Rrëfimi prekës nga Masakra e Mejës, nëna u kërkonte forcave serbe ta vrisnin atë e jo djalin

Sot 22 vjet më parë ka ndodhur një nga masakrat më të mëdha në Kosovë ku 376 persona janë vrarë dhe masakruar nga forcat policore dhe ushtarake serbe.

Sot edhe pas më shumë se dy dekadave 18 persona janë ende të pagjetur.

Kjo dhimbje e madhe mbetet ende për Ibrahim Haxhiun i cili ka familjarë të masakruar në Masakrën e Mejës.

Kujtimet për të janë akoma të freskëta, por e ka vështirë të flasë për këtë ngjarje tragjike.

Ai në Klan Kosova, ka rrëfyer për disa momente shumë të dhimbshme të kësaj ngjarje.

“Kujtimet i kena të freskëta sikur të kishte ndodhur ngjarja sot, por rrëfimet janë aq rrënqethëse sa që nuk po mundemi as t’i paramendojmë. Një traktor me familjarë, dhe jo vetëm nga një shtëpi por nga e gjithë lagjja, burra gra dhe fëmijë, kur kanë ardhur tek pika e ndalimit i kanë zbritur të gjithë burrat dhe kanë mbetur vetëm gratë dhe fëmijët në traktor. Shumicën e rasteve janë detyruar që gratë të zbresin nga rimorkiot e traktorëve dhe ta drejtojnë traktorin për në Shqipëri. Prej moshës 13 vjeçare deri në moshën 86 vjeçare kemi pasur raste që i kanë larguar nga familjet e tyre”.

Ai tha se të masakruar i ka dy anëtarë të familjes, derisa tregoi një moment shumë emocional ku nëna e tij ka zbritur nga traktori duke iu kërkuar forcave serbe që ta merrnin atë dhe të mos ia merrnin djalin,

“Unë bashkë me vëllanë dhe djalin e axhës i kam edhe 54 bashkëfshatarë të masakruar. Në ditën e masakrës nuk kam pasur kontakt me familjen për shkak se kam qenë në një pikë të quajtur “Kallavaj” në zonën e Junikut. Forcat serbe i kanë tërhequr nga shtëpia dhe ne nuk kemi pasur rast më t’i takojmë”.

“Kur kanë ardhur tek pika e kontrollit e kanë zbritur edhe vëllanë. Ka zbritur nëna ime dhe ka thënë ‘Më merrni mua dhe mos ma merrni djalin’, dhe e kanë goditur me qytë të armës dhe është rrëzuar nëna e cila ka qenë edhe e sëmurë”./klan/ KultPlus.com

22 vjet nga masakra në Mejë

Sot shënohet përvjetori i 22-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 persona.

Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, sot në orën 13:00 në kompleksin memorial në Mejë do të mbahen homazhe nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.

Fillimisht, presidentja Osmani, kryekuvendari Konjufca, dhe kryeministri Kurti do të bëjnë nderime te Memoriali për të Pagjeturit para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në orën 10:00.

22 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës.

Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë. / KultPlus.com