Ky është teksti i himnit të Kosovës

Himni i Kosovës në fillim kishte tekst

Në fakt kur ishte propozuar melodia nga autori Mendi Mengjiqi, kënga e shtetit i kishte pasur edhe vargjet e shkruara.

Për shkak të restrikcioneve nga pakoja e Ahtisaarit, komisioni përzgjedhës ishte detyruar që të heq tekstin.

KultPlus ju sjell tekstin që kishte fillimisht Himni i Kosovës.

Himni i Kosovës, titullohet “Evropa”.

O mëmëdhe i dashur, vend i trimërisë

Çerdhe e dashurisë

N’ty shqipet fluturojnë

Dhe yjet ndriçojnë

Vendi i të parëve tonë

Ti qofsh bekue për jetë e mot

O nënë e jonë

Ne të dalim zot

O mëmëdhe i dashur, vend i trimërisë

Çerdhe e dashurisë.

https://www.youtube.com/watch?v=5L02fyitl6A

Kompozitori Mendi Mengjiqi me sukses të dyfishtë në ndarjen e çmimeve në fushën e muzikës

Uranik Emini – Era Berisha

Theksimi i bukurisë, elegancës dhe ekuilibrit është pjesa kyçe e cila përjetohet përbrenda një vepre klasike që në thelb ka shumë larmi dhe kontrast. Me dinamikë të ndryshme, ton, tempo dhe timbër të veçantë janë krijuar edhe shumë vepra të mrekullueshme nga kompozitorët kosovarë që përgjatë viteve kanë sjell melodi me fraza të qarta e kadenca të theksuara mirë. Andaj, dhe për vitin 2021 është veçuar dhe vlerësuar suksesi tejet i lartë që ka arritur fusha e muzikës, shkruan KultPlus.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot ka organizuar ceremoninë për ndarjen e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, e cila është mbajtur në Kino Armatë.

Ishte vetë Orkestra Simfonike e Gjakovës që nën dirigjimin e bukur të Pëllumb Vulës nisi gjithë këtë ngjarje me një vijë melodike që rrëmbeu gjithë vëmendjen e të pranishmëve. Nën ndriçimin e errët të sallës, instrumentet u gjallëruan për të sjellë tinguj e melodi që në secilin moment thumbuan me timbrin e pastër që posedonin. Prezenca e secilit instrumentistë në skenë bëri që të vihej në pah akoma më shumë talenti i tyre në këtë fushë dhe sidomos dashuria për atë se çfarë ata mbanin në duart e tyre.

Pas duartrokitjeve të shumta, ishte aktori Basri Lushtaku ai i cili e moderoi këtë mbrëmje dhe fillimisht i uroi mirëseardhjen gjithë audiencës në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të muzikës, çmime këto që sipas tij, u jepen personaliteteve të shquara për arritje profesionale, për ngritjen e vlerave dhe për kontributin e veçantë në avancimin e muzikës artistike në vend.

Pikërisht në këtë datë që përkon me Ditën Botërore të Muzikës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ishte ai i cili doli për një fjalë rasti për të folur rreth rëndësisë dhe rolit të këtyre çmimeve.

“E nisëm Ditën e Muzikës me muzikë me Orkestrën Simfonike të Gjakovës. Natyrisht një ditë e rëndësishme ku shpërblehet mundi i përditshëm i atyre që bëjnë shumë dhe i japin shumë muzikës. Ne jemi një popull i muzikës dhe kjo nuk është vetëm një deklaratë por një lloj e dhëne pas disa vlerësimeve dhe kjo dëshmohet me përqindjen e popullsisë e cila në mënyrë aktive merret me muzikën, dhe kjo përqindje në Kosovë duhet të jetë goxha e lartë. Ne besojmë shumë se kemi cilësi të lartë në muzikë dhe jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon e këtë e kemi dëshmuar shumë herë”, thotë ai.

Sipas tij, është e obligueshme që si institucione shtetërore, më të mirët të shpërblehen në formë të mirënjohjeve dhe në formë të një falënderimi.

Tutje është bërë e ditur se nominimet dhe aplikimet janë vlerësuar nga juria profesionale në përbërje të kompozitorit Rafet Rudi (kryesues), kompozitorit Vasil S.Tole si dhe kompozitorit Ermir Bejo.

Në mungesë të prezencës së jurisë, për të lexuar raportin e jurisë, në skenë doli vlerësuesja Jehona Shyti.

Juria vlerësuese ka mundur të konstatojë se niveli profesional i veprave të paraqitura është i konsiderueshëm. Në bazë të kësaj, komisioni ka marrë këtë vendim:

Çmimi për Vepër Orkestrale, Simfonike dhe Koncertale i ndahet në mënyrë të barabartë veprave të dy autorëve: Drinor Zymberit për veprën “Constellation” dhe Kreshnik Aliçkajt për veprën “Viola Concerto”.

Veprat e autorëve Drinor Zymberi dhe Kreshnik Aliçkaj dallojnë për nga fizionomia stilistike por njëkohësisht që të dy veprat karakterizohen me nivel profesional të konsiderueshëm në të gjitha aspektet. Veprën e Drinor Zymberit e shquan një lëvizje e vazhdueshme pa synime dramatike zhvilluese, ka një orkestracion të një karakteri lundrues të detajuar dhe kalkuluar mirë. Edhe kjo vepër sikurse të gjitha veprat tjera të këtij autori, karakterizohet me një gjuhë shtrese të sofistikuar dhe bashkëkohore. Vepra e Kreshnik Aliçkaj, ndërkaq shënon edhe një hap në rrugën e këtij kompozitori që ndërmerret me sukses në forma standarde që aq shumë i mungojnë krijimtarisë sonë. Vepra ruan sigurinë stilistike të dalë nga një kornizë neoklasike, e ngjyrosur me elemente të tingëllimës autoktone.

Çmimi për Vepër Kamertale i ndahet në mënyrë të barabartë dy veprave të dy autorëve; Fjolla Gashit për veprën “Mystral” për kuartet flautesh dhe Ersan Januzit për veprën “Chaos” të shkruar për orkestër frymore.

Vepra e autores Fjolla Gashi “Mystral” shton përpjekjet e autores që me ngulm dhe me sens poetik të bëjë përshkrimin e një situate specifike nga natyre që ajo e përjeton, pavarësisht se probabiliteti i përfitimit të tingujve adekuat është relativ. Gjithsesi, duhet veçuar temperamenti interesant krijues i autores në vepër dhe shprehjen e freskët dhe moderne që ajo tregon. Vepra e autorit Ersan Januzi “Chaos” e vë në sprovë autorin pa na dhënë informacion komplet dhe jo të lehtë për t’u menaxhuar. Ai përkundër kësaj, mban një kontroll intonativ të sigurt. Gjatë tërë veprës operon me situata orkestrale, kontraktuese, mirë të diferencuara, gjë që komisioni e ka çmuar.

Çmimi për Vepër Solistike dhe për Duo i ndahet dy veprave të dy autorëve; Mendi Mengjiqit për veprën “Fantasy” për flaut dhe piano si dhe autorit Bardh Dubovci për veprën “TAH” për flaut solo.

Vepra e autorit Mendi Mengjiqi është një krijim ku autori i respekton me mençuri karakterin suptil të instrumenteve. Vepra ka shkrirje poetike që ngërthen në vete elemente të këngës sonë popullore me një diskrecion të rafinuar. Vija dramaturgjike e veprës është e kalkuluar mirë dhe ajo buron nga një zhvillim racional i mirë i materialit muzikor. Ndërkaq, vepra “TAH” e kompozitorit Bardh Dubovci hyn në vazhdën e veprave të fundit të këtij autori të ri shumë origjinal, i cili synim krijues ka eksplorimin e mundësive të instrumentit për të cilin shkruan. Ai në këtë vepër e bënë në mënyrë pa kufizime dhe pa ekzagjerime. Ideja fundamentale e veprës mbetet e çartë, konsekuente dhe nga ajo determinohen të gjitha parametrat e tjera të veprës.  

Çmimi për Vepër Korale ‘A cappella’ dhe Vepër Korale me shoqërim instrumental i ndahet Mendi Mengjiqit për veprën “Mars” kompozuar për kor ‘A cappella’ dhe Hajrullah Sylës për veprën “The Matamorphosis” kompozuar për kor me shoqërim instrumental.

Vepra e autorit Mendi Mengjiqi edhe një herë dëshmon posedimin e teknikës së mirëfilltë kompozicionale tashmë në fazën e pjekurisë së plotë krijuese. Autori që në vendosjen e materialit fillestar e ka kalkuluar çdo rezultat tingëllues që do të fitohet gjatë rrjedhës së veprës. Vepra bazohet në përvojën barokiene të kontrapunktit rrotullues, në të cilin zërat mund të ndërrojnë pozicione ‘lart-poshtë’ apo ‘poshtë-lartë’, duke mos thyer rregullat e udhëheqjes së zërave të vlefshme. Kompozitori këtë metodë me shumë sukses e ka dëshmuar edhe në veprat e mëparshme. I gjithë materiali muzikor është i kalkuluar me përpikëri. Vepra e autorit Hajrullah Sylës ndërtohet nga një eksperiencë mirë e formuar e autorit për muzikën korale. Është e qartë se autori i përcjell tendencat e reja popullarizuese të muzikës korale të sotme në botë, nga të cilat dhe lind frymëzimi i veprës.

Ndërkaq, ministri Çeku ishte ai i cili ka ndarë çmimet në fushën e muzikës për vitin 2021.

Kompozitori Mendi Mengjiqi ka vlerësuar lartë këtë konkurs që sipas tij është një stimulues për kompozitorët kosovarë.

“Ky konkurs është i vetmi stimulim që e kanë kompozitorët kosovarë si dhe njëkohësisht e ka kultivuar veprimtarinë tonë kombëtare. Kam një numër të konsideruar të veprave që kanë qenë me siguri të stimuluara nga ky konkurs. Falë këtij konkursi, për çdo vit tashmë po krijohet një vepër në mënyrë që të merret pjesë në të. Andaj, a fiton apo jo, nuk është me rëndësi fare. Duhet shumë mund dhe shumë shkollë për të krijuar një vepër të këtij zhanri”, thotë Mengjiqi.

Po ashtu, kompozitorët Hajrullah Syla, Ersan Januzi, Fjolla Gashi, Drinor Zymberi si dhe Kreshnik Aliçkaj pasi morën dhe çmimet e tyre, falënderuan Ministrinë e Kulturës si dhe mbështetësit e tyre më të afërt që kanë qenë me ta përgjatë gjithë krijimtarisë së tyre artistike.

Krejt në fund, ceremonia u përmbyll përsëri me një tjetër vepër magjike që erdhi pikërisht nga Orkestra Simfonike e Gjakovës. Dirigjenti Pëllumb Vula ka futur kontrollin e tij përbrenda lëvizjeve intensive të instrumentistëve të cilët interpretuan melodi të pakrahasueshme. Me një fuqi të lartë të notave diversive, kjo mbrëmje gjeti fundin nëpër tinguj të mahnitshëm e tejet të nevojshëm për dëshminë se muzika klasike vazhdon të mbetet mbretëresha e gjithë zhanreve muzikore që ekzistojnë nëpër botë. / KultPlus.com

Kompozitori i Kosovës prodhon vepër të muzikës klasike mbi pandeminë COVID-19

Kompozitori i himnit të Kosovës, profesori Mendi Mengjiqi, ka dalë me instrumentalin “TË MARRËSH FRYMË PËRSËRI” për String Orkestër, kushtuar pandemisë COVID-19, një mënyrë e tij duke shprehur përvojën personale dhe të rrethit të tij në vend gjatë krizës globale të shëndetit që po vazhdon.

Mengjiqi tha për dtt-net.com se përmes veprës së tij prej 13 minutash të prodhuar në Maj të këtij viti ai i përshkruan vështirësitë e përditshme që pandemia ka shkaktuar dhe po shkakton që nga viti i kaluar, por në të njëjtën kohë porosinë për betejën ndaj saj dhe shpresës për ta tejkaluar atë.

“Secili prej nesh i kishte dhe i ka përvojat e veta. Ne vazhduam betejën, ne e vazhdojmë betejën siç edhe duhet që të bëjmë gjithherë. Ndërsa kujtesa jonë e dashur është me ata që nuk ia dolën, shpresa është ajo që na mbanë të luftojmë dhe të vazhdojmë me jetën tonë ”, tha Mengjiqi në një bisedë me dtt-net.com.

Kompozitori i kishte momentet e tij gjatë pandemisë. Deri më tash Profesor Mengjiqi, nuk është infektuar personalisht me koronavirusin, por disa nga miqtë dhe të afërmit e tij janë infektuar, përfshirë edhe me fatalitet.

Ai shpjegon se një nga arsyet pse ai nuk ishte infektuar deri më tani mund të jetë se ai jeton në fshatin Lupçi i Epërm, rreth 20 km në veri të kryeqytetit Prishtinë, ku kontaktet me të tjerët janë të rralla. Në të njëjtën kohë ai u ka dhënë mësim studentëve të tij të universitetit kryesisht përmes internetit që nga shpërthimi i pandemisë në mes të marsit 2020 në Kosovë.

“Pandemia ka ndikuar gjithashtu në ritmin e arsimit dhe kurset e ligjëratave, siç ka ndodhur në të gjithë botën. Mësimi përmes internetit i ka vështirësitë e veta edhe këtu në Kosovë si kudo në botë. Ndonjëherë ne jemi përballur edhe me ndërprerje të rrymës elektrike, ndonjëherë me ndërprerje të qasjes në internet … por studentët e mi dhe unë nuk po heqim dorë. Arsimi duhet të vazhdojë, uria për dije po vazhdon këtu … Jeta duhet të vazhdojë këtu në Kosovë, rajon, Evropë dhe më gjerë në botë ”, tha Mengjiqi.

“Të marrësh frymë përsëri” për String Orkestër është vepra e dytë e muzikës klasike kushtuar problemeve të përmasave botërore nga profesori kosovar.

Në vitin 2019 ai kompozoi “Dhimbjen Simfonike”, një mënyrë e tij për të ngritur zërin në protestë kundër ngrohjes globale dhe dëmeve ndaj mjedisit të shkaktuar nga njerëzit.

Mengjigi është i njohur për publikun vendas dhe botëror me himnin e Kosovës (2008), kryeveprën e tij “Oratorio për Nënë Terezën” (1999) kushtuar fitueses të Çmimit Nobel, Shën Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu) dhe “Populis – Princi i Paqes” kushtuar ish-Kryetarit të SHBA-ve Bill Clinton i cili e ndihmoi Kosovën që të fitoi lirinë dhe pavarësinë e saj nga Serbia.

Mengjiqi i përfundoi studimet në Krakovë të Polonisë, ku jetoi nga 1990 deri në 1999 dhe ishte student dhe mik i ngushtë i profesorit dhe kompozitorit të shquar polak Krzysztof Penderecki, tashmë të ndjerë. Pas përfundimit të luftës dyvjeçare Mengjigi u largua nga Krakova dhe u kthye në atdheun e tij për të rifilluar jetën nga e para, të jap mësim në Universitetin e Prishtinës në kryeqytet dhe të jetoi e kompozoi nga Lupçi i Epërm i komunës së Podujevës. / KultPlus.com

Vepra e kompozitorit Mendi Mengjiqi shfaqet në festivalin e Korës së Jugut në 250 vjetorin e lindjes së Bethovenit

Veprat e artistëve të përzgjedhur botërorë të muzikës klasike do të shfaqen në festivalin ndërkombëtar në Seul (Koreja e Jugut) nga tetori në nëntor të këtij viti për të shënuar 250 vjetorin e lindjes së kompozitorit Ludwig Van Bethoven, e në mesin e veprave që do të shfaqen në këtë festival është edhe një vepër e kompozitorit/profesorit nga Kosova, Mendi Menqjiqi.

Festivali vjetor në Seul mbahet nga 20 tetori deri më 1 nëntor, ndërsa vepra prej 13 minutash e Menqjiqit e titulluar ‘Forsaken’ (Të braktisurit) do të shfaqet me 30 tetor, transmeton KultPlus.

Sipas programit të ditës ( http://www.simf.kr/program.html ) me 30 tetor, pas veprës së kompozitorit nga Lupçi i Epërm, e profesorit në Universitetin e Prishtinës, do të ekzekutohet vepra ‘Misa Solemnis’ (Lutje Solemne) e Bethovenit.

Vepra e Menqjiqit i kushtohet masës së varfër, të vuajtur e të shkelur dhe ajo në një mënyrë është thirrje për shpëtimin e saj.

Për nder të kësaj përmbajtjeje të veprës së kompozitorit Mengjiqi, edhe dita e shfaqjes me 30 tetor është emëruar nga organizatorët koreanë “Salvage of the Forsaken” (Shpëtimi i të braktisurve).

Menqjiqi veprën e tij të porositur nga organizatorët e festivalit e punuar enkas për këtë festival në Seul, pasi e kishte marrë kërkesën për një vepër të re për nga vetë koreanët qysh vitin e kaluar.

Vepra në fjalë të Menqjiqit dhe ajo e Bethovenit do të ekzekutohet nga orkestra simfonike SIMF e Koresë së Jugut, dirigjuar nga Hogeun Yoon.

Është kjo hera e parë që një kompozitor i rajonit të Ballkanit Perëndimor ftohet në këtë festival tashmë 12 vjeçar, dhe është pikërisht kompozitori shqiptar nga Kosova, Menqjiqi, i ftuari i cili me punën e tij tashmë mbi 20 vjeçare në muzikë klasike e ka tërhequr vëmendjen e organizatorëve botëror, e tash edhe në Kore të Jugut.

Dtt-net.com mëson se kompozitori Menqjiqi do të jetë edhe personalisht pjesëmarrës në festivalin në fjalë në Seul i ftuar dhe i kontraktuar nga organizatorët.

Në po të njëjtin festival me 23 tetor do të ekzekutohet edhe vepra « Ciaccona » e ish-profesorit dhe mikut të ngushtë të Menqjiqit gjatë studimeve në Krakow të Polonisë në vitet 90-ta Krzysztof Penderecki, i cili ka ndërruar jetë në Mars të këtij viti. Menqjiqi ndërkohë është duke edhe punuar në një vepër tjetër kushtuar profesorit Penderecki. / KultPlus.com

Historia e Himnit të Kosovës (VIDEO)

Më 12 Mars 2008, Kuvendi i Republikës së Kosovës vendosi të hapë një konkurs publik për përzgjedhjen e himnit shtetëror të Kosovës, mbështetur në dispozitat ligjore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Rezultat i këtij konkursit të organizuar ishte përzgjedhja e krijimit “Evropa”, si himni zyrtar shtetëror i Republikës së Kosovës i kompozuar nga Mendi Mengjiqi.

Vendosja e simboleve shumë etnike për Republikën e Kosovës, ishte paraparë qysh në dokumentin e quajtur “Propozimi gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës”, i datës 2 shkurt 2007, ose siç njihet ndryshme “Pakoja e Ahtisarit”.

Ndër krijimet pjesëmarrëse ishte edhe himni alternativ “Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë” i kompozuar nga kompozitori Rauf Dhomi, krijim i parapëlqyer i ish-Presidentit Ibrahim Rugova (1944-2006) për të qenë himn shtetëror i Dardanisë-Kosovës. Një tjetër krijim pjesëmarrës në konkurs ishte himni “Kosova diell” me muzikë të Sami Pirraj dhe fjalë të poetit Skënder Zogaj si dhe himni “Kosova jonë”, pa fjalë, me muzikë të Vasil S. Toles.

Mirëpo edhe himni sikurse edhe emblemat e tjera shtetërore duke përfshirë flamurin, monumentin “NEWBORN”, kanë pasur disa kufizime.
Në 10-të vjetorin e himnit, autori Mendi Mengjiqi, kishte dhënë të drejtën që të sjellet himni i plotë siç ai e kishte menduar dhe i pakushtëzuar. Himni i cili ishte menduar në fillim kishte edhe këtë tekst:

O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë
Çerdhe e dashurisë
N`ty shqipet fluturojnë dhe yjet ndriçojnë
Vend i të parëve tonë
Ti qofsh bekue për jetë e mot
O nënë e jonë
Ne të dalim zot
O mëmëdhe i dashur, vend i trinisë
Çerdhe e dashurisë.
/KultPlus.com