Mbahet koncert memorial me veprat e kompozitorit ferizajas, Vinçenc Gjini

Të premten mbrëma në teatrin “Adriana” në Ferizaj, në mesin e qindra bashkëqytetarëve u mbajt koncert memorial kushtuar kompozitorit ferizajas, Vinçenc Gjini.

Kjo mbrëmje e veçantë koncertale, ku u shpalosën disa nga veprat më të zgjedhura të kompozitorit Vinçenc Gjini, u organizua nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës, Agim Aliu.

Gjersa në skenën e teatrit “Adriana” këto vepra u interpretuan nga Kori dhe Orkestra e qytetit si dhe nga solistët Venera Imeri, Rrezarta Ramadani, Urim Salihu, Okteti i Qytetit, në piano Fjorda Veizaj nga Tirana, nën dirigjimin e profesoreshës, Lindita Isufi./KlanKosova/KultPlus.com

Dje u promovua memoriali “Muri i nderit”, reagon Buxhovi: Historia fshihet ende, apo jo?

Dje, në Prishtinë është zbuluar “Muri i Nderit”, i cili është ndërtuar si dëshmi e guximit, dhembshurisë dhe përkushtimit ndaj njerëzimit, vlera këto që e formësojnë historinë e përbashkët të popullit shqiptar me atë izraelitë, shkruan KultPlus.

Tek “Muri i Nderit” janë shkruar emrat e 23 shpëtimtarëve të hebrenjve në Kosovë. Por për këtë ka reaguar historiani Jusuf Buxhovi ku sipas tij  kjo është një e vërtetë e cunguar, meqë në këtë memorie publike përjashtohet roli i qeverisë së atëhershme shqiptare të kryesuar nga Rexhep Mitrovica dhe ministri i brendshëm Xhafer Deva në marrjen në mbrojtje shtetërore të hebrejve, nga deportimi i tyre nga gjermanët.

Ky është reagimi i plotë i Buxhovit:

Këto ditë, në Prishtinë, u promovua memoriali “Muri i nderit – Wall of honoror” , si shkruhet, me emrat e 23 shpëtimtarëve të hebrenjve në Kosovë. Meqë memoriali është publik (i vendosur në parkun e qytetit) domosdoshmërisht merr rolin e një dëshmie historike, që lidhet me rolin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve nga holokausti. Por, nga pikëpamja historike, kjo është një e vërtetë e cunguar, meqë në këtë memorie publike përjashtohet roli i qeverisë së atëhershme shqiptare të kryesuar nga Rexhep Mitrovica dhe ministri i brendshëm Xhafer Deva në marrjen në mbrojtje shtetërore të hebrejve, nga deportimi i tyre nga gjermanët, për ç’ gjë ka edhe dëshmi të shumta edhe nga autorët e njohur izraelit. Me këtë rast po sjell vetëm një prej tyre, atë të Joy Weistain, për t’u parë ky veprim ndër më të guximshmit e kohës në raport me Vermahtin gjerman:

“Në fund të vitit 1943 gjermanët kërkuan një listë të të gjithë hebrenjve që jetonin në Shqipëri dhe në pranverën e vitit 1944 nazistët i kërkuan zyrtarisht regjencës një listë të ngjashme që hebrenjtë të mblidheshin në një vend. Në bazë të thirrjeve të liderëve hebrenj, ministri i Brendshëm Xhafer Deva REFUZOI kërkesën e gjermanëve, duke u shprehur se një lëvizje e tillë do të përbënte INTERFERENCË në çështjet shqiptare”.

Jay Weistein, “Hebrenjtë në Shqipëri të shpëtuar nga Holokausti”,në Michigan Sociological Review 1996. / KultPlus.com

Franca do të ndërtojë memorial për viktimat e terrorizmit

Franca, deri në vitin 2027, do të ndërtojë një memorial kombëtar për viktimat e terrorizmit, njoftoi të mërkurën Zyra e Presidencës franceze.

Sipas saj, një muze për terrorizmin bashkëkohor, që nga vitet 1960 dhe 1970, është planifikuar gjithashtu. Lokacioni i tyre nuk është përcaktuar ende.

Viteve të fundit, zona e Parisit dhe qyteti bregdetar i Nicës janë prekur veçanërisht nga sulmet e përgjakshme terroriste.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, planifikon t’i përkujtojë viktimat e terrorizmit në një shërbim përkujtimor kombëtar, që do të mbahet të enjten në Paris.

Mbi 250 njerëz janë vrarë viteve të fundit në sulmet terroriste në Francë, për të cilat janë fajësuar militantët islamikë.

Burime nga pallati presidencial Elysee kanë thënë se kërcënimi i terrorizmit në këtë vend mbetet shumë i lartë.

Që nga viti 2017, kur Macron i ka fituar zgjedhjet presidenciale, 33 sulme janë parandaluar në Francë, kanë thënë burimet për agjencinë e lajmeve DPA.

Sulmet terroriste kanë goditur rëndë Francën edhe gjatë vitit të kaluar.

Në tetor, një 21-vjeçar me prejardhje nga Tunizia ka vrarë tre njerëz me thikë, në një kishë të Nicës.

Paraprakisht, një mësuesi i është prerë koka në një lagje në rrethinë të Parisit.

Të dyja aktet kanë shkaktuar zemërim global. / KultPlus.com