Milan Šufflay, kroati që “luftoi” deri në vdekje për albanologjinë

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët kujtoi sot me rastin e 145-vjetorit të lindjes historianin dhe politikanin e madh kroat, njërin prej themeluesve të albanologjisë, Milan Šufflay.

Lindi më 9 nëntor 1879, në Lepogllav të Kroacisë. Qe ndër themeluesit e albanologjisë si dhe autor i të parit roman fantashkencor në letërsinë kroate. Ka botuar disa libra mbi botën arbërore, ku ka trajtuar mbi baza objektive dhe referenca dokumentesh figurën e Skënderbeut. Disa nga librat e tij kryesorë janë: “Kufijtë e Shqipërisë në Mesjetë”, “Shqipëria Mesjetare”, Biologjia e Fiseve të Popullit Shqiptar” etj.

Edhe vepra tjetër letrare që shkroi, “Kostandin Balsha” është ndër romanet e para historike me tematikë shqiptare. Interesimin e Shuflajt për shqiptarët dhe Shqipërinë e ndeshim që në fillim të karrierës së tij shkencore, kur, duke hulumtuar e mbledhur dokumenta nëpër arkivat e Dalmacisë, për “Codex diplomaticus” të Tadija Smiçiklasit, zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Kjo periudhë, në atë kohë ishte e pahulumtuar fare dhe zgjon interes të jashtëzakonshëm tek studiuesi i ri, interesim ky që e preokupon aq shumë, sa bëhet qëllimi kryesor i veprimtarisë shkencore për gjithë jetën e tij dhe u bë arsyeja e vdekjes së tij.

Ai u përndoq nga Mbretëria Jugosllave, më 19 shkurt 1931 e vrasin në pragun e shtëpisë së tij në Zagreb. Jehona e vrasjes ishte e madhe. Reaguan me shkrimet e tyre “Tribuna” (Romë), “Berliner Tagblat”, “New York Times”, “Frankfurter Zeitung”, “Arbënia”, “Vullneti i Popullit” (Tiranë), etj.

Me një memorandum të veçantë reaguan edhe kolosët e shkencës e të letrave si Albert Einstein, Heinrich Mann, dr. Josef Bajza, dr. Max Hildebert Boehm, dr. Karl Fritzler, dr. Zenon Kuziela, dr. Martin Spahn, dr. Branimir Jeliq, Josip Milkoviq, Mid’hat Frashëri, Faik Konica, si dhe organizatat “Ligue Internationale des Droits des L’Homme”, “Federation Universitaire Internationale”, etj./atsh/KultPlus.com

Milan Šufflay, albanologu kroat që u vra nga armiqtë e shqiptarëve

Në kalimin e natës 18/19 shkurt të vitit 1931 është kryer në Zagreb vrasja e Milan Šufflay, e përgatitur nga regjimi i mbretit Aleksandri I Karagjorgjeviq, vrasje kjo që kishte bërë jehonë të madhe në opinionin publik evropian e botëror.

Lidhur me këtë vrasje është i njohur edhe reagimi i personaliteteve të shquara të shkencës dhe të kulturës, si, Albert Einstein, Heinrich Mann e shumë të tjerëve, të cilët kishin dërguar një letër Ligës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Paris. Sipas letrës në fjalë, kërkohet dënimi për vrasje, si dhe për ushtrimin e diktaturës nga strukturat mbretërore të Jugosllavisë.

Šufflay ishte një nga nxitësit kryesorë të idesë së ndarjes së qytetërimeve sipas “Linjës së Teodosit” nga viti 395. Ndërsa në botën shkencore u bë i njohur me veprat e tia kapitale nga lëmi i Albanologjisë: “Acta et diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I-II” (“Aktet e diplomat që ilustrojnë ngjarjet në Arbërinë Mesjetare”, në bashkëpunim më, L. Thalloczy dhe K. Jireçek. Vjenë: 1913-1918); “Biologjia e popullit të shqiptarëve” (München, 1916); “Gjendja e kishave në Arbërinë paraturke. Zona ortodokse e depërtimit në digat katolike”, (Zagreb-Budapest: 1915/16); “Kufijtë e Arbërisë në Mesjetë” (Munich-Leipzig: 1916); “Qytete e fortifikata të Arbërisë, kryesisht gjatë mesjetës” (Vjenë-Leipzig: 19241924), “Serbët dhe Shqiptarët” (Beograd-Lubjanë: 1925), “Statuta et ordinationes capituli ecclesiae cathedralis Drivastensis”; ”Fatet politike të Themës së Durrësit” (Zagreb: 1915); romani historik “Alba Limi” kushtuar princit Arbër, Kastandin Balsha (1920), e shumë shkrime të tjera eseistike të kësaj natyre.

Me këtë opus të pasur albanologjik të mbështetur vetëm në burime historike të dorës së parë, Milan Šufflay ishte bërë pengesë e madhe në realizimin e projekteve të mëdha antishqiptare, jo vetëm nga strukturat mbretërore jugosllave, por edhe më vonë nga shteti komunist i Jugosllavisë, që synonin zbrazjen e territoreve shqiptare duke u mbështetur edhe në dëshmi teorike-shkencore-historike se, gjoja shqiptarët janë të pranishëm në treva jashtë Shqipërisë politike vetëm nga kapërcyelli i shek. XVII.

Burimi: A. Einstein Accuses Yugoslav Rulers, in: The New York Times, May 6th, 1931! / KultPlus.com