MEKI, grante për forcimin dhe zhvillimin e artizanatit në vend

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit hapi thirrjen për grante “Fondi i artizanëve”.

Fondet do të ofrojnë mundësinë e mbështetjes financiare për artizanët dhe shoqatat e artizanëve që kontribuojnë në forcimin dhe zhvillimin e artizanatit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri. MEKI bëri me dije se, kjo mbështetje synon të nxisë ruajtjen, promovimin dhe transmetimin e traditave dhe dijebërjes, duke kontribuar në pasurimin e kulturës dhe ekonomisë lokale.

Kategoritë që mbështeten janë:

1. Mbështetje financiare për prodhimet artizanale. Kjo kategori mbështet artizanët që krijojnë produkte të artizanatit dhe dëshirojnë të zhvillojnë veprimtaritë e tyre. Fondi i parashikuar për këtë kategori do të jetë 500,000 lekë – 1,500,000 lekë.

2. Mbështetje financiare për transmetimin e dijebërjes ndër breza. Kjo kategori do të ofrojë mbështetje për trajnime dhe aktivitete që promovojnë kalimin e njohurive tradicionale dhe artizanale tek brezat e rinj. Fondi: 1,000,000 lekë – 2,000,000 lekë.

3. Mbështetje financiare për pjesëmarrjen në panaire dhe evente të trashëgimisë kulturore. Kjo kategori mbështet artizanët dhe shoqatat që prezantojnë punën e tyre në panaire dhe ngjarje kulturore. Fondi: 300,000 lekë – 1,000,000 lekë

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit njoftoi në rrjetet sociale se, afati i dorëzimit të aplikimeve përfundon më 28 shkurt 2025./atsh/KultPlus.com

MEKI hap për herë të parë thirrjen për grante në mbështetje të programit kulturor të organizatave

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ofron për herë të parë mundësinë e mbështetjes financiare për programin vjetor të organizatave kulturore, për vitin 2025, duke synuar forcimin dhe zhvillimin e veprimtarive që kontribuojnë në promovimin e kulturës, artit dhe trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit thirrja “Mbështetje për Programet Kulturore të Organizatave” ndahet në dy kategori kryesore.

Për kategorinë e parë mbështetje vjetore për Organizata Jofitimprurëse me Përvojë të Pasur në Fushën e Kulturës dhe për OJF me një eksperiencë të konsoliduar dhe një CV të pasur shumëvjeçare, me një strategji dhe vizion të qartë për zhvillimin e mëtejshëm me fondi: 3 500 000 – 4 000 000 lekë për programin kulturor të vitit 2025 dhe me afat  aplikimi deri më 7 shkurt 2025.

Për kategorinë e dytë: Mbështetje Vjetore për Organizatat për Aktivitetet Kulturore dhe Edukative në Komunitet për OJF që realizojnë aktivitete kulturore dhe edukative me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së komunitetit dhe me fokus në zhvillimin e aftësive krijuese për fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe grupet vulnerabël.

Fondi është 2 000 000 – 2 500 000 lekë për programin kulturor të vitit 2025 dhe afati i aplikimit deri më 7 shkurt 2025.

Në fund të muajit dhjetor të 2024 MEKI ka hapur thirrjen e parë për grante për “Ngjarje Kulturore dhe Krijuese 2025: Festivale, Evente dhe Panaire që pasurojnë Kalendarin Kulturor”./atsh/KultPlus.con

Mekanizmat e financimit të artit e kulturës, MEKI nis bashkëpunimin me UNAA

Studimi, përmirësimi dhe hartimi i politikave dhe mekanizmave mbështetës financues në fushën e artit dhe kulturës, janë fokusi i Memorandumit të Bashkëpunimit të firmosur sot mes Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) dhe United Nations Association Albania (UNAA).

Ky bashkëpunim nisi menjëherë pas prezantimit të rezultateve të studimit të realizuar nga UNAA dhe mbështetur nga ArtNexus “Mbi Mekanizmat e Mbështetjes dhe Burimet Financiare për Artet Pamore në Shqipëri” ku u trajtuan problematikat dhe sfidat me të cilat ndeshen artistët pamor në vendin tonë dhe ku u ngrit nevoja e një dialogu të vazhdueshëm mes institucioneve publike dhe komunitetit artistik në Shqipëri.

Përmes kësaj marrëveshje synohet të përmirësohen skemat e shpërndarjes së mbështetjes financiare jo vetëm në fushën e arteve pamore, por edhe më gjerë si: artet skenike, festivalet, artizanati, trashëgimia kulturore, etj.

Me anë të kësaj nisme, fokus të veçantë do të ketë mbështetja e artistëve të rinj shqiptarë, pasurimi i kalendarit kulturor në të gjithë vendin, mbështetja e krijimtarisë, zhvillimi i rezidencave artistike, përfaqësimi kombëtar dhe diplomacia kulturore, mobiliteti artistik, mbështetja e organizatave kulturore e shumë programe të reja për të nxitur e mbështetur skenën e pavarur.

Pjesë e punës janë edhe takimet dhe konsultimet publike me grupet e interesit nga fusha e artit dhe kulturës shqiptare dhe institucionet e tjera. Ndaj në vjeshtën e këtij viti, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të organizojë një sërë takimesh dhe konsultash të titulluara “Zërat e Kulturës: Artistët flasin, institucionet dëgjojnë”, detajet e të cilave do të njoftohen në vijim në faqet zyrtare të MEKI-t./atsh/KultPlus.com