Gjon’s Tears në koncertin e mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’: Në Prishtinë e ndjej një veçanti që nuk e ndjej në asnjë tjetër vend

Era Berisha

Edicionin e tij të katërt, projekti “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, mbrëmë e shënoi me një interpretim nga artisti kosovar Gjon Muharremaj, i njohur si ‘Gjon’s Tears’, i cili ekskluzivisht solli për publikun një repertor me gjithsej katër këngë, tre nga të cilat nuk janë kënduar asnjëherë më parë në Prishtinë. Këto këngë të mbushura me një mrekulli melodish e tingujsh u rrëfyen nën flakërimin e notave të larta të zërit buçues të artistit që së bashku me interpretimin e tij në piano, krijuan ndjesi të larmishme tek të pranishmit duke shkrirë kështu artin muzikor në një trazirë të vrullshme artistike që nuk po e njihte shfrenimin në asnjë çast të vetëm, shkruan KultPlus.

Ajo se çka dallohej në hyrje të Amfiteatrit të Ri të Bibliotekës Universitare të Kosovës, ishin fytyrat e shumta e të rinjve të cilët prisnin me padurimin e tyre të ëmbël, daljen në skenë të artistit të njohur Gjon’s Tears. Ndërsa, hyrja në këtë sallë për dikë që po vinte për herë të parë do ti dukej krejtësisht një ambient që posedon një hapësirë të gjerë, karrige të shumta e të vendosura në secilin kënd, për të mbushur kështu sallën në një numër të madh të artistëve të njohur shqiptar dhe jo vetëm. E kjo hapësirë ndërlidhej në një mënyrë të veçantë me inkuadrimin e reflektorëve me ngjyrë të kaltër dhe perdet ngjyrë bardhë, që njëkohësisht portretizonin dy nga ngjyrat e logo-s së KultPlus.

Dritat e ngrohta të vendosura në dy kënde të sallës së bashku me dritën natyrale e cila binte pingul nga qielli mbi kokat e secilit, ishin elementet që mbrëmë ndërruan komplet vendet e tyre me njëra-tjetrën. Teksa ora po shënonte 19:00, tashmë drita natyrale ishte zhdukur për të lënë hapësirë që errësira të kaplonte qiellin e të vëzhgonte sallën përbrenda, e dritat e ngrohta fuqishëm gjallëruan funksionin e tyre në të dy anët për të ngritur akoma më lart etjen për të parë artistin në skenë, me ç’rast vezullimi në sytë e çdo kujt vetëm sa vinte e shtohej.

Hapjen e edicioni të katërt të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”e nisi drejtoresha e gazetës KultPlus, Ardianë Pajaziti.

“Gjon, faleminderit që kë ardhur e që ke qenë kaq bashkëpunues për të qenë i pranishëm para audiencës së Prishtinës e që do të kenë rastin ta dëgjojnë rrëfimin tënd qysh nga fëmijëria e deri tek suksesi i madh në Evrovizion por edhe jemi duke pritur me padurim performancën tënde live”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, ‘Ta zbardhi ftyrën’ ka ardhur si ide se si njerëzit si fëmijë marrin komente nga prindërit kur ata merrnin një notë të mirë në shkolla fillore duke u shprehur me fjalët: na zbardhe ftyrën.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berishaështë shprehur falënderues ndaj ekipit të KultPlus për punën e tyre të jashtëzakonshme.

“Gjon mirësevjen në Prishtinë dhe faleminderit shumë që na ke bërë krenarë. Faleminderit shumë ekipit të KultPlus për një punë të jashtëzakonshme që e bëjnë duke e mbuluar fushën e artit dhe kulturës dhe duke na dhënë informacione të sakta se si duhet ti qasemi artit e kulturës”, ka thënë Berisha.

Në fund, ata u shprehen falënderues ndaj të pranishmëve duke i uruar atyre një natë të këndshme.

Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëruan duartrokitjet e zjarrta të publikut artdashës, kur Gjon’s Tears hodhi hapat e tij drejt skenës për të nisur këtë mbrëmje me një rrëfim rreth jetës së tij artistike e shpalosjes së shumë momenteve të veçanta qysh nga fëmijëria e tij e deri më sot.

“Unë e fillova muzikën kur isha 8 vjeç dhe arriti momenti që të gjithë në klasën time të kishin nga një hobi, dhe e mbaj mend që njëra kishte pasion zhytjen në det dhe thosha vetmevete se unë skam asnjë pasion dhe më duhet ta gjej një. I thoja nënës pse asnjëherë nuk po performoja në piano apo diçka të tillë, e ajo ma ktheu se unë asnjëherë nuk e kam kërkuar një gjë të tillë. Aty nisi edhe provat e mia të para drejt këtij rrugëtimi artistik”, thotë Muharremaj.

Sipas tij, fillimisht ishin karate dhe patinazhi artistik, dy sporte të cilat ai i nisi por që ishin shumë herët në mëngjes dhe u përmbysën këto opsione menjëherë, por që me pianon ndodhi diçka ku ai e ndjeu veten të lidhur në një mënyrë shumë të çuditshme.

“Ajo se çka më ka lënë përshtypje ishte mënyra se si njerëzit e shihnin muzikën klasike dhe se si ata e shikonin Mozartin, Beethovenin e Bachin, si me qenë një ‘Zot’. E mua më pëlqeu ky admirim i tyre e andaj doja shumë që ta kuptoja këtë admirim të tyre, prandaj fillova provat në piano jazz. Një ditë, gjyshi im rastësi që të dëgjonte këngën e Elvis Presleyit, të titulluar ‘can’t help falling in love’, dhe më pyeti mua që të këndoja për të këtë këngë të preferuar të tij dhe unë atëherë nuk kisha kënduar asnjëherë më parë”, shpalos Muharremaj.

Momentin kur gjyshi i tij filloi të qante pasi dëgjoi Gjonin duke kënduar, konsiderohet një cast ku Gjoni e ka ndjerë veten si një super hero. Ndërsa, vendosja e gjyshit në atë pozitë ishte momenti kur ai vendosi që të vazhdonte të bënte këtë gjë, pra të vazhdonte me muzikë.

Pastaj, intervista e Gjonit herë pas here shoqërohej me video-prezantime ku shfaqej rrugëtimi i tij, duke filluar nga performanca e tij e parë në ‘Albanian’s Got Talent’ e deri tek ajo e fundit në ‘Evrovizion’.

Teksa ai fliste për rrugëtimin e tij, tregon edhe për një moment të veçantë ku ai zgjodhi emrin e tij artistik ‘Gjon’s Tears’ e që bazohej në dy arsyeje. Njëra ishte se ai bën muzikë për ti emocionuar njerëzit dhe qëllimi i tij është që ata ti bëj të qeshin e të qajnë dhe jo vetëm e këtu gjithçka nisi me lotin e gjyshit të tij andaj lotët e tij i mban në emër. Ndërsa, arsyeja e dytë është se emri i tij shqip tingëllon edhe anglisht dhe qysh si i vogël ëndrra  e tij ishte të zhvillonte një karrierë ndërkombëtare.

Në mesin e rrëfimit të tij ai tregon edhe një moment të cilin ai e përjetoi dje në mëngjes ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i tha atij se: është një gjë tek shija se a do të të pëlqejnë njerëzit apo jo, por është një gjë tjetër kur ke mundësinë për të çuditur, atëherë është një ndjenjë krejtësisht ndryshe dhe që do të të mbetet në kujtesën tonë përgjithmonë sepse ke arrirë të jesh ndryshe nga të tjerët e të jesh unik. Prandaj, këtë kritikë të mirë Gjoni po provon ta mbështes gjithmonë.

I pyetur nga moderatorja Fëllënza Çitaku, për momentin fitues të votave të jurisë në Evrovizion, Gjoni është shprehur se e vetmja gjë që posedon ai është zëri dhe me atë zë ai ka arritur të përjetoj një eksperiencë shumë të veçantë.

“Unë gjithmonë kam provuar që kënga të dalë sa më mirë dhe kam punuar shumë sepse e vetmja gjë që kam është puna sepse nuk kam ndonjë muskul që të shfaqi, kështu që vetëm zërin e kam. Prandaj, ishte një eksperiencë shumë e veçantë”, thotë Muharremaj.

Krejt në fund të intervistës Gjoni shpalosi edhe momentin kur ai morri ftesën e gazetës KultPlus, nga drejtoresha e gazetës Ardianë Pajaziti, dhe se si e priti ai këtë ftesë.

“Unë e prita me shumë kënaqësi sepse një herë unë nuk e kam parë fare email-in dhe mesazhin e saj, por babai im e pa atë dhe më tha se ka ardhur një mesazh nga Kosova dhe trajtoje atë. Pas Evrovizionit ishte një ‘tërmet’ i madh sepse kënga kishte arritur vendin e parë në tabelat në Suedi, Norvegji, Holandë e Spanjë, dhe unë direkt shkova në këto vende por sa më shpejt erdha në Shqipëri dhe Kosovë. Prandaj, momenti kur na ka kontaktuar Ardiana ishte mëse i duhur dhe për mua është kënaqësi e madhe sepse unë nuk kam pasur shumë oferta në Kosovë e Shqipëri por edhe unë nuk i kam pranuar shumë ato sepse dua ti kem ekskluzivisht këngët e mia si p.sh sonte këtu para juve”, shpalos Muharremaj.

Tutje në ekran u shfaqën edhe videoklipet e tij. Pas intervistës së shkurtër ku Gjoni shpalosi rrugëtimin e tij artistik në muzikë e kënaqësinë që ishte në mesin e shumë artistëve dhe që njëkohësisht u përcoll herë me buzëqeshje e me të qeshura të mëdha e herë me një përqendrim serioz të fokusit nga ana e publikut, ishte radha që ai të performonte gjithsej katër këngë nga repertori i tij duke pushtuar kështu qytetin e Prishtinës për herë të parë e njëkohësisht për të lënë gjurmët e tij në kujtesën kosovare.

Në skenë me një hijeshi të pakrahasueshme, Gjon Muharremaj nisi koncertin me këngën ‘Repondez moi’. I shoqëruar me pianon përballë tij si një trup i dytë i vendosur në skenë, interpretimi i tij theu heshtjen e publikut kur meloditë e para të pianos ranë papritmas mbi atmosferë e përnjëherë kapluan në emocione publikun që po përhumbeshin brenda kësaj kënge që ndonëse në gjuhën frënge, zëri i tij po futej thellë brenda çdo njeriu të pranishëm e po vallëzonte së bashku me fluturat e krijuara në stomakun tonë.

Luhatjet e vogla të kokës, veshja e tij e veçantë, flokët e rregulluara mbi kokë, ritmi i tij në çelësat bardh e zi, shtypja e petaleve me këmbë, sytë e tij të mbyllura teksa vazhdonte performimin dhe shprehjet e fytyrës të tij që tregonin se kënga dhe ai ishin shndërruar në një melodi të vetme, atë hyjnoren, veçse po dëshmonin se mbrëmë të pranishmit përjetuan një shpërthim tingujsh që me butësinë, ëmbëlsinë dhe notat jashtëzakonisht të larta të këtij artisti, plasariti para nesh emocione dhe ndjenja që zgjonin rrëqethet e trupit të cilat frymonin në çdo cep të sallës.

Më pas, këngët e radhës si: ‘Babi’, ‘Tout l’Universe’ dhe ‘Moj e bukura More’, u performuan aq bukur aq sa edhe po ti mbledhësh të gjitha fjalët shqipe së bashku në një frymë, nuk do të mund të arrihej të përshkruhej kjo natë që ishte e mbushur përplot me elegancë artistike të cilën Gjoni arriti ta krijoj me veçantinë e tij duke mahnitur kështu publikun e duke i rrëmbyer ata në karusel ndjenjash nga ato më të bukurat e nga ato të cilat lënë një shteg kujtimesh që nuk do të harrohen kurrë për arsye se tashmë ato janë të strukur në pafundësinë e emocioneve tona duke thyer kështu limitin e ekzistencës së dashurisë brenda nesh.

Gjon Muharremaj, një emër ky që do duhej të na rikujtonte përsëri se dashuria, pasioni, sinqeriteti, sikleti, dëshira, ëndrra, butësia, brishtësia e ndjeshmëria, janë ndjenja këto të cilat nëse një artist si ai nuk frymon në çdo sekondë me pikërisht ato emocione, atëherë ai artist nuk ka arritur të përjetoj magjinë e të qënurit i tillë.

1 orë e gjysmë tashmë kishin kaluar, e interpretimi i tij që ende jehonte në shpirtërat e çdo njeriu, tashmë gjeti fundin për tu shpërblyer me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, e që u dhurua pikërisht nga artistja Erza Muqolli, e cila ishte fytyra paraprake e ‘Ta zbardhi ftyrën’.

Pastaj, në skenë për t’iu bashkangjitur drejtoreshës Ardianë Pajaziti, u ftua edhe i gjithë ekipi i KultPlus: Jeta Zymberi, Liridona Spahiu, Xhemile Hysenaj, Era Berisha dhe Flonja Hoxhaj, për të realizuar një fotografi që do mbetej gjatë në kujtesën e tyre.

Pas këtij koncerti, të pranishmit patën rastin të shijojnë këtë mbrëmje tutje me një koktell në KultPlus Caffe Gallery, ku Gjon Muharremaj ka nënshkruar autografet për të pranishmit e realizuar një numër të pafund fotosh me çdo kë që shprehte dëshirë për të biseduar me të.

Për të treguar më shumë rreth natës së mbrëmshme dhe performancës unike të tij, për KultPlus foli artisti Gjon Muharremaj.

“Unë ndjehem shumë krenarë që e kam pasur këtë mundësi për tu prezantuar te KultPlus e sidomos në Prishtinë dhe dua të falënderoj KultPlus që më ka dhënë këtë çmim të kësaj mbrëmjeje artistike. Ishte një kënaqësi e madhe edhe të takoja kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani, andaj edhe ishte një ditë pak e ‘çmendur’ por ndihem shumë mirë sonte sepse morra një energji shumë pozitive dhe biseda me moderatoren ishte tejet interesante, ndërsa bashkëbisedimi me publikun ishte po ashtu tepër e mirë”, thotë Muharremaj për KultPlus.

Sipas tij, ajo që e bëri atë të kënaqej më së shumti ishte reagimi i njerëzve kur i shikonte, e qëllimi i tij për ti emocionuar njerëzit dhe për të parë vezullimin e tyre në sy, për të konsiderohet krenaria më e madhe.

“Besoj se mënyra e duhur për të shpërndarë kulturën është që ajo të tregohet me njerëzit e kulturës dhe me këtë mundësinë për të regjistruar me kamerë live që e keni bërë ju, kjo për mua ishte shumë e bukur dhe KultPlus është bërë gjuhën e duhur”, tregon Muharremaj.

Për Muharremajn, performimi në Prishtinë ishte shumë e veçantë sepse ai ka një publik që e njeh nga afër e së bashku me Shqipërinë, janë dy vendet që janë shumë ndryshe nga vendet e tjera për arsye se ai e ndjen një veçanti që nuk e ndjen në asnjë tjetër vend.

Ndërsa, kompozitori Florent Boshnjaku, për KultPlus tregoi se kjo natë për të ishte shumë e mrekullueshme.

“Ka qenë një natë e mrekullueshme dhe falënderoj KultPlus që e ka mundësuar një natë të tillë. Në anën tjetër jam ndjerë keq që shumë njerëz ndoshta nuk kanë mundur të jenë prezent. Përveç performancës së mrekullueshme të Gjonit të cilën na dhuroi në fund, pjesa e tregimit të tij i historisë muzikore dhe mënyrën se si ai e ka qasjen në pop muzikë e jo në muzikë klasike, është diçka që me të vërtetë na mungon që njerëzit këtu me kuptu që arti nuk është biznes por është diçka e domosdoshme për gjeneratat e reja”, thotë Boshnjaku për KultPlus.

Sipas tij, mënyra se si Gjoni e shpjegoi emrin artistik të tij, i ka lënë përshtypje tej mase e që ishte një ndërlidhje e jashtëzakonshme e muzikës me emocionin dhe pastaj edhe performanca e fundit e tij që dëshmon se Gjoni është një vazhdimësi e shumë artistëve shqiptar që na përfaqësojnë e po na zbardhin fytyrën.

“Një mbrëmje si kjo, jo që janë të domosdoshme por nuk bën pa to fare. Vetë fakti që KultPlus e mundëson një mbrëmje të tillë artistike, një tregim të tillë me dëgju publiku të një artisti, është e jashtëzakonshme dhe e domosdoshme. Këtu shfrytëzoj rastin për të falënderuar KultPlus për këtë mundësi që edhe neve që jemi në muzikë por edhe publikut të gjerë, me ia dhuru një tregim e një mbrëmje të tillë muzikore”, përfundon Boshnjaku për KultPlus.

Po ashtu, drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth përfundimit të edicionit të katërt të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

“Është hera e katërt që po mbahet kjo mbrëmje dhe e kemi dëshmuar se titulli i kësaj mbrëmjeje artistike nuk është një rastësi sepse njerëzit që i kemi sjell përgjatë këtyre katër viteve, po ngërthehen shumë mirë në atë se çfarë kemi menduar me projektin. ‘Ta zbardhi fytyrën’. vazhdimisht po shkon duke e formuar atë mozaikun për të cilën edhe e kemi themeluar”, thotë Pajaziti.

Sipas saj, ajo është shumë me fat për mënyrën se si Gjon’s Tears e ka vlerësuar KultPlus duke ndarë ekskluzivitetin e këngëve të tij të fundit që përmes KultPlus pikërisht për herë të parë në Prishtinë janë performuar para një audience.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci dhe Erza Muqolli, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.

Projekti “Ta zbardhi ftyrën” i organizuar nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, në partneritet me Komunën e Prishtinës, Ambasadën e Zvicrës, Universitetin e Prishtinës, Stone Castle, Hotel Opera, Birra Beg, Fluidi, Grand Decor dhe Uji Dea. / KultPlus.com