Fillon peticioni për kthimin e emrit origjinal të Mësonjëtores së parë shqipe

Shkolla ‘Udha e shkronjave’, ka filluar një peticion për kthimin e emrit origjinal “Mësonjëtorja e parë shqipe 1887” dhe “Muzeu Kombëtar i Arsimit” të kësaj godine që ka vlera të larta kulturore e kombëtare, përcjell KultPlus.

”I dashur bujar shqiptar,

Në Korçë, më 7 mars 1887 u hap “Mësonjëtorja e parë shqipe” si vepër e asaj që njihet Rilindja Kombëtare Shqiptare. Përmes saj dhe zinxhirit të shkollave që pasuan atë model u bë u mundur vetëdija kombëtare shqiptare e cila solli lëvizjen për pavarsi kombëtare që u shpërblye me Aktin e Pavarësisë në 28 nëntor 1912 dhe me Shtetin Shqiptar të cilin e gëzojmë edhe sot.

“Mësonjëtorja e parë shqipe” në Korçë, ndodhet në një rrugë historike të Korçës dhe ajo ka patur statusin “Muze Kombëtar i Arsimit” ose “Muze i Arsimit Kombëtar”. Shqiptarë nga çdo anë e botës, sidomos nxënësit, studentët, të rinjtë, shkollat që vizitojnë Korçën do të vizitojnë patjetër edhe këtë muze dhe do të frymëzohen prej tij për punë të larta kombëtare. Para se të hyjnë në të, ata do të bënin një foto në atë skenografi të bukur kombëtare që përmbante godinën siç ka qenë, veprën artistike në oborr që mbante shkronjat ABC, pendën, kallamarin dhe kartën, të vendosura në mënyrë të tillë që të binin në sy që nga jashtë Mësonjëtores dhe ta identifikonin “Mësonjëtoren” si një institucion që në thelb ka kujdesin për gjuhën shqipe.

Në datën 13 mars (vini re jo në 7 mars) Qeveria e Republikës së Shqipërisë publikon inagurimin e punimeve rikonstruktuese dhe vëmë re me indinjatë të madhe se emërtimi “Mësonjëtore e parë shqipe” nuk ishte më, po ashtu statusi “Muze Kombëtar i Arsimit” nuk ishte më dhe po ashtu edhe vepra unike e artit “ABC, pendë, kartë dhe kallamar” nuk ishte më.

Kjo do të bëhet shkak për një zinxhir pasojash në dëmtimin e Kujtesës Kombëtare dhe në edukimin e brezit të ri. Emërtimi i një institucioni është ka statusin e një pronësie “të patundshme”, dhe kështu heqja e emrit “Mësonjëtorja e parë shqipe” zhduk një pasuri të patundshme të Kombit Shqiptar. Posta e Korçës do t’i kthejë pas zarfat që nisen me adresën “Mësonjëtorja e parë shqipe” Korçë sepse një institucion e tillë nuk do të ekzistojë. Në Google Maps nuk do të ketë të drejtë të regjistrohet institucioni “Mësonjëtorja e parë shqipe” sepse institucionet regjistrohen zyrtarisht. Në guidat turistike, në harta, në libra, në fletëpalosje, në ëebfaqet zyrtare nuk do të ekzistojë një institucion i tillë. 7 marsi nga një festë kombëtare që ka një histori konkrete, me godina e ngjarje konkrete do të kthehet në një imazh abstrakt.

Heqja e veprës së artit ABC, pendë, kallamar dhe kartë nga oborri varfëron karakterin kombëtar të buleverdit të Korçës. Më parë se të ndodhte kjo, nga ai bulevard është hequr Bibliteka e Korçës “Thimi Mitko”, që si çdo bibliotekë në gjuhën shqipe mund të quhet produkt i Rilindjes Kombëtare dhe pra edhe i “Mësonjëtores së parë shqipe” që është simboli i sistemit arsimor kombëtar laik shqiptar.

Ulja e statusit nga “Muze kombëtar i arsimit” në “Muze i arsimit Korçë” synon që të kthejë “Mësonjëtoren” në një akt me rëndësi lokale dhe jo kombëtare.

Në muze janë bërë edhe shumë rikonstruksione. Ne nuk po ndalemi tek to, sepse besojmë që investimi brenda ka synuar që të krijojë aq shumë probleme sa të relativizojë të fshehë, të minimizojë, të shmangë nga vëmendja e publikut tri problemet kryesore “Heqjen e emrit “Mësonjëtorja e Parë Shqipe”, uljen e statusit nga “Muze kombëtar i arsimit” në muzel lokal dhe heqjen e veprës së artit “ABC, pendë, kallamar dhe kartë” që synonte identifikimin së jashtmi të institucionit si kujdestar kryesor i Gjuhës shqipe, shtyllë kurrizore e sistemit arsimor shqiptar produkt i Rilindjes Kombëtare.

Ky ndryshim dhe këto pasoja që thamë, për nga përmasat e ndikimit në kulturën tonë, e llogarisin këtë veprim në listën e veprave qartësisht antikombëtare.

Për këtë, ne Opinioni Pulbik Shqiptar, kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë:

a) të vendosë emërtimin “Mësonjëtorja e parë shqipe, 1887, Korçë” si emërtim zyrtar të institucionit dhe ta pasqyrojë këtë në regjistrat e hipotekës, në institucionet në varësi të dyfishtë të Ministrisë së Kulturës dhe të Ministrisë së Arsimit, sepse Mësonjëtorja është themeluesja e Ministrisë së Arsimit.

b) të rivendosë statusin “Muze kombëtar i arsimit” që do të ndikonte në thithjen e investimit kombëtar brenda dhe jashtë Shqipërisë

c) të rivendosë saktësisht siç ka qenë, në vendin dhe përmasat origjinale, veprën e artit që përmbante shkronjat A, B, C, pendë, kartë dhe kallamar.

ç) të bëhet ekspertizë e pavaruar kombëtare me përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, si edhe nga emigracioni, për rikonstruksionin e brendshëm

d) të hetohet ligjërisht procedura e ndjekur për marrjen e vendimeve dhe të dalin përgjegjësitë ligjore të secilit që ka ndikuar që ky akt antikombëtar të bëhet realitet‘, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

https://www.change.org/p/opinionit-publik-shqiptar-qeveria-t%C3%AB-vendos%C3%AB-emrin-m%C3%ABsonj%C3%ABtorja-e-par%C3%AB-shqipe-1887-dhe-muzeu-komb%C3%ABtar-i-arsimit?fbclid=IwAR0lntLiZuXxkfAjDYx9POk-J9DhcPH24jkW0jX_UTMX0ta1-m-yWwMrGuY

Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë së shpejti një destinacion turistik

Mësonjëtorja e parë shqipe është një arsye më shumë për të vizituar Korçën.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti bën me dije punët që çojnë përpara, ku një prej tyre është dhe Muzeu i Arsimit. “Pas restaurimit të plotë do të përfundojë muzealizimi i Muzeut të Arsimit, Mësonjëtorja e parë shqipe në Korçë. Një arsye më shumë për të vizituar Korçën!”, shprehet ministrja e Kulturës, në një status të saj për muzeun.

Mësonjëtorja e Korçës u hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë. Tashmë ndërtesa e shkollës shërben si një muzeum dhe ndodhet në veri të bulevardit “Shën Gjergji”.

Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare përbrenda Perandorisë Osmane.

Mësonjëtorja përbëri një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, rëndësia e saj është e një vlere të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit. Data e hapjes së saj festohet nga shqiptarët si “Dita e Mësuesit”.

Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, Mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet, u mbyll në vitin 1902 për t`u riçelur në vitin 1908.

U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh, më 1917. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Naum Naçi, Thoma Avrami, familja Qiriazi, etj. Kontributi i madh që këta atdhetarë dhe veprimtarë të shquar dhanë për kombin dëshmohet nga dëshira e zjarrtë, që ata kishin për të përhapur dijen në popull.

Me ato mundësi që kishin ata u bënë iniciatorët e krijimit të teksteve të para shkollore të dokumentuara. Ata i përkushtuan një rëndësi të madhe pajisjes me mjetet e duhura të mësimdhënies për të bërë më tej dhe shpërndarjen e tyre te nxënësit.

Në këtë muze pasqyrohet historia e shkrimit dhe e librit shqip, abetareve të gjuhës shqipe si dhe alfabeteve të përdorura në kohë të ndryshme, deri në alfabetin që kemi sot vendosur në Kongresin e Manastirit, më 1908.

Ndërtesa e muzeut ka dhe mjedise ekspozimi. Në shtator të 2019 u bë me dije se kishte nisur puna për restaurimin e godinës së Mësonjtores së parë shqipe. / KultPlus.com