Kornisti Felix Kleiser dhe pianistja Lirika Pula Kasapolli mbajnë koncert artistik në Durrës

Një mbrëmje e veçantë muzikore u zhvillua në Katedralen Shën Lucia në Durrës, ku artisti gjerman Felix Kleiser performoi me instrumentin e kornos, i shoqëruar në piano nga pianistja kosovare Lirika Pula Kasapolli.

Koncerti u organizua në kuadër të edicionit të 20-të të festivalit ndërkombëtar Chamber Fest Durrës ndërsa repertori përfshinte vepra nga Schumann, Glière, Haydn, Strauss dhe Beethoven.

Felix Kleiser, i njohur për virtuozitetin por edhe për historinë e tij frymëzuese, u prit me duartrokitje nga publiku.

Harmonia me pianistën Kasapolli u vlerësua për elegancën dhe profesionalizmin artistik.

“Kam qenë në Tiranë disa vjet më parë dhe së fundmi mora një ftesë për të ardhur në Durrës. Nuk e dija që koncerti do të luhej në kishë, ndonjëherë është e vështirë të luash në mjedise të tilla, por është ide shumë e mirë dhe këtu më pëlqeu shumë ambienti, akustika ishte e mrekullueshme gjithashtu. Pashë shumë njerëz entuziastë në këtë koncert dhe më vjen mirë që e shijuan atë,” tha Felix Kleiser, kornist.

Ky koncert ishte një tjetër dëshmi e fuqisë që ka muzika për të bashkuar kultura dhe për të sjellë art të vërtetë në zemrën e qytetit.

Chamber Fest Durrës vijon me aktivitete të tjera në ditët në vijim, duke sjellë përvoja të reja për dashamirësit e muzikës klasike./euronews.al/ KultPlus.com