Universal Pictures ka njoftuar zyrtarisht se filmi i katërt i serisë “Meet the Parents” do të titullohet “Focker In-Law” dhe do të publikohet në Ditën e Falënderimeve në vitin 2026.
Ben Stiller, Robert De Niro, Blythe Danner, Teri Polo dhe Owen Wilson do të rikthehen për të interpretuar rolet e tyre ikonike. Kësaj here, kastit do t’i bashkohet edhe këngëtarja Ariana Grande, megjithëse ende nuk janë zbuluar detaje mbi rolin e saj.
Në njoftimin e shpërndarë në Instagram nga Universal Pictures, i cili u ripostua edhe nga vetë Stiller dhe Grande, shkruhej: “Familja Focker po zgjerohet.”
Filmi i parë “Meet the Parents” u publikua në vitin 2000, i ndjekur nga “Meet the Fockers” në 2004 dhe “Little Fockers” në 2010. Historia ndjek Greg Focker (Stiller), një infermier nga Çikago, dhe partneren e tij Pam (Polo), ndërsa përballen me situata të sikletshme dhe humoristike për shkak të babait të saj mbrojtës dhe ish-agjentit të CIA-s, Jack (De Niro).
Detajet e ngjarjes së “Focker In-Law” nuk janë zbuluar ende, por dihet që regjinë do ta bëjë John Hamburg, producent i “Little Fockers”. Në kast do të jenë gjithashtu edhe Beanie Feldstein dhe Skyler Gisondo.
Në qershor, Ben Stiller, Robert De Niro dhe Teri Polo u ribashkuan në një shfaqje speciale të “Meet the Parents” në Festivalin e Filmit Tribeca, për të festuar 25-vjetorin e filmit origjinal. Gjatë këtij eventi, Stiller ndau disa detaje rreth vazhdimit të ardhshëm: “Ajo që na shtyu drejt idesë është fakti që tani unë jam në moshën që kishte Bob kur bëmë filmin e parë. Ndjehej si një pasqyrim i asaj historie, ku një nga fëmijët e mi po mendon të prezantojë partnerin e tij me familjen.”
Edhe pse nuk u dhanë shumë informacione shtesë, De Niro konfirmoi se e kishte lexuar skenarin dhe e përshkroi atë si “shumë argëtues”.
“Focker In-Law” pritet të sjellë një tjetër kapitull të ngarkuar me humor, përplasje brezash dhe situata të paharrueshme, që e kanë bërë këtë seri të dashur për miliona shikues në mbarë botën./CNN/KultPlus.com
