zbardhja e fatit të këtij veprimtari të madh të çështjes kombëtare, dhe shumë të pagjeturve të tjerë është sprovë e ndërgjegjes sonë politike e kombëtare”, tha Balla./atsh/ KultPlus.com

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fb.taulant%2Fvideos%2F430238717968212%2F&show_text=false&width=560