Kompania zvicerane premton maskën që e shkatërron koronavirusin

Kompania zvicerane e higjieno-teknologjisë (Livinguard) premton një lloj maske që jo vetëm i filtron koronavirusët, por edhe i shkatërron ata, shkruan Blick, transmeton KultPlus.

Kreu i kompanisë Sanjeev Swamy 59-vjeçar, së bashku me hulumtuesit, ka zhvilluar një proces që mund të përdoret për të vetdezinfektuar sipërfaqen.

Swamy dëshiron të futet në tregun e materialeve për mbrojtje nga koronavirusi. Ai e ka transferuar teknologjinë e tij te prodhimi i maskave. Në parim: sipërfaqeve si tekstili u jepet një ngarkesë e fortë pozitive. Nëse bakteriet apo viruset – që kanë ngarkesë negative – vijnë në kontakt, atëherë shkatërrohen.

Sipas Swamyt kjo çon deri te shkatërrimi i patogjeneve.

“Duhet të imagjinoni se është si magnet. Nëse virusët i afrohen maskës sonë, atëherë tërhiqen dhe shkaktohet një lloj i qarkut të shkurtër ku virusët shkatërrohen dhe largohen nga maska”, ka thënë Swamy.

Por a funksionon vërtetë?

Swamy premton: “Teknologjia jonë ka dëshmuar se shkatërron 99.9 për qind të koronavirusëve, që vijnë nga prekjet”.

Sigurisht ata që mbajnë maskat e Livinguard janë të mbrojtur nëse përkujdesen edhe për masat tjera higjienike, si larja e duarve dhe mbajtja e maskave në mënyrë korrekte.

“Është gati e pamundur që të kalojë ndonjë gjë nëpërmjet maskave tona”, ka thënë Swamy. / KultPlus.com

Maska, arma më e fuqishme kundër koronavirusit

Me prova në rritje, maskat po ndihmojnë në parandalimin e transmetimit të koronavirusit, edhe nëse një person i infektuar ka vënë maskë është në kontakt të ngushtë me të tjerët.

Robert Redfield, drejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, tha se ai beson që pandemia mund të vihet nën kontroll gjatë katër deri tetë javëve të ardhshme nëse “ne mund të bindim të gjithë të vënë një maskë tani”. Komente të tij, të bëra të martën me Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, pasuan një editorial që ai dhe të tjerë shkruan, duke theksuar “prova të bollshme” të përhapjes asimptomatike dhe duke theksuar studime të reja që tregojnë se si maskat ndihmojnë në zvogëlimin e transmetimit.

Hulumtimi që citoi Dr. Redfield përfshiu një studim të botuar rishtazi që sugjeron që përdorimi universal i maskave kirurgjikale ndihmoi në uljen e niveleve të infeksioneve të konfirmuara Covid-19 midis punonjësve të kujdesit shëndetësor në sistemin e kujdesit shëndetësor Mass General Brigham në Massachusetts, përcjell albinfo.ch.

Komentet e tij janë mesazhi më i qartë akoma nga CDC, mes debatit të ashpër mbi maskat e fytyrës, nxitur fillimisht nga mesazhe të zyrtarëve federalë dhe globalë për domosdoshmërinë e tyre dhe më pas nga ata që theksojnë liritë individuale. /KultPlus.com

Ministrja belge e shëndetësisë bëhet hit në internet për shkak të maskës

Ministrja belge e Shëndetësisë, Maggie De Block, ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale me maskën që ajo e kishte bartur në fytyrë në Parlament.

De Block ka publikuar në Twitter fotografinë ku shihet me maskën që e kishte shtypur fytyrën e saj, dhe kishte shkruar se “të hyrat e kësaj maske do t’i jap për bamirësi”.

Kujtojmë që në Belgjikë nga java e kaluar është bërë e obligueshme bartja e maskave në ambient të mbyllura, përfshirë marketet, kinematë dhe muzetë.

Ndërkaq dje është raportuar se Belgjika nuk ka regjistruar raste të vdekjeve nga coronavirusi brenda 24 orëve. Numri i përgjithshëm i viktimave në këtë vend ka shkuar deri më tani në 9.787.

Belgjika renditet në vendin e 12-të në botë për numrin e viktimave. / KultPlus.com

Si NUK duhet ta vendosni maskën? (FOTO)

Maskat me ngjyra, stile dhe materiale të ndryshme u shfaqën në fytyrat e njerëzve përreth nesh dhe u bënë përditshmëri e jona që nga fillimi i pandemisë.

Ndërsa është një lajm i mirë që shumë njerëz janë duke e bërë pjesën e tyre për ta ngadalësuar përhapjen e koronavirusit, lajmi i keq është se shumë prej tyre janë duke vendosur maskat gabim.

“Vendosja e maskës merr pak kohë për t’u mësuar, pa dyshim. Me shumë gjasë ju e keni vendosur maskën ashtu si duhet nëse ju duket sikur po ju merret fryma”, ka thënë Dr. Scott Segal, shefi i anesteziologëve në Qendrën Shëndetësore për Baptizmin “Wake Forest”.

Një nga gabimet më të mëdha që njerëzit bëjnë është që i lëvizin maskat e tyre dhe i tërheqin poshtë hundës ose e heqin krejtësisht nga fytyra duke e lënë vetëm poshtë mjekrrës, transmeton Klan Kosova.

“Nuk duhet absolutisht ta lëvizni dhe ta tërhiqni maskën tuaj poshtë mjekrrës, derisa jeni jashtë. Nëse vendosni që të mbani maskë, atëherë mbajeni si duhet”, ka thënë Shan Soe-Lin, ligjëruese në Institutin për Çështje Globale “Yale Jackson”.

Më poshtë janë disa rregulla se si DUHET dhe NUK DUHET ta vendosni maskën:

MOS e vendosni maskën poshtë hundës tuaj

MOS e leni mjekrrën e ekspozuar

MOS e vendosni maskën tuaj lirshëm duke lënë hapësira anash

MOS e vendosni maskën ashtu që mbulon vetëm majën e hundës tuaj

MOS e shtyni maskën poshtë mjekrrës që ta leni në qafë

VENDOSNI maskën ashtu që ajo të jetë deri lart afër ‘urës’ së hundës tuaj dhe poshtë mjekrrës. Bëni më të mirën për të shtrënguar lidhëset në mënyrë që maska të jetë e fiksuar në fytyrën tuaj, pa hapësira anash.

Pasi ta keni gjetur pozicionin e duhur për vendosjen e maskës, ndiqni këto rregulla për të qëndruar të sigurt:

Lani duart tuaja gjithmonë para dhe pasi ta vendosni maskën.

Përdorni lidhëset për ta vendosur dhe për ta tërhequr maskën.

Mos e prekni pjesën e përparme të maskës kur e hiqni.

Për ata që jetojnë në banesa, vendoseni dhe hiqeni maskën derisa jeni brenda banesës tuaj. Ashensorët dhe shkallët mund të jenë zona me kontaminim të lartë.

Lajeni dhe thajeni maskën tuaj – nga materiali – çdo ditë dhe mbajeni në një vend të pastër dhe të thatë.

Mos keni një sens të rremë të sigurisë.

Mos harroni, maskat ofrojnë mbrojtje të kufizuar dhe kanë efekt të plotë vetëm kur kombinohen me larjen e vazhdueshme të duarve me ujë dhe sapun dhe distancën sociale.

Çfarë ndodhi me mua, ditën që nuk vura maskë!

Nga: Rudina Xhunga

Në fakt, unë nuk vija maskë. Më ka mbetur prej kohës së videos së BBC, ku Dr. Shunmay Yeung, shpjegonte që përdorimi i saj nuk sillte asgjë plus, përkundrazi:
Nëse shumë njerëz do të përdorin maska, nuk do të ketë mjaftueshëm për ata që kanë nëvojë vërtet për to, stafi mjekësor dhe të infektuarit me Covid-19.”– thoshte ajo.

Pastaj OBSH-ja ndryshoi qëndrim, por jo unë. Kjo deri javën që shkoi, kur më lajmëruan që shoferi i cili më kishte marrë nga grimi te televizioni ku isha e ftuar, kishte bërë tamponin dhe dalë pozitiv.
Lexuar kjo nuk do të thotë asgjë. Po kur të ndodh ty dhe merr Silva Binon të parën dhe ajo të pyet, a kishe maskë, aty të nis e përmbyset e gjitha.
– Jo nuk kisha.
⁃ Ishe ulur pas.
⁃ Jo, isha ulur para.
⁃ Po kondicioneri ishte hapur?
⁃ Po hapur.
⁃ Fole ti, po ai foli?
⁃ Nuk e mbaj mend. Nuk më kujtohet gjë fare. E kam marrë doktoresha?
⁃ Risk i moderuar, Rudina.
⁃ Ç’d.m.th? Oh sa njerëz marr unë në qafe po e kam marrë. Dhe ndërsa ajo flet, mua më del para lista e njerëzve që kam e dua, të cilët korona i vret nëse ua kam dhënë.
⁃ Sa kohe ka?
⁃ Sot dita e 4-ët, po tani ma thanë.
⁃ Nuk bëhet tamponi sot. Do të presim. Dhe do të kontrollojmë nëse ke simptoma.

Pritja kur mendon se ke marrë koronën është komplet e çmendur. Sidomos kur ke lexuar e shkruar për simptomat e saj mijëra herë. Pritja është plot me simptoma. Frika jote është simptoma më e keqe. Më shumë vret frika nga sëmundja. Pastaj kjo sëmundje ka dhe një të keqe plus. Sëmundjet e tjera, gripi përfshirë, kanë solidaritet në familje. Të shohin me dhembshuri të gjithë dhe të shërbejnë. Po nëse thua që dyshon se ke marrë koronën, është si të thuash ke marrë HIV. Secili ka frikë për ca mund t’i ndodhë dhe fajtori je ti që e solle. Pra kur thotë shefi i OBSH-së që sëmundja kërkon solidaritet mes shtetesh ta harrojë! Solidaritet nuk ka as në shtëpinë tënde.

Përveç vajzës sime të vogël që mendon se nuk e kemi marrë, se ajo do të flasë me unicornin e saj që do të na mbrojë, siç na mbrojti njëherë kur avioni u tund mirë në Bilbao, ne të dy jemi të tmerruar. Marrim në telefon prindërit tanë dhe i pyesim imtësisht për çfarë kanë, çfarë u dhemb dhe sa më shumë se dje u dhemb. Pastaj i kthehemi njëri-tjetrit dhe pyesim ku do ta lëmë vajzën nëse ajo nuk e ka dhe ne e kemi.
Në fakt pyetja pa zë, është ku do ta lëmë vajzën nëse e kemi dhe gjërat shkojnë keq. Dhe ngaqë nuk e bëjmë dot këtë pyetje as pa zë, nxehemi me njëri-tjetrin, me mua d.m.th që jam kaq e papërgjegjshme sa hipi në një makinë televizioni, këto kohë dhe pa maskë. Dhe e vetmja arsye pse mund të shpëtojmë është sërish një anë e keqe imja, që nuk flas, që ul kokën në telefon dhe nuk kthehem fare as majtas as djathtas. Dhe ndoshta, ndoshta kjo do të na shpëtojë.

Ndërkohë ne jemi mbyllur të tre në shtëpi. Në pritje të simptomave, na është kërkuar të izolohemi. Unë vij vërdallë me maskë nëpër shtëpi. Nuk e heq as kur fle. Fle me maskë. Kjo e nxeh më shumë tim shoq që nuk e kupton pse nuk mbaja maskë atë ditë dhe pse isha ulur para. Po pas ishin ulur tre vetë, i them, e debati nis nga fillimi.

Deri ditën që bëmë tamponin unë nuk pata asnjë simptomë, veç dëshirës për të qarë në banjë, (kjo nuk del te simptomat), ndërsa im shoq kishte grykët, temperaturë, dhimbje koke. Ndaj e bëmë tamponin. Në shtëpi erdhën dy zonja.
Një prej frikërave më të mëdha është që nëse nuk e ke mos e merr kur vinë të të bëjnë tamponin, aq shumë na është futur ideja që mjekët e kanë të gjithë. Ata nuk e kanë. Ata janë më të rrezikuarit, më të dëmtuarit në këtë histori të papërgjegjshmish, njëra prej të cilave jam dhe unë.
Vajza ime u ul e para. E pyetën nëse donte të bënte në fillim hundën, apo gojën. Pyeti kush qe më e vështirë që ta niste me të. I bëri të dyja dhe tha që ishte eksperiencë qesharake, qe te gudiliste. Kur erdhi radha ime, nga sikleti teshtiva dhe tmerrova dy zonjat që bënë disa hapa pas dhe pastaj ikën, pa i qerasur, se nuk mundemi thanë. As ujë, në atë vapë korriku.

Zonjat më thanë që rezultati del për 24 orë. Dilte, por tani për shkak të fluksit është zgjatur koha. Unë nuk prita dot as 24 minuta dhe nisa të pyes mjekë të ndryshëm të hetimit në Tiranë, pse zgjat kaq shumë dhe a ka të ngjarë të jetë rezultat fals. Nuk ka asgjë që të heq mendjen kur pret një lajm. Asgjë që ulesh ta bësh me vetëdije dhe të largon vëmendjen. Aq më tepër kur nuk del dot as nga shtëpia.
E vetmja gjë që më lehtësoi ishte një intervistë e Merkel që i ndryshova titullin. Ajo kishte folur për BE-në, po mua më ngacmoi shprehja: “Është e vështirë, por në vend të bëjmë pyetje ekzistenciale, duhet te vazhdojmë me punët e ditës.
Mund ta kisha lexuar çdo çast tjetër këtë shprehje, po nuk do të më bënte kurrë përshtypjen që më bëri atë ditë. Thjesht ma mblodhi veten. Dhe vazhdova të laj pjatat, pa e hequr maskën. Rezultati doli të nesërmen, në darkë. Më morën në telefon dhe më lajmëruan që ne të tre ishim negativë. “Jeni negativë. Kjo për sot, pastaj është në dorën tuaj. Ruhuni!”, tha zonja që më telefonoi. Ose kështu duhet të ketë thënë se unë dëgjova mirë vetëm negativë, gjithçka tjetër vinte flu.

Sapo dëgjoi gezimin tim, ime bijë ma hoqi maskën dhe e grisi. “Tani do e heqësh, te puthemi, -tha”. Joooo, tani do e heq vetëm në shtëpi.”, i thashë. Dhe e mbajta fjalën. Nuk e vras mendjen për vapën dhe për asnjë vështrim kureshtar.
Unë mbaj maskë. Nuk e përballoj dot rikthimin tek ato tre ditë pritjeje dhe nuk di si do ta përballoj koronën nëse e marr. Nuk e di vërtet. Por e di që maska më mbron, mua dhe njerëzit që dua./dritare.net /KultPlus.com

Vendosen maska dhe dezinfektues nëpër pritoret e autobusëve në Prishtinë

Qytetarët që udhëtojnë me autobusë të “Trafikut Urban” në Prishtinë, nuk lejohen të futen brenda pa pasur të vendosur maskën. E për këtë, Komuna e Prishtinës ka gjetur zgjidhje. Nëpër pritoret e autobusëve në kryeqytet janë vendosur maska dhe dezinfektues për qytetarët.

Këtë e ka bërë të ditur drejtori i Mirëqenies Sociale në Prishtinë, Dren Kukaj, përmes një postimi në Facebook.

Kukaj ka shkruar se 15 pritore të autobusëve janë furnizuar me dezinfektues dhe maska.

“Prej sot 15 pritore dhe pika të ndryshme do të jenë të pajisura me maska dhe dezinfektues”, ka shkruar Kukaj.

Bartja e maskës, dezinfektimi apo pastrimi i duarve dhe distanca fizike, janë masat kryesore që institucionet po apelojnë te qytetarët t’i respektojnë./KultPlus.com