Meteoriti më i madh marsian, i gjetur në Tokë shitet 4,3 milionë dollarë

Meteoriti më i madh i Marsit i gjetur ndonjëherë në Tokë u shit sot në një ankand të Sotheby’s, në Nju Jork 4,3 milionë dollarë, sipas AP.

Sipas shtëpisë së ankandeve, meteoriti (25 kilogramë) besohet se është hedhur në erë nga sipërfaqja e Marsit nga një goditje masive asteroidi – përpara se të udhëtonte 225 milionë kilometra drejt Tokës, ku u rrëzua në Sahara.

“Një gjuetar meteoritësh e gjeti atë në Niger në nëntor të vitit 2023”, tha Sotheby’s.

“Meteoriti në ngjyrë të kuqe, kafe dhe gri – i njohur si “NWA 16788″, është 70% më i madh se pjesa tjetër më e madhe e Marsit – e gjetur në Tokë dhe përfaqëson gati 7% të të gjithë materialit marsian aktualisht në këtë planet”, tha Sotheby’s.

“Gjithashtu ky është një zbulim i rrallë. Janë vetëm 400 meteoritë marsiane – nga mbi 77 000 meteoritë të njohur – zyrtarisht të gjetur në Tokë”, tha Sotheby’s.

Një pjesë e vogël e mbetjes së meteoritit të kuq u hoq dhe u dërgua në një laborator të specializuar që konfirmoi se vinte nga Marsi.

Meteoriti u krahasua me përbërjen kimike të dallueshme të meteoritëve marsianë të zbuluar gjatë sondës hapësinore “Viking” që zbriti në Mars në vitin 1976.

Ekzaminimi zbuloi se është një lloj shkëmbi marsian i formuar nga ftohja e ngadaltë e magmës marsiane.

“Ai ka një strukturë të trashë dhe përmban mineralet piroksen dhe olivinë”, tha Sotheby’s./atsh/ KultPlus.com

Meteoriti i rrallë 4,5 miliardë vjeçar rrëzohet në Gjermani

Meteoriti – që u rrëzua në Tokë afër Berlinit në janar – është rreth 4,5 miliardë vite i vjetër dhe i përket klasës së rrallë të aubritëve, shkruajnë shkencëtarët në një artikull të botuar në revistën “Meteoritics & Planetary Science”.

Asteroidi i vogël 2024 BX1 u dogj më 21 janar pranë Berlinit, në një shfaqje spektakolare qiellore. Disa copëza ranë përtokë në rajonin Havelland të landit të Brandenburgut – që rrethon kryeqytetin gjerman dhe shumë prej të cilave u mblodhën nga shkencëtarët dhe koleksionistët.

Rreth 202 copëza që peshojnë gjithsej 1,8 kilogramë u gjetën në një fushë të shpërndarë pranë fshatrave të Brandenburgut Ribbeck, Berge dhe Lietzow, të shpërndara në një sipërfaqe prej 1,5 me 10 kilometra.

Shkencëtarët e quajtën meteoritin Ribbeck sipas vendit ku u gjet.

Studimi i udhëhequr nga Instituti i Planetologjisë në Universitetin e Munster-it, i cili u botua të mërkurën, zbuloi se Ribbeck i përket klasës jashtëzakonisht të rrallë të aubriteve që janë të pasura me magnez dhe silikon.

“Ribbeck mban një status të veçantë brenda kësaj klase të rrallë – pasi shkëmbi përmban një përqindje jashtëzakonisht të lartë të feldspatëve, një mineral që i përket grupit silikat”, zbuluan shkencëtarët.

Grupi hulumtues supozon se trupi mëmë i Ribbeck është rreth 4,5 miliardë vjet i vjetër dhe e ka origjinën nga brezi asteroid midis Marsit dhe Jupiterit.

Shkencëtarët shpjeguan gjithashtu se pse copëzat e tij kishin një aromë intensive të sulfurit të hidrogjenit, një erë e ngjashme me atë të vezëve të prishura.

Reaksionet kimike midis fazave minerale dhe lagështisë, të cilat rezultojnë nga bora dhe shkrirja, shkaktojnë aromën duke ndryshuar mineralogjinë e shkëmbit./atsh/ KultPlus.com