Obelisk në nderim të Dom Mikel Koliqit në Gjazë të Lushnjës, aty ku kaloi 10 vite internim

Memoriali i Kardinalit të parë shqiptar Mikel Koliqi do të qëndrojë nga sot në Gjazë të Lushnjës, ku ai jetoi si i internuar për 10 vite gjatë diktaturës komuniste.

Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast morën pjesë autoritetet fetare të Kishës katolike dhe ortodokse, autoritetet e bashkisë Lushnjë dhe qytetarë të shumtë që nderuan veprën e kardinalit Koliqi, një prej figurave të shkëlqyera të rezistencës fetare dhe antikomuniste.

Obelisku prej mermeri u vendos në vendin e vuajtjeve të internimit ndërsa në ceremoni ishte i pranishëm ambasadori i Vatikanit në Shqipëri Luixhi Bonaci si dhe arqipeshkv i dioqezës Shkodër Anxhelo Masafra.

Ambasadori i Vatikanit lexoi mesazhin e papës ditën e vdekjes së Mikel Koliqit, ndërsa bashkëvuajtesit e internimit folën mbi kujtimet e tyre dhe figurën e Koliqit.

Mikel Koliqi lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, për t’i vijuar studimet në Milano të Italisë, ku edhe u diplomua në degën e inxhinierisë mekanike, në Politeknikumin e Milanos.

Ishte në moshë të pjekur, kur ndjeu thirrjen për rrugën meshtarake, thirrje që e kurorëzoi duke u shuguruar meshtar më 30 maj 1931. U kthye menjëherë në Atdhé dhe nisi shërbimin, më parë si ndihmës-famullitar, e pastaj si famullitar i katedrales së Shkodrës.

U shqua edhe për veprimtarinë e tij muzikore e publicistike. Muzikoi melodramat e para në historinë e muzikës shqiptare, në bashkëpunim të ngushtë me Dom Ndré Zadejën. Qe kryeredaktor i revistës “Kumbona e së Dieles”. Gjatë regjimit komunist u burgos tri herë dhe u dënua me 40 vjet heqje lirie.

Papa Shën Gjon Pali II e emëroi prelat nderi (monsinjor) në janar 1992, e takoi personalisht gjatë vizitës së tij në Shkodër, më 25 prill 1993 dhe e krijoi kardinal më 26 nëntor 1994 në Vatikan.

Menjëherë pas fillimit të proceseve demokratike të Shqipërisë, kardinali Mikel Koliqi u nderua së pari me titullin “Pishtar i demokracisë”, më pas me titullin “Nënë Tereza” dhe, vetëm pak ditë para vdekjes, me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”. Vdiq në Shkodër, më 28 janar 1997.

Një jetë e veçantë ajo e dom Mikel Koliqit, që shtrihet në gjithë hapësirën e shekullit të kaluar, një jetë e jashtëzakonshme për fé e atdhé që mbeti hallkë e pashkëputur nga tmerri i persekutimit ateist të komunizmit./atsh/KultPlus.com

Mikel Koliqi, prifti muzikant (VIDEO)

Mikel Koliqi (Shkodër, 29 shtator 1902 – 28 janar 1997) ka qenë prift, muzikant dhe kardinali i parë shqiptar i Kishës Katolike. Më 1932 themeloI korin e Katedrales të quajtur “Scuola Cantorum”.

Kompozoi dhe realizoi në skenë tri melodrama të Dom Ndre Zadejës.

Kompozoi edhe 30-40 pjesë të ndryshme korale.

Është vëlla i Ernest Koliqit. Më 3 shkurt 1945 arrestohet nga autoritetet komuniste dhe dënohet me dy vjet burgim ngaqë kishte dëgjuar radio të huaja. Arsyeja e vërtetë ka qenë më me gjasë veprimtaria politike e të vëllait, Ernestit, gjatë pushtimit italian.

Më pas u lirua për t’u arrestuar sërish më 1946, i dënuar me 5 vjet burgim. Më pas u lirua dhe arrestua sërish më 1951, kur u dërgua në kampet e punës në Gradishtë, Kuç, Gjazë, Beden, Orman, Savër, Ballsh e Zejmen.

Dënimet e tij të bërë së bashku shumojnë në 21 vjet heqje lirie dhe 21 vjet punë të detyruar. U lirua më 1986 për arsye moshe.

Bashkangjitur gjeni një video që flet më shumë rreth jetës së Koliqit. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=ptKg4RExJX8&feature=youtu.be&fbclid=IwAR139DvEKWYsm4xKqtvmAXE1P2Y5nLrZSEEugxKo5ycWe8p-HYxtuzC0_C0