Motër e vëlla të vrarë nga forcat serbe i “rikthehen” shkollës, kësaj radhe të shkrirë në bronz

Ganimete Hajdari sot do t’i gëzonte të 35-tat, ndërsa i vëllau Miftari, plotë 30, por një dorë krimi i ndërpreu vitet më të mira të jetës së tyre, e bashkë me ta “vranë” edhe shpirtin e të dy prindërve që sot jetojnë mes vuajtjeve e të rënduar nga sëmundja, shkruan KultPlus.

Për Ganimete dhe Miftar Hajdarin nga fshati Shtedim i komunës së Podujevës, viti 1999 ishte i kobshëm, njëjtë si edhe për 1133 fëmijë të tjerë të cilët u vranë nga lufta e fundit në Kosovë.

Ishin dy fëmijë që shkollën e kishin në plan të parë, por vendi ku dikur i gëzonin ditët më të mira, sot i ka hapur dyert për ta, ata ju kanë rikthyer shkollës, por kësaj radhe në bronz.

Në shenjë kujtimi, në oborrin e shkollës fillore “Sheqë Mirofci” të fshatit Shtedim të Podujevës u vendos dje pllaka përkujtimore në nderim të engjëjve martirë.

Forcat serbe ju lanë ëndrrën e shkollimit në gjysmë, por përmes kësaj vepre ata tashmë do të jenë përgjithmonë afër bashkëmoshatarëve të tyre.

Kjo është vepra e parë në Kosovë që është realizuar për fëmijët e vrarë gjatë luftës së vitit 1999 dhe autori i kësaj vepre, Bedri Kadriu, është shprehur se ndihet i nderuar dhe falënderues ndaj familjes Hajdari që ja besuan punën.

“Pikërisht në oborrin e shkollës së tyre ku ata vinin e shkonin çdo ditë të buzëqeshur e plotë shpresë, të lumtur e me shumë ëndrra, ata sot u kthyen në bronz, për të qëndruar gjithmonë pran moshatarëve të tyre. Si autor i kësaj vepre jam i nderuar dhe falënderues ndaj familjes Hajdari për punën që ma besuan”, shprehet Kadriu. / KultPlus.com